Tuesday , August 11 2020
Lajmi i fundit

KD: “SERVANTES DHE DULÇINEA” RINGJALLIN NJE HISTORI DASHURIE

Servantes dhe DulcineaThuhet se shkrimtari më i njohur spanjoll, Miguel de Servantes, kishte kaluar pesë vjet të jetës së tij në kalanë e qytetit bregdetar, Ulqinit. Aty u zu rob nga piratët ulqinakë që ishin goxha në zë në shekullin XVI. E nxorën në pazarin robërve por shitja e tij s’ishte punë që bëhej. U desh ta blinte lirinë. Për të paguan haraç por “blerja” vonoi.  Edhe biografia zyrtare e njeh robërinë e tij, por legjenda për të ende gjëllin në versione të ndryshme. Thonë se ai u dashurua në një kalaleshë. Liria për të s’kishte kuptim pa e marrë me vete ulqinaken. Asaj i jep emër edhe në kryeveprën e tij “Don Kishoti” dhe lidhja faktike bëhet pikërisht tek Dulcinea. Pjesa tjetër është histori dhe ka lidhje të shumta që çojnë tek ajo se kjo s’është veç gojëdhënë.

Legjendë a histori përnjëmend ajo ringjallet nja 500 vjet pas, në Kalanë e Ulqinit por të ngritur në skenë teatrore.

Regjisori Munib Abazi e ka rikthyer kohën me shfaqjen “Servantes dhe Dulcinea”. Trupa Teatrore e Ulqinit të enjten mbrëma e ka sjellë atë në teatrin “Dodona” në Prishtinë pas premierës që kishte në Shtëpinë e Kulturës në Ulqin, më 16 maj. Gjithçka fillon me kapedan Arnaut Mamin (Atif Hasanaga), i cili pas shtatë vjetësh kthehet nga përplasjet në det. Si detar i shkathët kishte arritur të zinte edhe robër. Dy harapë, siç i quajnë ulqinakët njerëzit me ngjyrë, dhe një djalosh shtathedhur e shumë i qetë, janë “trofetë” e tij. Pas pritjes e respektit për kapedanin që në brez mban dy armë e kokën e ka të mbështjellë me një shami të kuqe e cila nuk ia mbulon edhe vathin në veshin e djathtë, vendos t’i nxjerrë në treg robërit. Dy zezakët i shet menjëherë por i bardhi del të jetë një histori më vete. Pasi e vendos në gurin ku zakonisht shiteshin robërit, tek ai gjen një letër me vulë të mbretit të Spanjës, Filipit të Dytë. Vendos që të ketë një tjetër qasje ndaj tij. Nuk e shet dhe i shkruan një letër mbretit spanjoll ku kërkon fiks 500 napolona ar si kusht për lirimin e tij. E kur robi prezantohet me emrin  Miguel de Servantes (Muho Uruçi) dhe thotë se është fisnik, ashtu siç thotë edhe legjenda, kapedani i plotfuqishëm djaloshin e pagëzon me emrin Servet dhe e lë të lirë që të lëvizë i lirë brenda kalasë. Ripagëzimi i Servatesit nxit të qeshura të mëdha tek publiku që ishte i dominuar nga ulqinakët që jetojnë në Kosovë. “Dodona” ka qenë e vogël për publikun e shumtë.

Në biografinë e Servantesit thuhet se që nga viti 1575 deri më 1580, se autori i “Don Kishotit”, ishte rob i turqve. Por në shfaqje kapedan Arnaut Mami thotë se ka munduar turqit gjatë luftës në det e më pas ka kapur robër spanjollët. Vetë Servantesi në veprën tij “Don Kishoti” e përmend Dulcinenë një vajzë shtathedhur që jetonte në Kala. E legjenda thotë se bëhet fjalë për të bijën e Mehmet Begut në të cilën Servantesi ishte dashuruar. Jashtë shfaqjes, është versioni i një historie dashurie midis Bukuries e Servetit pa dorë e që këndonte bukur. Prapa Servetit që tregohet shpesh si rrëfim dashurie në Kala, thuhet se fshihet e vërteta për Sarvantesin.

Në shfaqjen me tekst të Flutura Mustafës e cila vetë luan rolin e Dulcineas, e dashura e Servantesit mban emrin Fatime.  Gjatë qëndrimit në Ulqin Servantesi rastësisht takon, siç e quan ai, Dulcinenë tek pusi. E pas ndarjes me të menjëherë vrapon në dhomën e tij ku ulet e shkruan: “Mallin për Spanjën ma largoi vajza me shami si perla nën guacë”. Nga ky moment e tutje shfaqja sikur vë kufij me patriotizmin e heroizmat dhe futet në horizontin romantik. Në këtë pjesë nga 16 protagonistët e shfaqjes skena mbetet e Servantesit dhe Dulcineas. Këngët e bukura spanjolle e shqipe të Servantesit të cilat Dulcinea i dëgjon nga dritarja e shkëmbimi i letrave midis dy të dashuruarve bëjnë që Serveti ulqinak të harrojë që është rob dhe Dulcinea e tij të dashurohet për herë të parë. Halli i Servetit tash është që ta kërkojë dorën e vajzës që nuk ia di as emrin. Babai i saj Mehmet Begu (Shefqet Luca) është i rreptë.

