Thursday , October 22 2020
Lajmi i fundit

Mbi librin “Shqiptarët dhe pluralizmi në Mal të Zi (1990-2015)

Hajrullah HajdariNjë nga atributet qenësore të demokracive është sistemi shumëpartiak, pra pluralizmi, i cili krahas ekzistimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme përbën faktor kyç në sigurimin e legjitimitetit politik të një vendit. S’ka dyshim se formimi i partive të para politike në Mal të Zi në përgjithësi, e i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, në veçanti, është një sukses historik për popullin shqiptar.

Kur kishin kaluar 25 vite nga fillimi i pluralizmit në Mal  ë Zi, ende në mënyrë zyrtare, qoftë nga ndonjë parti politike shqiptare apo shoqeri civile apo nga kush do tjetër, nuk ishte bërë ndonjë bilanc i të arriturave apo të paariturave të pritshmërisë së shqiptarëve nga pluralizmi politik.

Interesimin e parë dhe iniciativën për të shqyrtuar rrugën 25- vjeçare të pluralizmit politik në Mal të Zi, me ndikim të veçantë te shqiptarët, e ndërmori NP “Qendra Kulturore” Ulqin në bashkëpunim me SHAI “Art Club” Ulqin, të cilët më 9 dhjetor 2015, në Ulqin organizuan tryezën e rrumbullakët me temen “Shqiptarët dhe pluralizmi në Mal të Zi 1990-2015”. Ditë më parë, nga shtypi doli përmbledhja e punimeve nga kjo tryezë me titullin “Shqiptarët dhe pluralizmi në Mal,  të Zi (1990-2015), e redaktuar dhe përgaditur për botim nga dr.Nail Draga.

Në këtë libër lexuesi do të gjejë, përveç fjalës së rastit dhe përshendetëse, 16 punime të autorëve të ndryshëm, pjesëmarrës në tryezën e përmendur të rrumbullakët.Autorët, secili në mënyrën e vet, trajtojnë tema të ndryshme të fillimit të pluralzmit politik, të cilat për kah përmbajtja (jo renditja) mund të rreshtohen, së paku,  në tri kategori.

Në kategorinë e parë bëjnë pjesë punimet e autorëve të cilët trajtojnë, kryesisht, momentet e fillimit të demokracisë, themelimit të Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi, themelimit të partisë së parë shqiptare në pluralizëm – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe degëve të saja në Rozhajës dhe Krajë, statusin e shqiptarëve dhe subjektet politike shqiptare në Mal të Zi. Met Gjoni në punimin e tij “Fillimi i proceseve demokratike në Mal të Zi” jep detaje nga përgaditja dhe themelimi i Forumit Demokratik të Shqiptarëve në një kohë kur “shqiptarët në Mal të Zi ishin në një gjendje hutie dhe të frikësuar nga atmosfera që mbretëronte koheve të fundit”. Meritën kryesore për formimin e këtij Forumi autori ia atribon intelektualit, tani të ndjerë, Gjergj Gjokaj nderësa nga ana tjetër nuk lenë pa përmendur edhe disa “hile” te grupit që punonte për formimin e partisë së parë shqiptare si dhe “fajet” e kësaj partie që shpien në formimin e partisë së dytë shqiptare-Unionit Demokratik. Ndërkaq, Qani Osmani në punimin e tij thekson se të partitë politike shqiptare “ nuk hasim në dallime bindëse në aspektin normativ, andaj me të drejtë trupi zgjedhor shqiptar, analistët politik por edhe delegacionet e huaja parashtronin pyetjen e arsyeshmërisë të shumë partive politike shqiptare që angazhohen për realizimin e vlerave të njëjta”. Haxhi Lajçi në punimin e tij thekson se pluralizmi në Malësinë e Rozhajës, fillimisht mbështetjen e gjeti të intelektualët e kohës sidomos nga ato që u arsimuan në Universitetitin e Prishtinës, nderësa Ali Gjeçbritaj në hollësi përshkruan themelimin e degës së LDnëMZ-së në Krajë, më 21 tetor 1990. Sabri Salaj, thekson se “me krijimin e levizjes së parë politike të quajtur Lidhja Demokratike në Mal të Zi e cila u krijua në kuadër të projektit dhe platformës së përbashkët të Lidhjes Demokratike të Kosovës” u krijuan kushtet për mbrojtjen dhe avancimin e e të drejtave të pakicave autoktone në Mal të Zi, nderësa Xheladin Zeneli, në punimin e tij jep detaje të hollësishme rreth mënyrës së themelimit të partisë së parë shqiptare-LD në MZ-së, duke ia atribuar meritën kryesore të themelimit të saj z. Lekë Lulgjuraj.

