Thursday , July 16 2020
Lajmi i fundit

Ismet Karamanaga : Pjetër MIRDITA – Mësues me autoritet të veçantë

PjetriPjetër Mirdita si dhe shumë arsimtarë, pedagogë dhe mësues të tjerë, në fillim të arsimit në gjuhën shqipe kanë punuar me pasion dhe dashuri të madhe për arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në Ulqin dhe Malin e Zi, sepse siç thoshte ai, “arsimi ka pasur një rol të veçantë në edukimin e popullatës sonë shqiptare, kurse ne të parët arsimin dhe punën në arsim e kemi dashur me zemër dhe kemi pasur përgjegjësi të madhe”.
Ishte ky një pedagog i rrallë, i thjeshtë, gjithmonë i qeshur, me autoritet të madh dhe të veçantë te fëmijët.
Ai ishte një nga pishtarët e arsimit në gjuhën shqipe te ne, një mësues i cili ka punuar me zemër, dhe, pa dyshim, një njeri me autoritet të rrallë dhe të veçantë. Pjetri i takon atij grupi të pishtarëve të arsimit tonë të cilët me shumë dashuri dhe vullnet kanë arsimuar shumë gjenerata, në mesin e të cilëve ende edhe sot janë shumë të cilëve u ka mbetur në kujtesë edukimi i parë, si bazë e fortë për vazhdimin e shkollimit dhe formimit si njerëz dhe profesionistë në lëmi të ndryshme.
Ishin këta mësues, arsimtarë dhe pedagogë të jashtëzakonshëm, si: Antonija Markoviqi, Minja Nikollaidisi, Muhamed Zejnelaga, Qauthere Llunji, Shefki Karamanaga, Mehmed Cuca, Hilmi Cungu dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve duhen të përmenden me një pietet të veçantë.
“Ishte ajo koha pa telefona, kompjuterë, koha kur kemi pasur vetëm tabelën e zezë, hartat, shkumësin dhe librin. Unë nuk jam kundër risive dhe përparimit”, thoshte i ndjeri Pjetër, “mirëpo më duket që tash është tepruar në këtë lëmi. Unë kam dhënë mësim dhe edukim me vullnet dhe dashuri të madhe dhe gjithmonë jam munduar që ta interpretoj dhe t’ua shpjegoj fëmijëve sa më mirë dhe më qartë”.
Edhe unë jam dëshmitar i këtij entuziasti të rrallë pasi që kam punuar në arsim, bile një kohë të shkurtër në fillim të punës sime në arsim në Shkollën Fillore “Boshko Strugar”, kështu që e kam njohur Pjetrin nga arsimi. Ai gjithmonë ka pasur një autoritet të veçantë.
Jam i sigurt që Pjetër Mirdita ka punuar me zemër deri në fund të punës së tij në arsim, të them më mirë, arsimin dhe punën në arsim e ka pasur në zemrën e madhe të tij deri në fund të jetës së tij.
Me pak mjete, veç me shkumësin, dërrasën e zezë dhe Abetaren, sistemi dhe vullneti i edukimit të këtyre edukatorëve të parë në gjuhën shqipe te ne, ishte një shembull se si mund të mbetet i përjetshëm te shumë ata të cilët ende edhe sot nuk mund ta harrojnë mësuesin e parë. Ende edhe sot shumë gjeneratave u ka mbetur në kujtim të përjetshëm dhe të papërsëritshëm.
Mënyra e shpjegimit të lëndës e arsimtarëve të parë, vullneti i tyre dhe aftësia për t’u transmetuar të rinjve dije, edukim dhe disiplinë të rrallë, është shembull për shumë mësues dhe edukatorë të rinj sot.
Pjetri ka lindur në Pistull, në vitin 1934, në një familje të madhe me një pedigre të veçantë. “Gjyshi im ka punuar në Stamboll dhe çdoherë kur vinte nga Stambolli ka blerë tokë, kështu që të gjithë ne kemi trashëguar shumë nga të parët tanë. Mirëpo, tokën e kemi punuar dhe mirëmbajtur”, thoshte ai.
“Bile, si kuriozitet, Plantazha ime me pemë të ndryshme është shpallur nga Ministria e Bujqësisë më e mira dhe më e bukura në Malin e Zi. Kam fituar vendin e parë”, thoshte Pjetri me plot krenari.
Edhe sot ky plantacion është i bukur dhe është bërë si bahçja e ëndrrave për fëmijët e të birit të tij, Fredit, i cili shpesh gjatë fundjavëve kalon kohën në shtëpinë e lindjes së të parëve të tij në Pistull.
Pas përfundimit e Shkollës së Mësuesisë në Prishtinë, Pjetri fillon si të gjithë të rinjtë e asaj kohe hapat e parë në arsim në Krajë dhe në Shtoj. Në vitet ‘60 kalon në Shkollën Fillore “Boshko Strugar“, ku qëndroi deri në pensionimin e parakohshëm në vitin 2003. Ai vjen në Ulqin dhe ndërton shtëpinë në një pjesë të truallit të Karamanagëve, në të cilin sot jeton i biri i tij Fredi.
