Friday , August 14 2020
Lajmi i fundit

ISMET KARAMANAGA: HALIL CANKA – NJË ARTIST I HOTELERISË

Sjellja dhe qëndrimi i Halil Cankës dhe i hotelierëve të tjerë nga ajo kohë, kanë qenë udhërrëfyes për shumë të rinj të Ulqinit. Nga këta punonjës të shkëlqyeshëm të turizmit tonë kemi filluar edhe ne të mësojmë gjuhët e huaja, në veçanti gjuhën gjermane.

Duhet të nënvizohet se Halil Canka dhe disa të tjerë, në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, kanë vendosur gurthemelet e turizmit modern në qytetin tonë.

Të shkruash portretin e Halil Cankës, njërit prej punëtorëve nga koha e artë e turizmit tonë, një artisti të hotelerisë dhe një zotëriu në vete, është pa dyshim sfidë e madhe. Aq më tepër që mbiemri Canka më përkujton në disa personalitete nga Perandoria Osmane, pasi që anëtarët e kësaj familjeje kanë prejardhje të përbashkët (nga fshati Steblevë e Dibrës) me Mustafa Kemal Ataturkun, themeluesin e Turqisë moderne.
baba 2

Ishin këto lidhje të forta dhe, siç shihet, kjo trashëgimi reflektohet edhe në ditët e sotme, pasi që gjyshi, babai dhe i biri i Halilit, kanë emrin e njëjtë me Ataturkun – Mustafa.

Në fokusin e këtij shkrimi është një njeri i thjeshtë nga familja Canka, apo siç thonë turqisht, Xhanka. Fjala është për Halil Cankën, njërin nga punëtorët më të mirë që nga fillimi i turizmit te ne. Edhe pse është në moshën 80-vjeçare, gjithmonë është i veshur në mënyrë elegante, me kravatë, i qeshur, me flokë dhe frizurë të veçantë, dhe me një të ecur karakteristik. Pavarësisht se tash është në moshë, ai ende duket shumë më i ri në krahasim me shokët e tij dhe njësoj, a thua se e ka ndaluar kohën. Halili ka një sharm të veçantë dhe pavarësisht nga mosha, gjithmonë ka fytyrën e një të riut.

Gati për çdo ditë del në Ullishtë, pikërisht aty ku lindi, që është dashuria më e madhe e tij. E njoh që nga fillimet e turizmit, kur ne më të rinjtë për të parën herë kemi parë mysafirët nga Gjermania në hotelin “Republika” në Ranë, ku ai ka punuar dhe ka komunikuar me turistët e parë nga Gjermania. Hoteli “Republika”, i cili tashmë ekziston vetëm në ëndrrat tona, ka qenë vendqëndrimi i mysafirëve të parë te ne. Aty ka filluar edhe Halili hapat e parë në turizëm dhe në gastronomi, pas specializimit në Opatija të Kroacisë. Duhet të ceket që në këtë hotel kanë filluar punë pothuajse të gjithë ata, të cilët më vonë janë bërë mjeshtër në këtë lëmi.

Edhe Halili hapat i parë i ka bërë aty. Më vonë ka punuar edhe në Restorantin “Exspress” në Ranë, si dhe në hotelet e tjerë të famshëm (Jadran, Galeb, Mediteran), të cilët e kanë bërë qytetin tonë – Ulqinin, një ndër më prestigjozët në bregdetin e Adriatikut dhe më gjerë.

Edhe unë kur kam filluar si student i gjermanistikës, në vitin 1971, të punoj në recepsionin e hotelit “Olympic”, që sapo ishte hapur, kam filluar ta njoh Halilin dhe turizmin edhe më mirë. Tash, nga kjo distancë kohore prej gati gjysmë shekulli, mund të vërej se përse ky njeri nuk ka pasur nevojë kurrë ta ngrejë zërin. Halili ka pasur një autoritet të veçantë te personeli dhe kurrë nuk e kam dëgjuar se ndonjëherë e ka ngritur zërin, kështu që nuk është për t’u çuditur përse ky njeri ka ende edhe sot një autoritet të posaçëm dhe të rrallë te të gjithë qytetarët e qytetit tonë. Gjithashtu, për 40 vjet, kurrë nuk është vonuar në punë!

Në hotel gjithmonë ka ardhur i veshur bukur, siç i ka hije një hotelisti, ka folur gjuhën gjermane dhe nuk e di se ndonjëherë është ankuar ndonjë mysafir apo ka pasur ndonjë vërejtje për punën e tij.

“Mysafiri gjithmonë ka të drejtë”, thoshte Halili, me një buzëqeshje.

Ky qëndrim e ka stolisur këtë njeri të jashtëzakonshëm gjatë gjithë kohës së punës së tij në hoteleri, pavarësisht se ka punuar në shumë hotele si kryekamerier apo “shef i sallës”, siç është quajtur pozita e tij gjithmonë, deri në fund të punës së tij në hoteleri dhe pensionimit të merituar.

