Wednesday , April 8 2020
Lajmi i fundit

MIRASH MARTINOVIQ: Ilirët i ndiej natyrshëm, thjesht, prandaj edhe shkruaj rreth tyre

 

MirashiFrymëzimi, pothuaj për çdo vepër, për ju është antika e largët. Përse antika dhe përse e largëta? Antika është themeli i gjithçkaje, nga ajo fillon gjithçka, tek ajo përfundon gjithçka. Dhe kjo do të thotë se është sublimim i përvojës, dijes dhe artit njerëzor. Ajo është burimi nga rrjedh çdo gjë dhe në të cilën derdhen përsëri të gjitha. Rrethi i përjetshëm, gjithnjë ngacmues dhe frymëzues. Vetëm kalimi nëpër antikë mund ta bëjë të madhe një vepër. Dhe kjo do të thotë se antika është sinteza në të cilën qëndron gjithçka dhe nga ajo mund të marrim aq sa na duhet, por që nuk harxhohet, qëndron përjetësisht. Me këtë ndjenjë jam nisur për antikë, përmes antikës. Në të janë të gjitha të vërtetat dhe është thënë gjithçka që mendja njerëzore ka mundur të mendojë dhe të krijojë. Kam ndjekur këtë mendim dhe këtë ndjenjë, i jam mbajtur kësaj rruge. Mitet janë një alfabet i veçantë me të cilin është shkruar shkrimi i përjetshëm, dorëshkrimi që nuk është gjithmonë dhe menjëherë i dukshëm, por i cili, nëse shikoni mirë ose mendoheni mbi të, hap thellësitë e veta dhe të ndjell vazhdimisht, pa mbetje. Leximi i miteve është veprimtaria ime e rregullt, leximi i historisë, të themi. Lexoj shpesh Herodotin dhe në histori gjej temat. Në histori dhe mitologji. Kur zhyteni më thellë, kuptoni se të gjitha ato tema janë tek unë, te ne. Njeriu i bart të gjitha, brezat bartin paraardhësit e vet, mendimet dhe ëndrrat e tyre, traditat. Ata zgjohen dhe kërkojnë të flasin. Gjithçka e së kaluarës kalon në të tashmen. Duhet vetëm të gjenden rrugët dhe të shkohet me to, çka nuk është punë e lehtë. Mes rrugëve të panumërta të gjesh rrugën e duhur. Por, kur futeni në atë sferë dhe kur të kurdiseni në atë foni, logjika e jashtëkohës ju çon më larg dhe më thellë duke drejtuar gjithçka dhe së cilës nuk mund t’i shmangeni. Libri im “Rrugët e Prevalisës”, me të cilin fillon antika ime, është zbulimi i atyre rrugëve në hapësirat e Malit të Zi, por edhe në hapësirat që përfshin antika, sepse në të është gjithçka e lidhur. Unë i kam kërkuar këto lidhje të thella dhe në thellësi, i kam lidhur sendet me ngjarjet, pikat markante të civilizimit, duke bërë një hartë të pazakonshme. Së njëjtës rrugë kanë kaluar edhe librat e mi të mëvonshëm, ata kanë lindur dhe janë krijuar nga arsyetime e perceptime të tilla. Antika ju zbulon një shqisë të veçantë e cila edhe bashkëbisedon me të.

Një vend të veçantë në veprën tuaj zënë ilirët. Përse ilirët? I kam të afërt, në vete ndiej kodin dhe gjenin e tyre. Veç të tjerash, përse unë do të merresha kaq shumë me ta, përse ata do të ishin aq të pranishëm në veprën time, në prozë sa edhe në poezi, njësoj, dhe të mos jem pjesë e tyre. Teoricienia e njohur e letërsisë malazeze dhe kritikja e artit, Bozhena Jellushiq, ka shkruar në një ese për mua: “Ilirët nuk e kanë pasur poetin e tyre. Mirashi është poeti që u ka ardhur nga e ardhmja.” Me këtë ka dashur të theksojë lidhjen time me atë popull, për të cilin thuhet se është zhdukur. Mirëpo, pasi asnjë popull nuk mund të zhduket, as ilirët nuk janë zhdukur. Gjurmët e tyre janë të shumta në hapësirat e Malit të Zi, aq edhe në hapësirën e Shqipërisë, hapësirat e Bosnjës, Dalmacisë, janë të shumta gomilat