Për regjisorin Emin Halili shfaqja është konceptuar mirë dhe niveli i saj dramaturgjik e artistik mund ta bëjnë që t’ia ketë lakmi edhe Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Isha i befasuar për të mirë. Nuk e kam pritur një shfaqje të ndërtuar kaq mirë. Ishte e bukur, e rrjedhshme, e përcjellë po ashtu nga një aktrim i rrjedhshëm”, ka thënë ai. Sipas Halilit që ka qenë i Këshillit të kaluar Drejtues të TKK-së, e bukura tjetër e shfaqjes është gjuha në të cilën luhet shfaqja. Aktorët flasin ulqinakçe.

“Është një e formë e bukur autoktone e cila pason shumë mirë në skenë. Ka sentenca të shkëputura bukur. I thonë një teatër amator por në teatër o luhet o nuk luhet mirë. Sonte më la mbresa të mira këtu”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se sa më shumë të ketë shkëmbime kulturore aq më mirë njihen shqiptarët mes vete.

Përmes kapedan Aurnaut Mamit, Servantesi fillon të negociojë me Mehmet Begun i cili në fillim refuzon të lidhë miqësi me spanjollin pasi ai është rob por kur mbërrin haraçi për të dhe tashmë ai është një fisnik, Begu ndërron mendje për fatin e së bijës së vetme, Fatimes. Pas një dasme tradicionale ku edhe robërit zezakë luajnë në def Servantesi dhe Dulcinea e tij marrin rrugën për në Spanjë ku i përcjell kapedani i rreptë Arnaut Mami. Regjisori Munib Abazi, ka thënë se në bazë të legjendës që tregohet për Servantesin është munduar të sjellë një “Romeo e Xhulietë” në modelin ulqinak.

“Ka legjenda që Servantesi ka qenë në Ulqin dhe është dashuruar në Dulcinenë. Andaj kam dashur ta bëj dramë këtë duke pasur parasysh që kemi mungesë kuadrosh, por i kam hyrë rrezikut, sepse kam menduar të bëj diçka edhe me ndihmën e të tjerëve”, ka thënë ai për shfaqjen me kostumografi të Jetmira Hoxhës. Sipas tij, këtë shfaqje Ulqini ia dhuron Kosovës. Thotë se kanë punuar më shumë se katër muaj në realizimin e saj. Kjo shfaqje ka edhe mesazhe përtej artit që ofron në skenografinë ku ringjallet e tregu brenda Kalasë dhe jeta e shqiptarëve të asaj kohe. Edhe vallja e piratëve “Dum Sharaveli” që është njëra prej më unikeve jo vetëm në rajon, është pjesë e koreografisë.

“E para do të mundohem që të punoj rreth asaj që të themelohet teatri i qytet në Ulqin i cili është jashtëzakonisht i domosdoshëm sepse ka të rinj të cilët janë duke studiuar për dramaturgji e kostumografi. E dyta është mirë që Ulqini të shpallet qytet e Servantesit. Do të propozoj që në burgjet e Kalasë së Ulqinit ta vëmë një bust të Servantesit”, ka thënë ai tek ka folur për shfaqjen  ku luajnë edhe Albana Kurti, Jonuz Abazi e Barabana Draga. Abazi thotë se shqiptarët e Ulqinit Kosovën e kanë si një vend të parë për çdo nevojë. E Atif Hasanaga thotë se nuk ishte e lehtë të performohej në Prishtinë.

“Nuk e di a është vërejtur në skenë sepse kemi pasur emocione të mëdha, meqenëse jemi në Prishtinë, midis njerëzve tanë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se bëhet fjalë për një trupë amatore. I ulur në sallën e teatrit “Dodona” Mirsad Gjonit që studion në Prishtinë i dukej se ishte në Ulqin.

“Ne ulqinakët që jetojmë në Prishtinë kemi nevojë nganjëherë të kemi ngjarje kulturore nga vendlindja këtu”, ka thënë ai.

Pavarësisht asaj që Servantesi as në legjendë nuk e viziton Prishtinën, ai shfaqjes ka zgjedhur të ndajë një natë me kosovarët. Bashkë me historinë, edhe dashurinë për Dulcinenë.

(©KOHADitore, Shaban Maxharraj)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top