Wednesday , December 11 2019
Lajmi i fundit

Ibrahim BERJASHI: RRUDHAT E BALLIT I KEMI FSHEHUR ME KAPELE (cikël poezish)

FLETË E GRISUR NË LIBRIN E HISTORISË

Rrënjët – t’k’putura,në zemër tjetër,
Dhe gjakun – të dalldisur e t’shprishur,
Belbëzim- pa ndjesi,të vjetër,
Udhëtarë – të kërrusur e t’braktisur…
Herë -në ferr,
Herë -në parajsë,
Skandaloze- kapricioze:
Gur i çarë,det i tharë,
Pa fis,ulli as farë,
Nuk lind – djalë,
As – s’vehet unazë.
Krejt- të katandisur!
Ritual – shëmti,etike,
Shurrufull – miopë pa fre,
Djall – në shishe plastike,
Dielli – o, s’po na nxe’,
Mollë – e mbetur në fyt!
Lolo – pordhecë,
Ëndrrën- kërkojmë me gisht,
Të pa shpresë- e mistrecë,
Shopping – me bel e bisht!
Fusnotë – me strehë rebus në turma,
Harta- viktimë e prerë në kurma!
Kjo ikje në ambis – tej shtëpisë,
Recetë e shthurjes- deri n’amshim,
Shkruar e vulosur – pa asnjë vlerë,
Fletë e grisur – në Librin e historisë!
Dhimbje e përsosur – të qaj edhe një herë!

 

VJESHTË E TRISHTË
Esad Mekulit

Gjethet e zverdhura përplasen pa adresë,metrove
Vjen erë e hirtë udhëve me gjeografi të zhdukur,
Populli yt me sharrë në krah në atë shekull,
Ashtu me “bisht” e deshe edhe e qave shumë.
Por, diçka punët s’na shkojnë mbarë, bard.
Mbush kronikat e zeza shesheve të errëta,
Përsëri,po de, në litar kërkojmë liri…
Këtë desha ta them edhe s’të gjej dot fjalë,
Hero i zanave, Nokshiqi s’ka më plis të bardhë,
S’vjen askush me bujtë një natë,
Të bëj be në qiell e tokë.
Dyert janë të mbyllura, nostalgji e trishtim.
As varre nuk dalin para sysh,lahutë jo se jo,
Macja e zezë na e paska shkruar fatin.
Krajë – Ulqin – Rozhajë – Prishtinë.

 

KU JENI, O GJENERALË?

(Poezi kushtuar poetit Basri Çapriqi dhe piktorit Rudi Goga)

Unë mbeta i vrarë,
Se, ju as dorën s’ma keni zgjatur
Nuk më treguat se kishit prerë biletë
Për atë rrugë të gjatë
Nuk festuam as ditëlindjet me aq pasion
Siç bënim përherë
O poet flamur,o piktor rebel!
Më keni mbetur shumë borxh
Një copë diell në Shas
Edhe një republikan në Galeri.
Karrigat po dergjen në vetmi!
A s’më thoni,pse kaq shumë
Dridhet ulliri me dymijë unaza në Tivar
Edhe grafikat grinden në kornizë?
Rrudhat e ballit i kemi fshehur me kapele
Në gishtin tregues sillet etja për një kafe ekspres
Bali,Basri,me Lum Lumin iku në sfond
Për të brumosur gurin e çarë
Rudi,idoli yt,Muslim Mulliqi,
Eh, joshur i paska zylyfet
Gjeneralë,Ju lutem
Një nënshkrim për të hyrë
Në fortesën e Mbretëreshës Teutë,
Se shumë porosi po bart nga Dardania…
Amanaman…

Prishtinë, janar 2019

 

NOSTALGJIA E SHTËPISË SË MOÇME

Më fal, foleja ime e ngrohtë
Asnjëherë s’të kam braktisur nga zemra
Ti je dashuria ime e parë
Të paska munguar liria e derës së hapur!
Asnjë i posalindur
Të shalojë kuajt e mejdanit
Jam riatdhesuar që të zhdukë izolimin tënd
Do të vesh këmishë të bardhë edhe kapele trëndafili
Të mbjell edhe një fik të blertë
Fruti pastron gjakun edhe josh dashurinë
Zana dhe Sokoli ringjallin oreksin
Si natën e parë brenda lëkurës sate
Shtëpia ime fortesë e Perëndisë.

