Thursday , April 26 2018
Lajmi i fundit

LUFTA PËR ULQIN 1878

Periudha e gjatë e paqes dhe prosperitetit bënë që ulqinakët të mos jenë më të vetëdijshëm për përgatitjen e një stuhie të re në regjion, për nacionalizmat e popujve të Ballkanit dhe idetë të tyre megalomane, për interesat e fuqive të mëdha dhe për ndërrimin e hartës gjeopolitike në regjion. Luftërat iu dukeshin shumë të largëta; askush as që mendonte se pozita e tyre mund të ndryshohet.

Ndërkaq, kështu nuk menduan fqinjët e tyre. Që në vitin 1844 në “Naçertanija” (planet për krijimin e Serbisë së madhe) ministri serb i punëve të brendshme Ilija Garashanin thekson se shteti i tij përmes Ulqinit mund të dali në det. “Vetëm një rrugë e këtillë tani për tani është e mundur, e cila përmes Shkodrës të çon në Ulqin”, shkruante ai dhe shtonte se mu për këtë arsye do të ishte mirë që të emëronte një agjent tregtar në Ulqin.

Deti dhe jeta i afruan ulqinakët me shtetet dhe kulturat evropiane. Ata vërtetë që me shekuj ishin të lidhur për Turqinë, lojalë sulltanit dhe nuk kishin dëshirë që këtë ta vinin në pikëpyetje, por edhe më shumë, në dekadat e fundit, ishin lidhur për Perëndimin. Për ndryshim prej osmanlinjve, ulqinakët nuk u vonuan të kapin hapin me sistemin e ri botëror. Konsulli francez në Shkodër  Aleksandër Degran shkruante se në Ulqin ka “ndërtesa të ndërtuara me shumë shije dhe pamje evropiane që habisin”.

Se stuhia e re ishte e mundur tregon dhe episodi tragjik i spastrimit etnik të myslimanëve në Peloponez, kur disa arvanitas, si refugjatë, arritën në Ulqin. Vendasit morën vesh për konfiskimin e pasurive të tyre si dhe të pronave dhe objekteve fetare, shumë njerëz i përndoqën nga vatrat e veta, disa edhe i vranë. Kjo ulqinakët edhe më tepër i forcoi në bindjen e tyre që duhen ruajtur suazat ekzistuese shtetërore sepse ky u kishte ofruar mjaft liri. Rreth kësaj në qytet ekzistonte pajtueshmëri e plotë, andaj edhe nuk u mbetej tjetër veçse të përpiqeshin që ta mbrojnë statusin e vet kur malazezët, kah fundi i vitit 1877, sulmuan Tivarin, ndërsa më vonë edhe Ulqinin.

Me rënien e Tivarit, të cilin e mbrojtën edhe 300 ulqinakë, Ulqini praktikisht iu la fatit të vet. Ushtria osmane mbante në Ulqin katër batalione me rreth 1900 nizamë (nga të cilët njërin e bënin rekrutët nga Siria), por ishin edhe rreth 1400 vullnetarë. Pas përleshjes së shkurtër por të përgjakshme njëditore, më 19 janar të vitit 1878, në të cilën vdiqën 140 malazezë, qyteti u dorëzua. Me të hyrë në Ulqin malazezët, nën komandën e popit Ilija Pllamenac, dogjën Çarshinë dhe një pjesë të qytetit nën Malin e Bardhë i cili quhej Qafë Larje, ndërsa nga atëherë Mëhalla e Re. Së shpejti në qytet arriti dhe princi Nikolla I i cili “e urdhëroi ushtrinë që të fikë zjarrin dhe Varoshi të ruhet nga dëmet e mëtutjeshme”.

Ulqini në të gjitha këto shqetësime, megjithatë, kaloi shumë më mirë nga qyteti i vjetër dhe i famshëm Tivari, të cilin udhëheqësit e rinj gjatë dy muajve rrethimi e shndërruan në hi dhe rrënoja. “Kam parë shumë rrethime të tjera, por kurrë nuk kam parë diçka kështu të tmerrshme si këtë qytet të mjerë, Tivarin, ku asnjë shtëpi nuk mbeti e ruajtur”, shkruante gazetari francez Ogist Majlan, ndërsa një historian më vonë konstaton: “Rrënojat, të shkapërderdhura nëpër kodër si fantazma, të dala nga toka, krijojnë përshtypjen e një foleje të mallkuar”.

Edhe pse Perandorinë Osmane e tronditi kriza e rëndë ajo në vitin 1876 lehtë e mundi Serbinë dhe Malin e Zi. Vitin në vijim këto dy shtete u lidhën me Rusinë dhe së bashku hynë në luftë kundër Turqisë. Mirëpo, Perandoria nga Rusia përjetoi humbje katastrofale, dhe ishte e detyruar që, me Marrëveshjen Paqësore të Shën Stefanit prej 3 marsit 1878 dhe në tavolinën e gjelbër të dorëzojë Ulqinin, pastaj Podgoricën, Plavën dhe Gucinë.

Të pakënaqur me ndryshimin e raporteve në mes fuqive në Ballkan, i cili shkonte në favor të Rusisë, fuqitë evropiane tre muaj më vonë thirrën konferencën e re paqësore. Kongresin në Berlin (prej më 13 qershor deri më 13 korrik) e organizoi kancelari gjerman Oto fon Bizmarku.

Përfaqësuesi turk në Kongresin e Berlinit Aleksandar Karateodori Pasha insistoi të dokumentojë se jo vetëm Ulqini por edhe Tivari janë shqiptar dhe se “malazezët këtu mund të rrinë vetëm me dhunë, kundër dëshirës së popullatës shqiptare”. U arrit zgjidhje kompromisi dhe u shkrua në protokoll numër 12: “Tivari me bregdetin do t’i dorëzohet Malit të Zi në bazë të këtyre kushteve: regjionet të cila ndodhen  në jug të këtyre viseve deri në Bunë, duke përfshirë edhe Ulqinin, do t’i kthehen Turqisë”. Andaj dhe malazezët u desh që të tërhiqen nga Ulqini, gjë që edhe e bënë më 8 shkurt të vitit 1879.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top