Sunday , November 19 2017
Lajmi i fundit

Ismet KARAMANAGA: ALI SULOVIQI – KAPEDANI NGA KRRUÇI

 

Ali SuloviqTë shkruash për detarë dhe për detin, në veçanti për kapedanët nga Kalaja, është një sfidë e madhe, aq më tepër që kapedani Ali SULOVIQI nuk ka lindur në Kala. Ai ka lindur në Krruçi e Ulqinit në vitin 1932, në vendin ku për çdo ditë e ka pasur detin para sysh, aty ku valet janë përplasur për Ishullin e “Adës së Krruçit”, siç e kanë quajtur detarët, e deri te horizonti i largët. Ëndra që të lundrojë në ndonjë anije të bardh të madhe, të cilat ditë për ditë kanë kaluar në horizontin e largët, një dite është bërë realitet, të cilën e ka ëndëruar si i ri duke punuar në fshatin e vogël së lindjes.
Krruçi dhe ishulli pranë tij në det gjithmonë ka qenë dhe edhe sot është një mistikë e lashtë, e lidhur me një legjendë e cila e ka pasur bazën në popullatën vendase, por edhe më gjërë. Edhe ne të gjithë më vonë, kemi folur dhe ende flasim për një hipotezën se në vendin ku gjendet sot “Ada e Krruçit”, ka mundur të jetë qyteti i vjetër i Ulqinit.
Bile ka pasur kohë në Ish Jugosllavinë e madhe, që edhe ekspertët nga Beogradi kanë ardhur këtu për të hulumtuar. Mirëpo, asgjë nuk është gjetur, pavarsisht se disa rrënoja nga mesjeta, një kështjellë ende gjendet në fillimin e “Adës së Krruçit”, rrënojat të cilat dëshmojnë se kjo hipotezë një dite mund të fitojë një dritë tjetër.
Bile edhe ne në kohët e arta të turizmit tonë, kurdoherë kur kemi shkuar nga Ulqini me sanalla për të bërë “fishpicknicke” me gjermanë, aty kemi pasur ndjenja të veçanta. Gjithmonë në ”Adën e Krruçit” ka pasur më tepër zoq dhe më tepër gjalëri, kurse në det më tepër peshk. Kurrë nuk e kemi ngritur zërin shumë, pasi gjithmonë aty në bregun dhe në plazhin piktoresk të saj, ka mretëruar një qetësi mistike e rallë.
Për ne ulqinakët deti është dhe ka qenë gjithmonë sfida më e madhe, në veçanti lundrimi me anije, që nga kohët e lashta. Prandaj, detaria ulqinake e ka historikun e vet shumë të pasur. Shumë detarët tonë kanë lënë gjurmë të pashlyera në tër kompanitë e mëdha lundruese në botë, në veçanti te ne në Mal e Zi dhe në Dalmaci. Shumë dokumenta, shumë patenta , breveta dhe lëvdata, shumë barka në pronësinë e ulqinakëve flasin për këtë. Flota tregëtare ulqininake i ka bërë të njohur ulqinakët në tër detet e botës. Më në fund, ulqinakët e kanë treguar veten si detar të aftë, marinarë dhe Kapedana me nam.
Prandaj, nuk është për të çuditur që edhe një djal i ri 18 vjeçar, siç ka qenë Aliu , ka ëndërruar që të shkojë në det. Kështu edhe ka ndohur.
Në moshen 18 vjeçare barkohet në anijen e parë në Tivar. Me ndihmën dhe këshillat e disa detarëve ulqinakë, në veçanti Kapedan Hysni Shabanit, shkon dhe barkohet në “JUGOOCEANija “ të Kotorit, ku lundron afër 20 vjet. Pasi që Aliu e tregon veten si detar i aftë, fillon të mësojë dhe jep provimin për kapedan të lundrimeve të shkurtra“Male plovidbe” për anije të cilat kanë lundruar përgjatë brigjeve të detit Adriatik.
Mirëpo, ndërkohë Aliu martohet me një vajzë nga Kalaja, dhe ajo është ajo shtylla e cila e bën që të mendojë të kthehet në Ulqin. Fejesën dhe shkuesinë me këtë vajzë me nam nga familja e njohur Vogliqi, e bënë Hysni SHABANI, një kapedan me famë të madhe , e asaj plejada e detarëve Ulqinake.
Për kapedan Hysni SHABANIN mund të shkruhen romane, pasi që ai ka mbetur sinonim i aftësisë detare, dhe një komandant i vërtetë në det. Genin “e fort” të tij e ka trashëguar i biri i tij, të famshmin “KAPO” Nazif Shabani, i cili është një enciklopedi në këmbë, pastaj edhe nipi i tij, që mban emrin e babait të tij, kapedan Riza Shabanit. Këto e kanë, dhe ende e vazhdojnë traditën e famshme detare të kësaj familje të njohur Shabani nga Kalaja.

