Friday , December 15 2017
Lajmi i fundit

Mr. Ali Bardhi: TUZI ISHTE KOMUNË NË VITIN 1879

 

Ali BardhiNë periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, Vilajeti i Shkodrës përbëhej nga dy sanxhaqe, nga sanxhaku i Shkodrës dhe ai i Durrësit, nga ku ai i Shkodrës përfshinte kazatë e Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës, Lezhës, Krujës, Pukës dhe Mirditës. (Kaza-ja është rreth, distrikt në administratën osmane më një kajmakam në krye; krahinë. Shih. Tahir Dizdari, Fjalor i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, f. 527. Në shtetin Osman me kaza nënkuptohej qyteza, kurse me gjuhën e sotshme administrative ajo nënkupton komunën pasi edhe ndarja e re administrative komunale ka ndjekur rrjedhën nga e kaluara, si psh. Kazaja e Ulqinit, Tivarit, Podgoricës, Plevlës, Beranës, Lezhës, Krujës, Tiranës, etj.).

Me kalimin e kazasë së Podgoricës nën sundimin e Malit të Zi në vitin 1878, vendet si Gruda, Tuzi, Hoti, Kelmendi, etj. që më parë ishin pjesë e kësaj kazaje mbetën nën territorin e vilajetit të Shkodrës, përkatësisht në Shtetin Osman. Mirëpo nga dy dosje të arkivit osman të kryeministrisë në Stamboll, dëshmohet se në datën 29 mars 1879 u formua kajmakami (kazaja) i Grudës me qendër Tuzin, i cili për shkak të rëndësisë dhe ndikimit që kishte si qendër, më 31 korrik 1879 nga emri i kazasë së Grudës merr atë të Tuzit, dhe në krye të saj si kajmakam që emëruar Haxhi Osman Pasha. (BOA- Başbakanlık Osmanlı Arşivleri-Arkivi Osman i Kryeministrisë-Stamboll, İ.ŞD. 45/2405; İ.DH. 789/64127).

Shumë dokumenta nga arkivi i Stambollit si edhe salnamet (Salname dmth. vjetore, e cila është vepër e botuar çdo vit nga ana e pushtetit qendror apo atij lokal (vilajet), për të dhënë raporte mbi ngjarje të ndryshme, biografi zyrtarësh apo nëpunësish shtetërorë, etj. Pas vitit 1888 salnamet kanë filluar të përgatiten duke mbledhur dhe duke u bazuar mbi të dhënat zyrtare të nëpunësve shtetërorë. Kemi salname nga më të ndryshmet, si p.sh. salname të shtetit, të një vilajeti, të Ministrisë së Arsimit, të tregtisë, të financave, etj.) e vilajetit të Shkodrës të viteve 1892 dhe 1894, dëshmojnë se Tuzi ishte kaza me të drejta të plota si kazatë e tjera ne sanxhakun e Shkodrës. Në bazë të një dokumenti në Arkivin Osman të Kryeministrisë në Stamboll që mban datën 30.12.1880, tregohet se si Tuzi më përpara u bë qendër, si e mori statusin “kaza” nga një fshat që ishte më përpara, si iu bashkangjitën nahitë dhe fshatrat përreth tij, si edhe të emëruarit e një Kajmakami në krye të tij, etj. (BOA, Y..A…RES, 9/28)