(tumulat), varrezat e tyre, mbetjet e varreve: Butua/ Budva, Olciniumi/ Ulqini, Antivari/ Bari, Qyteza në Dinoshë, afër Duklës, gjegjësisht Podgoricës së sotme. Të gjitha këto vende dhe të tjera i kam kaluar në terren dhe vetë ajo, Bozhena Jellushiq, ka shkruar: “Mirashi është ndoshta i vetmi shkrimtar që i ka kaluar në këmbë librat e tij.” Pra, ilirët jetojnë në banorët e sotëm të këtyre vendeve, çfarë është evidentuar edhe nga ana gjenetike dhe antropologjike. I ndiej natyrshëm, thjesht, prandaj edhe shkruaj rreth tyre. Është tema ime e pashmangshme. Shfrytëzoj mitologjinë e tyre, ndërsa për ta janë shkruar biblioteka të tëra me libra. Më intereson besimi i tyre, religjioni i tyre, emrat, kultet, hyjnitë. Është një enigmë e madhe shkrimi i tyre, alfabeti, se nuk i kanë lënë në gurë ose në ndonjë material tjetër, edhe pse kam lexuar se në Shqipëri arkeologët kanë gjetur shkronja të çuditshme, shenja që mund të ishin shkrime ilire. Me zhdukjen e tyre, kthimin në grekë, romakë, sllavë, unë besoj se ata janë aty, ata më dërgojnë sinjale se janë akoma në këtë tokë, mes nesh dhe me ne. Keni shkruar romanin “Teuta”, i cili ka përjetuar disa botime, dy në gjuhën shqipe. Romani “Teuta” është krijuar tamam nga një ndjenjë e tillë, fama e mbretëreshës kontroverse, e cila më ka thirrur përmes humnerës së shekujve dhe ka kërkuar që me fjalë të artikuloj fatin e saj. E ka përcjellë zëri, duke kaluar me këmbë hapësirat nga ajo ka lënë gjurmët, para së gjithash qytezën-seli të luftës Rizinium, Risani i sotëm në Gjirin e Kotorit, ku ka shtrirë rezistencën e fundit ndaj romakëve, prej nga edhe ka shkuar në legjendë. Për të hyrë në legjendë duhet të keni autorizim dhe leje të veçantë. Ajo atë e ka fituar me bukurinë dhe trimërinë e saj. Në të gjitha legjendat dhe tregimet, që edhe sot jetojnë në këto hapësira, ajo është edhe guximtare, edhe e bukur. Përse këto dy epitete, dy shenja të veçanta, kanë qenë kaq të theksuara nëpër legjenda. Legjendat janë histori të pashkruara, ato fshehin një histori më të thellë dhe suptile nga ajo zyrtarja. Legjendat i ka thurur fantazia gjithëpopullore, prandaj ato janë të pashkatërrueshme dhe permanente.

Mirash Martinoviq është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm malazezë. Në letërsi ka hyrë me librin Miti mbi qershinë (vendi i parë i nominuar me çmimin “Llazar Vuçkoviq”). Në hapësirat rajonale dhe më gjerë është i njohur me temat nga antika dhe peizazhet e harruara të Malit të Zi, të cilat i ka ringjallur në prozën e romaneve: Rrugët e Prevalisës, Hapja e Agruviumit, Teuta, Kujtimet mbi Duklën dhe qytetet antike/ ëndrrat dhe fatet. Romani Teuta është përkthyer në gjuhën shqipe dhe është botuar dy herë. Ka botuar edhe romanet: Heretiku, Të urtët e Babilonisë, Dita e fundit e Eskilit, Harpistja nga Ura, romani për Njegoshin Dielli i dytë i pishtarit dhe libri me tregime Kthimi në Aleksandri. Krijimtarinë e pasur letrare Martinoviqi e plotëson me librat e poezive: Dorëshkrimi i paparë, Biseda e mbretërve, Biseda e Tokës, Pëshpëritje me memorien, Harku dhe lira, Zërat nga guri, Dita që nuk kaloi, Fletorja me fletë ulliri dhe Dita e nata në Butui. Këngët e pabindura, përzgjedhje nga poezia e Radovan Zogoviqit, CANU, 2018. Veprat i janë përkthyer në disa gjuhë. Është fitues i çmimit letrar ndërkufitar “Teuta” për veprën e plotë letrare dhe çmimin e tetorit të Herceg Novit, qytetit ku jeton. Është anëtar i PEN Qendrës së Malit të Zi dhe i Amzës Malazeze.