Në vitin 1964, Aliu blen dhe e rinovon shtëpinë në Kala, pranë Taphanës, e cila edhe ka qenë baza për të u kthyar në Ulqin. Zonja Esmaja , bashkëshortja e tij, ka qenë një zonjë e vërtetë dhe ajo pa dyshim ka qenë përkrahja më e madhe e Aliut. Pa dyshim, ajo edhe ka insistuar që Aliu të “zhbarkohet “ nga barka dhe nga deti, për te edhe insistimi i familjes së saj, për të blerë shtëpi në Kala.
Kështu kanë qenë gratë e “Kalalinjve”, “të forta” në çdo pikëpamje, të afta për të luftuar me svidat e jetës. Zonja Esmaja ka arritur që të ketë një jetë të bukur me Aliun dhe një familje të shëndoshë në shtëpinë e vet , në zemrër e Kalasë.
Para disa viteve, edhe Esmaja është ndarrë papritmas nga jeta , por e kënaqur. Shtëpia pranë “Taphanes” ka qenë e mbarë dhe e beriqetshme, pasi që sot aty i biri i tyre VAHIDI, ka hapur një ndër restoranet më të njohur sot në Ulqin. Duke iu falenderuar prindërve të tij, vizionit të tyre për blerjen e kësaj shtëpie, ai gëzon një jetë të mirë dhe të bukur në këtë vend .
Në viti 1972 “Jugooceanija” hap zyrën në Ulqin dhe Aliu fiton “shansin“ që të kthehet në Ulqin. Si kapedan ka pasur përparsi ndaj të tjerëve. Kjo kompani , fillon të bëjë transportin e mysafirëve nga Ulqini deri në Kotor dhe Dobrovnik. Aliu bëhet shefi i kësaj zyre, dhe punon deri në daljen në pension.
Duhet të përmendet se fëmijët Vahidin dhe tashmë të ndjerën Vahidën, e cila ka lënë gjurmë në Shtëpinë e Shëndetit tek ne, si një profesioniste e rallë, e vyer, e sjellshme dhe gjithmonë e qeshur, Aliu i ka parë disa muaj pas lindjes së tyre.
Kështu ka qenë jeta në det. “Gjemxhitë” dhe gratë e tyre kanë qenë të vetëdijshme se “deti ka qenë gjithmonë, “padishah në vete” dhe nga një herë edhe ”buk e gjak”, pasi që detarëve është dashur të sigurojnë bukën për familje, shpeshherë në kushte të vështira.
Kështu që Aliu kthehet në Ulqin, fillon punën jasht detit, por i lidhur me det nepërmjet ndërmarjes së tij. Mirëpo, detin e ka pasur fare afër, duke filluar nga shtëpia e cila gjendet veç pak metra larg nga deti dhe bedeni i Kalasë, si edhe nga zyra e cila ka qenë afër “Plazhit të Vogël” .
Ali Suloviqi, ka qenë modest, i sjellshëm i komunikueshëm dhe i “butë”, gjithmonë elegant i veshur, i pashëm dhe i qeshur. Menjëfjajë, ka qenë një figurë markante e Kalasë dhe e qytetit tonë.
Gjithmonë ka pasur një qendrim të rallë, ecje të bukur, elegante, duke u përkulur ashtu siç e kanë pasur ata që kanë ecur nepër barkë duke lundruar në det. Edhe ai ka ecur ashtu siç ecin të gjithë detarët, gjithmonë duke u “përkundur “ si në “vapur”, thotë një thënie”popullore. Aliu ka ndenjur rallë i ulur në zyrën e tij, e cila ka qenë përballë Kalasë në Ranë, veç pak metra larg nga deti. Ka pasur edhe ndihmësin i cili ka shitur biletat, kurse Aliu ka përcjellur dhe kontrolluar atobusat, të cilët dikur kanë ardhur deri te “Plazhi i Vogël”.
Ai ka qenë pedant dhe i regullt në punë, gjithmonë me uniformën detare, e cila i ka pasur shumë hije. Nga ajo nuk është ndarë kurrë. Në ato kohë Ulqini ka pasur një turizëm të lartë, ka pasur pastërti dhe disiplinë në punë. Prandaj edhe Aliu si nëpunës dhe kapedan i kësaj kompanie të madhe të Ish Jugosllavisë e ka kryer punën e tij deri në perfekcionizëm, deri te pensionimi i tij.
Në fund të këtij shkrimi, të kushtuar kësaj figure markante të Kalasë tonë, dëshiroj të ndaj një mendim timin për një shprehje , që përdoret dhe degjohet në biseda, kur flitet për njerëz të cilët kanë lindur në rrethinën e Ulqinit. Për ti nënçmuar thuhet : “e mar katunar”.
Kjo degjohet ende sot ndërmjet njerëzve të cilët janë shokë dhe kojshi. Shpesh, kur nuk i pëlqen diçka, për ta nënçmuar thotë: “ hajd mar “ katunar”.
Këtë shprehje po e lidhë me të ndjerin Ali SULOVIQIN, i cili ka lindur në Krruç, pra në rrethinën e Ulqinit, në “katund”. Mirëpo, ai është martuar me një “kalaleshë”, ndër familjet më të njohura nga Kalaja. Fëmijët e tij, tashmë e ndjerra VAHIDA, dhe i biri VAHIDI, kanë lindur në Kala, dhe janë Kalalinj, kurse Aliu ka blerë shtëpinë dhe ka krijuar familjen në Kala, ka ndërruar jetë në Kala, dhe xhenazja i ka dalë prej Kalasë. Prandaj, ka qenë një Kalali dhe një qytetar me pedigre i respektuar dhe i nderuar nga të gjithë banoret e Kalasë dhe Ulqinit.