Edhe pse me tematikë të ndryshme janë me dhjetra dokumenta që bëjnë fjalë për nahitë dhe fshatrat e kësaj kazaje, por që janë me rëndësi të madhe pasi në to argumentohet konkretisht se cilat vende i përkisnin dhe ishin pjesë e administratës së saj. Mbi bazën e këtyre dokumentave shihet qartë se Tuzi ishte një kaza, dhe se nën administrimin e vet përfshinte fshatrat Dinoshë (BOA, DH.MKT. 1563/78; MF.MKT., 801/47; İşkodra Vilayeti Salnamesi 1310/1892, f. 80), Milesh (BOA, DH.MKT. 1563/78), Rogathë (BOA, DH.MKT. 1563/78), Dheu i Zi-Kara Toprak, (Sipas shumë dokumentave të gjetura në arkivin osman të kryeministrisë në Stamboll, vendbanimi Dheu i Zi që prej administratës malazeze quhet Karabushko, në periudhën e shtetit osman quhej me emrin “Kara Toprak” që në gjuhën shqipe dmth. Dheu i Zi. Shih. BOA, MV. 81/42;  MV. 81/47; MF/MKT. 801/47), Vladinë (BOA, DH.MKT. 1563/78; DH.MKT, 950/39; MF.MKT. 305/67; MV. 62/96; Y..MTV. 99/44; A.MKT.MHM, 502/21; İşkodra Vilayeti Salnamesi h.1310/1892, f. 80), Matagush (BOA, Y..PRK.ASK. 158/32; MF.MKT.  305/67; ŞD. 432/2; DH.MKT, 1278/37; DH.MKT. 1005/64; BEO. 1860/139473; İşkodra Vilayeti Salnamesi 1310/1892, f. 80), Shipshanik (BOA, 3212/240893; BEO, 853/63932; İşkodra Vilayeti Salnamesi h.1310/1892, f. 80), Vranjë (BOA, DH.MKT. 1005/64; HR.SYS. 148/18). Po ashtu shumë dokumenta nga arkivi na bëjnë me dije se edhe malësitë e Hotit (BOA, MV. 87/63; BEO, 786/58876; DH.MKT.  466/68; BEO, 1741/130509; DH.MKT. 466/68), Grudës (BOA, MV, 87/63; BOA, MV. 81/42; DH.MKT.  466/68; DH.MKT. 466/68), dhe Kastratit (BOA, BEO, 1954/146545; BEO, 1963/147153; BEO, 1988/149096) ishin pjesë e kësaj kazaje.

Edhe salnamet e Vilajetit të Shkodrës 1892/1310 dhe 1894/1312 na rrëfejnë për  kazanë e Tuzit ku sipas tyre ajo ndodhej në veri të këtij vilajeti në kufi me Malin e Zi. Tuzi përfshinte fshatrat Matagush, Vladine, Shipshanik, Dinoshë, malësitë e Hotit dhe të Grudës nga ku në të parin bënin pjesë fshatrat Rapshë, Trabojin, kurse në Grudë përfshihej fshati Kshevë, si edhe bajraqët e Tuzit. (İşkodra Vilayeti Salnamesi 1310/1892, f. 80; İşkodra Vilayeti Salnamesi h.1312/1894, f. 85) Sipas këtyre salnameve edhe Helmi (BOA, ŞD.  575/28) ishte pjesë e kësaj kazaje, dhe ishte 8 km. larg qendrës së Tuzit. Ai shërbente si liman i tij, pasi ndodhet në Liqenin e Shkodrës, dhe se nga Shkodra për këtu mund të lidheshin deri në katër mijë barka, thuhet në salname. (İşkodra Vilayeti Salnamesi h. 1310/1892, f. 80; İşkodra Vilayeti Salnamesi h. 1312/1894, f. 85). Po ashtu në këto salname thuhet se edhe mali i Deçiqit (në salname është i shkruar si Daçiq) ndodhej në lindje të kasabasë dhe ishte pjesë e kazasë së Tuzit. (İşkodra Vilayeti Salnamesi 1310/1892, f. 80; İşkodra Vilayeti Salnamesi 1312/1894, f. 85).

Sipas shumë dokumentave të arkivit dhe salnamëve të cekura më sipër kazaja e Tuzit e cila bënte pjesë në sanxhakun e Shkodrës posedonte organet e administratës publike lokale për kohën dhe rrethanat në të cilën ndodhej vilajeti dhe vetë Shteti Osman. Në të dyja salnamet janë të cekura institucionet publike më të rëndësishme të kësaj kazaje së bashku me zyrtarët e saj, kurse mospërmendja e organeve të tjera në salname, edhe pse ndoshta me rëndësi të madhe, nuk vjen si rezultat i kompetencave të cunguara të kazasë së Tuzit, pasi edhe në kazatë e tjera pothuajse vërehet e njëjta gjë, por plotësimi i nevojave të qytetarëve bëhej më anë të institucioneve publike të ngritura në qendër të sanxhakut në Shkodër. Shumë nga institucionet publike ndodheshin vetëm në qendër të sanxhakut të Shkodrës, nga ku ata i mbulonin nevojat e qytetarëve të kazave me anë të nëpunësve administrativë të rangut të dytë, duke i dërguar ata në këto kaza.

