Friday , February 21 2020
Lajmi i fundit

Komunikatë: LD NË MZ DHE AMBASADORI FILO

JpegPara disa ditësh, kryetar i LD në MZ, zotëri Mehmet Bardhi, me bashkëpunëtorët Saubih Mehmeti, sekretar, Hajrullah Hajdari, kryetar i Degës së Ulqinit, Daut Ceka, sekretar i Degës së Anës së Malit dhe Hajredin Kovaçi, këshilltar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit dhe të tre – anëtarë të Kryesisë së LD në MZ,  priti ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, zotëri ERNAL FILO, me bashkëpunëtorët: zotëri Lirim Ujka dhe Elvin Islamaj.

Në një bashkëbisedë të sinqertë e vëllazënore M. Bardhi me bashkëpunëtorët i uruan mirëseardhje Ambasadorit Filo, të posaardhur në Ambasadën Shqiptare në Podgoricë dhe e falënderuan për vizitën e tij të parë zyrtare në Ulqin. Ambasadorin Filo e njoftuan për aktivitetin dhe veprimtarinë e LD në MZ, me një biografi të shkurtër që nga themelimi  i saj, më 09.09.1990, si partia e parë politike e shqiptarëve në trojet e veta stërgjyshore, sot në Malin e Zi, për vështirësitë që po hasim vazhdimisht, për cenimin e  të drejtave themelore nacionale, natyrore e historike po edhe anulimin e të drejtave të arritura, siç është rasti me Ligjin Zgjedhor, ku po na mohohet e drejta e përfaqësimit proporcional, jo vetën në Kuvendin e Malit të Zi, po edhe në organet e nivelit shtetëror,  ku në disa pak vende përfaqësimi është simbolik por në shumicën e organeve përfaqësimi është ZERO. Centralizimi i pushtetit në përmasa të papara ku kryetari i komunës, konkretisht të Ulqinin nuk i lejohet të menaxhojë me miliona metra katrorë të pjesës më profitabile, nga duhet të mbushej edhe buxheti i komunës. Kjo i ngjanë një okupimi të vërtetë. P.sh. Kriporja me mbi 15,5 milionë metra katrorë na  grabitën përmes “makinacioneve ligjore” dhe ia dhanë të afërmve të kupolës së pushtetit, pa dijen dhe pëlqimin e komunës, të cilën e kanë shndërruar në gërmadhë duke flakë në rrugë me qindra punëtorë, duke mos prodhuar asnjë kilogram kripë; pastaj të pjesës së bregut të detit , që ne me të drejtë këtë ndërmarrje publike  shtetërore për TË MIRAT DETARE, e quajmë  “të këqiat detare”, pasi për ne ashtu edhe është,  ku me mbi 20 milion metër katrorë vjen “i huaji e i menaxhon” dhe vjel të ardhurat për interesa të veta, dhe zbaton politikën e Qendrës e jo për të mirat e qytetarëve të komunës; kadastra, shërbimet e inspekcionit,  gjykata, gjykata për kundërvajtje, policia etj. etj. të gjitha të drejtuara e të “menaxhuara “ nga Qendra etj.etj. Të gjitha këto kanë si pasojë varfërimin e popullatës vendase, ndërsa prurja me dekret të ashtuquajturavet “kuadro” nga brendia, jo vetëm se zënë vendet e punës., ku do të punësoheshin kryesisht vendasit, por kjo sjell edhe një pasojë edhe më të madhe, dalëngadalë ndryshimin e strukturës demografike.

Diskriminimi në punësimin e banorëve vendës padyshim tash sa vjet, sidomos pas centralizimit të pushtetit, të cilin qeverisja malazeze e filloi me shumëpartiakësinë dhe e arriti kulmin  pas Referendumit të pavarësisë së Malit të Zi, e që po vazhdon sot e kësaj dite, po varfëron edhe më tej popullatën dhe nxit ikjen jashtë të të rinjve për të siguruar ekzistencën. Shkatërrimi i ndërmarrjeve, dikur shoqërore  përmes privatizimit plaçkitës,   okupues, si:   ndërmarrjeve hotelerike,  rrënimi i hoteleve,  moskthimi i gjirit më të bukur me ullishtën mijëvjeçare, gjiut të VALDANOSIT, me më se 18 mijë rrënjë, mosinvestimet etj.etj. por vetëm plaçkitjet në kontinuitet të pasurisë…po lënë  pasoja të rënda, si në  largimin jashtë të shumë qytetarëve të Ulqinit ashtu edhe  humbjen e perspektivës për një të ardhme më të mirë. Pastaj  me situatën e okupimit të majes së malit Rumi dhe ishujve në liqenin e Shkodrës nga Kisha Pravosllave Serbe, për të cilat veprime kërcënuese për qetësinë e këtyre trojeve të lashta paqësore, organet përkatëse shtetërore, po heshtin, çka nënkupton se të gjitha këto po bëhen  bekimin e tyre. Pyjet në Plavë e Rozhajë. Komuna e Malësisë me qendër në Tuz, komunë me kompetenca të plota…

Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike e informuan mysafirin e lartë, ambasadorin Filo edhe për  një problem , i cili na ka lindur këto ditë, kur partneri i Koalicionit Shqiptar, Alternativa Shqiptare, me seli në Tuz, kryetar i të cilës është z. Gjergj Camaj, koalicion që e lidhëm, e formuam para zgjedhjeve parlamentare të 14 tetorit të 2012, nuk po respekton Marrëveshjen Parazgjedhore, kështu që deputeti i saj Nik Gjeloshaj, që tre muaj ka uzurpuar vendin e deputetit, e që më Marrëveshje është dashur t’ia lirojë kandidatit të LD në MZ-së, që në fund të tetorit, gjegjësisht që më 6 nëntor, kur u bë konstituimi i  Legjistlacionit të ri, i 25 i Kuvendit të Malit të Zi. Me Marrëveshje është definuar qartë se mandati i deputetit të cilin e fitoi Koalicioni Shqiptar ndahet në dy pjesë të barabarta për ta ushtruar: dy vjetët e para – pala PD e ASH dhe dy vjetët e tjera pala tjetër – LD në MZ.  Me këtë rast përfaqësuesit e LD në MZ, i dorëzuan një shkresë zyrtare, me të cilën kërkuan nga ambasadori Filo, si ambasadori i shtetit Amë,  që të njoftojë Qeverinë e Shqipërisë dhe  të ndërmjetësojnë në këtë çështje, meqenëse mosrespektimi i Marrëveshjes, siç po bën zotëria i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, duke mos ia liruar vendin e deputetit LD në MZ-së, që është precizuar me Marrëveshjen Parazgjedhore, nënshkruar dhe deponuar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, si akt juridik e politik i vullnetit të mirë dhe të lirë, të dy palëve dhe të tre subjekteve politike, do të ketë pasoja të rënda, për shqiptarët në Malin e Zi, sepse po nëpërkëmbët  Marrëveshja, e humb besimi! Mashtrimi, mosrealizimi i marrëveshjeve, zaptimi me dhunë i funksioneve etj. janë rrëziqet dhe armiqtë më të mëdhenj në këtë situatë te shqiptarët, jo vetëm në MZ. Çka pas kësaj?!

SHËRBIMI INFORMATIV I LD në MZ

 

Shënim: LD në MZ bën publike shkresën të cilën ia ka dorëzuar Ambasadorit FILO, të cilën po e botojmë të plotë më poshtë.

Ambasada Shqiptare në Podgoricë
Ambasadorit    ERNAL FILO

Bulevardi  Stanko Dragojeviq, nr. 14

81000 Podgoricë,     Mali i Zi

Lënda: kërkesë për ndërmjetësim

I nderuari Zotni ambasador E. Filo,

Po ju drejtohem me këtë shkresë, si ambasador i shtetit Amë – Shqipërisë, e cila është një kërkesë për ndërmjetësim, pse jo edhe njëfarë arbitrazhi, në lidhje me respektimit e Marrëveshjes Parazgjedhore nr. 131 / 12, dat; 17.09. 2012, për Zgjedhjet Parlamentare të mbajtura më 14. 10. 2012.,  të nënshkruar  në mes të dy palëve të tre subjekteve politike shqiptare në Malin e Zi – Marrëveshjes në mes të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, partisë së parë politike të shqiptarëve, sot në Malin e Zi, në njërën anë dhe palës tjetër, Partisë Demokratike dhe Altërnativës Shqiptare (ASH), në anën tjetër, ku Alternativa Shqiptare, gjegjësisht kandidati nga radhët e saja,  Nik Gjeloshaj, i cili u bë deputet pas dorëheqjes së bartësit të Listës zgjedhore të KOALICIOT SHQIPTAR, z. Fatmir Gjeka, pas zgjedhjes së tij kryetar i Komunës (Bashkisë) së Ulqinit, i cili është nga radhët e Partisë Demokratike, z. Nik Gjeloshaj, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Deputetëve, qe tre muaj ka uzurpuar mandatin e deputetit të KOALICIONIT SHQIPTAR, dhe në kundërshtim me Marrëveshjen Parazgjedhore po refuzon me dhanë dorëheqje e më ia lirua vendin kandidatit të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, që i takon në bazë të Marrëveshjes,  të cilin po e mba me dhunë e mashtrim e nuk lejon rotacionin e pjesës së dytë të madatit të deputetit , mandat të cilin në këto zgjedhje e ka fitua KOALICIONI SHQIPTAR.

