Thursday , December 13 2018
Lajmi i fundit

M.Knezheviq: EROZIONI DHE PAKUJDESI PO I HANË “MUSHKËRITË E QYTETIT”

Nëse urgjentisht nuk ndalet shkatërrimi i Pyllit të Pishave ky ambient unik bregdetar në pjesën e pasme të shumë plazheve në bregdetin e Ulqinit mund të ndryshohet në mënyrë drastike vitet e ardhshme dhe të zhduket ngadalë.

Pjesa më e rrezikuar e pyllit shtrihet pranë bregdetit, nga ish hoteli “Galeb” deri tek hoteli “Albatros” dhe më gjatë, në gjatësi prej 2.5 kilometrash.

Situata momentale është shumë brengosëse, sepse, me kohë, pylli për shkak të erozionit, pakujdesit, e jo rrallë edhe devastimit, është rralluar shumë në krahasim me vitet e kaluara. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe në administratën lokale, por për momentin nuk kanë plan konkret dhe as para për revitalizimin e terrenit. Sekretari i Sekretariatit për Çështje Komunale dhe Mbrojtje të Mjedisit Mustafa Gorana thotë se në këtë gjë mund të punohet vitin e ardhshëm.Borova 6

“Në buxhetin e vitit 2019 do të planifikojmë sanimin e tij. Pyllin e Pishave duhet ta ruajmë, duke e mbrojtur nga shkatërrimi i mëtejmë. Edhe pse ndodhet në pjesën e të mirave detare kemi obligim ndaj atyre të cilët para gati 100 viteve e kanë mbjellë dhe nëse nëse do të kemi sukses do të jetë turp i madh për ne”, tha Gorana.

Ai thekson se Komuna dhe Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e Të Mirave Detare duhet të koordinojnë masat dhe aksionet dhe së bashku të punojnë për zgjidhjen e këtij problem. “Mendoj që do të merremi veshtë lehtë dhe se nuk ka dyshim në aspektin se çfarë duhet ndërmarrë. Për gjendjen në të cilën është ky lokalitet të gjithë jemi përgjegjës”, thotë Gorana.

As vitet e kaluara nuk kanë munguar ide dhe projekte për ndaljen e shkatërrimit të një nga perlat e Ulqinit. Revitalizimin i Pyllit të Pishave të cilin në vitin 2006 e inicioi Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e Të Mirave Detare nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Në fazën e parë, e cila kishte të bënte me ripërtrirjen e bazës biologjike në lokalitetin në mes hoteleve “Galeb” dhe “Albatros”, me sipërfaqe prej një hektari janë prerë pemët e thara dhe të sëmura, janë mbjellë fidanët e rinj, autokton, si dhe janë rrafshuara sipërfaqet me barë.

Por, përkundër kësaj, pishat vazhduan të thahen dhe të bien, ndërsa është tharë edhe një pjesë e fidanëve. Të Mirat Detare në prill të vitit të kaluar kanë deklaruar se është kompletuar revitalizimi i terrenit në lokacionin Pylli i Pishave, në komunën e Ulqinit. E vërteta është që është sanuar vetëm një pjesë e vogël, gjersa pjesa më e madhe e pyllit është lënë në mëshirën e kohës dhe në pakujdesi.

Në Të Mirat Detare pohojnë se e njohin rëndësinë dhe specifikën e Pyllit të Pishave, si dhe që në shkurt të vitit 2017 nisën procesin e revitalizimit të lokalitetit.

Borova 2

“Me këtë rast, janë ndërtuar rreth 120 metër mur guri, janë shtrirë rreth 140 metër kub humus dhe dhe, u mbollën 15 fidanë të pishës së alepit (Pinus Halepensis), të importuara nga Italia, si dhe u vendos sistemi “pikë nga një pikë” për ujitjen e terrenit. Punimet për revitalizimin e Pyllit të Pishave kryhen me faza dhe detajisht – përmes aktiviteteve të planifikuara, përmes aksioneve ekologjike”, njoftuan nga Të Mirat Detare.

Ato rikujtuan se në fazën e dytë të revitalizimit të lokalitetit, e cila filloi në pranverë të këtij viti, u ndërtuan muret e gurit në pjesën e dytë të lokalitetit “Sapore Di Mare”, në lokacionin “Palestra në natyrë” dhe plazhit “Akuarius”.

