Tuesday , April 24 2018
Lajmi i fundit

Ismet KARAMANAGA: KAPO NAZIF SHABANI

 

Nazif ShabaniAty, në zemrën e barkës ka qenë dhe është “Kapoja” Nazif Shabani, sot me mend dhe me shpirt. Kurdoherë kur ka naviguar në shumë anije tejoqeanike, gjithmonë ka qenë oficeri i parë, komandant i vërtetë i makinës. Mbi gjashtë herë ka lundruar përgjatë tërë rruzullit tokësor. Pak ka vende ku nuk ka shkelur këmba e tij.

Të shkruash për detarinë e famshme ulqinake, për detarë dhe kapedanë, e mos t’i përmendësh ata që kanë dhënë një kontribut të madh dhe të veçantë në këtë lëmi, më duket se është mëkat.
Këtë e kam ndër mend kurdoherë që e takoj në rrugë apo në Ranë njërin ndër detarët më të njohur, me një përvojë të madhe dhe gjen “të fortë“ të trashëguar nga të parët e një familjeje detare nga Kalaja, “Kapo” Nazif Shabanin.

Për lexuesit, “Kapo” është shprehje e marrë nga gjuha italiane, për shkallën më të lartë të inxhinierëve të makinerisë në një anije tejoqeanike. “Kapo” Nazif Shabani është i vetmi nga Ulqini i cili është dekoruar me këtë titull.
Kjo familje detare ulqinake nga Kalaja ka pasur pesë barka në pronësinë e vet, si edhe shumë detarë dhe kapedanë me famë të madhe. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që edhe “Kapo” Nazif Shabani e ka pasur dhe e ka detin në gjen, që është përcjellur brez pas brezi, kështu që edhe “Kapoja” ia ka lënë të birit të tij, kapedan Riza Shabanit II.
Ai është një figurë e cila iu bien në sy me të ecurin e tij karakteristik, me një sjellje të jashtëzakonshme, me qëndrimin e trupit, e mos të flasim për kulturën, dijen dhe njohjen e gjuhëve të huaja. Flet dhe shkruan gjuhën angleze dhe italiane. Ende lexon dhe sheh pa syza. Ka një nostalgji të madhe për Jugosllavinë e dikurshme. “Aty kam lindur, jam shkolluar dhe kam pasur një jetë të bujshme, kam rritur fëmijët”, tregon “Kapoja”.

Përveç tyre, ai e flet pastër gjuhën shqipe dhe kroate. Është një “Kapo” i vërtetë. Bile shpeshherë përdor shprehjen logjike: “Zemra e barkës është makina. A mundet trupi me jetuar pa zemër, kështu barka nuk mund të lundrojë pa makinë”.
Aty, në zemrën e barkës ka qenë dhe është “Kapoja” Nazif Shabani, sot me mend dhe me shpirt. Kurdoherë kur ka naviguar në shumë anije tejoqeanike, gjithmonë ka qenë oficeri i parë, komandant i vërtetë i makinës. Mbi gjashtë herë ka lundruar përgjatë tërë rruzullit tokësor. “Pak ka vende ku nuk ka shkelur këmba ime”, tregon “Kapoja”.
Ai është një figurë markante, i pashëm, i veshur elegant, me rroba “kaki” speciale detarësh. Më kujtohet se kështu ka qenë dhe është veshur edhe babai i tij, kapedan Hysni Shabani.
“Kapoja” është një figurë pa të cilën është vështirë të imagjinohet, në veçanti të flitet për detarinë tonë të famshme. Ai i takon plejadës më të njohur të detarisë, prej viteve ‘70 deri në fund të shekullit XX. Në majën e kësaj piramide janë janë Maksud Tivari, Shaqir Peku dhe Muzavid Bilali. Aty e ka vendin edhe “Kapo” Nazif Shabani.
Gjithmonë ka pasur një autoritet të rrallë të veçantë, në Kala, në det dhe në përgjithësi në qytetin e bukur të Ulqinit.

Jam dëshmitar se ai është një njohës i mirë i letërsisë botërore, ka lexuar shumë. Në veçanti është i pajisur me dije nga trashëgimia jonë në përgjithësi, por në veçanti nga e kaluara jonë detare. “Kapoja” ka dhënë shumë intervista në radio dhe televizione lokale. Flet qartë dhe me një gjuhë të bukur, të pastër. Di shumë bejte, legjenda dhe thënie popullore.
Kam pasur rast ta dëgjoj edhe në emisione në televizionet lokale, në radio, të lexoj në portale dhe media të shkruara, ku ai ka qenë i pranishëm si njohës i kësaj lëmie. Nga ai mund të mësohet shumë. Ka një memorie të hatashme. Flet për jetën e tij, për barka, për ndodhi në det. Ai pa dyshim ka pasur dhe ende ka një jetë interesante, për të cilën mund dhe duhet të shkruhet shumë më tepër.

