Friday , September 20 2019
Lajmi i fundit

Mentor Llunji: KIDNAPIMI I FLAMURIT

Mentor LlunjiPas votë-përkrahjes që shqiptarët i bën Qeverisë duhet të ndalemi për moment dhe të reflektojmë si komunitet. Të reflektojmë mbi mosreflektimin ndaj aktit të përkrahjes.

Pse shqiptarët vazhdimisht vet-flijohen dhe vet-dëmtohen pa kushte, pa kompensim, pa arsye dhe pa një qëllim?!

Përkrahjen ‘bjanko’ shqiptarët kanë filluar ta japin që në vitet 90-ta, dhe po vazhdojnë me të njëjtin vrull dhe vullnet. Kjo ‘bjanko’ përkrahje ka rezultuar me: shpërngulje të vazhdueshme, zhvalorizim të gjitha resurseve turistike dhe prodhuese, orientim të vazhdueshëm të investimeve në komuna tjera, ndërsa për zhbërje të elitës intelektuale mos te flasim. Ajo nuk ekziston.

Atëherë për ke dhe për çka shqiptarët janë kaq ‘besnik’?!

Te ne dikur fëmijët i trembnin me polic, e tani partitë politike popullin e thjesht e ‘trembin’ me : ‘vojvoda’, NATO, BE dhe shumë tregime të ngjashme që shërbejnë për arsyetimin e të paarsyeshmes.

Dikush këtë përkrahje e karakterizon si tradhti ndaj votuesit. Nuk është tradhti, pasi tradhtia nënkupton të kesh një ide të cilën e tradhton. Ndërkaq idetë ka kohë që nuk janë temë e diskutimi në mes të partive shqiptare. Shqiptarët diskutojnë për poste, parcela, shtande dhe ‘zbavisin’ opinionin me akuza banale njëri ndaj tjetrit. Nuk kanë program, presin kredi për të ndarë rrogat, dhe gjithë së bashku presin investitorin e radhës për hotelin Jadran, që edhe pritjen e Godos po e bën qesharake.

Diagnoza më e afërt që e shpjegon këtë situatë është që ‘elitën’ politike e ka kapluar një përgjumje, ‘dehje’ dhe mazohizëm që i përngjan më tepër një ‘hyzmeqarie’ klasike politike .

Mentaliteti i hyzmeqarisë politike është diçka përtej ‘hyzmetit’.

Huzmeqari nuk ka kushte. Ai ofrohet. Atë e përdorin dhe ai prapë vazhdon me hyzmet. Bile edhe kërkon votën qe të vazhdojë me hyzmet edhe me të madh, ndaj çdokujt përveç ndaj votuesit.

Duket që ky lloj i veçantë i mazohizmit po masivizohet dhe është bërë imperativ i vetëm i politikës së shqiptarëve në Mal të Zi.

Partitë shqiptare kanë ardhur në një pozitë paradoksale. Në vend që të përfaqësojnë votuesin tashmë nuk po përfaqësojnë as vetveten, pasi ato në fakt nuk ekzistojnë, përderisa nuk ekziston ideja që ato përfaqësojnë. Janë bërë alet i lirë. I përdorin sipas nevojës.

Dhe si barrikadën e fundit të erozionit të vet politik fatkeqësisht përdorin flamurin kuq e zi të cilin para votimeve ia qesin popullit përpara, njëjtë siç i qitet muleta e kuqe buajve ne korridë. Buajt eksitohen dhe nuk dinë që i pret shpata pas muletës së kuqe, ndërsa votuesin e pret mashtrimi radhës.

Duhet te çohemi nga gjumi dhe të kuptojmë që jemi pakicë autoktone me probleme konkrete. Drejtat tona nuk duhet te varen nga përkrahja apo mos përkrahja e kësaj apo asaj Qeverie. Ato duhet të jenë të garantuara. Përkrahjen tonë Qeveria duhet ta meritojë, ta fitojë dhe jo t’ia japim pa na kërkuar.

Përndryshe, nëse nuk reflektojnë, që sot mund të thuhet se partitë shqiptare po bëhen armiku më i madh i vetvetes, i votuesve të vet dhe po shndërrohen në kidnapues të çështjesh shqiptare.

3 comments

  1. Te lumte djallosh! Pak na zbardhove faqen neve ulqinakeve mas pislluqeve te cilat pa na ban partia jon e mocme.

  2. Cka flete ti djalosh, po ku ka Ulqini “‘elitë” politike. Edhe nji gja tjeter pse votuesit e perkrahin kete “‘elitë” politike. Nese tash sa vjete i trathtojne mos te dalin ne vota. Asht dicka tjeter, interesi ka lind para njeriut.

  3. Mentor teksti shume ne regull par shumica as qe e kajn kuptu cka ke dasht me than, gjithe pajtohen me konstatime par asnjini politikan as qe menen me ndryshu dicka.

    Mund ta verejsh te komenti i meparshem i @Muca se ata tregojne se ky tekst eshte shpetimi jone, ti je shpetimtari e te gjithe ata “ne patin ton” nuk jan si duhet. Nuk e kuptojn se duhet tan bashk ne vend te pare me pase interesin e pergjithshem e interesin personal si e ka ky komentues e shume tjere, apo urrejtjen ndaj tjerve per shkak te paaftesive te veta.
    Zgjohu popull dhe deno hajnin …!

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top