Saturday , October 20 2018
Lajmi i fundit

Koha javore: INTERVISTË ME PIANISTEN E NJOHUR ILIRIANA GJONI

Iliriana GjoniIliriana Gjoni është nxënëse e gjeneratës së parë të Shkollës së Muzikës në Ulqin. Ka fituar çmime të shumta në nivel republikan, federativ, kombëtar e ndërkombëtar. Nga këto çmime dallohen: Çmimet e para në nivel republikan, si pianiste soliste dhe në kategorinë e muzikës së dhomës, Vendet e para në Garat mbarkombëtare EPTA Shqipëri, Çmimet speciale “Beethoven” dhe për stil të spikatur në interpretim, si dhe Çmimi i parë absolut në Garat evropiane (Itali). Shkollën e Mesme të Muzikës e vazhdon në Podgoricë, në klasën e Prof. Boris Kraleviq. Në vitin 2005 zgjedhet nxënëse e gjeneratës të Shkollës së Muzikës “Vasa Paviq” dhe vazhdon shkollimin e saj në klasën e Prof. Nora Çashkut pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Studimet i përfundon me notë maksimale në vitin 2009. Gjatë viteve të studimit njihet me Prof. Lucia Passaglia, e cila e fton të vazhdojë studimet Master në klasën e saj në Konservatorin shtetëror “Luisa D’Annunzio” në Itali. Për këto studime ajo përfiton bursë të plotë nga Ambasada italiane në Mal të Zi. Në këtë vit ajo fiton edhe Çmimin e parë në Garat kombëtare të Italisë. E zgjedhur si përfituese e një burse Erasmus, transferohet në Universitetin e muzikës në Karlsruhe të Gjermanisë, ku përfundon studimet master, respektivisht dyvjeçare, me notë maksimale në disiplinën Piano – solo dhe Piano – muzikë dhome. Paralelisht me studimet, ajo fillon edhe veprimtarinë e saj si pedagoge. Që në 2016 jeton dhe vepron si pianiste dhe pedagoge në Mynih të Gjermanisë.

Javore: Iliriana, talenti dhe suksesi juaj për piano është evidentuar nga fëmijëria juaj e hershme, duke spikatur si supertalente nëpër aktivitete të ndryshme. Nga ku buroi inspirimi që t’i hyni muzikës dhe cilat janë mbresat që kishit nga debutimi në skenë?

Gjoni: Kur kujtoj fëmijërinë time, ajo që së pari më vjen në mendje është që, përveç lojës me vëllezërit apo kushërirat, gjithmonë më pëlqente të kaloja periudha të gjata vetëm, në qetësinë time. Besoj që ky është një prerekuizit i profesionit të muzikantit, që në mes të një bote të zhurmshme të jetë gjithmonë i aftë dhe ta ketë të nevojshme të dëgjojë zërin apo “tingullin” e vet. Ballafaqimi me skenën erdhi shumë natyrshëm; m’u dha mundësia që të shprehja për të tjerët atë që ndjeja brenda. Më dukej realizimi im më i lartë, të ndaja botën time emocionale me një publik të vëmendshëm, ndjesi e cila më përcjell edhe sot çdo herë që jam në skenë.
Javore: Ndër vite u nderuat me çmime të rëndësishme, por edhe me vende të para në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare në nivel republikan, si pianiste soliste dhe në kategorinë e Muzikës së Dhomës. Si arritët t’i “rrëmbeni“ këto çmime dhe çfarë përbëjnë ato për ju?

