Wednesday , April 25 2018
Lajmi i fundit

Medjen Shaptafa: ÇFARË NA THOTË ÇËSHTJA E SERVANTESIT?

Medjen ShaptafiUlqini është qytet që ekziston në kohë dhe hapësirë dhe përmban simbole të ndryshme gjeografike, historike, shoqërore dhe kulturore. Nëpër qytet kanë kaluar perandori të ndryshme por qyteti ka mundur t’i bëjë ballë të gjithë presioneve të ndryshme dhe të ruajë trungun e vet dhe identitetin e tij si dhe të pranojë dhe integrojë mjaft elemente origjinale nga qytetërimet botërore. Këtu parimisht mendoj tek fetë të cilat janë të dukshme përmes objekteve te kultit.
Pikërisht pamja e qytetit flet për identitetin e tij kulturor, fetar etj. Personalitete dhe ngjarje të ndryshme historike si dhe objekte e monumente të tjera janë ato që përbejnë “brumin” e formimit të identitetit si dhe frymën e edukimit dhe zhvillimit të gjeneratave të reja. Ulqini, pa dyshim, ka nxjerrë nga gjiri i tij figura të mëdha historike gjatë historisë së tij të larmishme.
OT Ulqin ka shpallur konkurs dhe ka zgjedhur idenë e figurës së Migel de Servantesit të punuar nga skulptori i ri Bujar Vani.
Mendoj se me këtë kemi treguar se sa thellë jemi zhytur si qytet. Por, që ta kuptojmë, duhet së pari të paraashtrojmë disa pyetje se çfarë është dashur të arrihet me statujen e Servantesit.
A është kjo shprehje e kulturës së mikpritjes dhe çfarë nënkupton ajo? A kemi dashur me këtë të tërheqim më shumë turistë si pasurim i ofertës turistike në kuptimin e brendimit turistik të qytetit?
A mos kemi dashur që të shpaguhemi te Servantesi sepse kinse e kemi zënë rob? Apo thjesht të tregohemi para botës së qytetëruar?
Do të mundohem të pergjigjem shkurt.
Ajo çfarë unë nenkuptoj me mikpritje në këtë rast me konotacion negativ nuk është bujaria në pranimin e tjetrit dhe të ndryshmit sepse kjo gjë është imperativ i kohës. Unë këtu nenkuptoj akumulimin e personaliteteve dhe ideologjive si dhe mungesën e vullnetit për të shkarkuar balastin historik. Për të vërtetuar këtë mund të sjell emërtimin e shkollës së mesme në Ulqin dhe simbole tjera të kohës së Jugosllavisë saktësisht tek Ndermarrja publike, periudha e të cilave ka kaluar që moti e ne nuk jemi të vetëdijshem.
Kjo nuk është bujari e as pranim i tjetrit por vetëm mossukses në rishikimin dhe krijimin e vizionit të zhvillimit të identitetit personal dhe kolektiv e që tregon nivelin e ulët të vetëdijes në shoqëri si dhe deficitin e kuadrove në organet përkatëse të pushtetit, në mënyrë që para trendeve globaliste të identiteteve kulturore universale dhe partikulare të krijohet vizioni personal i zhvillimit të individit dhe shoqërisë si dhe të qytetit si sistem identitar. Krijimi i vizionit të vet të zhvillimit është i rëndësishëm edhe për qytetin si brend turistik.
Është e njohur se turistët krijojnë lidhje emocionale dhe kanë kënaqësi psiqike dhe emocionale në qytetin që vizitojnë nëse ai qytet i ofron përmbajtje kualitative në domenin e interesit të tyre.
Është interesante teoria e mikpritjes nga Derida (Zhak Derrida) e shikuar nga prizmi i shprehjes: “ndjehu si në shtëpinë tënde”, ku sipas tij gjithsesi qëndron dallimi mes të zotit të shtëpisë dhe mikut. Nëse kjo kuptohet bukvalisht – vazhdon ai – atëherë secili prej tyre do të ishte zot shtëpie dhe mik apo mysafir sepse miku i cili ndjehet si zot shtëpie edhe është i tillë. Në rastin tonë në qytetin e Ulqinit, kam përshtypjen se kjo gjë kuptohet bukvalisht sepse shpesh nuk dihet se kush është mik e kush është zot shtëpie. Shpesh na servohen ide, ideologji dhe figura të ndryshme të cilët bëhen zot shtëpie në Ulqin. Dhe aty mbesin me shekuj. Siç do të ndodhte me Servantesin.
Të udhëhequr nga politika të paplanifikuara në zhvillimin e qytetit si destinacion turistik me hapa ad hoc dhe snobizëm për t’iu dëshmuar botës, mendoj se edhe më tepër do të prishim imazhin e qytetit.
Servantesi ka qytetin e tij të lindjes ndërsa lidhja e tij me Ulqinin është maksimalisht diskutabile. Ajo ka lindur si pasojë e komentimit amater dhe subjektiv të veprave të tij dhe kështu kemi prodhuar “kulturë mahalle” të cilën duam ta përjetësojmë me një statujë të autorit dhe kjo është arritja ynë me e madhe në fushën e kulturës.
Të vjedhim figurën e Servantesit dhe mbi një tregim të trilluar të ndertojmë vizionin e ardhshëm të shoqërisë dhe identitetit tone është e papranueshme.
Unë natyrisht jam edhe kundër idesë fituese të konkursit si dhe vendit të vendosjes së saj. Statuja e Servantesit me linjat e rrepta të saj që janë tregues i fuqisë, mund të konkurojnë me Poseidonin. Zoti i detrave në mitologjinë greke, edhe përkundër tredhëmbëshit në dorë, është më i butë sesa shkrimtari Servantesi i cili qëndron në fron në kulmin e tij të fuqisë në breg të detit të Ulqinit dhe mban në dorë penën dhe letrën. Ende nuk e ka shkruar fatin e qytetit sepse pret që ta bëjmë ne.
Ndërsa ne kemi lëshuar timonin e qytetit në mes të stuhisë e valëve të detit si dhe erërave që fryejnë nga lindja e perëndimi pa vizion se cilën rrugë duhet të ndjekim.
Për atë zhytemi dhe humbim.
Ndaj trendeve globaliste të qytetësve modernë monolit dhe të njëtrajtshëm, ata qytete me identitete kulturore partikulare që dmth me traditë historike kualitative të konservuar drejtë, ngjallin më shumë interesim tek turistët. Ulqini ka të gjitha premisat materiale për zhvillim.
Në vend që të afirmojmë njerëzit tanë dhe të konservojmë monumentet historike kulturore dhe Ulqinin ta shndërrojmë në një ambient i cili ka pamjen e vet karakteristike në breg të Adriatikut në fryme mediterane, ne jemi përcaktuar për mosinvestim në infrastrukturë, kiç dhe triqe të lira që do na kushtojnë shumë. Edhe historia do të na gjykojë. Dhe do pyesë: a nuk ishte kush të paktën të ngrente zërin?

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top