Friday , March 5 2021
Lajmi i fundit

Kaleziqi: A PO KËRKON “PERSPEKTIVA” HETIMIN E VETVETES?

Skender Kalezic(1)Pas postimit në FB të Lëvizjes Qytetare “Perspektiva”, vjen reagimi i menjëhershëm i drejtorit ekzekutiv të SH.P.K. “Veprimtaritë Komunale” Ulqin, Skender Kaleziqit, të cilin po e publikojmë në tërësi.

Habit reagimi i Lëvizjes Qytetare “Perspektiva”, në të cilin kërkohet hetimi dhe konstatimi i keqpërdorimeve eventuale në SH.P.K. “Veprimtaritë Komunale” Ulqin. Kjo për arsye se gjatë nëntë viteve të fundit, në organet më të larta të kësaj ndërmarrje ishin pikërisht kuadrot e “Perspektivës”. Rikujtojmë se kur u themelua kjo ndërmarrje, në vitin 2012, drejtoresh ishte znj. Zana Sarvan. Pas shkarkimit të saj, në postin e kryetarit të Këshillit Drejtues, e pastaj Bordit të Drejtorëve, ishte pikërisht kryetari i kësaj Lëvizje z. Amir Hollaj. Prandaj, shtrohet pyetja: a po kërkojnë nga “Perspektiva” hetimin e vetvetes, pra të kuadrove të vet?

Ky reagim për ne si shoqëri ekonomike, por edhe për mua si drejtor, vjen si rezultat i hidhërimit dhe mllefit të kryetarit të Lëvizjes Qytetare “Perspektiva”, z. Amir Hollaj, pas shkarkimit të para pak kohëve nga pozita e kryetarit të Bordit të Drejtorëve të “Veprimtarive Komunale”. Përndryshe, sikur vërtet të kishte keqpërdorime në Shoqërinë ku vepruam së bashku deri para pak kohëve, jemi të bindur se z. Hollaj s’do të priste shkarkimin të reagojë, por do të kërkonte hetimet atëherë kur detyra ia kërkonte – pra, sa ishte kryetari i organit tonë udhëheqës.

Sa për të sqaruar opinion, por edhe “Perspektivën”: drejtori dhe punëtorët e SH.P.K. “Veprimtari Komunale” s’i shkarkojnë anëtarët e Bordit të Drejtorëve, pra nuk e shkarkuan as z. Hollaj. Këtë kompetencë e ka organi i cili edhe i ka emëruar – Kuvendi i Komunës së Ulqinit. Prandaj, mendoj që hidhërimi dhe mllefi, të cilët u pasqyruan në reagimin e “Perspektivës”, u drejtuan në adresën gabuar.

Sidoqoftë, Shoqëria jonë është e hapur për çdo lloj inspektimi nga organet kompetente, njëjtë sikur ishim gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019. Pa as më të voglin dyshim dhe me bindje të plotë e them se ne s’i druhemi asnjë hetimi, pra as të atyre që thirren për motive politike dhe interesa personale!

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top