Pra, duke shkruar për Teutën, veç në një lëndë jo aq të pasur dokumentare, jam mbështetur në legjendat. Njëra nga ato, sigurisht më e bukura, lidhet me lulen Iris në të cilën janë shndërruar sytë e saj. Pasi romakët pushtojnë Riziniumin, Teuta zhduket nga qyteti. Sipas një varianti, ajo ka përfunduar si robinjë e romakëve në ishullin Zakintosh, në detin Egje, ndërsa sipas variantit të dytë ka shkuar në male, bashkë me nënën, e quajtur Birsena, e cila ka qenë një mbledhëse e njohur e bimëve mjekësore. Unë kam ndjekur legjendën e dytë. Romakët e kanë kërkuar në këtë vend, por populli i saj e ruan, nuk do ta tradhtojnë, të thonë se ku ndodhet. Flasin se është shndërruar në lulen Iris, ndaj legjionarët romakë kanë shkuar të hidhëruar malesh dhe bjeshkësh dhe me këpucët ushtarake kanë shkelur dhe ndukur atë lule, të dashuruar në pamjen e saj; asgjë nuk kanë mundur të bëjnë. Janë zhdukur legjionet, kurse ajo lule edhe sot rritet. Unë kam shkuar në male, derisa kam shkruar librin, që ta mbledh atë lule të veçantë, me ngjyrë të kaltër. Ja, lulja i ka mbijetuar legjionet, kurse legjenda edhe propagandën romake dhe kohën. Përkundrejt gjithçkaje, Teuta jeton edhe sot. Më vjen mirë që është përkthyer në shqip dhe është botuar dy herë nga shtëpia botuese “Koha” në Prishtinë. Përveç Teutës, mua më ka tërhequr në mënyrë të veçantë fati i mbretit të fundit ilir, Gencit, i cili mban jo vetëm fatin e vet, por edhe rënien e mbretërisë ilire. Për këtë kam shkruar novelën “Fyejt në varre” dhe është përkthyer në shqip. Shqiptarët më kuptojnë për atë që shkruaj. Onufri, ka botuar romanin tim “Dita e fundit e Eskilit”, një botim shumë i bukur, për çfarë jam shumë i lumtur dhe krenar.

Shkruani edhe prozë edhe poezi. Ku ndiheni më mirë dhe më i sigurt? Edhe në prozë, edhe në poezi, nuk ka aty ndonjë dallim. Shkoj pas asaj që në momentin e caktuar më dikton forma. Romani, tregimi, vjersha, shkrimi shërbejnë njësoj në të shprehurit tim letrar. Njësoj i kam të dashur dhe të rëndësishëm. Sa e njihni letërsinë bashkëkohore shqipe? Fatkeqësisht, jo sa duhet. Por, në bazë të librave të përkthyer, para së gjithash antologjisë me poezi që ka botuar Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Duklës, kam mundur të vërej se ajo është një poezi e madhe, çfarë e them gjithkund. E kam të njohur veprën e Ali Podrimjes, e kam pasur mik të dashur. Kam përgatitur përzgjedhje nga poezia e tij në gjuhën malazeze që e ka botuar Bashkësia e Malazezëve në Kosovë, me titull “Çelësi i humbur”, që është në të vërtetë poezi e madhe; pastaj poezia e Azem Shkrelit, Beqir Musliut, Faredin Gungës… Sa u takon shkrimtarëve nga Shqipëria, njoh dy poetë të mëdhenj dhe shumë të afërt për mua, Visar Zhitin, libri “Shiu i fytyrës sime” i të cilit është botuar këtë vjeshtë në Beograd, si dhe libri i Moikom Zeqos, “Përjetësi me qira”, botuar para pak kohe në Mal të Zi. Bëhet fjalë për dy poetë të mëdhenj, për të cilët kam kujdes dhe nderim të veçantë. Kushedi se ç’padrejtësi bëj ndaj të tjerëve, në këtë kohë, ndaj poetëve të tjerë të mëdhenj që nuk i kam të pranishëm.               Sa është dhe a është i mjaftueshëm bashkëpunimi i dy vendeve tona në planin kulturor?