Në grupin e dytë të punimeve të paraqitura bëjnë pjesë punimet e juristeve Mustafë Çapunit dhe Hajrullah Hajdarit. Mustafë Çapuni në punimin e tij “Kushtetuta e Malit të Zi dhe shqiptarët” ndër të tjera thekson se “me aprovimin e kushtetutës së re të Malit të Zi edhe një herë mbizotroi majorizimi malazias.Mali i Zi formoi qeveri kombëtare, ku ka themeluar Këshillin për të drejtat kombëtare dhe etnike, nuk ka përcaktuar të drejtat kolektive, pra edhe njëherë kombin shqiptarë nuk e pranoi si subjekt politik, qeveritar, konstituiv dhe me mekanizmin e centralizimit të pushtetit vazhdoi udhën e injorimit të pjesëmarrjes së shqiptarëve në pushtetin qeveritar”. Çapuni në këtë punim flet edhe për e Memorandumin,  jetësimin e të cilit e kanë përcjellur shumë probleme objektive dhe subjektive të qarqeve të ndryshme. Ndërkaq Hajrullah Hajdari në punimin e tij në mënyrë të hollësishme bënë përshkrimin e sistemit zgjedhor në Mal të Zi dhe rrezulltateve zgjedhore të partive politike shqiptare për 25 vitet e kaluara. Ai në këtë punim thekson se zgjedhjet e kësaj periudhe “ nuk ishin krejtësisht të lira, fer dhe demokratike, për shqiptarët edhe diskriminuese”. Duke u nisur nga përcaktimi se ligji zgjedhor në fuqi për shqiptarët është vërtetë diskriminues, sidomos pas mohimit të të drejtave të fituara më parë, ai propozon që e “mënyra e të drejtës së përfaqësimit të shqiptarëve të përcaktohet më Kushtetutën e shtetit dhe në këtë mënyrë të eliminohet mundësia e veprimit të vullnetit të partisë në pushtet sipas rastit dhe interesit momental të saj”.

Në grupin e tretë bëjnë pjesë punimet Xhoana Perkajt dhe Nikollë Camajt.Xhoana M.Perkaj, në punimin e sajë “Partitë politike shqiptare në Mal të Zi para dhe pas referendumit për pavarësinë shtetërore”, ndikimin të cilin partite shqiptare e kanë pasur në skenën politike të Malit të Zi, e ndanë në dy periudha: në periudhën para referendumit (1990-2006) dhe pas referendumit (2006-2015). Ajo mendon se ne periudhën e parë “shqiptarët kanë luajtur një rol vendimtar lidhr me ardhmërinë e Malit të Zi, duke e përkrahur fuqishëm orientimin strategjik për pavarësi” nderësa periudhën e dytë ajo poashtu e ndanë në dy periudha:Periudha e parë “Partitë shqiptare janë factor i cili është ende i rëndësishëm në marrjen e vendimeve strategjike për Malin e Zi “ dhe periudha e dytë: “Partitë shqiptare si factor politik nuk kanë ndikim mbi asnjë segment të rëndësishëm të jetës politike në Mal të Zi, duke theksuar se numri enorm i partive politike, nga të cilat disa përfshijnë numrin simbolik të anëtarëve, bënë që partite shqiptare most të jenë më faktor serioz politik. Ndërkaq Nikollë Camaj në punimin e vet “Metomorfoza e diskursit nga individi te subjekti politik” duke folur për statusin e shqiptarëve dhe përkrahjen e qeverisë së Gjukanoviqit, ndër të tjera thekson se “ të përkrahesh një qeveri vetem se dikush na kërcnon me “palën tjetër”, pra me opozitën “proserbe” del pak qesharake.Nuk është e udhës që vetëm ne të sakrifikohemi për të plotësuar nevojat e shumicës parlamentare, për të “shpëtuar” shtetësin e Malit të Zi. Kur duam të shpëtojmë ne veten!?” pyet ai.Poashtu Camaj thekson edhe pse kanë kaluar 25 vite të pluralizmit politik në Mal të Zi “statusi i shqiptarëve mbetet akoma i pazgjidhur; pothuaj i njëjtë si në fillim të viteve 90”.

