Wednesday , October 16 2019
Lajmi i fundit

I.Karamanaga: Shaban Gjeka – Simbol i këngës popullore burimore

Shabani fotoPavarësisht nga koha moderne dhe kërkesat e publikut në dasma, Shaban Gjeka i ka mbetur gjithmonë besnik interpretimit klasik dhe kurrë nuk ka rënë nën ndikimin e rrymave të tjera moderne. Ai i takon grupit të këngëtarëve dhe ahengxhinjve të kohës klasike të muzikës sonë, kështu që stilin e tij dhe frymën burimore të kësaj muzike nuk e ka lënë kurrë pas dore, duke e bërë këtë muzikë të pavdekshme dhe të pazëvendësueshme.

Ai ka mbetur klasiku i muzikës sonë popullore, duke ditur që sot është koha kur dëgjohet një muzikë tjetër popullore, një muzikë e përpunuar, të cilën veshi i shumë prej neve nuk e njeh, pavarësisht që ende quhet “popullore”.

Si të fillosh të shkruash për këtë artist të lindur, për interpretimin e muzikës popullore, për muzikën me të cilën jemi rritur ne, e të mos gabosh pasi që unë jam një laik i cili veç din ta dëgjojë mirë? Si ta përshkruash zërin e tij të ëmbël, qëndrimin, kulturën muzikore, këngët që të gjithë ne i këndojmë në vete?

Po e filloj me një citim nga një shkrim i shkurtër i imi kushtuar këtij artisti në vitin 2015: “Shaban Gjeka është këngëtar, aktor dhe autor i muzikës burimore popullore ulqinako-shkodrane. Kjo figurë markante e folklorit tonë, mbi katër dekada qëndron si bastion i muzikës sonë popullore, dhe pa dyshim ka lënë gjurmë të pashlyera në folklorin dhe muzikën popullore anembanë botës shqiptare. Ende edhe sot zëri i tij dëgjohet në radio, televizione, koncerte. Shabani tashmë është bërë klasik i muzikës dhe për të edhe ‘Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës’, me motivacion: ‘Për kontribut si përfaqësues tipik në interprentimin dhe afirmimin e këngës tradicionale popullore ulqinako-shkodrane.”

Ulqini dhe udhëheqësit tanë janë kujtuar në prill të këtij viti (06. 04. 2019), me rastin e kremtimit të Ditës së Ulqinit, të mendojnë pak edhe për Shaban Gjekën, kur në përgjithësi dekorohen apo lavdërohen nxënësit, policët, sportistët më të dalluar. Ajo shprehja e shkruar në një pllakë në Kala “Nemo profeta in Patria sua est” është shpesh aktuale te ne.
Ai ka mbetur klasiku i muzikës sonë popullore, duke ditur që sot është koha kur dëgjohet një muzikë tjetër popullore, një muzikë e përpunuar, të cilën veshi i shumë prej nesh nuk e njeh, pavarësisht që ende quhet “popullore”.

Shpesh dëgjoj termin “performancë”, e cila me siguri e ka vlerën artistike, por unë dhe shumë adhurues të muzikës popullore burimore, nuk e kuptojmë fare. Natyrisht, unë nuk jam kompetent të jap vlerësime artistike të kualifikuara, kështu që unë shpreh vetëm mendimet e mia, për çfarë kam plotësisht të drejtë. Kështu që fillimi i tekstit kushtuar Shaban Gjekës, më duket se është përshkrimi im modest më i mirë kushtuar kësaj figure markante të muzikës sonë popullore, të asaj muzike burimore që ende dëgjohet te ne.

Më në fund, siç shihet, edhe Shkodra si djepi i kulturës, në veçanti i muzikës popullore, ku janë dalluar këngëtarët dhe artistët popullorë, siç ishin: Bik Ndoja, Xhevdet Hafizi, Shyqyri Alushi, Naile Hoxha, Luçije Miloti dhe shumë të tjerë, e ka vlerësuar lart kontributin e Shaban Gjekës dhe e ka dekoruar me këtë “Mirënjohje” në vitin 2015.