Gjoni: Ka qenë një punë e madhe, sidomos për moshën time të vogël. Shumë përkushtim që buronte nga një dashuri e çiltër për muzikën klasike, e që i kthente ato orë të gjata studimi në kohën time të preferuar të ditës. Duke qenë se shpesh isha shqiptarja e vetme në garat ku merrja pjesë, e ndjeja veten edhe si një lloj “ambasadoreje” dhe sukseset e mia i përjetoja me një krenari jo vetëm personale, por edhe kombëtare. Besoj që çdo muzikant e përfaqëson jo vetëm veten, por edhe vendin nga vjen dhe në asnjë koncert, brenda apo jashtë shtetit, nuk kanë munguar pyetjet mbi vendin apo popullin tim. Më kënaq kur shoh që ato çmime të hershme kanë hapur dyert që nëpërmjet punës dhe artit tim, njerëz nga vende të largëta të dëgjojnë për Ulqinin e shqiptarët e Malit të Zi. Besoj se arti në thelb edhe ka këtë rol – që nëpërmjet një gjuhe universale – atë të ndjenjave, të afrojë botëra me mijëra kilometra larg. Ndihem shumë e privilegjuar nga kjo anë.
Javore: Nga një sërë çmimesh që keni fituar falë profesionalizmit të treguar në artin muzikor, do të veçoja Çmimin e parë absolut në Kompeticionin Evropian të Pianistëve të Rinj në Itali, në vitin 2000. Si e komenton këtë sukses të një niveli kaq të lartë?

Gjoni: Për mua kjo eksperiencë ka qenë një koncert, në të cilin me padurim prisja të shfaqja ato që kisha mësuar. Përfitimet e këtyre çmimeve kanë një jehonë të padiskutueshme edhe në jetën time të sotme, si pianiste, pedagoge dhe si femër. Nëpërmjet këtyre arritjeve kam mundur të krijoj kushtet për aplikimin e bursave të ndryshme, kam hapur dyer që, po të mos kisha pasur atë besim prej fëmije entuziast, do të kishin mbetur të mbyllura përgjithmonë. Gjithashtu, mësoj dhe konfirmoj atë që jeta ime më ka treguar. Evropa e njëjta ajo që ka qenë është dhe një shqiptare e Malit të Zi mund të konkurrojë e bile edhe të fitojë në garë me çdo kënd tjetër pa asnjë problem.
Javore: Çfarë e bën një pianiste ekselente, e një rangu kaq të lartë siç jeni ju dhe çfarë është muzika për ju?

Gjoni: Në rastin tim ka qenë mbi të gjitha këmbëngulja. Është dashur të jem kokëfortë, punëtore dhe e pa dorëzuar. Besoj që jo shumë veta do ta kishin marrë guximin t’i futen disa sfidave që kam pasur dhe kjo më bën akoma më të lumtur që sot kam arritur ku jam. Muzika për mua ngel mjeti me të cilin më së miri shpreh aftësinë time për të ndjerë e kuptuar zhvillimin që njerëzimi ka pasur ndër kohë, në një mënyrë personale dhe pa paragjykime.
Javore: Si e komentoni faktin që falë sukseseve tuaja të njëpasnjëshme keni krijuar një emër të madh dhe një karrierë elitare që çdo i ri mund t’ju kishte lakmi?

Gjoni: Ndjehem e lumtur që puna e investuar ka dhënë frytet e pritura dhe jo vetëm: ajo më ka bindur që me qëllimet e duhura dhe punën përkatëse, nuk ka ëndërr e cila nuk mund të bëhet realitet. Kjo vlen jo vetëm për mua, por edhe për çdo të ri tjetër. Edhe pse jemi nga një vend i vogël, jeta është e gjatë, bota e madhe dhe në të ka vend e kohë për secilin nga ne të ndjek rrugën e realizimit të vet më të lartë. Duhet thjesht pak durim, shumë dashuri e besim, punë pafund dhe një qëllim që ja vlen.

Javore: Cilat janë aktivitetet ku keni performuar, qoftë në disiplinën piano- solo apo piano-muzikë dhome, të cilat ju kanë lartësuar dukshëm në karrierë si dhe çmimet që ju bëjnë të njeheni krenare si shqiptare?

