Saturday , December 16 2017
Lajmi i fundit

I.Karamanaga: MUSTAFA CANKA – INTELEKTUAL GUXIMTAR I VËRTETË

 

Mustafa CankaVështirë të shkruash për te pasi që ai shkruan më tepër dhe më shumë se shumë nga ne të tjerët, për çdo ditë, kështu që pa dyshim në shkrimin tim ka me pasur edhe ndonjë mungesë nga aktivitetet e tija. Mirëpo, shkrimet, në veçanti për njerëz publikë të cilët merren më gjëra të përditshme, siç është edhe Mustafa Canka, e kuptojnë më lehtë se këtu mundet edhe të ketë gabime por edhe mendime të ndryshme.

Natyrisht, ky është një vëzhgim i imi në përgjithësi për këtë personalitet të kulturës sonë, por edhe për të tjerët. Personazhet siç është edhe Mustafa Canka janë pesonalitete publike të cilët i njeh opinioni i gjërë, prandaj edhe të shkruhet për ata është një sfidë e madhe. Mirëpo, unë z. Mustafa Cankën e njoh që nga banka në shkollën e mesme, bile një kohë i kam dhënë edhe mësim, kështu që kam marrë guxim ti shkruaj disa rreshta për te, pasi që mendoj se duhet të jetë në librin tim më të ri. Ndoshta për te më vonë do të shkruajnë edhe ndokush tjetër, por unë mendoj, pasi që e kam pasur nxënës në shkollë, se mund ta vlerësoj sadopak kapacitetin e këtij intelektualli, sot një ndër gazetarët, publicistët dhe hulumtuesit më të mirëfilltë dhe më të shquar tek ne.

Mustafa ka arritur që të bëhet një gazetar me famë të madhe jo vetëm në Ulqin dhe në rrethinën tonë këtu, por edhe në tërë Malit e Zi. Pjesëmarrja në tubime dhe në tryeza të rrumbullakëta, dëshmojnë për çdo ditë për te. Ai është i pranishëm çdokund ku ka diskutime për tema të cilat brengosin qytetarët e Shtetit tonë, në veçanti të qytetit tonë.
Tubimet, tryezat e rrumbullakëta për Kriporen, Valdanosin, hulumtimet për naftë dhe gaz në akuatoriumin e detit tonë në bregun e Ulqinit, shkatërrimi i turizmit etj., gjithçka është në fokusin e interesimit të tij.
Është i shquar dhe i arsimuar, me një kulturë të gjërë. Ai ishte një ndër studentët i gjeneratës më të mirë në Fakultetit e turizmit në Dubrovnik të Kroacisë, pavarësisht se veten e ka gjetur në gazetari.

Por ai e njeh mirë turizmin dhe lëvizjet turistike tek ne dhe në rajon. Flet gjuhë të huaja, në veçanti gjuhën gjermane. Kjo është një trashëgimi, një gjen i fort nga Babai i tij dhe ky gjen vazhdon të forcohet edhe më tepër tek fëmijtët e tij. Dy vajzat e tija e flasin dhe e zotërojnë shumë mirë gjuhën gjermane, kurse e dyta Sara, themë me plotë përgjegjësi si gjermanist, gjuhën gjermane e zotëron aq mirë që vështirë mund ta vëreni se ajo atë nuk e ka gjuhë amtare.

Shpesh takohem me te në Ranë, në kafenen “Timoni” apo në ndonjë manifestim kulturor, në ndonjë ngjarje publike, ku rrimë dhe bisedojmë.
Mustafa është një enciklopedi e vogël në këmbë, që për çdo ditë na sjell gjëra të reja në portalin e tij Ul-info.com, të cilin e ka themeluar ai, por me shtesa nga memoria e pashtershme nga truri i tij apo nga shkrimet në revista të ndryshme anë embanë Malit të Zi.

Përveç kësaj, ai shkruan edhe në revista të tjera, në veçanti për “Monitor”, një revistë në gjuhën malazeze, ku komenton ngjarjet nga politika, ekonomia, kultura dhe ajo e përditshmërija tek ne në Ulqin.
Përveç shkrimeve të shumta, Mustafa është edhe autor i dy librave të cilat kanë një pesh të madhe në historinë dhe në kulturën tonë.
Libri i parë “Qyteti – komente” përbëhet nga komente të cilat i ka shkruar si gazetar në Televizionin Teuta, të cilët janë pritur me pa durim dhe kanë pasur një jehonë të madhe te publiku ynë.
Kurse libri i dytë “Ulqini në Perandorinë Osmane“ i cili ka një pesh të veçantë pasi që merret me ngjarje nga historia jonë nga shekulli XVI deri XX.
Isha edhe unë i pranishëm në përurimin e këtij libri në restorantin “Holegro“ në Ranë, ku njëri nga panelistët ishte edhe akademiku i njohur prof. dr. Sherbo Rastoder, me të cilin haptas në të njëjtën mbëmje, Mustafa më disa fakte nuk u pajtua. I tillë është Mustafa.

Ai studion, hulumton, shkruan dhe komenton. Jam më se i sigurt se ai ka pak kohë për të shkruar më libra, pasi që pandërprerje përcjell ngjarjet ditore, javore, të themë më mirë të përditshmërinë e qytetit tonë dhe më gjërë. Gjithashtu, është ai edhe shumë aktiv në tryeza të rrumbullakëta të cilat organizohen në tërë Malit e Zi.
Prandaj dhe i sugjeroj që ta bëjë edhe një përmbledhje të këtyre shkrimeve në një libër që do të mbesë për gjeneratat të cilat do të vijnë pas nesh. Mustafa është i ri dhe ka kohë shumë më tepër se ne të tjerët, por si do që të jetë, është mirë të bëhet një përmledhje e tillë.
Fjala e shkruar mbetet përgjithmonë.

