Wednesday , May 22 2019
Lajmi i fundit

“Kalimera Poetike” , emblemë kulturore e Ulqinit

“Kalimera Poetike” nisi si një veprimtari kulturore, e shtyrë nga kërshëria  intelektuale për ta gjallëruar artin dhe letërsinë  në një provincë të bukur bregdetare, por shumë anemike në aspektin kulturor.

Ajo nisi si një Orë letrare për tu transformuar ngadalë, por sigurt, në një manifestim kulturor kombëtar dhe vazhdon të marrë  fizionominë e një ngjarjeje kulturore ndërkombëtare.

“Kalimera Poetike” nisi si një reaksion ndaj mendësisë shpërfillëse të institucioneve publike dhe shtetërore ndaj artit dhe kulturës, shpërfillje kjo që gati e zbehu identitetin shqiptar në Mal të Zi.

Fillimisht Kalimera nisi si një Tavernë Poetike, e ideuar nga poeti ynë i ndjerë  Ali Podrimja , i cili kishte një dashuri të veçantë për Ulqinin , për Detin dhe Kalanë e lashtë . Në këtë Tavernë shoqëroheshini poetët mysafirë dhe vendës , të cilët thurnin vargje për detin e debatonin për fjalën e shkruar.

Në 21 edicionet e “Kalimerës Poetike” kanë  parakaluan penda të njohura si Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Enver Gjerqeku , Qerim Ujkani,  Xhuzepe Skiro di Maxho, Basri Çapriqi, Zija Çela, Hajro Ulqinaku, Zuvdija Hoxhiq, Andrej Nikolaidis , Gilbert Beers etj., të cilët e kthyen këtë ngjarje në një festë poetike apo në një orë letrare akademike të letërsisë në përgjithësi.

Ligjërimi për librin nxiti fluturimin e mendimit , fisnikërinë e fjalës dhe trazimin poetik. Ishin këto,  siç do të thoshte shkrimtari Mehmet Kraja,  “marrëzitë e vogla të letërsisë”, të cilat pëlqehen jashtë mase.

“Kalimera Poetike” i përballoi sfidat e qarkullimit  e të njohjes së letërsisë, dhe kjo ndodhi ashtu siç u shprehej në një kohë Ali Podrimja, se “Në Ulqin ekziston organizimi, njerëzit, vullneti dhe dëshira e vendësve që kulturës shqiptare tia hapin zemrën dhe ti ofrojnë mikpritje”.

“Kalimera Poetike” u kthye në një simbol dhe emblemë kulturore të qytetit të Ulqinit , e cila së fundmi po shndërrohet në një festival letrar ndërkombëtar. Me pjesëmarrjen e shkrimtarit slloven, Sllavko Pregl, edhe edicioni i sivjetshëm është vazhdim i realizimit të këtij synimi.

Ali Salaj

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top