Po e parafrazoj të ndjerin Fuad NIMANIN, banorin e Kalasë dhe shokun tim të ngusht, Kryetar i Komunës së Ulqinit dhe Ish Ministrin në Qeverinë e Malit të Zi, i cili shpesh e ka përdorur një fjali: “Ulqini është prej Stegvashe deri në Kala, deri në Bunë dhe deri mas tunelit e parë”.
Kështu duhet të kuptohet, të mendohet dhe flitet.
Po e përkujtoj opinionin më gjërë se në nentor të vitit 1943 dhe në mars 1944, Ulqini është bombarduar 2 herë dhe ka pasur shumë viktima dhe dame materiale të mëdha në Mahallën e Re, Mera dhe Ranë, bile ka pasur familje të cilave i kanë mbetur edhe ka dy anëtarë.
Pas bombardimit, shumë familje ulqinake janë larguar në fshatra në rrethinën e Ulqinit, pra në “katune” dhe te “katunarët”. Këta “katunarë” në shumë raste u kanë liruar shtëpitë e tyre, “ulqinakëve” kurse vet kanë fjetur në ahure dhe në hajate, shpesh pranë bagëtive.
Më në fund, duke falenderuar Jenuz Divanin, Fadil Taipin, Mehmed Bardhin dhe disa intelektual të tjerë nga “katuni” në qytetin tonë të bukur na vijnë edhe intelektualë me grada të larta shkencore, shkrimtarë, mësimdhenës në universitete, nëpunës në shumë lëmi në Komunë dhe çdokund tjetër. Edhe autori i këtij shkrimi i ka pasur gjatë punës së tij në arsim, nxënësit më të mirë nga nga rrethina e Ulqinit, pra nga “katunet”.
Prandaj, le tu shmangemi shprehjeve dhe fjalëve të cilat nuk i takojnë një popullatë me një kultur dhe më një traditë të lashtë qytetare. Gjeneratat e reja duhet të lindin dhe të edukohen duke mos pasur paragjykime, pasi që të gjithë ne i takojmë një gjuhe një rrënze, një gjaku, një korpusi të njëjtë e të barabartë të një popullate e cila ditë për ditë po zvoglohet, duke braktisur vatrat e veta në kërkim të punës dhe të një jete më të mirë në shtetet perendimore.

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top