Sunday , April 30 2017
Lajmi i fundit

M.Canka: QASJA E LIRË E INFORMATAVE – ARMË E FUQISHME KUNDËR KORRUPSIONIT

2 OKDemokracia është si dashuri. Për te duhet të luftosh për çdo ditë. Demokracinë dhe lirinë në jetë e mbajnë institucionet e fuqishme, mediet e pavarura dhe qytetarët aktiv. Pa qytetarë dhe medie vigjilentë institucionet janë të dobëta dhe të rrezikuara nga shembja “sa hap e mbyllë sytë”.

Një nga mjetet e fuqishme në mirëmbajtjen e vigjilencës është e drejta për qasje të lirë të informatave. Ajo sot është gjerësisht e pranuar si e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur me dokumente ndërkombëtare dhe shtetërore.

Vet fakti që puna e organeve të pushtetit mund të bëhet transparente, gjegjësisht që mund të kërkohen informatat e poseduara nga organet shtetërore dhe institucionet publike, e që me këtë rast nuk ka nevojë të shpjegohet baza ligjore për qasjen e informacionit, rëndësishëm kontribuon në rritjen e motivimit të qytetarëve, medieve, sektorit civil, që ka kuptim të investosh përpjekje individuale në çrrënjosjen e korrupsionit dhe sjelljes së paligjshme.

Pra, vlera më e madhe e Ligjit për qasje të lirë të informatave është që jep mundësi reale që qytetarët, mediet, opinioni në përgjithësi, me shfrytëzim aktiv të këtij mjeti të vendosin mekanizëm të rëndësishëm të kontrollit demokratik të pushtetit dhe të kenë mjet efikas në luftë kundër korrupsionit. E kjo e keqe, me pasojat e saja shkatërruese, rrënon demokracinë dhe vlerat e saja, shkakton apati politike, jostabilitet dhe mosbesim në institucione, si dhe shkatërron tërë shoqërinë.

Në kuadër të projektit tonë “Ulqini kundër korrupsionit”, të cilin e implementojmë me përkrahjen e BE-së, kemi dërguar, për fillim, administratës lokale rreth 40 kërkesa për qasje të lirë të informatave. Bëhet fjalë për implementimin e masave të cilat duhet të ndërmerreshin për realizimin e Planit të aksionit për luftë kundër korrupsionit në Komunë të Ulqinit.

Në tre muajt e ardhshëm do të dërgojmë edhe rreth 100 kërkesa tjera duke testuar në këtë mënyrë vullnetin dhe gatishmërinë e institucioneve që të publikojnë të dhënat në të cilët opinioni deri tani kryesisht nuk kishte qasje. (Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë këndvështrimet dhe mendimet e BE-së dhe të pjesëmarrësve në projekt.)

Banner projekat

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top