I nderuari zotëri Ambasador,

Po mundohemi t’iu sqarojmë këtë situatë mjaftë delikate dhe me pasoja të rënda në të cilën na ka pru anëtarja e KOALICIONIT SHQIPTAR dhe kandidati i saj Nik Gjeloshaj me mosrespektimin e Marrëveshjes Parazgjedhore.

Duke u nisur nga situata e vështirë e aspak e lakmueshme e shqiptatrëve në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi, sidomos me aprovimit e Ligjit  për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Deputetëve, të aprovuar nga shumica pozitare e opozitare pravosllave në vitin 2011, pa pëlqimin e deputetëve shqiptarë, të cilët në shenjë pakënaqësie në mënyrë protestuese e demonstrative e lëshuam seancën e Kuvendit, njërit nga ligjet diskriminuese të aprovuara pa ne në Kuvendin e Malit të Zi, me të cilin na cenohen të drejtat natyrore, historike, kombëtare madje   edhe të DREJTAT E ARRITURA. Çka do të thotë se deri atëherë shqiptarët i kishin 5 vende në  Kuvendin e MZ, e tash teoretikisht mund të mbetëshim pa asnjë përfaqësues, subjektet politike shqiptare u detyruan të bashkohen, të bëjnë koalicione parazgjedhore nëse duan të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Malit të Zi.

(Po bëj një digresion. Unë si kryetari i partisë më të vjetër shqiptare dhe si deputeti më i vjetër, në kuadër të Këshillit Nacional të Shqiptarëve, inicova një mbledhje konsultative me të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike  shqiptare, për me analizua këtë situatë të re e aspak të volitshme, përkundrazi, me aprovimin e këtij Ligji Zgjedhor diskriminues. Mbledhja u mbajt në Ulqin, në lokalet e KNSH-së më 20.07. 2012. Nuk pat ndonjë rezultat konkret, por isha i bindur se porosia u bë e qartë dhe e kuptueshme se  një subjekt vetëm nuk mund të korrte rezultat në këto zgjedhje me këtë ligj diskriminues).

2

Nisur nga kjo nevojë emergjente LD në MZ, pas bisedimeve arritëm marrëveshje me Partinë Demokratike (PD), me dakordim për ndarje  të ulseve (mandateve) të fituara në Kuvendin e MZ-së dhe mjeteve financiare nga Buxheti  Shtetëror të jenë 50:50. Përpiluam edhe Marrëveshjen. Madje edhe emërtuam edhe koalicionin,  KOALICIONI SHQIPTAR.

Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes kryetari i PD-së, z. Fatmir Gjeka na njoftoi se

Partia Demokratike disa kohë më përpara kishte bërë një koalicion partiak me Alternativën Shqiptare, kryetar Gjergj Camaj. Meqenëse ai është dakord me Marrëveshjen tonë kërkoi që edhe ASH-ja të jetë nënshkruese e saj dhe se ai është i autorizuar me dhanë pëlqimin për këtë.

Kështu më datën   17.09.2012  nënshkruam Marrëveshjen Parazgjedhore  për të marrë pjesë në Zgjedhjet Parlamentare të caktuara për 14. 10. 2012 , Lidhja Demokratike në Mal të Zi, si njëra palë, njërën anë nënnshkrues, kryetari  Mehmet Bardhi dhe pala tjetër Partia Demokratike, nënshkrues kryetari Fatmir Gjeka  dhe Alternativa Shqiptare, nënshkrues kryetari Gjergj  Camaj, në anën tjetër.