Gjoni: Fillimisht kam qenë gjithmonë e lumtur që, qoftë në nivelin republikan, të Malit të Zi apo federativ, të Jugosllavisë, të kem mundësi ta shoh emrin tim të shkruar shqip si fituese e çmimit të parë. Rast tjetër ishin Garat evropiane të mbajtura në Itali, ku juria nuk la pa përmendur që shqiptarët demonstrojnë një afinitet të lartë jo vetëm në nivel teknik, por mbi të gjitha në rrafshin kompleks të deshifrimit emocional të veprave klasike. Evenimenti më i rëndësishëm ngel 300 vjetori i qytetit Karlsruhe të Gjermanisë, ku unë performova para 40.000 shikuesve live. Si padashje zgjodha një fustan të kuq e që në kombinim me flokët e zeza besoj ka bartur një mesazh të sublimuar mbi atë çfarë ky moment përfaqësonte për mua. Asnjëherë sukses vetëm personal, gjithmonë kënaqësi të bart një emër shqiptar në skenën ndërkombëtare.
Javore: Keni një biografi të pasur të përvojave dhe vlerësimeve të larta nëpër evenimente muzikore kombëtare dhe ndërkombëtare, nga Ulqini, Podgorica, Tirana, Gjermania e gjetiu. Si e arritët gjithë këtë punë kolosale, kë kishit në mbështetje apo çdoherë sfiduat e vetme falë kurajës dhe këmbënguljes?

Gjoni: Në radhë të parë, kam pasur gjithmonë përkrahjen e prindërve. Moment kyç në karrierën time ishte edhe kalimi nga gjimnazi i përgjithshëm në shkollën e mesme të muzikës. Ishte shtator, fillimi i vitit të dytë dhe babi e kishte vënë re që unë nuk isha shumë e kënaqur me të qenit nxënëse e gjimnazit, edhe pse vitin paraprak isha zgjedhur nxënëse më e mirë e gjeneratës. E ndava me të, që do të preferoja të isha në Podgoricë, në shkollën e mesme të muzikës, në mënyrë që t’i përkushtohesha plotësisht pianos. Të njëjtën ditë u transferova me të gjitha gjërat e mia në një apartament, të cilin ai e kishte gjetur brenda një ore. Janë gjeste të tilla të cilat kanë bërë që unë gjithmonë të jem e guximshme dhe asnjëherë të mos frikësohem të marr hapa riskante. Më vonë kam pasur edhe përkrahjen e pedagogëve e punëdhënësve.
Javore: Ndër vite keni qenë e kyçur përveç muzikës edhe në fusha të tjera si në gazetari, turizëm, përkthyese dhe koordinatore për projekte rinore në OJQ “Anima”- Ulqin, etj. Sa e vështirë ka qenë për ju që të kontribuoni në gjithë këto lëmi?

Gjoni: Pas të gjitha eksperiencave të mia të studimeve dhe punës në shtete të ndryshme, kam arritur të kuptoj sa domethënëse kanë qenë në formimin e karakterit tim, pikërisht këto momente, kur arrija të shkëputesha nga roli i pianistit dhe të bëja prezantuesen apo përkthyesen. Në Gjermani po ashtu nuk kanë munguar role të ngjashme. Gjatë studimeve në Universitetin e Karlsruhes kam qenë tutore dhe organizatore e aktiviteteve jashtëshkollore për studentët e huaj, në shkollën e muzikës ku kam punuar, ideatore e plan-programeve, koordinatore evenimentesh dhe përfaqësuese e shkollës në marrëdhëniet me publikun.
Javore: Suksesi juaj është kurorëzuar me faktin që jo vetëm se jeni bërë pedagoge në Shkollën e Muzikës në Mynih të Gjermanisë nga viti 2016, por dhe për faktin se nga klasa juaj, studentët tuaj dalin fitues të garave kombëtare të Gjermanisë. Si ndjeheni për këtë?

