Wednesday , October 17 2018
Lajmi i fundit

I.Karamanaga: VELI HOXHA (Malohoxha) – Edukator i veçantë dhe aktor i talentuar

 

VeliuKy mësues i dalluar ka qenë një personalitet me kulturë të gjerë, i cili përveç punës në arsim është marrë edhe me shumë aktivitete kulturore në ato kohë të viteve ‘60 dhe më vonë deri në pensionim. Ai ka qenë i aftë dhe pa dyshim ka mbetur sinonim se si është dashur të zhvillohet mësimi tek fëmijët, duke e kombinuar dijen e tij dhe dashurinë për arsim, me moshën e fëmijëve.

Në kohën e lirë është marrë edhe me vallëzim, ka themeluar Teatrin e parë në Ulqin pasi që ka qenë aktor i talentuar, të cilin derisa ka mësuar në Sarajevë e kanë lutur që të luajë në teatër dhe t’u bashkangjitet aktorëve të mëdhenj të asaj kohe të Jugosllavisë.

Të shkruash për personalitete të cilët e kanë shënuar qytetin tonë të bukur Ulqinin që nga mesi i shekullit të kaluar, prej viteve ’60-‘70 dhe më vonë deri tek kohët moderne, është një sfidë e madhe sepse gjithmonë ju shkon mendja se keni lënë pa përmendur ndonjërin i cili me siguri i takon kësaj plejade.
Para disa ditësh isha në përurimin e librit të Aleksandër Aco Janinoviqit në Qendrën për Kulturë në Ulqin dhe duke menduar për t’i shkruar disa fjalë për punën e tij në arsim, më shkoj mendja te një mësues i famshëm tek ne, i cili ka lënë gjurmë në arsimin në gjuhën shqipe, për të cilin është shkruar shumë pak. Më duket se vetëm Hilmi Cungu e ka përmendur në një revistë në gjuhën malazeze ”Stvaranje”. Pra, më shkoj mendja te mësuesi dhe kujdestari i djalit tim, i cili i ka dhënë bazat në shkollën fillore. Fjala është për njërin nga pishtarët e arsimit dhe edukimit në gjuhën shqipe tek ne, Veli Hoxhën.
Veliu ka qenë një njeri i pashëm, markant, i qeshur, i vyeshëm, i veçantë, i rrallë. Ka qenë mësues i dalluar për të cilin kanë pasur fjalët më të mira znj. Anka – Bagja Drecun, Antonija Markoviq, Qothere Llunji dhe Minja Nikollaidisi, mësuesit e parë në gjuhën shqipe, gjegjësisht të arsimit tek ne. Kam pasur rast të bisedoj me zonjën Bagja, e cila kur fliste për punën e saj, shpesh i ka përmendur kolegët, sidomos kur ishte e sëmurë në shtëpinë e saj, më së tepërmi ka përmendur Veliun, i cili ka qenë ndër më të rinjtë e kësaj gjenerate. Ende i kam ndërmend fjalët e saj: “E mali, da samo znaš kakav je bio Velija, najbolji među mladima, glumac, ljepotan, poslušan, talenat jedan rijetki“.
Ky mësues i dalluar ka qenë një personalitet me kulturë të gjerë, i cili përveç punës në arsim është marrë edhe me shumë aktivitete të kulturës sonë në ato kohë të viteve ‘60 dhe më vonë deri në pensionim.
Shumë qytetarëve tanë, në veçanti më të moshuarve, u ka mbetur në kujtesë figura e tij markante, gjithmonë i veshur elegant dhe i qeshur. Është dalluar si mësues me një përgatitje dhe dijeni të rrallë, të fituar në shkollat e mësuesisë në Herceg Novi dhe Sarajevë. Të gjithë e kanë lavdëruar dhe shumë prindër kanë pasur dëshirë që i ndjeri Veli Hoxha të jetë kujdestar i fëmijës së tij, në mesin e të cilëve edhe autori i këtij shkrimi modest kushtuar këtij personaliteti me virtyte të larta njerëzore, humane dhe edukatori të veçantë.
Si mësues i dalluar ka filluar të punojë në Plevlë, pastaj në Katërkollë, dhe në fund në Shkollën Fillore “Boshko Strugar” në Ulqin, deri në pension. Në arsim ka lënë gjurmë të pashlyera, çka edhe mund të shihet në “Letopisin“ e shkollës, të cilin me një shkrim filigran të bukur e ka shkruar znj. Anka – Bagja Drecun.
