Wednesday , October 16 2019
Lajmi i fundit

Ismet Karamanaga: HAXHI LAJKA- Mekanik me famë të madhe

DajaSot në moshën 80-vjeçare, Haxhiu nuk punon më, por ende për çdo ditë shkon në servisin që quhet sipas mbiemrit të tyre “Lajka”, ku ka një zyrë të vogël, lexon gazetën dhe nganjëherë e hedh syrin dhe veshin në makina që mjeshtrat, si edhe i biri i tij Bajaziti i riparojnë.

I biri i tij, Bajaziti ka trashëguar nga Haxhiu shumë veti dhe ai pa dyshim me instrumente dhe pajisje elektronike moderne i riparon automjetet, por më duket se kur ndodh ndonjë prishje ku edhe elektronika “hesht”, ftohet Haxhiu, i cili përveç përvojës shumëvjeçare ka pasur dhe ende e ka dashurinë dhe ndjenjën për makineri dhe makina. Kështu që ai rrallë, të them më mirë kurrë, nuk gabon.

Është vështirë të fillosh të shkruash për këtë familje të vjetër ulqinake me një pedigre të lartë e mos të të shkojë mendja te Hake Lajka, një zonjë “e rëndë” nga kjo familje, e cila me punën dhe veprën e saj, si një ndër avurdat më të para dhe më të njohura në Ulqin dhe rrethinën e tij, ka lënë gjurmë të pashlyera në qytetin dhe trashëgiminë tonë. Ajo është edhe personaliteti kryesor i legjendës për Kroin e Zanave, për të cilën kam shkruar në librin tim të parë “Kalaja – Legjendë dhe Art” në vitin 2006.

Mirëpo, kjo familje gjithmonë në Ulqin ka gëzuar respekt të veçantë për shkak edhe të shumë personaliteteve të cilët ende edhe sot jetojnë dhe me punën e veprën e tyre, në disa lëmi, gjenden në majën e piramidës te ne.

Në fokusin e interesimit tim është njëri ndër më të njohurit e kësaj familjeje, i cili gjithë jetën e tij ka punuar si mekanik. Fjala është për Haxhi Lajkën, i cili ende sot në moshën 80-vjeçare për çdo ditë shkon në servisin e tij që gjendet në rrugën e cila të çon për Kripore, të them më mirë Kriporen “e dikurshme”, e cila sot është totalisht e devastuar dhe e shkatërruar.
Servisi quhet sipas mbiemrit të tyre “Lajka”, ku sot mund t’i riparoni automjetet tuaja, duke filluar nga ato më të thjeshtat e deri te Mercedesi dhe automjetet tjera moderne.
Haxhiu nuk punon më, por për çdo ditë shkon në servis, ku ka një zyrë të vogël, lexon gazetën dhe nganjëherë e hedh syrin dhe veshin në makina të cilat mjeshtrat, si edhe i biri i tij Bajaziti i riparojnë.

Ai i takon asaj plejade të mjeshtrave, makinistëve, të cilët nuk duhet të harrohen dhe duhet të nxirren nga harresa për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Fjala e shkruar mbetet dhe gjithmonë do të ketë studiues të cilët do të merren me trashëgiminë tonë, me qytetërimin tonë.
Haxhiu ka punuar vite me radhë në repartin e servisit të “Komunallnos” së dikurshme dhe zanatin e ka mësuar nga mjeshtri më i njohur në këto treva dhe më gjerë, Smail – Malo Malohoxha. Ky i fundit ka qenë mjeshtri kryesor në këtë servis pas kthimit nga navigimi dhe para se të shkojë në pensionin e merituar, në pyetjen e udhëheqjes komuniste të kësaj ndërmarrjeje: ”Mjeshtër Malo, na trego se cilin ta vendosim në vendin e shefit të servisit?”, i ndjeri Malo, menjëherë pa menduar shumë, ka treguar me gisht: ”Veç ky djali, pa dyshim, mundet me më zëvendësu! Këtë veni.”

