Thursday , June 4 2020
Lajmi i fundit

I.Karamanaga: XHELAL HOXHA – Luftëtar i paepur për mbrojtjen e mjedisit jetësor

XheloXhelal Hoxha është njëri nga ata që ndër të parët ka vendosur gurthemelet e shoqërisë civile në Ulqin dhe në përgjithësi në Malin e Zi. Them ndër të parët pasi që ai, që nga koha kur ka themeluar Shoqatën Ekologjike “Kalimera”, me të vërtetë ka bërë hapat e para gjigante nëpërmes shoqërisë civile për një shoqëri më të mirë, më të shëndoshë dhe më të lirë.

Të bësh portretin e një personazhi i cili për më shumë se tri dekada merret me gjëra jetike jetësore, siç është mjedisi jetësor, është një sfidë e madhe. Të merresh, siç thotë ai, me zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria në përgjithësi, me projekte të mira, është vështirë. Shteti ka lejuar themelimin e organizatave të shoqërisë civile dhe gjithmonë deklarohet që don bashkëpunim, mirëpo ingerencat nuk ia lëshon askujt.
Prandaj, të veprosh në një shtet i cili ju lejon të merreni edhe me gjëra që janë në kompetencën e tyre, por i cili shpeshherë ju frenon, është shumë vështirë pasi që shteti ynë, si shumë të tjerë në tranzicion, ende vështirë i përballon sfidat në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Aq më tepër kur merresh me shoqërinë civile, ku për çdo ditë jeni të penguar nga ana tjetër e cila ka pushtetin dhe mjetet për t’ju frenuar.
Besoj se ia kam qëlluar me këtë hyrje për të shpjeguar se sa e vështirë ka qenë dhe është kjo rrugë, pasi që pak e shumë edhe unë kam luftuar dhe ende luftoj me hapat e Don Kishotit për një shoqëri më të lirë dhe më të mirë.
Njëri nga ata që ndër të parët ka vendosur gurthemelet e shoqërisë civile në Ulqin dhe në përgjithësi në Malin e Zi ka qenë dhe ka mbetur Xhelal Hoxha. Them ndër të parët pasi që ai, që nga koha kur ka themeluar Shoqatën Ekologjike “Kalimera”, me të vërtetë ka bërë hapat e para gjigante nëpërmes shoqërisë civile për një shoqëri më të mirë, më të shëndoshë dhe më të lirë. Ai dhe të tjerët të cilët kanë filluar të luftojnë në këtë drejtim kanë qenë dhe ende janë

ndërgjegjja e organeve kompetente, duke filluar nga ato lokale deri tek ato shtetërore.
Më kujtohet koha kur Shoqata “Kalimera”, me Xhelal Hoxhën në krye, ka fituar shpërblimin e tretë në një ceremoni në Zhablak, kur Mali i Zi është shpallur shteti ekologjik i parë në botë. Në shtator të vitit 1991, në Zhablak, në një mbledhje solemne u aprovua Deklarata mbi shtetin ekologjik të Malit të Zi.

Atë ditë, më kujtohet, isha i ftuar në emisionin “Jutarnji program” të Televizionit të Malit të Zi. E kam ditur që Xhelali ishte i ftuar në Zhablak, prandaj në emision, duke folur për Kalanë dhe restaurimin e saj, thashë se në Ulqin ka njerëz të cilët luftojnë për mbrojtjen e mjedisit dhe e përmenda Shoqatën “Kalimera“ dhe kryetarin e saj, i cili me hapat e Don Kishotit lufton për shtetin ekologjik të Malit të Zi. Ishte kjo një fjali modeste që sadopak ka pasur jehonë për këtë njeri kaq të vyeshëm, me një energji të rrallë dhe të pashtershme për t’u shpallur ai dhe Shoqata ”Kalimera” e treta në Malin e Zi, në shtator të vitit 1991 në Zhablak.
Më kujtohet gëzimi i tij kur më tha: “e fituam“. Ishte kjo një lëvdatë dhe shpërblim i merituar. Bile unë gjithmonë kam thënë që ai ka qenë shpërblimi i parë pasi që dy shpërblimet e para i kanë fituar institucionet shtetërore.
Xhelal Hoxha është i palodhur. Gjithmonë, që nga fillimet e shoqërisë civile dhe lejimit nga ana e shtetit të veprimit të saj në kohën e tranzicionit, asnjëherë nuk është ndalur. Edhe më vonë, si kryetar i OJQ “Hapi i Gjelbër”, pandërprerë shkruan, apelon tek organet kompetente të Komunës së Ulqinit dhe ato shtetërore për përmirësimin e mjedisit jetësor. Ambienti dhe ekologjia kanë mbetur në fokusin e interesimit të tij dhe jam më se i sigurt që ajo do të mbetet gjithmonë deri në fundin e jetës së tij.
Asnjëherë nuk është ndaluar, pavarësisht që shpeshherë ka hasur dhe vazhdon të përballet me moskuptimin e atyre të cilët janë në pushtet. Mirëpo Xhelalin asnjë pushtet nuk mund ta ndalojë. Shkruan, bën projekte me rëndësi për Kriporen, Port Milenën. Ai ka qenë, është dhe ka mbetur sinonim i mbrojtjes së ambientit jetësor në Ulqin dhe më gjerë.
Edhe disa fjali nga jeta e këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Ai ka qenë një ndër studentët më të mirë të Universitetit të Sarajevës në kohët e arta të ish-Jugosllavisë. Edhe më vonë, si drejtor i një ndërmarrjeje, ka treguar karizëm dhe kurajo, mirëpo rrethanat kanë qenë ashtu që ajo, si shumë të tjera, u mbyll dhe mbeten vetëm në kujtesën tonë.

