Tuesday , May 22 2018
Lajmi i fundit

I.Karamanaga: SUTKI MALOHOXHA – EDUKATOR DHE BEJTEXHI I RRALLË

SutkiMe punën dhe me veprën e tij ai gjendet në mesin e plejadës së atyre të cilët kanë dhënë një kontribut të respektuar, më së pari në edukimin e shumë gjeneratave në Ulqin dhe më gjerë, por edhe në lëmitë tjera, si studiues, shkrimtar dhe përkthyes nga gjuha ruse apo maqedonase në gjuhën shqipe apo malaziase.
Sutkiu është autor i dy librave nga letërsia e bejtexhinjve. Në njërin me titull “Bejtexhinjtë e Ulqinit dhe veprat e tyre”, ai shkruan për bejtexhinjtë e famshëm të Ulqinit, kurse në librin tjetër shkruan dhe boton bejtet të cilat i ka shkruar vetë ai, duke u frymëzuar nga rrethi ynë, nga qyteti, nga Pazari, dhe nga personalitetet e qytetit tonë të bukur. Titulli i librit “Nalt e posht Pazarit” është reflektim i jetës tek ne me plot humor, i cili për çdo ditë mund të dëgjohet.
Është vështirë të shkruash për një person me të cilin shoqërohesh një gjysmë shekulli. Si të fillosh dhe si ta përshkruash personalitetin e tij e mos të gabosh dhe mos të jesh subjektiv?!
Sutkiu ka qenë gjithmonë dhe ende sot, në moshën e mesme, ka mbetur një njeri i rrallë. Në popullin tonë ka mbetur thënia është “i butë”, i mirë dhe i sjellshëm. Mua nuk më kujtohet se ndonjëherë e ka ngritur zërin, nuk ka ditur të reagojë ashtu siç reagojmë ne të gjithë, duke e shfaqur nganjëherë temperamentin dhe vetitë që sundojnë në Balkan, pavarësisht nga edukimi apo arsimimi dhe niveli ynë.
Nervozat dhe reagimet tjera, fjalët e ashpra, i ka ruajtur në vete, kështu që ne shokët me të cilët Sutkiu shoqërohet apo me të cilët është shoqëruar, i kemi ditur këto veti, pasi që e kemi njohur mirë. Mirëpo, pa dyshim, Sutkiu gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur më i sinqerti ndërmjet nesh.
Ai nuk mund të ndërrojë, të gjitha i mbanë në vete, por askujt nuk i mbetën “borxh”! Nëse nuk e thotë direkt, ju qet bejten të cilën e përcjellë ”thumbi” dedikuar atij që e ka merituar.
Ne të cilët shoqërohemi me të për vite me radhë që nga shkolla fillore, që nga fëmijëria e deri tani, pa dyshim e njohim mirë dhe kemi respekt të veçantë për të, përveç disa shokëve të tjerë të cilët na kanë harruar. Mirëpo, këtë ia lëmë ndërgjegjes së tyre. Ndoshta edhe jeta dhe rrethanat e ndryshme na kanë larguar, por ne të tjerët shoqërinë e kemi mbajtur deri në ditët e sotme.
Por t’i kthehemi personazhit të Sutkiut, për të cilin dëshiroj pas shumë viteve të shoqërimit përsëri t’i evokoj disa kujtime, t’i shkruaj disa rreshta, pasi që fjala e shkruar mbetet përgjithmonë. Ndoshta ndokush ndonjëherë i shfleton këto shkrime dhe studion punën tonë.
Është e nevojshme që mos ta humbim shpresën se pavarësisht nga koha moderne, interneti dhe mjetet elektronike të cilat kanë dominuar rruzullin tokësor, librit dhe fjalës së shkruar kurdoherë do t’i kthehet vlera.
Mendoj që Sutkiu meriton me punën dhe me veprën e tij të gjendet në mesin e plejadës së atyre të cilët kanë dhënë një kontribut të respektuar, më së pari në edukimin e shumë gjeneratave në qytetin tonë dhe më gjerë, por edhe në lëmitë tjera, si studiues, shkrimtar dhe përkthyes nga gjuha ruse apo maqedonase në gjuhën shqipe apo malaziase.