“Me këtë rast janë bërë shtrirja e dheut për mbjellje, gjersa mbjellja e 160 fidanë të pishës së alepit (Pinus halepensis) do të bëhet në nëntor dhe dhjetor të vitit 2018. Sa i përket aktiviteteve ekologjike, deri tani në lokalitetin e përmendur në kuadër të shënimit të “Ditës së Planetit Tokë” u realizua aksioni i pastrimit në të cilin të punësuarit në Ndërmarrje Publike së bashku me vullnetarët e organizatës joqeveritare “Hapi i Gjelbër”, UBA – RDA”, si dhe qytetarët dhe turistët vullnetmirë kanë marrë pjesë në grumbullimin e mbeturinave të imta, degëve, kositjen e barit dhe të kaçubave të imta, si dhe transportin e tyre në vend të sigurt”, njoftuan nga Të Mirat Detare.

Kompetentët duhet të bënin shumë më shumë

Nga sektori joqeveritar pohojnë se kanë marrë pjesë në një sërë aksionesh të shpëtimit të Pyllit të Pishave, por në këtë aspekt kompetentët mund të bëjnë më shumë nga ajo seç është bërë deri tani. Drejtori ekzekutiv i OJQ “Hapi i Gjelbër” Xhelal Hoxhiq thekson se urgjentisht duhet të reagohet dhe të ndalohet shkatërrimi i lokalitetit, i cili, siç shpjegon, paraqet banjën ajrore, është shërues natyror dhe mushkëri e Ulqinit.Borova 3

“Shiu me vite e “lanë” tokën rreth pishave dhe si rezultat i kësaj kemi gërryerjen e rrënjëve dhe rënien e drunjve kryesisht për shkak të erës. Në këto situata, për shkak të efektit domino, prishen edhe pishat në afërsi. Si fëmijë kujtoj se zona, të cilën po e përmend, ishte shumë e dendur dhe aty me vështirësi është kaluar. Sipas asaj çfarë unë dijë, pylli është më i vjetër se një shekull dhe është krijuar me qëllim që kjo pjesë e bregdetit, përndryshe e njohur për burimet e ujit të sulfurit, të shndërrohet në zonë shëruese natyrore, që në njëfarë mase ishte vitet e kaluara. Edhe tani një numër i madh i vendasve dhe turistëve e përdorin si park dhe shëtitore e qytetit. Kemi një numër të madh shembujsh që me ndikimin e grimcave shëruese të pishës dhe jodit shumë vizitorë kanë zgjidhur problemet me frymëmarrje”, tha Hoxhiq.

Ai mendon se nuk është vonë të ndalohet erozioni dhe me ndërtimin e megjave rreth pishave, me krasitjen e shpeshtë të tyre dhe me mbjelljen e llojeve të reja të pishave bregdetare gjendja mund të përmirësohet. Kjo punë, pohon aktivisti ekologjik, kërkon angazhim të madh, mjete të caktuara dhe ekspertët. Ai thekson se vitet e kaluara në disa raste inicioi këtë çështje dhe ndërmori hapa konkret në këtë drejtim, por në vetëqeverisjen vendore nuk kanë ndërmarrë masa adekuate, edhe pse kanë premtuar.

Që në vitin 2008 në Ulqin, me ftesën time, me këtë rast, qëndroi i ndjeri magjistri Ante Sternisha, i cili, pas vizitës së pyllit, shprehu dëshirën të ndihmojë, duke e bërë, pa kompensim, projektin e sanimit dhe revitalizimit të pyllit, duke i siguruar vetëm akomodimin adekuat. Për fat të keq, administrata lokale nuk e njohur rëndësinë e ofertës dhe ideja nuk u realizua, thekson Hoxhiq.Borova 4

Qytetarët u vetëorganizuan

Drejtori Ekzekutiv i OJQ “MOGUL” Xhemal Peroviq rikujton se Pylli i Pishave simbolizon fillimin e turizmit të Ulqinit por se shumëkush nuk është i vetëdijshëm për rëndësinë e tij. “Në njëfarë mënyre harrohet rëndësia e tij, a thua se do të jetë gjithmonë aty. Por, nuk është ashtu”, tha Peroviq dhe shton se të vetëdijshëm për rrezikun, para tre viteve, qytetarët u vetëorganizuan, me një dialog spontan në rrjetet sociale.