“Kapo” Nazif Shabani, detin, barkat, anijet e mëdha tejoqeanike i ka në gjak dhe në gjen. Të gjithë anëtarët e kësaj familjeje kanë qenë detarë me nam. Riza Shabani, Jakup Shabani dhe të tjerët nga kjo familje kanë lundruar nëpër dete, duke filluar me velanije dhe barka tregtare të njohura të kohës, gjithmonë duke bërë emër i cili ka mbetur i njohur në qytetin tonë. Edhe pasardhësit e tyre më vonë, kanë qenë “gjemxhi” dhe detarë. Faiku dhe Avdoja gjithashtu kanë qenë detarë të njohur nga ky fis. Ashtu është edhe sot. I biri Riza Shabani është sot një ndër kapedanët më të njohur nga Ulqini, të cilët ende vazhdojnë traditën e famshme të detarisë ulqinake. Kapedan Riza Shabani II sot navigon në anije tejoqeanike të mëdha, në dete dhe oqeane në tërë rruzullin tokësor.

“Verës na vjen në Ulqinin tonë për të qëndruar disa muaj. Malli për vendlindje, familja e ngushtë, prindërit, shokët nga fëmijët e tij, e tërheqin që të vijë. Ulqini dhe Rana e sjellin këtu për t’i kaluar disa muaj, deri në barkimin përsëri në det”.
Kapedan Riza Shabani II për çdo mëngjes e pin kafen e parë me shoqëri në kafenet pranë detit, në Ranë. Kështu është dhe ka qenë gjithmonë jeta e detarëve. Familja, bashkëshortja dhe fëmijët e dinë këtë, pavarësisht se sa është malli i madh. Kjo përsëritet me shekuj, natyrisht sot në kushte të tjera.

“Kapo” Nazif Shabani, e them me plot përgjegjësi, është një njëri i rrallë, një enciklopedi detare në këmbë. Me të mund të bisedoni për çdo gjë, por nëse tema është deti, lundrimet, mbetni të fascinuar se sa të dhena ka ai në trurin e tij të pashtershëm. Ai me të vërtetë është një njeri i cili pa dyshim mund të flasë dhe të shkruaj për historinë e detarisë sonë shumë më mirë se të gjithë ne të cilët merremi me shkrime.
“Kapoja” është krenar me punën dhe veprën e tij në det, por edhe me jetën e tij në përgjithësi.
Ka tre djem të edukuar, të shëndoshë, të sjellshëm dhe të mirë. Zonja e tij Esmaja, e lindur Haxhibrahimi, me një pedigre të veçantë, pa dyshim që ka pasur durim të pafund, ashtu siç e kanë pasur të gjitha nënat dhe motrat tona, të cilave i kanë lundruar burrat, vëllezërit dhe fëmijët.

“Navigimi” me barka në dete, gjithmonë ka pasur anën e mirë, pasi që ka qenë fitesa më e mirë, mirëpo ka pasur edhe anën tjetër, rrezikun e detit “pasi që deti është Padishah në vete”, si edhe dëshirën dhe mungesën te shtëpia, familja dhe për më të afërmit.
“Kapo” Nazif Shabani ka lindur në vitin 1940 në Kala, në një familje të njohur detare nga Kalaja. Si të gjithë të rinjtë, të cilët i kanë pasur babatë kapedana apo detarë, edhe ai ka ëndërruar të barkohet në det. Në Kala ka pasur pak familje të cilat nuk kanë pasur më së paku një anëtar të familjes në det. Tradita, por edhe jeta kanë qenë ajo fuqi e cila i ka shtyrë që të barkohen në anije, të lundrojnë për të fituar bukën.

Babai i tij kapedan Hysni Shabani ka qenë një ndër detarët dhe kapedanët më të njohur të asaj kohe i Ulqinit dhe më gjerë. Ai ka qenë i aftë dhe trim në det. Nuk ka pasur frikë nga deti dhe më kujtohet edhe mua si fëmijë kur ai vinte me një barkë të lundrimeve të vogla – “Sutomore” në Molin e Madh, përtej bedeneve të Kalasë. Si detar në atë barkë ka punuar edhe i ndjeri Sheqer Dermaja. Më kujtohen këto figura me rroba “Kaki”, të cilat u kanë pasur shumë hije.