Si mësimdhënës Sutkiu ka fillur të punojë në Gjimnazin e Ulqinit, ku mbi 24 vite ka lënë gjurmë të pashlyera në edukimin e shumë gjeneratave. Gjithmonë ka qenë pak “i ashpër” pasi që ka mbajtur nivelin dhe disiplinën në orë duke qenë shembull për shumë të tjerë.
Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë ruse në Shkup të Maqedonisë dhe gjithmonë është munduar t’u ofrojë nxënësve një gjuhë dhe kulturë të madhe botërore, në veçanti një letërsi me famë të jashtëzakonshme të një populli të madh. Pavarësisht se gjuha ruse nuk ka qenë shumë aktuale në ato kohëra, por edhe jo shumë e dashur, jo në trend, Sutkiu gjithmonë ka dhënë maksimumin dhe punën e tij e ka punuar deri në perfeksionizëm.
Sot, Sutkiu është në pension dhe si përkthyes është shumë i kërkuar nga shumë rusë të cilët këtu kanë blerë apartamente ose nga ata që edhe kanë ndërtuar shtëpitë e veta private. Të gjithë ata kanë nevojën e tij për secilën kontratë tek noteri apo në gjyq. Sot, pra, gjuha ruse është bërë “deficitare”. Kudo ku rrimë së bashku, në veçanti në kafene ku pimë kafe, shpesh cingërrojnë celularët nga të cilët Sutkiu nuk ndahet kurrë.
Dua ta përmend edhe një sekuencë nga puna e tij në arsim. Sutkiu shumë vite ka punuar edhe si zëvendësdrejtor për tre vite në Gjimnazin e Ulqinit, por edhe në Shkollën Fillore “Boshko Strugar”, ku ka lënë gjurmë pa dyshim të pashlyera, nganjëherë sipas meje, edhe duke e tepruar me precizitet dhe disiplinë në punë. Gjithmonë ka qenë pedant dhe i saktë, dhe pa dyshim, sipas mendimit tim, shkolla nuk ka pasur dhe ende nuk ka administrator më të mirë. Jam më se i sigurt se ndaj mendimin e shumë mësimdhenësëve të asaj kohe.
Por i këtillë është Sutkiu. Ai nuk mund të ndërrojë. Edhe tash në pensionin e merituar, ai është i tillë.
Përpos tjerash, Sutkiu është edhe një bejtexhi i rrallë. Sot, ai ka më tepër kohë për të shkruar dhe së shpejti do të botojë edhe librin e tretë. Kjo veprimtari e Sutkiut është dhe ka qenë edhe më parë në fokusin e interesimit tim, por edhe shumë të tjerëve. Prandaj, dëshiroj t’i kushtoj një vëmendje të veçantë, pasi që është mirë të përmendet dhe mos të harrohet.
Dua t’i kthehem shkurt përsëri bejtes dhe humorit, me të cilën është marrë dhe ende merret Sutkiu. Kjo rrymë ka qenë aktuale gjithmonë në Ulqin dhe në Shkodër. Për bejtexhinjtë e Ulqinit kam shkruar në librin tim të botuar vitin e kaluar ”Ulqini, monumente, portrete, ngjarje”, kështu që dëshiroj ta rikujtoj opinionin se në Ulqin janë ende aktualë dy bejtexhi – Silver Korda dhe Sutkiu.
Ndoshta ka më ndonjë i cili qet bejte, por nuk kam dijeni a shkruan ndokush më. Prandaj është më se e nevojshme të përmenden dy librat e Sutkiut kushtuar kësaj rryme të letërsisë – bejtes.
Në njërin me titull “Bejtexhinjtë e Ulqinit dhe veprat e tyre” Sutkiu shkruan për bejtexhinjtë e famshëm të Ulqinit, kurse në librin tjetër shkruan dhe boton bejtet të cilat i ka shkruar vetë ai, duke u frymëzuar nga rrethi ynë, nga qyteti, nga Pazari, dhe nga personalitetet e qytetit tonë të bukur. Titulli i librit “Nalt e posht Pazarit” është reflektim i jetës tek ne me plot humor, i cili për çdo ditë mund të dëgjohet. Një titull i qëlluar.
Jam dëshmitar i përurimit të këtyre dy librave në Kalanë tonë të Ulqinit. Ishin këto mbrëmje të jashtëzakonshme, të paharruara, ku ishin të pranishëm shumë mysafirë edhe nga Shkodra me bejtet e tyre.