Bashkëpunimi nuk është i mjaftueshëm. Për shkak të hapësirës, por edhe afërsive të tjera, do të duhej të ishte më i madh. Mundem vetëm të parandiej se sa është krijuar dhe krijohet letërsia shqiptare, por na mungon mundësia ta lexojmë. Në të njëjtën masë, janë të mangët edhe lexuesit shqiptarë kur është fjala për letërsinë malazeze. Bëhen përpjekje, janë botuar librat e Zuvdija Hoxhiqit, Pavle Goranoviqit, Mlladen Llomparit dhe libri im që e theksova më parë. Por nuk ka një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të gjithanshëm. Jemi kaq pranë dhe të afërt, por njihemi pak. Kur para disa vjetësh jam takuar në Ulqin me Kadarenë, që e quaj një ngjarje të rëndësishme në jetën time, atëherë më ka dhënë një intervistë për gazetën “Pobjeda” të Podgoricës dhe aty ka thënë: “Shqiptarët dhe malazezët kurrë nuk kanë pasur luftëra mes veti, se Mark Milani në kodeksin e vet të veçantë moral “Shembuj burrërie dhe trimërie” ka përfshirë dhe ka paraqitur pothuaj njësoj shembuj burrërie dhe trimërie të malazezëve dhe shqiptarëve. Morali është ajo kategori që ne na lidh dhe na bën të afërt, si dhe zakonet dhe karakteristikat e tjera, që janë të njëjta dhe vlejnë për të dy popujt.” Dhe kur është fjala për Kadarenë, dua të theksoj diçka që është shumë inkurajuese dhe e rëndësishme, pas një heshtjeje disadekadëshe: Beogradi vazhdon të botojë veprat e tij, edhe pas “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” dhe romanit “Kështjella”, të botuar më parë nga shtëpia botuese “Samizdat”, para pak kohësh është botuar libri me tregime “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, kurse më parë i njëjti botues ka botuar “Pallatin e ëndrrave”, këtë vepër unikale të letërsisë botërore. E kam lexuar disa herë, por jam kënaqur edhe me tregimet e Kadaresë, me të cilat jam ndeshur për herë të parë.    Sa është e pranishme vepra juaj te lexuesit shqiptarë? Falë Smajl Smakës, Qazim Mujës, Dimitrov Popoviqit dhe Zenun Rexhepit, tregimet dhe poezitë e mia arrijnë deri te lexuesit shqiptarë përmes faqeve të gazetave “Nacional” dhe “ExLibris”. Janë botuar dy romane të miat, por edhe libri me poezi “Kronika e padukshme”, botuar nga shtëpia botuese “Iwabogdani”, BrukselPrishtinë. Smajl Smaka, me të vërtetë, bën përpjekje të sinqerta për vendosjen e urave mes dy gjuhëve, dy popujve dhe shkrimtarëve të tyre.

(Ex libris, Intervistoi dhe përktheu nga gjuha malazeze: Dimitrov Popoviq)

One comment

  1. Do të bëje mirë ta shqiptarizosh mbiemrin duke hequr atë prapashtesën sllave. Do i bëjë shumë nderë vetes.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top