Nuk është për t’u çuditur pasi që tranzicioni në këto treva, në veçanti te ne në Ulqin, ka qenë fatal për të gjitha ato. E tepërt do të ishte të përmenden hotelet, ndërmarrjet e ndryshme, Kriporja etj. Prandaj edhe Xhelali nuk ka mundur të ketë shkopin magjik. Unë nuk jam kompetent të analizoj gjëra të tilla, por shoh si të gjithë qytetarët e Ulqinit që qyteti ynë ka pasur tranzicion të tmerrshëm. Prandaj nuk është për t’u çuditur që asnjë ndërmarrje nuk ka mundur t’i shmanget këtij realiteti të hidhur.

Xhelali kritikon dhe kërkon nga organet kompetente të Komunës së Ulqinit bashkëpunim më të ngushtë për përmirësimin e kushteve të mjedisit, kritikon për të mirën e të gjithëve jo vetëm pushtetin lokal dhe politikën e tyre ndaj qytetit tonë, por edhe politikën e shtetit të Malit të Zi. E të gjitha këto për ngritjen e imazhit të qytetit të Ulqinit në një nivel më të lartë, ashtu siç e meriton qyteti dhe popullata e këtij qyteti të lashtë dhe të bukur. Nganjëherë pena e tij është e ashpër, por jam më se i bindur që gjithmonë veç për qëllime të mirë, në veçanti kur shkruan për rregullimin e shtratit të Port Milenës, Kripores së Ulqinit.

Port Milena ka qenë obsesioni i tij pasi që ai në mënyrë studimore ka shkruar, folur dhe gjithmonë ka ofruar planin për t’u eliminuar kjo “bombë ekologjike” në qytetin tonë. Të gjitha këto ide duhet të kuptohen si një mendim i shëndoshë i një ekologu, i një njeriu me përvojë të madhe për zgjidhjen e problemeve që na brengosin ne si popullatë dhe si qytet me një potencial të jashtëzakonshëm, një dhunti të dhënë nga Perëndia.

Xhelal Hoxha nuk ka pasur aspirata për politikë. Një kohë ka qenë simpatizues i një partie evropiane, por në kohën kur ajo ka qenë unike dhe e fortë, me ide përparimtare. Mirëpo, më vonë është larguar duke parë se edhe ata nuk janë më në rrugën e demokracisë së vërtetë.
Kështu që, sipas mendimit tim, Xhelal Hoxha e ka gjetur veten në shoqërinë civile, ku jep një kontribut të madh, pavarësisht nga mosha. Tekefundit, mosha tek ai ka një rol shumë të vogël. Ai është i palodhur. Populli ynë thotë “është më i fortë se guri”.

Asgjë dhe askush nuk mund ta lodhi. Gjithashtu duhet të theksohet se Xhelali gjithmonë ka pasur edhe mbështetjen nga familja e tij, në veçanti nga bashkëshortja Hyrija, një zonjë e shkolluar dhe e emancipuar.
Të gjithë anëtarët e familjes së tij janë të edukuar, të vyeshëm, të shëndoshë, të emancipuar, të shkolluar nëpër universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Prandaj Xhelali tërë jetën e tij ka qenë dhe është në luftë për familjen e tij, për familjen nga e cila ai gjithmonë ka pasur mbështetje për punën e tij të palodhshme.
Edhe diçka tjetër, në fund të këtij portreti kushtuar Xhelal Hoxhës.
Ai ende është vital, pavarësisht nga mosha, dhe ka një potencial të pashtershëm. Prandaj mendoj se rrallë kush do të arrijë një veprimtari kaq të vlefshme në lëmin e ekologjisë dhe të mbrojtjes së mjedisit jetësor, siç është Xhelal Hoxha.
Mendoj se është mirë të shënohen shembuj të këtillë pasi që ata janë të rrallë dhe duhet t’ua lëmë trashëgimi brezave që vijnë pas nesh. Zotëri Xhelal Hoxha meriton pa dyshim respekt të veçantë nga të gjithë në, në veçanti nga shoqëria civile.

Ulqin, me 02.04.2020 Ismet Karamanaga

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top