Ismet Karamanaga: PORTRET – MAHMUT-DUDO TIVARI

Dudi“Gjithmonë ne flasim me krenari për të parët tanë, të cilët kanë qenë detarë dhe lundrues më të mirë se ne, në kushte shumë më të vështira se sot. Të gjithë detarët dhe kapedanët nga fisi ynë kanë një vend të veçantë në detarinë ulqinake, në veçanti numri një i familjes sonë Adem Tivari I, ndërtuesi dhe pronari i barkave dhe anijeve më të njohura tek ne në Ulqin”, thotë ai.
Mahmut – Dudo Tivari është një kapedan i ri, por me nam dhe me një përvojë të madhe. “Gjaku nuk është ujë” thotë një thënie popullore tek ne në Ulqin, pasi që ai ka trashëguar gjenet e forta të familjes detare Tivari nga Ulqini. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që edhe Dudi, siç e quajmë ne, është ashtu siç janë apo kanë qenë të gjithë detarët dhe kapedanët nga ky fis i njohur nga Rana.

Të shkruash për detarët nga ky fis është gjithmonë një sfidë e madhe, por edhe frymëzim i madh. Këtu është e nevojshme të përkujtohet opinioni i gjerë për vendimet e “Kongresit të Belinit” në vitin 1878 për dhurimin Malit të Zi, apo “pazarllykun” e bërë mbi dhe për trojet tona shqiptare. Këto vendime kanë shkaktuar shpërnguljen e 413 familjeve nga Ulqini dhe rrethina, por edhe shumë nga Tivari, i cili pati të njëjtin fat.
Kështu edhe familja e njohur e Adem Tivarit I, nga Kalaja e Tivarit, u nis për në mërgim, në drejtim të Durrësit, ndoshta edhe më gjatë deri në Stamboll, ashtu siç ndodhi me shumë të tjerë. Mirëpo, për fat të madh, Adem Tivari I e hodhi spirancën në gjirin e Ulqint, doli në Ranë dhe fati i qytetit tonë të bukur, vendosi së bashku me vëllezërit e tij dhe me insistimin e të parëve ulqinakë, ndërmjet të cilëve ishte edhe gjyshi im Mulla Ismail Karamanaga, të qëndrojnë këtu dhe të mos largohet.
Hapi shkverin, kantierin e parë në Ranë, filloi ndërtimin e anijeve dhe barkave duke u bërë ndërtuesi i parë me një famë të madhe, kurse vëllezërit dhe më vonë edhe pasardhësit e tij u bënë kapedanë me nam. Kjo traditë ende vazhdon pandërprerje që nga ajo kohë e deri sot.

Në fokusin e interesimit tim është Mahmut – Dudo Tivari, njëri ndër kapedanët me nam nga kjo familje. Dudi, siç e quajmë ne që e njohim më mirë që nga fëmijëria, është ende i ri, në moshë kur mund të japë maksimumin si kapedan dhe komandant i anijeve të mëdha tejoqeanike.
Ai është modest dhe i qetë, siç thotë populli ynë, dhe duke biseduar me të nuk mund t’i shmangeni ndjenjës se si ai reagon në det, në anije të mëdha tejoqeanike, si një komandant dhe kapedan i shkolluar i ekuipazhit ndërkombëtar nën flamurin e shtetit izraelit, për të cilën kompani lundron shumë vite.

Vështirë të paramendosh një njeri relativisht të ri, i cili në moshen 33-vjeçare bëhet kapedan dhe komandant në një anije tejoqeanike të madhe, ku duhet të keni dije dhe autoritet të veçantë. Prandaj është për t’u çuditur duke folur me të sepse nga ai keni çfaë të dëgjoni dhe të mësoni. Nuk flet shumë, por flet me fakte për gjërat që i ka përjetuar në det. Flet për vendet dhe shtetet që i ka vizituar gjatë lundrimeve të shumta, për ekuipazhin në bordin e anijeve, për portet e mëdha, anijet me të cilat ka lundruar apo lundron. Kapedan Mahmut – Dudo Tivari që nga viti 1981 e deri më sot lundron për një kompani nga Izraeli.

“Në det jam i vendosur, kam krijuar autoritet te kompania e cila më angazhon dhe për të cilën vite me radhë punoj dhe lundroj. Nuk kam probleme me gjuhën sepse përveç gjuhës angleze flas edhe gjuhën hebreje çka është një përparësi e madhe nëse doni të lundroni për shtetin e Izraelit. Asnjëherë nuk kam pasur probleme, pavarësisht nga nacionalitetet të cilat i kam në ekuipazhin tim”, shprehet ai.
Dudi më tregon edhe për fillimin e navigimit pas përfundimit të shkollimit në Akademinë e detarisë.