Gjoni: Është e vërtetë. Fillimisht kam pasur nxënës që kanë marrë çmime të para në nivel kombëtar të Gjermanisë dhe ka disa vite që jam rregullisht e ftuar të jem pjesëtare e jurisë në këtë konkurs. Ndihem e lumtur, pasi më ka rënë të punoj me veteranë të këtij profesioni dhe e shoh që kam arritur një nivel njohurie i cili bën që të jem e sigurt në konfrontimin me njerëz me shumë më shumë eksperiencë se unë. Kjo më motivon që të jem akoma më e përkushtuar dhe e motivuar gjatë punës me nxënësit. Talentet e jashtëzakonshme janë të rralla dhe deri më tani kam pasur fatin dhe privilegjin të jem e kërkuar personalisht për të punuar me disa të tillë. Kjo tregon që njerëzit kanë filluar të më njohin dhe puna ime të vlerësohet. Në një treg siç është ai gjerman, ku konkurrenca është tejet e lartë, besoj që kjo nuk është gjë e vogël.

Javore: Së fundi, krahas disa performancave në Ulqin dhe Gjermani, morët pjesë si pjesëtare e Festivalit “Belcanto Dolcinio” në teatrin “Symphony Space” në Nju Jork. Si ishte kjo eksperiencë për ju dhe si ju priti publiku atje?
Gjoni: “Belcanto Dolcinio” në Nju Jork ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Duhet të përgëzoj z. Cafo Boga, i cili me besimin, përkushtimin dhe punën e tij të palodhur, bëri të mundshme që artistët tanë të performojnë në një sallë kaq të rëndësishme. Festivali “Belcanto Dolcinio”, i cili zhvillohet çdo shtator në Ulqin, këtë vit për herë të tretë, ka hapur një hapësirë për të promovuar artistët lokalë dhe për të shkëmbyer me ata nga jashtë, përvoja, njohuri dhe eksperienca të vlefshme. Roli kryesor normalisht është që publikut shqiptar nga Mali i Zi, dhe jo vetëm, t’i japi mundësinë që me kuriozitet të ndjek një degë e cila konsiderohet elitare nga shtetet me zhvillim më të lartë botëror, e në këtë mënyrë, të ndërtoj aftësinë e dëgjimit jo vetëm të muzikës, por edhe të vetes. Arti gjithmonë ka pasur një rol garues në shoqëritë antike. Unë do të isha e lumtur nëse sadopak arrijmë që të hapim veshët e zemrat e dëgjuesve tanë. Duartrokitjet dhe brohoritjet në fund të koncertit në Nju Jork sigurisht shërbejnë si një ogur i mirë dhe lënë vend për shpresë në këtë drejtim.

Javore: Cilat janë angazhimet tuaja aktuale dhe planet më të afërta?

Gjoni: Për momentin, jemi duke iu afruar fundit të vitit shkollor dhe këto javë janë të mbushura me koncerte të nxënësve. Është gjithmonë kënaqësi, të shohësh se si këta të rinj kanë arritur të përvetësojnë materiale jo të thjeshta, guximi të cilin ata po e mësojnë nga fillimi, në mënyrën e ballafaqimit me skenën, si dhe prindërit të cilët krenarë për punën dhe suksesin e arritur, përshëndesin me buzëqeshje dhe mirëbesim profesorët e investuar. Nga ana pedagogjike, është kurorëzim i një rruge të koklavitur, pasi në ditën e sotme është vërtet arritje të kesh nxënës të interesuar dhe punëtorë. Disa plane personale janë akoma në faza zhvillimi dhe nuk dua të flas para kohe, por me siguri që plane konkrete janë koncertet në Mynih, si dhe gëzohem që do të paraqitem sërish para publikut ulqinak në shtator me disa vepra shqiptare dhe të huaja në kuadër të festivalit “Belcanto Dolcinio”

(Intervistoi: Toni Ujkaj, Koha javore)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top