Wednesday , June 19 2019
Lajmi i fundit

Ismet Karamanaga: PIKTORI AKADEMIK RUDI GOGA

RudiArs longa, vita brevis

Rudi Goga ishte një piktor akademik i talentuar, me grada të larta artistike, të fituara në Gjermani, ku ka studiuar dhe specializuar grafikën. Në grafikë, pa dyshim, Rudi Goga ka lënë gjurmë të pashlyera në artin tonë figurativ. Ekspozita të shumta flasin qartë për aktivitetin dhe veprat e këtij piktori. Ai ka një vend të veçantë në majën e piramidës së shumë piktorëve tanë me famë evropiane.

Të shkruash për Rudi Gogën, njeriu duhet ta njohë artin figurativ shumë më mirë se unë, mirëpo si kalali dhe shok i tij, po e lejoj veten që vetëm me pak rreshta ta kujtoj opinionin e gjerë për veprën e tij të madhe dhe për jetën e tij brenda mureve të Kalasë. Prandaj, për mua është një sfidë e madhe të shkruaj një portret të shkurtër të tij.

Rudin e njoh që nga fëmijëria. Kemi shkuar së bashku në shkollën fillore në të njëjtën klasë dhe kemi pasur mësuesin dhe mësuesen, një çift të jashtëzakonshëm, ndër të parët në gjuhën shqipe te ne në Ulqin.

Rudi, pa dyshim, si intelektual dhe piktor akademik, i takon së pari Kalasë dhe kalalinjve, pastaj edhe Ulqinit dhe më gjerë. Ne jemi krenarë që Rudi ka jetuar dhe vepruar në Kalanë tonë. Ata që e njohin artin, posaçërisht artin figurativ, më mirë dhe më thellë, ata që e kanë njohur edhe punën e këtij piktori akademik, janë më kompetentë dhe më së miri dinë ta vlerësojnë artin e Rudi Gogës, kurse neve shokëve për artin figurativ më së tepërmi na ka folur vetë Rudi.

Rudi ka jetuar dhe ka vepruar në shtëpinë e tij në Kala, në shtëpinë e famshme të Hoxhë Bushatit. Mbi 60 vite, familja e të ndjerit Rexhep Goga, babai i tij, ka jetuar në Kala, ku të gjithë fëmijët e tij janë formuar, shkolluar dhe rritur. Jemi krenarë që një piktor i talentuar, i njohur anembanë tokave shqiptare, por edhe në Evropë, ka jetuar dhe vepruar në Kalanë tonë.
Ende edhe sot mbi derën e shtëpisë së të ndjerit Rudi Goga qëndron e shkruar thënia e tij e dashur “Ars longa, vita brevis” (Arti është jetëgjatë, jeta është e shkurtër). Çdo njeri, kalimtar dhe turist, i cili kalon rrugës ku gjendet shtëpia e tij, pavarësisht sa e njeh shtëpinë dhe artin, ndalon dhe me vëmendje e lexon shkrimin mbi derë.

Për Kalalinjtë dhe banorët e lindur në Kala, kjo shtëpi ka qenë gjithmonë e veçantë dhe interesante. Pamja e saj e dikurshme dhe shtëpia në përgjithësi ka pasur një histori të veçantë, sidomos për ata më të moshuarit dhe ata që e njohin, të cilëve iu kujtohet në formën origjinale, deri te tërmeti katastrofal i vitit 1979.

Në vitin 1979, tërmeti katastrofal dhe shtëpia e të ndjerit Rexhep Goga është dëmtuar rëndë, por çka ishte më tragjike, si pasojë e tërmetit ka humbur jetën edhe i biri i tij, Agron Goga.
Mirëpo duhet të theksohet se pas tërmetit, shtëpinë në formën e sotme, me pak ndryshime, e ka ndërtuar plotësisht, pa ndihmën fizike të askujt, me një vullnet të paparë, tashmë i ndjeri Basri Goga, vëllai i tij. Secilin gur e ka përpunuar vetë dhe secilin e ka vendosur vetë në muret e saj.
Rudi Goga ka qenë mjeshtër i grafikës, të cilën e ka ushtruar deri në perfeksionizëm. Ndërmjet shumë ekspozitave anembanë Malit të Zi, Shqipërisë dhe Evropës, Rudi ka bërë edhe një monografi të jashtëzakonshme, e botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në vitin 2014, e cila flet dhe shkruan qartë për jetën dhe artin e tij, punën e palodhur të këtij artisti, piktori akademik me përmasa kombëtare.

Në këtë monografi kushtuar jetës dhe punës së këtij piktori, mendime dhe vlerësime kanë dhënë piktorët dhe akademikët me grada të larta nga arti dhe kultura në përgjithësi, nga vendi dhe bota.
Mua më ka mbetur vetëm ta publikoj në llogarinë time në facebook. Këtë e kam bërë dhe isha shumë i kënaqur që Rudi e pëlqej shkrimin tim modest, si dhe përzgjedhjen e pikturave, të them më mirë fotografive që i publikova aty.