Në këtë libër janë përfshirë edhe punimet e Albion Malokut “Shqiptarët në Mal të Zi dhe Kosova”, tre punimet e deputetit të LDnë MZ-së në Kuvendin e parë pluralist në Mal të Zi Xheladin Zenelit, Nail Dragës “ Memorandumi document për barazi nacionale dhe qytetare si dhe dy letra të hapura mbi pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi dërguar Sali Berishës, kryeministër i Shqipërisë, me 28 janar 2012 dhe Ambasadës amerikane në Podgoricë,Delegacionit europian në Mal të Zi,Misionit të OSBE në Mal të Zi, Ambasadës së Republikës së Shqiperisë në Podgoricë dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Podgoricë, më 23 janar 2015, dërguar nga Vasel Sinishtaj, punime shumë përmbajtësor e cilësore të cilat lexuesi duhet pa tjetër t’i lexojë.

Ky libër, përveç të tjerave, na jep mundësinë të bëjmë një analizë apo një bilanc të arritjeve  të shqiptarëve dhe pozitës së tyre politike gjatë 25 viteve të demokracisë e pluralizmit politik. Duke lexuar punimet e prezantuara në këtë libër, mund të konkludohet se autorët, në mënyrë direkte apo inderekte, mendojnë se partite politike shqiptare, ndoshta edhe si pasojë e numri tepërt të lartë të tyre, nuk u janë përmbajtur programeve dhe dokumentave politike të tyre, nuk i kanë përmushur premtimet dhe pritshmëritë e votuesëve të tyre, dhe si pasojë gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi (politike dhe ekonomike) pothuajse është në nivelin e nisjes së këtij procesi politik, në vitin 1990. Puna e tryezës së rrumbullakët dhe punimet e prezantuar në këtë libër duhet vlerësuar shumë. Megjithate, mendoj se janë bërë vetëm hapat e parë dhe për këtë duhet lavdëruar organizatoret, sepse për të bërë një bilanc të këtyre 25 viteve duhet të shqyrtohet, diskutohet e analizohet tranzicioni politico-ekonomik në Mal të Zi në përgjithësi, si dukuri në mënyrë që në bazë të të dhënave krahasuese të nxjerrim elementet dhe faktoret e ndikimit në pozitën politico-ekonomike të shqiptarëve, me qellim që të mësojmë në të ardhmen. Të mësojmë sepse kështu si jemi, jemi në fillim, dëpertimi drejtë zhvillimit është i vështirë. Pse!? Pavarësisht rezultateve të paraqitura rruga e demokracisë “mund të deshtojë kur mungon vullneti dhe kur veprohet politikisht me ngathtësi” (Manfred G.Schmidt,”Teoritë e Demokracisë” Tiranë,2016, fq.446)

Gjithësesi ky libër vlen të lexohet, sidomos nga gjeneratat e reja, të analizohet e të jetë bazë për trajtimin e tranicionit në përgjithësi në këto 30 vitet e kaluara në pluralizmin politik, apo në demokraci..

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top