Në bazë të dokumentave të arkivit dhe salnameve të vilajetit të Shkodrës (İşkodra Vilayeti Salnamesi 1310/1892, f. 79-81; İşkodra Vilayeti Salnamesi, 1312/1894, f. 83-86) organet publike më të rëndësishme që një kaza kishte, e në mënyrë të veçantë ajo e Tuzit për të cilën ne po flasim, mund të renditen si më poshtë:

Kryetari-Kajmakami

Sipas rregullores për Administratën Publike të Provincave (vilajet) – 1871 nëpunësi më i lartë në nivelin provincial (vilajet) ishte Guvernatori, në nivel nën-provincial (liva) ishte Mytesarifi, në nivel distrikti gjegjësisht komuna ishte Kajmakami, nga ku këta nëpunës caktoheshin drejtpërdrejt nga sulltani dhe autoritetet qendrore. Më pas, në nivel nahije vinte Drejtori, dhe në nivel fshati, Muhtari (i zgjedhuri-kryeplak).

Fjala kajmakam rrjedh nga gjuha arabe kaim+makam, nga ku fjala kaim d.m.th. qëndrues në këmbë, zëvendës, mëkëmbës, kurse makam d.m.th. vend (Dizdari, po aty, f. 476), me një fjalë kryetar, i cili kishte edhe kompetenca ushtarake.

Kompetencat e kajmakamit ishin këto:

Drejtonte çështjet që kanë të bëjnë me pronësinë, financat, policinë, dhe detyra të tjera për të cilat kishte autorizim dhe kompetenca.

Me leje të mytesarifit, në kohë të caktuar mblidhte kuvendet e nahive për të zgjedhur drejtorët e tyre.

Zbatonte vendimet e miratuara në kuvendet e nahive, pasi ato të shqyrtoheshin në administratën e kazasë, si dhe pas marrjes së lejes nga sanxhaku.

Inspektonte zyrat e nahive, etj. (Ukkase Kadan, Hüdavendigar Vilayeti’nin Kuruluşu, Teşkilat ve İdresi, f. 85).

Mbi bazën e dokumentave dhe salnameve që na rrëfejnë çështje nga më të ndryshmet për këtë kaza lehtësisht mund të nxirren emrat e kajmakamëve ndër vite në këtë kaza. Ata janë:

Haxhi Osman Pasha (BOA, İ.DH. 789/64127).

Kajmakam vekili Halil Efendi Podgoriçani, i cili që shpërngulur në Shkodër më përpara, emërohet në detyrën e kajmakamit në kazanë e Tuzit (BOA, Y..A…RES. 11/61; DH.MKT. 1338/22)

Më pas në këtë detyrë vjen kajmakam Halil Shahab Beu (BOA, İ..DH..869/69494).

Kajmakam vekili Shaban Bej (BOA, Y..A…RES. 19/47; İ..DH..911/72392; İ..HR..295/18643).

Pasi kajmakami i Tuzit Shaban Beu shkarkohet, në vend tij vjen kajmakami i Shijakut Velijudini, ndërsa ky i Tuzit emërohet në kazanë e Krujës, kurse ish kajmakami i Krujës Sherif Efendiu që emëruar në kazanë e Shijakut (BOA, DH.MKT. 1842/47).

Më pas si kajmakam i kësaj kazaje që emëruar oficer-binbash Halil Beu (BOA, İ..DH..1266/99582; İşkodra Vilayeti Salnamesi h.1310/1892, f. 80).