Ndarja u bë në proporcion 50:50, e mandatit të fituar të deputetit, eventualisht të deputetëve, nëse fitohet më shumë se 1 (një). Pra 2 (dy)vjetët e para i shfrytëzon bartësi i listës F. Gjeka, gjegjësisht PD dhe ASH, ndërsa 2 (dy vjetët e tjera  (nga mandati katërvjeçar) i shfrytëzon LD në MZ. Poashtu edhe mjetet financiara 50:50, me ndryshim që LD në MZ hoqi dorë nga 10% e mjeteve financiare në favor të anëtarës së koalicionit të F.Gjekës. Prak 40 % e mjeteve financiare do t’i takojnë LD në MZ dhe 60 % PD e ASH-së (Shih Marrëveshjen.).

Kështu, si fillim çdo gjë shkoi disi pa probleme. Bartësi i Listës sonë Zgjedhore z. Fatmir Gjeka, nga radhët e PD-së shkoi deputet i KOALICIONI SHQIPTAR, në Kuvendin e Malit të Zi.

Meqenëse në Zgjedhjet Lokale për Kuvend të Komunës së Ulqinit, të mbajtura më 26 janar 2014, pas të cilave zgjedhje z. Fatmir Gjeka, më 24 shkurt  zgjidhet kryetar i komunës së Ulqinit dhe  në respektim të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit  dha dorheqje nga funksioni i deputetit, nga lista zgjedhore e Koalicionit (tonë) Shqiptar.  Në bazë të Ligjit për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Deputetëve, vendin e deputetit duhej ta zinte kandidati pasues, i dyti me radhë nga Lista Zgjedhore e Koalicionit Shqiptar, e që ishte kandidati i LD në MZ, z. Mehmet Bardhi.

Për çudi, pa marrë pëlqimin tonë, të LD në MZ-së, as me gojë as me shkrim, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, në koordinim e marrëveshje me Alternatvën Shqiptare, caktoi kandidatin e ASH-së, z. Nik GJELOSHAJN,  i cili ishte në vendin e 7-të në Lizstën Zgjedhore (!?)…ndoshta të udhëhequr nga dispozita e Marrëveshjes, por këtë nuk ka guxuar ta bëjë pa dijën e pëlqimin tonë, si pala e parë e kësaj Marrëveshje Parazgjedhore. Kështu z. Gjeloshaj vazhdoi të ushtrojë funksionin e deputetit.

Bazuar në paragrafin 1 të nenit të 3, të Marrëveshjes,

(të cilin  po e citojmë  thuhet:

“Anëtarët e Koalicionit u dakorduan më sa vijon:

mandati për deputet të ndahet në proporcion 2 vjet PD dhe ASH (PD dhe ASH  e ndajnë pjesën e vet   të mandatit në proporcion 50:50) dhe 2 vjet LD në MZ-ja. Pjesën e parë të mandatit  do tashfrytëzojë PD/ASH, ndërsa pjesën e dytë LD në MZ. Mandatet e tjera TEK i përkasin PD/ASH, ndërsa mandatet ÇIFT i takojnë LD në MZ-së. Mandati llogaritet nga dita e hpalljes zyrtare të rezultateve zgjedhore. Pas kalimit të afatit  2-vjeçar, deputeti që ka shfrytëzuar mandatin, jep dorëheqje për të vazhduar mandatin deputeti që është në vendin e dytë të listës zgjedhore “)

z. N. Gjeloshaj duhej të jipte dorëheqje nga funksioni i deputetit, të lironte vendin  dhe të mundësonte rotacionin që të vinte kandidati i LD në MZ, i cili ishte në vendin e dytë të Listës Zgjedhore. Afati llogaritej “nga dita e shpalljes përfundimtare e rezultateve zgjedhore”, që ishte fundi i tetorit e më së largu 6 nëntori,  kur ishin mbush plot 2 vjet nga konstituimi i Legjistlacionit të 25-të të Kuvendit të MZ.

Meqenëse udhëheqja e ASH-së e as deputeti N. Gjeloshaj, po heshtnin në lidhje me rotacionin e përmbushjen e Marrëveshjes, shkova në Kuvendin e MZ, u  takova me z. N.Gjeloshaj dhe ia përkujtova obligimin që të japë dorëheqje për të ardh kandidati i LD në MZ. Por, disi vërejta se nuk kishte gatitshmëri !?

3

Për këtë arsye inicuam takim e mbledhje të Koalicionit. Ia përkujtuam edhe kryetarit F.Gjeka, obligimin që kishte marrë kur, pas Marrëveshjes sonë  me PD-në ai kishte kërkua nga ne që nënshkrues  të Marrëveshjen të jetë edhe partneri i tij, i koalicion të tyre – ASH-ja, çka ne kishim pranuar, si edhe ASH për obligimet që kanë e që dalin nga Marrëveshja.