Mustafa Canka shpesh është kritik i ashpër, por dikush edhe duhet për të qenë i kritikuar, si nga pozita ashtu edhe nga opozita. Përndryshe, gjithëçka do të ishte ideale, ndërsa të gjithë ne e dimë se në jetë ashtu edhe në politikë nuk është ashtu, pasi që ka mendime dhe ide të ndryshme. Kështu edhe duhet të kuptohet jeta.
Ai kritikon jo vetëm pushtetin lokal, por edhe politikën e shtetit të Malit të Zi ndaj Ulqinit, qytetit tonë të bukur. Mustafa të gjitha këto i ka në fokusin e interesimit të tij. Pena e tij shpeshherë është e ashpër , por jam më se i bindur se pa qëllim të keq. Të gjitha këto duhet të kuptohen si një mendim tjetër për realizimin e gjërave të cilat na brengosin neve si popullatë dhe si qytet me një potencial të jashtëzakonshëm, një dhunti të dhënë nga Perendija.
Ai mendon se në këtë drejtim, pra në drejtimin e zhvillimit të qytetit tonë të bukur, nuk ka përparim nga politika dhe politikanët të cilat janë në pushtet tek ne. Zotëri Mustafa Canka, është kritik sepse mendon se mundet gjithmonë më mirë, më shumë dhe më tepër për të punuar për zhvillimin e qytetit tonë, për avansimin e popullit tonë autokton në këto treva.
Mendon se në këtë drejtim ka gabime, devijime dhe dëgjueshmëri shumë më të madhe sesa është nevoja, për qëllimet dhe aspiratat e pushtetit qendror ndaj qytetit tonë, i cili është në një shkallë të ulët të zhvillimit në nivel të Malit të Zi. Kjo, aq më tepër që qyteti ynë disponon më resurset më të mëdha dhe më të pasura në bregdetin e shtetit.
Mjafton, thotë dhe mendon Mustafa, ta shihni zhvillim e turizmit të sotëm dhe “largo Zot” mos ta krahasojmë me atë që ka qenë deri ne vitet e 90 të të shekullit të kaluar.
Shkatërrimi i hoteleve, shitblerja e tyre pa investime, me tendere të gabueshme , në veçanti pa investime kapitale në këtë lëmi dhe në përgjithësi në qytetin e Ulqinit , janë për t u kritikuar.
“Më në fund, ky moszhvillim i ekonomisë, shitja e resurseve më të pasura tek ne, kanë shkaktuar edhe një mërgim të paparë në shtetet e Perendimit dhe në Amerikë. Prandaj, edhe nuk mundem me hesht”, shprehet Mustafa, më shpesh dhe më shumë se të tjerët.

Jam i bindur se ai, pavarësisht nga kritikat të cilat shpesh kanë edhe penën e ashpër, kurrë nuk ka qëllimin e keq, por gjithmonë sugjerime dhe kritika për përmirsimin e politikës së pushtetit lokal, si dhe kritika e politikës së Malit të Zi ndaj popullatës sonë dhe qytetit tonë të bukur.
Natyrisht në shumë raste, mospajtimi shkakton edhe kritika, e cila nuk i pëlqen pushtetit lokal, por pa kritika, pa mendime të ndryshme, po e përsëris, nuk do të kishte qenë jeta interesante dhe nuk kishte mendime të tjera.
Prandaj, edhe kështu duhet të kuptohen edhe kritikat e z. Mustafa Cankës, intelektualit dhe guximtarit të vërtetë.

E njoh mirë. Ai është edhe besimtarë i mirë, bile një kohë të shkurtër ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Bashkësisë islame të Ulqinit, por shpejt është larguar vetë, pasi që nuk është pajtuar me “politikat e pushtetit në atë institucion në atë kohë”.
Mirëpo, ai fal namazin dhe është i regullt si fetar dhe besimtar, por është dhe njohës i mirë i fesë dhe i Kuranit. Natyrisht, unë nuk jam kompetent, as gjykatës të vlerësoj gjëra të tilla, por në bisedën me të disa gjëra vërehen.

Në fund, diçka çka është një veti e rallë e këtij intelektuali, çka nuk mund të haset shpesh ke njerëzit që merren me shumë gjëra.

Mustafa është njohës i mirë i letërsisë botërore dhe asaj të vendeve të rajonit. Ai ka një memori të hatashme, të jashtëzakonshme.

Autori i këtij shkrimi të kushtuar Mustafa Cankës, ka pasur rast të shkojë dy herë me të deri në Shkodër, në kohë kur ka pasur librin e dytë në shtyp,shtyp shkronjën “Rozafat”.
Ghithë rrugës më ka recitur Jevrem Brkoviqin, Vito Nikoliqin dhe disa të tjerë nga letërsia botërore, në veçanti nga letërsia gjermane. Shumë filosofë me famë botërore, shumë thënie iu përsërit, athua se e ka në letër duke i lexuar. Njeriu mbetet i fascinuar.
Gjithashtu edhe shumë këngë popullore burimore i ruan në memorie. Asgjë nuk harron. Ai di shumë vjersha, shumë thënie popullore. Është e pabesueshme një memorie e tillë. Njeriu mbetet i fascinuar se sa shumë informata ka të memorizuara në trurin e tij.

Jam më se sigurt se zotëri Mustafa Canka edhe në të ardhmen me punën e tij, në lëmi të ndryshme, në veçanti në studimet në fushën e historisë, në gazetarisë, por edhe për gjëra të cilat kanë të bëjnë me avansimin e popullit tonë, ka për të dhënë shumë kontribut për zhvillimin e qytetit tonë të bukur në lëmi të ndryeshme.

 

Ulqin, nëntor 2017

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top