Veliu ka qenë i aftë dhe pa dyshim ka mbetur sinonim se si është dashur të zhvillohet mësimi tek fëmijët, duke e kombinuar dijen e tij dhe dashurinë për arsim, me moshën e fëmijëve. Fëmijët e kanë dashur gjithmonë dhe të gjithë ata që kanë qenë nxënësit e tij, flasin sot me një respekt dhe pietet të veçantë për mësuesin e parë në edukimin e tyre.
Veliu ka lindur në një familje të njohur në Ulqin, në vitin 1922. Ishte kjo një familje detare e njohur nga qyteti ynë, e cila në radhët e saj ka pasur shumë detarë dhe kapedanë me nam. Babai i tij, Muhamed Smail Hoxha, ka qenë kapedani i parë me “Licenzë” në historinë e Malit të Zi, i “Obalske plovidbe”, siç është quajtur në atë kohë ky veprim si kapedan në det.
Shumë anëtarë të kësaj familjeje kanë lundruar nëpër dete dhe oqeane të botës. Ata kanë pasur në pronësi edhe barka me vela, si edhe shumë tokë. Supozohet se kjo familje e njohur e ka prejardhjen nga rrethina e Krujës, ku njëri nga tre vëllezërit ka ardhur në Ulqin.
Nga ky fis i njohur, më vonë vetëm njëri ka vazhduar lundrimin në det, kurse të tjerët janë larguar detit dhe lundrimit duke pasur parasysh thënien e të parëve tanë se deti është “bukë e gjak”.
Kështu edhe Veliu është orientuar në arsim së pari, por në kohën e lirë është marrë edhe me vallëzim, ka themeluar Teatrin e parë tek ne në Ulqin pasi që ka qenë aktor i talentuar, të cilin derisa ka mësuar në Sarajevë e kanë lutur që të luajë në teatër dhe t’u bashkangjitet aktorëve të mëdhenj të asaj kohe të Jugosllavisë. Ai është gjeneratë me aktorët e mëdhenj – Viktor Starçiq, Luba Tadiq dhe të tjerë të asaj kohe. Por dashuria për vendlindje ka bërë që të kthehet në Ulqin dhe të punojë si mësues, por duke e mos e braktisur teatrin, aktrimin dhe vallëzimin. Por një karrierë të madhe në një vend të vogël, siç është Ulqini, nuk ka mundur ta arrijë. Nuk ka pasur as kushte, as mundësi. Prandaj të gjitha këto aktivitete kanë mbetur në suazën e amatorizmit, dashuri dhe pasion i madh.
Pak qytetarë tanë e dinë se ai ka qenë edhe regjisori i të gjitha shfaqjeve, të cilat i ka përgatitur vetë. Prandaj, ka qenë edhe regjisori i teatrit të parë amator tek ne. Veli Hoxha ka qenë po ashtu regjisori i parë i një shfaqjeje teatrale për fëmijë tek ne në Ulqin.
Veli Hoxha ka qenë një talent i pashtershëm, një njeri që ka pasur energji të madhe. Emri i tij në popullatën tonë ka mbetur sinonim i adhurimit të bukurisë, të jetës në përgjithësi, në veçanti të artit, ku ai ka pasur talent të madh të pashfrytëzuar. Ka qenë një boem i vërtetë.
Edhe si mësues dhe arsimtar ka qenë i dalluar. Kështu në orët e mësimit teknik, p.sh., në ato kohë ka pasur metodat e veta, prandaj ka zhvilluar mësimin teknik edhe në klasët më të larta.
Djali i tij Sabaheti ka trashëguar gjenin “e fortë” të tij, kështu që nuk është e rastit që ai ka vizatuar më mirë dhe më bukur se të gjithë ne në shkollë. Edhe më vonë ka bërë shumë mbishkrime, reklama dhe shkrime nga citatet e Kur’anit në shumë xhami të Ulqinit dhe rrethinës. Të gjitha këto janë trashëgimi nga babai i tij. Gjeneratat e reja mbase një ditë do të hulumtojnë dhe do të ndeshen me këta njerëz që kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë dhe trashëgiminë e qytetit tonë.