Bëmë disa takime e mbledhje por pa ndonjë rezultat pozitiv në harmoni me Marrëveshjen.

Më datën 22 dhjetor kur kishin kaluar plot 2 muaj që z. Nik Gjeloshaj nuk po jipte dorëheqje por e kishte uzurpuar mandatin, ne iu dërguam një shkresë nr.85/14, me të cilën kërkuam që të respektojnë Marrëveshjen.

Por as tash nuk patëm ndonjë përgjigje me shkrim. Megjithatë PD-ja dhe kryetari i saj z. Fatmir Gjeka, disa herë na deklaroi se z.N. Gjeloshaj ka obligim të lëshoj mandatin e deputetit dhe të mundësojë rotacionit dhe të respektohet Marrëveshja. Z. Gjeka, kur pa, megjithë premtimet që ia dhanë, se Nika nuk po jep dorëheqje, ai  ftesën për të liruar vendin e deputetit LD n; MZ-së, ia drejtoi edhe publikisht ASH-së dhe N. Gjeloshit,  më 12 janar 2015.

Në kohën kur ne po pritnim realizimin e Marrëveshjes,, të dielën më 18. janar 2015 përmes mjeteve mediatike dëgjuam dhe lexuam se “… Kryesia e Alternativë Shqiptare sjell vendim të arsyeshëm se deputeti Nikë Gjeloshaj nuk do të jap dorëheqje nga Parlamenti i Malit të Zi”, duke  shpikur llojë llojë shkaqesh e arsyesh të pavërteta. Them kështu se faktet tregojnë ndryshe. Marrëveshja është e qartë. Nuk ka asçfarë shkelje të Marrëveshjes nga e LD në MZ. Shkeljet po i bën ASH-ja e z. N. Gjeloshaj…

I nderuari Zotni ambasador E. Filo, 

Kjo kokëfortësi, vendim i njëanshëm dhe  vazhimi i plaçkitjes së  mandatit nga  ASH-ja, në këtë situatë hap shumë dilema për sot e sidomos për të ardhmën e veprimit politik të shqiptarëve në MZ. Nëse nuk mbahet fjala, nuk realizohet Marrëveshja Parazgjedhore, e nënshkruar dhe e vulosur, dhe e cila është dokument valid juridik e politik, pa të cilin nuk do të mund të verifikohej Lista Zgjedhore as të merrnim pjesë në zgjedhje  e as  fitimi i mandatit të deputetit, e as mjetet finaciare nga buxhetit i shtetit , si koalicion, parti parlamentare, të cilat ndahen  nga Buxheti i Shtetit për funksionimin e vepriemin e subjekteve politike parlamentare, atëherë cili do të jetë fati ynë, kush do të guxonte të nënshkruaj  më ndonjë marrëveshje, nëse nuk respektohet, kur subjekti politik mashtron, në të cilën mënyrë mashtrojmë edhe zgjedhësit  të cilët na kanë besuar votën…

Prandaj, i nderuari Ambasador, kërkoj falje, por e pashë të arsyeshme që zyrtarisht t’ju informojmë po t‘ju drejtohemi me këtë kërkesë, lutje apo apel që me autoritetin Tuaj, të shtetit tonë Amë të ndërmjetësoni për të kapërcyer këtë ngërç, ne themi madje  fatal për veprimet e ardhshme politike të shqiptarëve, sot në Malin e Zi. Nënshkruesit e Marrëveshjes që janë garantë për zbatimin e saj kanë përgjegjësi para anëtarëve, zgjedhësve, institucioneve kombëtare shqiptare po edhe institucioneve ndërkombëtare.

Skresës po i bashkangjes:

– Marrëveshjen Parazgjedhore, të nënshkruar dhe të vulosur,

– Shkresën që iu dërgova partnerëve të KOALICIONIT

– Tekstin -, Kumtesën e ASH-së për opinion, ku deklarojnë se N. Gjeloshaj nuk do të japë dorëheqje e të   mundësoj rotacionin dhe  disa artikuj të tjerë.

Me respekt

Mehmet Bardhi, kryetar i LD në MZ

E-mail: mbardhi@hotmail.com

One comment

  1. LDnëMZ nuk është parti politike por thjesht një person, Mehmet Bardhi. Kjo shkres dorzuar ambassadorit dëshmon qart gjendjen mizore te zotit Bardhi edhe të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top