“U formua grupi “Të Shpëtojmë Pyllin e Pishave”, ndërsa ekspertët që konsultuam nuk erdhën deri tek përgjigja unike edhe gjatë ditëve me diell dhe pa erë. Kurora e rëndë, rrënjët e cekëta apo vjetërsia?! Gjithsesi, këto vende duhet plotësuar, të mbillen drunjtë e rinj sepse bëhet fjalë për numër të konsiderueshëm Me muaj zgjati apeli dhe u tregua për problemin dhe çdo gjë kulmoi me në aksion masovik të qytetarëve gjatë të cilit u pastrua një pjesë e madhe ndërsa në disa vende është kryer prerja sanitare e trungjeve të rëna dhe të thara. Kështu tërhoqëm vëmendjen për problemin. Por, për fat të keq, nuk arritëm të nxisim institucionet kompetente. E me këtë duhet të merren Kuvendi i Komunës dhe Organizata Turistike, të cilët duhet të njohin rëndësinë e këtij lokacioni për turizmin e Ulqinit, dhe të sjellin vendimin për mbrojtjen afatgjatë dhe pasurimin e Pyllit të Pishave”, përfundon Peroviq.

Ulqinakët vitet e fundit gjithnjë e më shpesh shëtisin në Pyllin e Pishave, ndërsa janë hapur edhe një sërë restorantesh dhe lokalesh. Kanë kuptuar se i qëndruari në një mjedis të tillë është mënyrë për zgjidhjen e stresit të grumbulluar, dhe çfarë është akoma më e rëndësishme në këtë konktekst, të nxisin dhe zhvillojnë vetëdijen për nevojën e mbrojtjes dhe ruajtjes së këtyre hapësirave, gjegjësisht mirëmbajtjen e stabilitetit të tërë ekosistemit. Shenjë e sigurt që diçka të tillë ka gjithnjë e më pak është, patjetër, zhdukja e ketrave, të cilët shpesh mund të shihnin duke lozur nëpër pisha. Me pisha të cilët për çdo ditë po shemben, po zhduken edhe çerdhet e zogjve. Po zhduket edhe një mushkëri e qytetit! Ndërsa ne, të qetë dhe të pabrengosur po mbesim pa frymë.Borova 5

Projektet e dështuara

“Rotary klubi Ulqin” në vitin 2009 nisi iniciativën për realizimin e projektit të revitalizimit të Pyllit të Pishave në Ulqin (po ashtu në pjesën nga ish hoteli “Galeb” deri tek hoteli “Albatros”) dhe mbjelljen e 50 pishave në këtë lokalitet. Pishat e mbjella për fat të keq të gjitha u thanë. Revitalizimi i Pyllit të Pishave në Ulqin u iniciua me iniciativën e anëtarëve të kësaj organizate. Me programin e pyllëzimit është paraparë mbjellja e 104 pishave për 104 vite, sa ekziston lëvizja Rotari në botë.

Të mbjella me urdhër të mbretit Aleksandër Karagjorgjeviq

Pylli i Pishave u mboll në periudhën prej me 1918 deri me 1924 në sipërfaqen prej rreth gjashtë hektarësh, me urdhër të mbretit Aleksandër Karagjorgjeviq, e me rekomandim të Mihajllo Pupin, si vend shërues klimatik potencial. Pupin asokohe nga mbreti Nikolla I Petroviq fitoi lejen për hapjen e sanatoriumit në Ulqin. Përndryshe, ekspertët e shumtë pajtohen se marrja e përzierjes së ujit të detit dhe ati të sulfurit, burimet e të cilit janë në Pyllin e Pishave, është shumë i dobishëm për shërimin e astmës bronkiale, sëmundjeve kronike obstruktive dhe sëmundjeve kronike dhe alergjike të organeve të frymëmarrjes.

Artikulli është shkruar në kuadër të projektit “Faktet janë të rëndësishme! Gazetaria objektive dhe inovative për BE!” të cilin e realizon CGO, në bashkëpunim me Portalin Ul-info. Projektin e financon Bashkimi Evropian, ndërsa e kofinancon Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës. 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top