Rudi ka jetuar dhe vepruar në një ndër shtëpitë më karakteristike të Kalasë. Gjithmonë ka qenë i “butë dhe i mirë”, siç thotë populli ynë. Shkollën fillore e ka kryer në Ulqin, si edhe shkollën e mesme profesionale, kurse Akademinë e Arteve në Prishtinë, në klasën e akademikut Muslim Mulliqi. Më vonë shkon në Gjermani dhe në vitin 1982 në Düsseldorf i vazhdoi studimet pas diplomike, ku edhe i mbaron me sukses te prof. Josef Beys.

Pas kthimit nga Gjermania, për tri vjet ka qenë i punësuar në Muzeun – Galerinë e Arteve në Ulqin. Pastaj është marrë me punë pedagogjike në shkollë, kurse pensionin e merituar nuk ka pasur shumë kohë ta shfrytëzojë. Zoti i Madh deshi ta marrë në një botë më të mirë sesa kjo.
Ekspozitën e parë vetjake, të titulluar “Kulla e Ballshajve”, e ka hapur në Ulqin, në vitin 1978. Rudi ka marrë pjesë në mbi 150 ekspozita kolektive, në vend dhe jashtë vendit. Ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi, “Art Club”-it, Shoqatës “Kalaja” etj.

Edhe disa të dhëna mbi jetën e këtij piktori akademik.
Gjatë karrierës artistike, Goga numëron 40 ekspozita personale dhe 60 kolektive, jo vetëm brenda kufijve të Malit të Zi, në Ulqin e Tivar, por edhe në Gjermani, Holandë, Francë, Nju-Jork, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri. Punimet e tij gjenden në galeri dhe koleksione private, në vende të ndryshme të Evropës, ku piktori ka ekspozuar. Ndërkohë Goga numëron edhe disa çmime, mes të cilave në vitin 1991 Çmimin Vjetor të “Art Club”-it – Ulqin, në 1995 “Onufri ’95 – Tiranë, në 1998 Çmimin e SHJMZ – Podgoricë.

E mërkura është një ditë kur kanë ndërruar jetë edhe Shekspiri dhe Servantesi, kështu që të mërkurën, më 3 maj 2017, në moshën 69-vjeçare ndërroi jetë edhe Rudi Goga. Nuk desha të bëj krahasime pasi që janë gjëra që nuk mund të krahasohen, por rastësisht ndodhi dhe më ra ndër mend.

Rudi Goga ka qenë një njeri modest, i qetë dhe i mirë. Ai ishte edhe njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ku ka dhënë një kontribut të madh për avancimin e kësaj shoqate, të cilën unë e vlerësoj si Akademinë e Shkencave dhe Arteve të shqiptarëve në Mal të Zi.

Rudi ishte një piktor akademik i talentuar, me grada të larta artistike, të fituara në Gjermani, ku ka studiuar dhe specializuar grafikën. Në grafikë, pa dyshim, Rudi Goga ka lënë gjurmë të pashlyera në artin tonë figurativ. Ekspozita të shumta flasin qartë për aktivitetin dhe veprat e këtij piktori. Rudi Goga ka një vend të veçantë në majën e piramidës së shumë piktorëve tanë me famë evropiane.

Kritikët e artit e kanë vlerësuar shumë dhe ende e vlerësojnë veprën e tij, si piktor i zellshëm, i vyer, i talentuar dhe i respektuar në mesin e artistëve në përgjithësi. Pikturat dhe grafikat e tij të shumta, stolisin sot shtëpitë dhe galeritë anembanë vendit tonë, por edhe jashtë vendit, kudo ku ka shkelur këmba e tij. Bile edhe unë e kam një pikturë në shtëpinë time, një dhuratë nga ai, të cilën e ruaj me një dashuri të madhe.

Monografia kushtuar Gogës, e cila u përurua para dy vitesh, me rastin e shënimit të njëvjetorit të vdekjes së tij nga “Art Club”-i, me ç’rast u hap edhe ekspozita retrospektive, është një vepër monumentale e cila flet qartë për veprën e madhe të këtij piktori akademik të talentuar.
Rudi Goga si njëri ndër banorët e Kalasë sonë, pa dyshim ka lënë një zbrazëti të madhe në Kala, por edhe në artin tonë në përgjithësi.

Më 21 gusht 2018, në “Pallatin Venezia” në Kalanë e Ulqinit u organizua një mbrëmje homazh dhe ekspozitë retrospektive kushtuar piktorit akademik Rudi Goga, krijimtarisë së madhe artistike të këtij artisti me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Ishte ky një homazh madhështor, i organizuar deri në perfeksionizëm, brenda dhe jashtë mureve të “Pallatit Venezia”.

Dua të shpreh në emrin tim, por edhe në emër të të gjithë kalalinjve një falënderim dhe respekt të veçantë për organizatorin, “Pallatin Venezia” dhe stafin e tij, piktoren Mersiha Resulbegu – Mavriq dhe të tjerët që kontribuan.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top