Një thënie popullore të cilën na përkujton “Kapoja”: ”Deti qameti është Padishah në veti”, tregon qartë se sa i vështirë ka qenë lundrimi në det me anije dhe barka. Ai tregon se në vitin 1936 Kapedan Hysni Shabani me ekuipazhin ulqinak të përbëre nga Cuf Vogliqi, Faik Shabani, Sheqer Dermon, Man Kaharin dhe Ganush Tulishmin, në udhëtim prej portit të Durrësit për në Dubrovnik patën fatkeqësi të rëndë duke dalë nga porti. Mirëpo, kanë qenë trima dhe detarë me nam. “Çka ban dekiku, nuk ban mat-moti”, kanë thënë të parët tanë.
Kapedan Hysni Shabani ka pasur autoritet të veçantë tek detarët, por edhe në tërë kompanitë detare ku ka punuar. Me autoritetin e tij shumë të rinj nga Ulqini dhe rrethina, i ka ndihmuar të barkohen në det dhe të mësojnë. Më vonë ai, por edhe me suksesin e treguar në shkollë, të birin e tij Nazifin e ka regjistrur në Shkollën e Mesme të Nautikës në Dubrovnik.
Pas mbarimit të shkollës, “Kapoja“ fillon të punojë si kadet, asistent i makinës në anije të mëdha tejoqeanike. Pas dy viteve jep provimin për oficierin e parë mekanik “poruçnik”, ku edhe barkohet në kompaninë “Jugotanker“ të Zarës, së bashku me kapedan Shaqir Pekun.
“Një kohë kam punuar edhe për ‘Jadrolinijen’ e Rijekës, në anijen e bukur ‘Dalmacija’, e cila ende edhe sot lundron. Më vonë kam punuar edhe në ‘Stranca’ në kompani të ndryshme si “Kapo” – inxhinier i makinës, si oficier me titullin më të lartë në këtë lëmi. Në vitin 2004 jam pensionur, por gjithmonë kur më kanë thirrë përsëri jam barkuar dhe kam lundruar, deri në vitet e fundit kur nuk më lejon më familja”, rrëfen ai.

“Kapoja” që nga fillimet e lundrimëve të tij ka treguar aftësi. Kështu fillon edhe ngritja e tij në majën e piramidës së detarisë. Ai vazhdon të studiojë dhe jep shkallën më të lartë në lëmin e mekanikës dhe bëhet oficieri i parë në anije.
Ai ka një përvojë të madhe dhe ende sot, në moshën 77-vjeçare e thërrasin për të naviguar në anije, shumë kompani të ndryshme nga bota për të cilat ai ka naviguar.
“Më kërkojnë, por e kam vendosur që mos të shkoj më, pavarësisht se ende jam në gjendje psiko-fizike të mirë”, tregon ai, me një kondicion i cili vërehet, bile edhe dëshirë që nuk i mungon. “Mirëpo mosha e bën të veten dhe e frenoj veten. Deti dhe familja kanë qenë dhe kanë mbetur dashuria më e madhe e jetës sime”.
“Po të kisha zgjedhur profesionin, prapë detin, lundrimin, barkat dhe anijet i kisha zgjedhur”, flet “Kapoja” me një nostalgji të madhe.

Për çdo ditë ulet në Ranë, i bën disa “xhiro”, përcjell peshkatarët dhe ndonjë barkë në horizontin e largët. Imagjinon. “Detin dhe lundrimin e kam pasur pasion dhe profesion. Sot kam shumë kohë të lirë dhe modeloj barka me vela, kështu që deti dhe barkat më kanë mbetur përgjithmonë në shpirtin dhe jetën time”, shprehet ai.
“Kapoja” është krenar që njëri nga tre djemtë e tij vazhdon traditën e famshme detare të familjes së tij. Ai flet me nostalgji të madhe për detin, detarët dhe për detarinë tonë të lavdishme, ku ai dhe familja e tij në përgjithësi kanë dhënë dhe ende japin një kontribut të madh.
Është mirë që gjeneratat e reja të njihen me këta persona pasi që ata janë pjesa e trashëgimisë sonë të lavdishme, jetës dhe kulturës sonë. Vetëm kështu mund të arrijmë edhe respektin për veten në të ardhmen.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top