Prandaj Shkodra vlerëson lart interpretimin dhe këngën burimore popullore, e cila ka lindur në këtë qytet të bukur. Këtë këngë dhe muzikë, të cilën e kemi edhe ne ulqinakët në zemër dhe në shpirt, e ruan Shaban Gjeka, dhe ai pa dyshim vazhdon traditën e interpretimit të kësaj muzike duke e trashëguar nga artistët e mëdhenj me përmasa kombëtare.

Edhe ne në Ulqin e kemi ruajtur nga ahengxhinjtë tanë popullorë të mëparshëm, në dasma, fejesa, synetllëqe, në shfaqje folkloristike, në veçanti në kohën e Rexhep Abazit, ku ka marrë pjesë edhe Shaban Gjeka, të them më mirë në kohën e artë të turizmit tonë, deri në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Mirëpo Shaban Gjeka është ai i cili pavarësisht nga koha moderne dhe nga kërkesat e publikut në dasma, gjithmonë i ka mbetur besnik interpretimit klasik dhe kurrë nuk ka rënë nën ndikimin e rrymave të tjera moderne. Ai i takon grupit të këngëtarëve dhe ahengxhinjve të kohës klasike të muzikës sonë, kështu që stilin e tij dhe frymën burimore të kësaj muzike nuk e ka lënë kurrë pas dore, duke e bërë këtë muzikë të pavdekshme dhe të pazëvendësueshme.
Shabani ka lindur në një familje ku është jetuar si ndër shumë familjet tjera të asaj kohe, relativisht në kushte më të vështira sesa sot. Ishte kjo një familje me shumë fëmijë, por përparimtare, kështu që prindërit e tij kanë dhënë një kontribut të madh për t’i shkolluar dhe edukuar. Shabani, por edhe vëllezërit e tij, kanë fituar një arsim dhe edukim të mirë, dhe të gjithë ata janë të suksesshëm në lëmitë e tyre.

Shabani është bërë mësimdhënës në shkollë dhe kontributi i tij në arsimimin dhe edukimin e të rinjve pa dyshim është i madh. Një kohë të gjatë, fëmijëve dhe brezave të reja Shaban Gjeka iu ka mbetur në kujtesë edhe më vonë. Shumë nga ata edhe sot e përmendin Shabanin, i cili me autoritetin e tij ka mbetur i paharruar.

Më vonë, Shaban Gjeka është marrë pak edhe me politikë dhe njëra ndër partitë fituese, duke vlerësuar lart punën e tij në kulturë, e caktuan në postin e drejtorit të Qendrës për Kulturë, ku Shabani ka dhënë një kontribut modest. Mirëpo, duke e ditur se mundësitë financiare të këtij institucioni nuk kanë lejuar përmirësime të mëdha, pavarësisht nga vullneti, aftësia dhe talenti i drejtorit të këtij institucioni, as Shaban Gjeka dhe askush tjetër nuk ka mundur dhe nuk mund të bëjë ndonjë gjë të madhe.

Derisa ishte drejtor i këtij institucioni, me Shaban Gjekën kam pasur relacione të mira. Dua të theksoj se një herë ishim të ftuar në një emision radiofonik në orët e natës së bashku në Podgoricë. Në mua dhe autoren e këtij emisioni, Shaban Gjeka ka lënë mbresa të mira dhe të paharruarra, duke e informuar publikun e radios anembanë botës më biografinë e tij, muzikën e tij dhe me sukseset e mëdha të karrierës së tij, si i ri por edhe më vonë, në festivale të këngës popullore, duke filluar prej Vrnjaçka Banjës, ku ka fituar vendin e parë në Jugosllavinë e madhe e deri në Amerikë. Kemi mbetur të mrekulluar nga biseda e tij, gjuha e pastër malazeze dhe shumë gjëra nga jeta e këtij artisti.