Për të moshuarit, në Ranën e Ulqinit dikur ka qenë një ndër sallat më të mëdha dhe më të bukura në Malin e Zi. Sot aty është restoranti “Holegro”, të cilin e kanë bërë komunistët duke prishur sallën e madhe të kinemasë, sallën e leximit dhe bibliotekën e pasur. Aty ka funksionuar edhe teatri i parë tek ne.
Veli Hoxha ka qenë aktor i mirë dhe i talentuar. Në vitet ‘60 dhe ’70, Ulqini ka pasur famë të madhe në kulturë. Është koha e fillimeve të turizimit tonë, ku kanë dominuar turistët nga Perëndimi. Ky teatër ka dhënë shfaqje në hotelet “Galeb” dhe “Jadran”, ku edhe kanë filluar të bëjnë muzikë edhe grupet më të njohura të asaj kohe të Jugosllavisë, ndërmjet tjerash edhe “Korni Grupa”, “Sedmorica mladih” dhe shumë të tjera. Më kujtohet kjo kohë pasi që ne nga Kalaja dhe Rana, gjithmonë kemi shkuar për të shikuar se si njerëzit vallëzojnë në tarracat e njohura të asaj kohe.
Veliu ka bashkëpunuar me Rexhep Abazin. Ata kanë qenë edhe të parët që kanë ditur të vallëzojnë. Të gjithë ne më vonë i kemi pasur idhuj ata që kanë marrë pjesë aty.
Më vonë edhe ne shpesh kemi shkuar si të rinj të shoqërohemi me të huaj, ditën në plazhin e “Ludvigut” dhe në “Skalica” të “Galebit”, por edhe në orët e natës në këto hotele të famshme të qytetit tonë.
Veli Hoxha ka qenë ndër të parët i cili talentin e tij e ka treguar në shumë aktivitete të kulturës, por nuk duhet harruar se gjithmonë e ka pasur edhe detin në zemër dhe në gjenezën e tij. Më kujtohet se shpesh ka dalë me sanall në det në peshkim prej Kacemes.
Veli Hoxha ka lënë gjurmë të pashlyera në kulturën dhe në arsimin tonë. Është e nevojshme të hulumtohet, të studiohen arkivat, pasi që gjurmët e këtyre entuziastëve të kulturës dhe të trashëgimisë sonë, ndër të cilët ka qenë edhe i ndjeri Veli Hoxha, janë në arkiv apo në bibliotekë tek ne të shkruara. Është mirë që njerëz të tillë të nxirren nga errësira pasi që janë trashëgimia jonë e lavdishme.
Duke e përfunduar këtë shkrim modest kushtuar këtij njeriu të veçantë të arsimit dhe kulturës sonë, përkujtoj opinionim se në vitin 1913 Ulqini ka qenë qyteti i dytë me popullsi, tregti, zhvillim ekonomik, por edhe me art, kulturë dhe shumë gjëra të cilët kanë bërë që ky qytet të ketë një famë të madhe në Mal të Zi. Nuk duhet harruar se kjo kohë është disa vjet pas Kongresit të Berlinit, kur Ulqini kaloi nën pushtetin e Malit të Zi. Ky fakt ka bërë që Mali i Zi të fitojë një entuziazëm të madh pasi që del në det dhe fiton pjesën dhe qytetin më të pasur, me tregti të zhvilluar, toka pjellore dhe ullishtë mijëvjeçare.
Knjaz Nikolla të gjitha këto gjëra i ka ditur shumë mirë, prandaj edhe në Ulqin ka sjellë inxhinierin rus Varman, i cili projekton hapjen e Kanalit të Port Milenës, i cili është dashur të ujisë pjesën e Shtojit për ta përmirësuar zhvillimin ekonomik të Malit të Zi. Kjo ka qenë ëndrra dhe obsesioni i Knjaz Nikollës për një zhvillim në përgjithësi, pasi që Ulqini dhe Shkodra kanë qenë qytetet më të rëndësishëm në këto hapësira.
Sot është ndryshe. Prandaj është mirë që gjeneratat e reja të njihen me trashëgiminë tonë kulturore dhe ekonomike, por edhe me personalitetet që kanë qenë akterë të asaj kohe.
Z. Veli Hoxha ka ndërruar jetë në vitin 1998. Inshallah shpirti i tij gjen prehje në Xhehnet.

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top