Kështu edhe Haxhiu pas përvojës së madhe, duke punuar dhe mësuar nga mjeshtri Malo, fillon edhe vetë të mësojë edhe më shumë. Ai tërë jetën e tij ia ka kushtuar makinerisë, automjeteve dhe mekanikës. Bëhet mjeshtër i cili përmendet gjithmonë si një mekanik me famë të madhe.
Nganjëherë, kur edhe elektronika me të cilën është i pajisur Servisi “Lajka” ka problem të identifikojë prishjen në makinë, Haxhiu del nga zyra, e dëgjon makinën dhe me veshin e tij e identifikon problemin. Është i rrallë dhe i veçantë.

I biri i tij, Bajaziti, ka trashëguar nga Haxhiu shumë veti dhe ai pa dyshim me instrumente dhe pajisje elektronike moderne i riparon automjetet, por më duket se kur ndodh ndonjë prishje ku edhe elektronika “hesht”, ftohet Haxhiu, i cili përveç përvojës shumëvjeçare ka pasur dhe ende e ka dashurinë dhe ndjenjën për makineri dhe makina. Kështu që ai rrallë, të them më mirë kurrë, nuk gabon.

Haxhiu është një njeri i qetë, modest, zotëron një inteligjencë të rrallë dhe ka një kujtesë të madhe. I kujtohen shumë shokë dhe miq me të cilët është shoqëruar në rini, por edhe më vonë. Shumë nga ata nuk jetojnë më, por Haxhiu flet për të gjithë me një respekt dhe pietet të veçantë.
Në veçanti i kujtohen shumë takime gjatë kohës së lirë dhe festave, ku një grup nga ata është dalluar. Ishte kjo një shoqëri kompakte, të them më mirë “boemët” e Ulqinit të asaj kohe, ku ka pasur humor, bejte dhe argëtim. Mund të them se këta njerëz duhet të përmenden dhe të mos harrohen.

Për disa prej tyre kam shkruar edhe më parë në disa shkrime dhe në librat e mia, kurse disa dua t’i përmendi në këtë shkrim. Në këtë grup në veçanti janë dalluar Rasim Beci, Ismet Lamoja, Xhavit Ismailaga, Haxhi Lajka dhe disa të tjerë. Në veçanti dua të përmendë Bet Galanin, shoferin e autobusit të kuq, të vogël të “Komunallnos”, i cili ka pasur një humor të veçantë, specifik. Ka qenë humorist dhe bejtexhi. Për këtë dëshmojnë fjalët e një bejtexhiu të njohur ulqinak, i cili me një rast i ka thënë Betit:
”Hajde, hajde, Bet Galani,
ftyrën e ke si kazani,
edhe punt’ i ke si shejtani”.

Këta kanë lënë shumë fjalë të urta, bejte dhe humor, i cili rrallë mund të përsëritet. Prandaj është mirë të shkruhet dhe të hulumtohet trashëgimia jonë e lavdishme. Si popull autokton në këto troje, kemi pasur humorin tonë, bejtet, muzikën dhe gjuhën tonë lokale ulqinake, e cila ende sot ka mbetur e papërsëritshme, pavarësisht nga koha moderne, interneti dhe ndikimi i mjeteve të komunikimit masiv.

Haxhiu ende edhe sot është në gjendje psiko-fizike shumë të mirë. Ende i “grah” automobilit, është i respektuar nga familja e tij, është i kënaqur me punën, me të birin Bajazitin, të cilit ia ka “lënë” zanatin, nipat Adnanin dhe Kenanin të cilët studiojnë, por siç shihet edhe ata nuk munden pa servis, pavarësisht se përballë servisit, në anën tjetër, koha moderne dhe turizmi u garantojnë atyre dhe anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje edhe një të ardhme tjetër.

Haxhi Lajka, po e përsëris edhe një herë, sot gëzon respekt të veçantë në të gjithë qytetin e Ulqinit dhe rrethinën e tij, por edhe më gjerë. Me shkrimin tim modest mbi Haxhi Lajkën, dëshiroj ta përkujtoj opinionin për këtë mjeshtër me nam, pasi që mendoj se ai dhe shumë të tjerë duhet t’i kujtojmë, t’i nxjerrim nga harresa dhe mos t’i harrojmë kurrë. Të gjithë ata janë pjesë e trashëgimisë sonë të lavdishme.

Haxhi Lajkës i dëshiroj jetë të gjatë, të mirë dhe të shëndoshë. E meriton.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top