Po i rikthehem edhe një herë Dekoratës, politikanëve dhe udhëheqësve të qytetit tonë të bukur, që sivjet gjatë shënimit të Ditës së Ulqinit u kujtuan ta dekorojnë Shaban Gjekën me një Dekoratë, me motivacion: “për interpretimin e valles dhe këngës ulqinake“. Sipas meje, kjo dekoratë është ndarë pak me vonesë pasi që ai është afër gjysmë shekulli në skenë dhe kjo dekoratë është dashur t’i jepet shumë më parë, bile në një seancë të veçantë kushtuar këtij artisti të madh të muzikës dhe folklorit tonë.

Shaban Gjeka ka merita të mëdha dhe kontributi i tij në interpretimin dhe ruajtjen e këngës dhe folklorit burimor tonë në botë ka qenë dhe është shumë i madh. Së bashku me të ndjerin Rexhep Abazin, kanë stolisur skenat në të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë. “Dasma ulqinake”, ku ndërmjet shumë të tjerëve ka marrë pjesë me këngët dhe interpretimin e tij me zërin e fuqishëm edhe Shaban Geka, ka mbetur një sinonim dhe simbol, një kujtim edhe për Rexhep Abazin, si një ndër valltarët më të mirë të cilët i ka pasur qyteti ynë. Shaban Gjeka, së bashku me të ndjerin Rexhep Agën, kanë bërë që ky folklor dhe kjo muzikë të mbesin të pavdekshme.

Ende edhe sot në moshën 70-vjeçare, Shaban Gjeka ka mbetur i pashëm dhe i bukur. Ka një të ecur karakteristik, i cili gjithmonë të përkujton në këtë këngëtar, në një artist të lindur dhe mua më duket që shpirti i tij do të mbetet gjithmonë i ri.
Meritat e këtij artisti gjatë festave, dasmave, festave familjare, pjesëmarrja e tij në festivale dhe koncerte anembanë botës, në emisione në radio dhe TV janë të panumërta.
Shaban Gjeka do të mbetet gjithmonë simbol i këngës popullore burimore i qytetit tonë, pavarësisht nga ndryshimet e muzikës së të rinjve, kohës moderne. Kjo enciklopedi e pashterrshme e këngës dhe folklorit tonë tashmë është bërë klasik i muzikës, ashtu siç kanë mbetur Bitëlsat e muzikës moderne apo Bethoveni i muzikës klasike.
Këtë rrugë, këtë klasikë në qiellin e muzikës sonë burimore popullore e ka trasuar edhe muzika dhe interpretimi i këngës sonë popullore ulqinake në krye me Shaban Gjekën si sinonim i kësaj muzike dhe asnjëherë nuk do të harrohet.
Prandaj është mirë që edhe gjeneratat e sotme, të cilat sot dëgjojnë një muzikë tjetër “moderne”, të njihen me këta njerëz të cilët e kanë shënuar shekullin e kaluar. Këtu bën pjesë edhe Shaban Gjeka, pavarësisht se ai ende është i pranishëm në muzikën tonë popullore, emri i tij meriton të shkruhet me shkronja të arta në enciklopedinë e muzikës dhe artit tonë. Ai pa dyshim është në majën e kësaj piramide.

One comment

  1. Brravo per ket tekst t’shkelqyshem. Un per vejdi mun me than se kur kam qen ma i ri, para se i kam ba 20 vjec, edhe pse e kam pas qef muziken popullore, skam qen fart adhurus i Shabanit! Tesh, 20 vjet ma von e kuptej se un ather skam dit kergja per muzik popullore. Sat, kam respekt t’vecant per ket kengtar legjendar t’muzikes Ulqinake e Shkodrane, asaj muzik si na “tyrben”. Ky isht si thom n’Ulqin- me ko.e. Isht knaqsi me e nigju, aty ku knen Shabani bahet atmosfera e fort, darsmat e koncertet jan persmarit. Ishalla knene edhe 100 vjet tjera

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top