Monday , July 16 2018
Lajmi i fundit

MEDRESEJA NË ULQIN NË PERANDORINË OSMANE

Pas kryerjes së mejtepit nxënësi ishte i aftësuar që të vazhdojë në shkallë më të lartë të arsimimit të cilën mund ta vazhdonte në medrese (shkollë e mesme fetare). Ajo gjendej pranë xhamisë kryesore të qytetit. Në krye të saj ishte myderrizi i cili udhëhiqte aktivitetet akademike në medrese dhe ishte tërësisht përgjegjës për ta. Gëzonte respekt të madh për shkak të diturisë që përhapte si te pushteti ashtu edhe në popull.

Emërimi i myderrizit, ditët e tij të punës, rroga dhe të tjerat caktoheshin sipas dispozitave në dokumentin për themelatën e bamirësisë (vakfinë), por me rastin e përpilimit kihej parasysh që ai të përmbajë dispozitat të cilat janë në përputhshmëri me rregulloret e zakonshme ekzistuese. Këtë lloj kontrolli e bënte kadiu me rastin e dhënies së vlefshmërisë juridike të dokumentit.

Medresenë e ndiqnin kryesisht ata individë që shpresonin për pozita në institucionet shtetërore dhe fetare ose që dëshironin të vazhdonin shkollimin. Kjo ishte hapi i parë që hapte derën e pozitave më të larta dhe hyrjes në elitën shoqërore osmane. Shumë nga ata këtu u njohën me gjuhët orientale, kështu që në ato gjuhë mund të lexonin dhe të shkruanin lehtë. Si bazë në këtë institucion merrej mësimi i El-Gazalit, autoritetit të paarritshëm në shkencat islamike (vdiq në vitin 1111).

I nxitur nga idetë dhe dashuria për shkencën dhe diturinë, kjo qendër ulqinake, me arsimim plotësues në Shkodër dhe Stamboll, për një kohë të shkurtë dha një numër të madh imamësh, hatibësh, mualimësh, poetësh. Veçanërisht ishte e njohur shkolla e hivzit (mësimi i Kur’anit përmendësh). Ajo vepronte e pavarur si vatër e shkencës islame të asaj kohe, me anim të theksuar kah gjuha arabe, turke dhe persishte.

 Pazari, Medreseja dhe Beledija

 

Vetëm dy vjet pasi që qeveria osmane pruri vendimin që në çdo qytet të Perandorisë i cili kishte përmbi 500 shtëpi duhet të themelohet ruzhdia (shkolla shtetërore laike), në vitin 1871 në Ulqin, (atëherë kishte rreth 670 shtëpi), filloi me punë institucioni i parë arsimor i këtij lloji. Ishte kjo shkolla e ultë e mesme në të cilën nxënësit, në moshën prej 10 deri në 15 vjeç, gjatë shkollimit katërvjeçar ishin aftësuar për tituj të ultë administrativë. Mësues ishte Ibrahim efendi Shkodrani me pagë vjetore prej 330 grosh. Portieri në shkollë fitonte katër herë më pak, ndërsa shpenzimet tjera të ruzhdisë ishin njëmijë grosh dhe paguheshin nga arka e vilajetit. Pasi që objekti i caktuar për këtë institucion ishte në gjendje të keqe u vendos që popullata e Ulqinit duhet të paguajë shpenzimet për riparimin e saj.

Në ruzhdi mësoheshin këto lëndë: akaid, arabishtja, turqishtja (osmanishtja), aritmetika, gjeometria, diktimi, kontabiliteti, historia, vizatimi dhe letrat osmane (suluni, divani dhe rika). Natyrisht, i gjithë procesi mësimor bëhej në gjuhën shqipe, si gjuhë e popullatës vendore.

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top