 

MBRESA NGA HOTELI D

Këtu kishte mjegull,debate, këneta me nikotinë
Pa marrë parasysh ritmin e shpejtuar të ventilatorëve
Edhe kërbaçin e pastrueses lozonjare që
Aq rëndë godiste mushkonjat adhuruese të lëkurës së Evës
Mbrëmja në hotelin D pa pikë e presje kosh mjedisor
Sa të duash muzikë të dizajnuar me ankthe
Edhe emocione të një udhëtimi traumë furgoni
Papritur fshehin gazetën e verdhë mbushur rrëfime
Edhe emra kriminelesh me peizazhe amoraliteti
Kamerierja sjell kafenë pa asnjë shije oreksi
Vetëm josh sa mundet me ritmin destabilizues
Të vitheve hyjnore me vizione strategjike
Paska ngelur ora e sakrificës dhe vetëflijimit
Asnjë mesazh nuk arrin, si të braktis këtë imazh
Shumë e urrej edhe gjumin që më erdh në këtë adresë
Kurrë më nuk do të jem mes këtyre kërmijve
Që vyshkin pemët hyjnore edhe idilin e hënës
Libri i mbresave nuk hapet asnjëherë më
Qenka arratisur…
Nuk firmos askush as në koktejet solemne
Krizë e identitetit gjinor përurohet gravurë
Djalli ka hyrë në bark, antinjeri fjala më e konsumuar

Ulqin, 2017

 

KALAJA E ELBASANIT

Trokas në portën e Kalasë
Në njërën anë luani shtrëngon nofullat,
Ana tjetër Dona e bukur më zgjatë dorën
Ec tash e hyn brenda lashtësisë
Pa ngrohje zemre, e shpirti do atje në thellësi
Syri shtron rrugën Via Egnatia
Edhe në tryezën e Gurit,
Puthet me qiellin
Flakëron shami buzëqeshja e saj
Sahati i moçëm nga kulla ma bën me gisht:
– Ku ishe deri sot ujk deti?

Elbasan, 13 nëntor 2015

 

PUTHJE E GRISUR

Ti paske zbritur n’mbretërinë e ëndrrës sime,
Edhe s’jemitakuar as në sfond,
Paqësori s’vjen as sa një pikë vese,
Që t’shuhet etja mitike ndezur vullkan.
Po loz zarin nëpër rërë,
Se kam mbetur peng i anktheve tua,
– Kush e piu ujin e kripur?
Më paska lënë vetëm
Epilogun e humbur të puthjes së grisur.
Unë rrotulloj filxhanin grindavec të kafesë,
Edhe imagjinoj ardhjen tënde monumentale,
Për të interpretuar dramën e shpirtit të trazuar.

Prishtinë, 2016

 

QUMËSHTI I ËNDRRAVE

Jam po ai bebush
Jam në mes të pyllit,
Katarsis
Për ty që po fle tani,
Jam shekull, larg, më prit,
Përjetësi,
Ndjemë…Falmë…Përqafomë…
Eja e bukura Ajkunë,
Dashuria na ka harruar?
Nesër,
Je zonja ime?
Troja ra,
Eh,
Qeshur,
Në “Në brinjët e mia…”
Jam shi…
Mikja ime e lakuriqtë…
Mëngjesi i çmendur,
Vjen me ndjesi shtrati…
Sot,
Shkruaj,
Flatroj,
Musht i lulevjeshtës,
Rastësisht,
Duke t’vizatuar buzëqeshje ,
Në zemër,
Në qoftë se,
E mbaj zjarrin e ndezur,
Vjeshtë…Mëngjes,
Ti, Unë,
Strukemi brenda nesh,
Ulërin deri në pafundësi,
Ringrihem prej hirit,
Unë të doja të blertë,
Eja të pimë,
Qumështin e ëndërrave…
Në dukje, e thjeshtë,
Eja hëna ime,
Jam Erosi i klithmave tua…

Gjirokastër,2012

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top