Përveç bejteve të botuara në këto libra, Sutkiu ka edhe një përmbledhje që i plotëson për çdo ditë dhe që presin të botohen më vonë. Mirëpo, Sutkiu shumë nga këto bejte të dedikuara disa personaliteteve të qytetit tonë i mbanë në vete dhe të shkruara në një “tefter”. Shpesh qeshet dhe thotë se tash i boton ndokush kur unë të jem në “Pinjesh”, pasi që ato kanë “thumbin” që mund të prekë dikë.
Unë mendoj se bejtja është një humor i shëndoshë, por Sutkiu është i tillë, nuk don të prekë askënd, kurse në Pinjesh ai jeton tash 10 vite në shtëpinë e tij. Ndërsa për atë “Pinjeshin” të cilin e ka ndër mend, për atë vend atje nalt, duhet të kalojnë edhe shumë kohë pasi që ai do të jetojë sa gjyshja e tij “Hanko Lufja” – 100 vjetë.
Në fokusin e interesimit të tij gjithmonë ka qenë edhe studimi i letërsisë së famshme klasike ruse, në veçanti përkthimet e teksteve të Dostojevskit, Pushkinit, Jesenjinit dhe të tjerëve, në gjuhën shqipe dhe malaziase. Të jesh përkthyes i mirëfilltë duhesh t’i njohësh të dyja gjuhët, atë nga e cila përktheni dhe atë në të cilën përktheni. Këtë veti Sutkiu e posedon, pasi është njohës i mirë i katër gjuhëve – shqipe, malazeze, ruse dhe maqedone. Sutkiu kujdes të veçantë i kushton strukturës së fjalisë, renditjes së fjalëve në fjali, duke bërë një përkthim të mirë në frymën e gjuhës përkatëse, por kuptohet, gjithmonë ka kujdes që fjalia gjatë përkthimit të mos e humbë kuptimin.
Këto përkthime dhe studime nga gjuha ruse së shpejti do të botohen në librin më të ri të Sutkiut, i cili është në dorëshkrim. Natyrisht, është kjo një përmbledhje e përkthimeve dhe teksteve autoriale të cilat Sutkiu i ka përkthyer ose i ka studiuar dhe botuar shumë më parë, duke filluar si student i sllavistikës në Shkup, por edhe më vonë si mësimdhënës, tash edhe si pensionist.
Nga veprimtaria e Sutkiut është e nevojshme të përmenden edhe studimet e tij mbi Ali Hafiz Riza Ulqinakun, Cafin e Hasanagës, Hetin e Mulla Sylos dhe të tjerëve.
Sutkiu ka marrë pjesë në shumë simpoziume në vend dhe jashtë vendit, në Tiranë, Lezhë Shkodër dhe Prishtinë, me kumtesa dhe ftesa të veçanta si studiues me një peshë të veçantë. Në shumë nga këto simpoziume e kam përcjellur pasi që shpesh kemi shkuar bashkë. Çdokund është pritur ngrohtë dhe atij dhe veprës së tij i është kushtuar respekt i veçantë.
Dhe në fund, edhe disa fjalë për këtë njeri modest, të mirë, të sjellshëm, me një kulturë të gjerë. Çka t’i shtosh më personalitetit të tij i cili shumë dekada në arsim është munduar me shpirt të japë një kontribut të respektuar në edukimin e të rinjve të qytetit tonë dhe më gjerë. Ai është me siguri në majën e piramidës së arsimit dhe të edukimit tek ne.
Pa dyshim që Sytkiu meriton të përmendet, të shkruhet për të dhe të mos harrohet sepse njerëzit siç është Sutki Malohoxha janë të rrallë.

One comment

  1. Urime profesorit, zatni me topa. Kja m.t politike e ka prish popullin e Ulqinit, gjelozija edhe interesi personal e ka pru ne situat si neser mas me pas ma Sutki, Ismet ose Silver. Rinija e sotme per 20-30-40 vjet ka mu marr me askergja ose dicka si nuk ka me qen “Ulqinakce”, si peshku, bejtet, barkat etj etj
    Brravo axha Ismet per ket e shum tekste tjera si na knaqin tesh sa vjet me rradh. Ishalla shnetja ju punen

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top