Duke e njohur që nga ajo kohë, në veçanti në fillimet kohës së artë të turizmit tone, them se ai ka qenë gjithmonë i veçantë, i butë, modest, pedant, i qeshur dhe i sjellshëm. Edhe tash ka mbetur njësoj. Rrobat e zeza të “shefit të sallës” në Hotelin “Olympic” dhe kravata e ngushtë i kanë pasur hije. Në veçanti është vërejtur një kombinim i pamjes fizike dhe eleganca me qëndrimin natyror, duke shërbyer si shembull se si duhet të duket një punëtor në hoteleri pasi që kamerieri dhe recepsionisti kanë qenë kontakti dhe përshtypja e parë dhe më e rëndësishme me mysafirët në hotel.

Duhet të nënvizohet se Halil Canka dhe disa të tjerë, në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, kanë vendosur gurthemelet e turizmit modern në qytetin tonë. Edhe unë, si student, kam pasur nderin disa vite me radhë të punoj në recepsionin e Hotelit “Olympic” në Plazhin e Madh, dhe duke falënderuar edhe Halil Cankën, Ruzhdo Karamanagën dhe Lluka Gjuroviqin, kam përfituar një përvojë të madhe për aktivitetin tim të mëvonshëm, si ciceron i shumë grupeve të turistëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Perëndimit.

Sjellja dhe qëndrimi i Halil Cankës dhe i hotelierëve të tjerë nga ajo kohë, kanë qenë udhërrëfyes për shumë të rinj të Ulqinit. Nga këta punonjës të shkëlqyeshëm të turizmit tonë kemi filluar edhe ne të mësojmë gjuhët e huaja, në veçanti gjuhën gjermane. Pa dyshim që tek unë kanë lënë gjurmë dhe mbresa të mira, frytet e së cilës i kam përjetuar edhe unë, pak më vonë.

Halili gjithmonë është dalluar në hotel. Prandaj, edhe them që ai është një ndër figurat më markante të hotelerisë sonë. Si shumë punëtorë të tjerë të hotelerisë te ne, edhe ai ka specializuar në Opatija të Kroacisë, qytetin më të njohur për turizëm në Jugosllavinë e kohës. Opatija ka qenë qendra e turizmit të Jugosllavisë, vendi ku janë shkolluar dhe kanë specializuar kamerierët dhe gjellëbërësit më të mirë. Kështu që nuk është e i pa bazë mendimi se me ndërprerjen e shkollimit të punëtoreve të hotelerisë te ne, në qendra të tilla siç ka qenë Opatija, ka përfunduar edhe epoka e artë e turizmit. Sepse, në të vërtetë, ata kanë qenë profesionistë të vërtetë të turizmit. Edhe Halil Canka, pa dyshim, i takon këtij grupi.
Baba 1

Tani në pension, për çdo ditë shkon në Ullishtë, shëtit dhe rrin në ullishtën e tij, e cila i përngjan një bahçeje. Njeriu mbetet i fascinuar me vullnetin dhe punën e këtij njeriu të palodhshëm dhe të jashtëzakonshëm. Ashtu siç ka qenë në hotel, i disiplinuar, me qëndrim dhe elegancë të rrallë, ashtu duket edhe ullishta e tij, së cilës ai i ka kushtuar vëmendje të veçantë.

Si shumë prej nesh, edhe Halili vuan për ato kohë të turizmit, ka nostalgji të madhe dhe dhimbje për të gjithë hotelet që nuk ekzistojnë më.

“Këto fakte më bëjnë që sot edhe më tepër se kurrë t’i kthehem Ullishtës dhe qetësisë shpirtërore, të cilën mund ta takoj dhe përjetoj veçmas atje, brenda ullinjve shumëvjeçarë të Ullishtës sonë”, shprehet ai.

Nganjëherë ndalet dhe shikon se si edhe në ullishtën tonë mijëvjeçare ka filluar “ndikimi” i turizmit, natyrisht atij “modern”.

”Nuk mund të besosh se edhe këtu, në këtë parajsë të natyrës dhe dorës së njeriut i cili qindra vite më parë i ka mbjellë këto ullinj, ka filluar të urbanizohet dhe devastohet ambienti. Shoh shumë objekte të cilët nuk i takojnë këtij ambienti, të cilët sot i vendos një dorë tjetër e një njeriu të pamëshirshëm dhe të pandërgjegjëshëm. Prandaj, shpesh shkoj rrugëve të Ullishtës në afërsinë e Malit, ku ende ka veç ullinj të vjetër, rrugica të ngushta, ku mbretëron një qetësi e jashtëzakonshme për sy dhe shpirt. Atje mundesh ta dëgjosh veç erën, lëvizjen e gjetheve, tingujt e natyrës dhe cicërimin e zogjve”, shprehet Halili duke vazhduar në rrugën e tij.

One comment

  1. Dajo! voli me te puno iz daleka. Super tekst. jos samo da znate da nas je na plazu uvijek vodio. kad bi zavrsio s poslom samo bi novinom nam mahnuo, znak da Tafi i ja moramo kuci. Najbolji dajdza na kugli zemaljskoj. Nedostaju mi dugi razgovori i svemu u svacemu. Moja mama Pranvera i njihova mama Sultana, ih sve stite. Dugackoga zivota dajo, ujna i svi Canka. Mashallah puna kuca divne djece, napredak i pod sretnom zvijezdom, melek da ih prati sve.Hvala za divan tekst. Mada jos se puno moze reci o njegovoj dobroti, cistom srcu punom ljubavi i osjecanja za sve koje nas je kao suncem obasjala kuca Canka. Elhamiduallah.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top