Në mars të vitit 2010 ka ndërruar jetë. Më kujtohet ajo ditë me erë dhe ceremonia mortore e të ndjerit Pjetër në bahçen e tij, me të cilën ai është krenuar aq shumë, të mbushur plot me pemë të ndryshme, lule dhe gjelbërim të pafund. Një ambient i jashtëzakonshëm.
Të rrallë kanë qenë ata të cilët e kanë dashur aq shumë arsimin dhe edukimin e fëmijëve, siç ka qenë Pjetër Mirdita. Njerëzit nuk e harrojnë. Në shkollë ka ardhur gjithmonë i veshur në mënyrë elegante, me kravatë, i qeshur.
Ende edhe sot duke kaluar rrugës që të çon nga Rana në drejtim të Pazarit, të shkon syri te shtëpia që gjendet mbi rrugën e ngushtë, zyrtarisht Rruga nr.7, ku ka jetuar Pjetër Mirdita pas ardhjes së tij në Ulqin. Tash në të jeton i biri i tij Fredi me familjen e tij, duke mos e harruar djersën, punën dhe vullnetin e babait të tij për të arritur një jetë më të mirë. Fredi krenohet për punën dhe veprën e babait të tij.
“Ende edhe sot, shumë të moshuar kur më takojnë në rrugë më quajnë djali i Pjetrit”, shprehet ai.
Edhe unë, autori i këtij shkrimi, shpeshherë edhe në shkollë rrallë e kam quajtur me emër, pavarësisht që Fredi ka pasur një edukim të fortë nga babai i tij Pjetër Mirdita.
“Ka ba shumë mas meje”, i kujtohet Fredit, kurse mua më kujtohet që Fredi ka qenë nxënës i mirë, i aftë në shumë lëndë dhe ka filluar që në moshën katërvjeçare të luajë shah.
Me kënaqësi shpirtërore dhe me një buzëqeshje nga zemra, me zë të ëmbël dhe të butë, ashtu siç e kam regjistruar edhe unë me syrin tim të mprehtë, Pjetri ka folur gjithmonë në shkollë, por edhe në rrugë. Këto veti të babait të tij shpeshherë i përsërit edhe Fredi.
Një sjellje e tillë i ka mbetur përgjithmonë në kujtesë çdo njeriu i cili sadopak e ka njohur Pjetrin, në veçanti u ka mbetur në kujtesë të gjithë atyre të cilët e kanë pasur mësuesin e parë në shkollën fillore.
Edhe më vonë si pensionist, Pjetri ka mbetur njësoj – i vyeshëm, modest, i qeshur, gojë ëmbël dhe i veshur elegant deri në momentin e fundit.
Koha kalon, mirëpo ne nuk guxojmë t’i harrojmë pishtarët e parë të arsimit, kulturës dhe edukimit në gjuhën shqipe te ne, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për avancimin e popullit tonë. Në këtë kuadër, edhe Pjetër Mirdita ka vepruar dhe punuar në kohët më të vështira për emancipimin e popullit tonë. Ai, pa dyshim, meriton një vend të posaçëm në majën e piramidës së arsimit te ne në gjuhën shpipe.
Pavarësisht se ka ndërruar jetë në vitin 2010, mua më kujtohet sikur të jetë në mesin tonë figura e tij markante, të ecurit dhe zëri i tij. Një figurë e tillë ka qenë e rrallë, me autoritet te fëmijët, por edhe te qytetarët e Ulqinit. Mendoj se nuk gaboj kur them se ai te shumë qytetarë të Ulqinit ka mbetur ende si i tillë në kujtesë.
Pjetër Mirdita ka lënë gjurmë të pashlyera në arsimin dhe kulturën tonë. Mendoj se është e nevojshme të hulumtohet arkivat pasi që gjurmët e këtyre entuziastëve të kulturës dhe trashëgimisë sonë, ndër të cilët ka qenë edhe i ndjeri Pjetër Mirdita, janë në arkiv apo bibliotekë te ne.
Pjetër Mirdita shpesh thoshte që punën në arsim e ka dashur me zemër dhe se në mungesë të mjeteve materiale, shumë herë i është dashur të improvizojë mësimin në kushte të vështira, gjithmonë me qëllim që nxënësve mos t’u mungojë arsimi themelor.
“Edhe unë si shumë mësues të tjerë, në fillim të arsimit në gjuhën shqipe te ne, kam punuar me pasion dhe dashuri të madhe për arsimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në Malin e Zi. Në veçanti ka qenë vështirë në kohën e asimilimit të popullit tonë autokton. Kanë qenë kohë të vështira”, thoshte Pjetri.
Ai theksonte se në punën e tij si mësues gjithmonë është këshilluar me mësuesit e tjerë dhe se kanë jetuar dhe vepruar në një kohë të vështirë, “në kohën e luftës dhe skamllykut”, ndërsa sot ekzistojnë kushte të tjera.

Pjetër Mirdita me plot meritë është njëri ndër mësuesit që ka vendosur themelet e arsimit shqip te ne. Siç theksova, ka ndërruar jetë në vitin 2010, por kujtimi për të mbetet i përjetshëm.
I lehtë qoftë dheu mbi të. Pastë dritë.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top