Friday , January 15 2021
Lajmi i fundit

Medjen Shaptafa: A PO NA MBYT KORONA APO FATALIZMI?

MedjeniËshtë bërë një vit që nga regjistrimi i rastit të parë me virusin korona dhe si duket, ky virus nuk ka ndërmend të dorëzohet. Në fakt, vetëm se po merr shtrirje edhe më të madhe dhe bashkë me këtë edhe jetët e më të dashurve tanë.

Masat të cilat merrën nga organët kompetente për ndalimin e kësaj epidemie si dukët nuk janë të mjaftueshme. Aq me keq kur këta të fundit po hedhin gjithë përgjegjësinë tek qytetarët duke harruar përgjegjësinë e vet për zhvillimin e sistemit shëndetsor në  vend. Mungesa a laboratorëve, mjekëve të specializuar kanë bërë që të humbë çdo kuptim testimi sepse periudha dy javore – aq sa zakonisht qendrohet në izolim – kalohet në qytet duke pritur rezultatet e testit dhe duke infektuar të tjerët.

Mirëpo, neve në këtë rast na intereson një aspekt tjetër. Ai i përgjegjësisë përsonale për jetën tonë dhe të të tjerëve. Është e tepërt të shtohet se sjellja ynë në situatë pandemie ka impakt edhe në jetët e të tjerëve.

Dhe kjo është çeshtja e fatalizmit.

Fatalizmi ne filozofi/teologji nënkupton besimin se çdo gjë është caktuar nga një fuqi mbinatyrore gjegjësisht Zoti, dhe si të tillë, jemi të paaftë të ndryshojmë vullnetin e Zotit dhe para/caktimin e Tij. Këtë poashtu e kemi të ngulitur thellë në qenjën tonë sepse besojmë në kader/përcaktimin e Zotit.

Sa i përket teologjisë islame, kjo është njëra prej temave më delikate prandaj shpeshherë dhe anashkalohet si pasojë e impaktit të kësaj temë në çeshtjët e besimit si dhe për arsye pragmatike shoqërore.

E para konsiston në atë se nuk deshirojmë të definojmë një temë të tillë sepse na duket sikur Zotit i kemi mohuar fuqinë e Tij të caktojë dhe vendosë. Nga ana tjetër qëndrojnë edhe arsyet pragmatike sepse kur dikujt i ndodh ndonjë fatkeqësi, besimi se kështu ishte caktuar nga Zoti, sjell një formë ngushëllimi dhe fuqie për të përballuar këtë fatkeqësi. Dhe kështu biem në fatalizëm apo në bindjen se çdo gjë ndodh me caktimin e Zotit dhe se jemi të paaftë të ndryshojmë diçka në këtë aspekt.

Këtë spjegim e kemi më të lehtë sepse përgjegjësinë tonë ia delegojmë Zotit dhe lirojmë vetën tonë dhe rrjedhimisht ndërgjegjën tonë nga përgjegjësia për aktet dhe veprimet tona.

Një definim më i saktë do të zgjidhte çeshtjën në favor të së vertetës dhe në të mirë të njeriut.

Caktimi i Zotit nuk nënkupton medoemos caktimin e veprimeve tona sepse në këtë rast nuk do të kishim përgjegjësi për veprimet tona dhe rrjedhimisht e mira dhe e liga nuk do të kishin kuptim. Caktimi i Zotit nënkupton atë që njeriu nuk mund të bëjë diçka kundër vullnetit të Tij, mirëpo njeriu nuk duhet të shikojë jetën nga përspektiva hyjnore sepse nuk është i thirur për këtë. Njeriu në fund të fundit nuk e njeh caktimin e Zotit për asnje çeshtje prandaj nuk mund të arsyetojë veprimet e tij të papërgjegjshme duke u fshehur pas “caktimit të Zotit” apo siç thot populli “ka qënë e shkruar”.

Njeriu është i thirur të veprojë në bazë të mundësive dhe kompetencave të tij njerëzore dhë këtu fillon dhe mbaron përgjegjësia e tij.

Në rastin konkret të epidemisë së shkaktuar nga Covid-19, shpeshherë kemi dëgjuar të thonë se “nësë e ka shkruar Zoti..” duke harruar përgjegjësinë e vet dhe duke i’a deleguar këtë dikujt tjetër për të aboluar vetën nga përgjegjësia.

Porositë e profetit Muhammed (paqja qoftë mbi te) në raste të tilla ishin të qarta. Ai tha: “ Nësë degjoni se diku ka rënë ndonjë semundje ngjitëse, mos shkoni atje, e nësë bie në vendin ku ndodheni,  mos dilni nga aty”. Kjo është thirje e qartë për përgjegjësinë e njeriut për ruajtjen e jetës së vet dhe të të tjerëve duke na porositur të ruhemi. Ai nuk tha të shkojmë lirisht ku ka sëmundje ngjitëse sepse nuk infektohemi përveç nëse e ka caktuar Zoti por tha që çeshtjet t’i shikojmë nga prizmi njerëzor dhe të veprojmë poashtu nga një kënd i tillë.

Andaj bindja e cila shpesh gjendet në popullatën vëndase për mosnevojën e respektimit të masave mbrojtëse, nga aspekti fetar islam është krejtësisht e gabuar dhe se puna më e mirë është të ruajmë të tjerët dhe vetën duke respektuar masat mbrojtëse dhe duke u lutur që kjo situatë të kalojë sa më parë.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top