Sunday , December 17 2017
Lajmi i fundit

M.Canka: KADI MUJALI – JETA E KUSHTUAR BESIMIT DHE MËSIMIT

 

Mustafa CankaFalënderoj Bashkësinë islame e cila më mundësoj sonte që, me këtë rast, t’i them disa fjalë.

Po ashtu, dëshiroj të falënderojë edhe Institutin “Junus Emre” për organizimin e këtij tubimi. Sepse, kur përmendet emri i këtij gjiganti shpirtëror, poetit unik dhe bilbilit të dashurisë, çdo besimtari të vërtet i luan zemra. Paqja qoftë mbi atë njeri të shenjtë.

Me të vërtet është vepër bujare dhe e lavdërueshme të rikujtojmë mësuesit tanë, njerëzit e devotshëm, ato të cilët bënë që qyteti ynë të përmendet për të mirë dhe për dije. Ato që kanë këtë dhunti, siç thotë Sunduesi i botëve, kanë dhunti të pafund.

Një nga njerëzit e tillë ishte padyshim edhe hafiz Hysein ef. Mujali. I lindur në vitin 1854, në zemër të Çarshisë, në kohën e lulëzimit më të madh ekonomik të Ulqinit, kur qyteti kishte 200 dyqane dhe po aq anije në Mesdhe, në kohën kur ka lulëzuar spiritualiteti islam, i cili u kurorëzua me Mevludin fenomenal të hafiz Ali Riza Ulqinakut, i cili ishte në një gjeneratë me hafiz Mujalin.

E ai ishte i destinuar të ec rrugës së fesë, sepse rridhte nga një familje e devotshme. Të rikujtojmë se stërgjyshi i tij, haxhi Sulejman Mujali, e ndërtoi xhaminë qendrore të Mezgjahut, në vitin 1728.

Mësuesi i bashkëqytetarëve tanë ishte dijetari i madh islam, patrioti, delegati i Lidhjes së Prizrenit për regjionin e Shkodrës, hafiz Salih ef. Hylja, gjersa tek hafiz Tirana ef. Mujali e përfundoi shkollën e hivzit, gjegjësisht e mësoi Kur’anin përmendësh.

Shpejt filloi punën në Bashkësi islame, të vetmin institucion i cili kishte mundësi të tubojë Ulqinakët, mbasi që ky qytet i takoi Malit të Zi në vitin 1878, gjegjësisht 1880.

Pra, hafiz Mujali nuk dëshiroi, si shumë të tjerë, ta braktisë vendin e vet të lindjes. Mbeti këtu, me familjen dhe bashkëqytetarët e tij, e ndau të keqën dhe të mirën, i ndihmoi njerëzit të ruajnë shpirtrat e tyre, thirri në besim dhe mësim, mirëkuptim dhe solidaritet.

Me punë dhe dedikim të palodhshëm fitoi popullaritet të madh tek Ulqinakët. Ishte imam, mualim, ndërsa në vitin 1897 u zgjodh kadi. Në këtë funksion ishte plotë 22 vite, deri në vitin 1919, kur u emërua për myfti të Ulqinit. Në këtë detyrë ishte deri në vitin 1923, kur u pensionua.

Patjetër është me rëndësi të theksohet konteksti i ndërlikuar politik, shoqëror dhe ekonomik në të cilin hafiz Mujali ka vepruar gjatë shërbimit të tij në Bashkësinë islame. Do të përmend vetëm se që nga viti 1880 deri në vitin 1934, pra 54 vite të plota, kur filloi punën Kriporja, e shpejtë pas kësaj u ndërtuan hotelet Republika, Jadran dhe Koop, gjegjësisht Galebi, Ulqini në të gjithë fushat stagnoi. Qyteti ynë kishte në fillim të viteve 30 të shekullit të kaluar më pak se katër mijë banorë, dyfish më pak se, për shembull, në vitin 1876.

Në këto rrethana të gjykosh sipas sheriatit, të jesh i drejtë, në paqe me Zotin dhe njerëzit, ishte, ndoshta, puna më e vështirë në botë. Por, dija dhe fisnikëria e kadiut, autoriteti të cilin e gëzonte në popull dhe pushtet, ia lehtësoi misionin e tij.

Hafiz Mujali ka arsimuar gjenerata të Ulqinakëve, u kujdes për xhami dhe pronë të vakëfit. Përveç me fëmijët e tij, prej të cilëve djali Seidi ishte hafiz, kohën më së shumti e kalonte me libër. Shkruante dhe fliste në gjuhën shqipe, malazeze, turqishte, arabe dhe persiane.

Vdiq në moshën 86 vjeçare, gjegjësisht në vitin 1940.

Lus Allahun, Gjithëmjaftueshmin dhe Mëshirëplotin, që të fal atë dhe neve. Amin.

(Fjala e rastiti e mbajtur në Qendrën kulturore në Ulqin me 10 mars 2017)

 

 

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top