“Kam filluar si kadet në vitin 1977, në anijen më të bukur të asaj kohe ‘Dalmacija’ të kompanisë ‘Jadrolinija’ si oficer. Ishte kjo një eksperiencë e madhe dhe shumë e bukur për mua. Kam mësuar shumë, në veçanti më vonë në anijen ‘Iliria’, gjithashtu si oficer, pas përfundimit të Akademisë së Detarisë në vitin 1981 dhe dhënies së provimit për kapedan në vitin 1984, në lundrimin e saj prej Rijekës deri në Dubrovnik, Tivar, Korfuz dhe Igumenicë. Isha vetëm 24- vjeçar”, rrëfen ai.
Ishte kjo koha e artë e turizmit tonë, kur shumë mysafirë nga vendet e huaja, në veçanti nga Gjermania, kanë ardhur deri në Tivar për t’i kaluar pushimet në Ulqin, në hotelet dhe shtëpitë tona.
“Mbresa të bukura, të paharruashme për mua i cili shumë i ri si oficer i bordit shpeshherë me lot në sy kam kaluar pranë qytetit tonë të bukur. Gjithmonë kam pasur mall për Ulqinin, për vendlindjen time, për qytetin më të bukur në botë”, kujton Dudi.
Në vitin 1993 barkohet si Kapedan në anijen e kompanisë nga Haifa – Izrael, e cila quhet “Oferbrothers”, për të cilën lundron edhe sot. Ai thotë se ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me ta dhe është më se i sigurt se deri në fund të lundrimit të tij do t’i qëndrojë besnik kësaj kompanie.
“Deti, anijet, lundrimi dhe navigimi, siç themi ne detarët, janë pa dyshim pjesa më e rëndësishme në jetën time. Natyrisht, familja ime, bashkëshortja Elvira dhe djemtë, janë në vendin e parë. Për ata lundroj, për t’u siguruar një jetë dhe të ardhme më të mirë”, thotë Tivari.

“Kam katër djem, të cilët pak e shumë i edukon pjesa më e mirë në jetën time Elvira, e cila gjithashtu vjen nga një familje detare ulqinake nga Kalaja me famë të madhe, Uruçi. Ajo është shtylla e shtëpisë sonë, e cila ka një durim të pafund për punën time dhe mungesat e shpeshta që janë normale për një detar, për punën dhe lundrimin tim në det dhe anije. Mendoj se djemtë i kam orientuar ashtu siç kemi pasur dëshirë, por edhe sipas dëshirës dhe talentit që kanë treguar”, vazhdon rrëfimin e tij Dudi.
Djali i tij i madh, Ammari, studion në Fakultetin e Ndërtimtarisë së anijeve në Stamboll, i dyti Ademi studion Nautikën në Kotorr, i treti, Burhanundini, studion në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Prishtinë, kurse i katërti, Nuradini, është nxënës në Gjimnazin e Ulqinit.

“Kështu, edhe nga ana ime tradita dhe trashëgimia e familjes së madhe detare Tivari nga Ulqini, do të vazhdohet, për këtë nuk ka dyshim”, thotë Dudi.
Ai ka shumë informata për të parët e tij, në përgjithësi për familjen Tivari, duke filluar nga ai më i njohuri (Ademi Tivari I), ndërtuesi dhe pronari i anijeve, deri te kapedani më i njohur nga kjo familje, axha Burhanudin Tivari, i cili u ka hapur shumë ulqinakëve rrugën e detarisë dhe ishte kapedani i parë i shkolluar në Malin e Zi, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Këtu duhet të përmendet edhe Ismet Tivari, i cili ishte i njohur si Kapo di Makina në Rijekë të Kroacisë. Këta dy, si dhe babai i tij Vehbiu – Bushi, janë nipat e të famshmit Jenuz Divanit.
Natyrisht, Dudi flet me nostalgji, pietet dhe dhimbje të madhe për të ndjerin Ademin, vëllain e tij i cili ka qenë kapedan i njohur dhe ka vdekur në vitin 1995.
“Gjithmonë ne flasim me krenari për të parët tanë, të cilët kanë qenë detarë dhe lundrues më të mirë se ne, në kushte shumë më të vështira se sot. Të gjithë detarët dhe kapedanët nga fisi ynë kanë një vend të veçantë në detarinë ulqinake, në veçanti numri një i familjes sonë Adem Tivari I, ndërtuesi dhe pronari i barkave dhe anijeve më të njohura tek ne në Ulqin”, thotë ai.
Mirëpo, thotë Dudi, ata kurrë nuk harrojnë dhe janë krenarë edhe për trashëgiminë nga ana e gjyshes, nëna e babait të tij, e cila ishte motra e Jenuz Divanit, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në qytetet e Ulqinit dhe Tivarit, por sidomos në rrethinën e Ulqinit.
“Asnjëherë nuk e harrojmë se jemi nipat e kësaj figure markante, njërit prej pishtarëve të arsimit dhe shkollimit në gjuhën shqipe në Malin e Zi”, thotë Dudi.
Si autor i këtij teksti, pajtohem me Dudin se Jenuz Divanit, punës dhe veprës së madhe të këtij njeriu të jashtëzakonshëm për edukimin dhe arsimimin në gjuhën shpipe i kemi borxh të gjithë ne prej Shtegvashës deri në Kala.
Dhe në fund, Mahmut – Dudo Tivarit i dëshiroj det të qetë, lundrime të suksesshme dhe kthim në vendlindje përgjithmonë te familja e tij, në shtëpinë e tij të bukur me pamje në det.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…

LD në MZ: URIM KOSOVËS DREJT INTEGRIMEVE EUROATLANTIKE

Z-nj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës E nderuaara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, i