Në vitin 1893 u emërua oficer Salih Efendiu (BOA, BEO, 417/31215; İ..DH.. 1363/1316/Za-43; İşkodra Vilayeti Salnamesi h.1312/1894, f. 83). Pasi Salih Efendiu emërohet në Selanik, në vend të tij si zëvendës emërohet oficer Mustafa Efendiu (BOA, BEO, 1223/91710; DH.MKT.  2150/7; BEO, 1363/102194).

Më pas në këtë post emërohet oficer Mehmed Efendiu (BOA, DH.MKT, 993/40; İ..DH..1441/1323/Z-16).

Në vitin 1908/1326 në këtë detyrë emërohet Abdurrezak Efendiu (BOA, İ..DH..1464/1326/s-33).

Pas tij qe emëruar oficer Ismail Haki Beu (BOA, DH.MKT. 2697/99).

Pas tij që emëruar kapiten Qazim Efendiu (BOA, İ..DH..1473/1327/S-35; DH.MKT.2792/95).

Në vitin 1911/1329 në këtë post u emërua përkthyesi zyrtar i Vilajetit të Shkodrës Mihal Efendiu (BOA, İ..DH..1488/1329/B-06; BEO, 3915/293573).

Naibi apo gjykatësi i kazasë

Kazaja e Tuzit posedonte edhe Naibin apo Gjykatësin e kazasë, dhe sipas një dokumenti dhe salnameve të vilajetit të Shkodrës të cekura më sipër, këtë post e mbulonte Ibrahim Sidki Efendiu (BOA, MF.MKT, 175/61).

Drejtoria fiskale

Organ publik tjetër me rëndësi në kaza pas naibit ishte edhe Drejtoria Fiskale. Detyrat që kishin këta drejtor mund t’i përmbledhim në dy pika:

Zbatonte vendimet e marra për kazat në bazë të rregullores së vilajetit për çështjet e financave.

Në çështjet e llogarive, zbatonte vendimet e dhëna nga kontabilisti apo llogaritari (muhasebexhiu) i sanxhakut nëpërmjet mytesarifit.

Sipas salnames së Vilajetit të Shkodrës më 1892, në krye të kësaj detyre figuronte Zejnelabidin Efendiu, kurse sipas asaj të vitit 1894 këtë detyrë e drejtonte Hasan Efendiu.

Sekretari i Shkrimeve Zyrtare

Po ashtu si detyrë publike me rëndësi në kazanë e Tuzit ishte edhe Sekretari (BOA, DH.MKT, 324/2), i cili kishte për detyrë:

Të shkruante të gjitha korrespondencat që zhvillonte kajmakami, mblidhte dhe i ruante të dhënat zyrtare.

Sekretarët e shkrimeve zyrtare punonin së bashku, po qe se ishte e nevojshme, me urdhër të kajmakamit, ndihmonin drejtorit e kazasë, seancat e kuvendit, si dhe zyrat e tjera te saj (Kadan, po aty, f. 86).

Sipas salnameve të cekura më sipër në vitet 1892 dhe 1894 në krye të kësaj detyrë qëndronte Hasan Hysni Efendiu.

Nëpunësit e pasurive të paluajtshme të kazasë dhe ata të gjendjes civile (BOA, DH.SN..THR, 13/31).

Nëpunësit e pasurive të paluajtshme në kaza dhe ata të gjendjes civile kishin këto detyra:

Mbanin regjistrat e kadastrave.

Hulumtonin ngjarjet që kishin të bënin me pasuritë e paluajtshme dhe të gjendjes civile.

Në përputhje me legjislacionin mbanin listat në afate cë caktuara.

Rregullonin letërnjoftimet dhe pasaportat (Kadan, po aty, f. 86).

Kuvendi apo Këshilli Drejtues i Kazasë

Këshillat drejtuese të komunave nën kryesinë e kajmakamit përbëheshin nga drejtori i Drejtorisë Fiskale, Sekretari i shkrimeve zyrtare, Gjykatësi i Kazasë (Naip), myftiu dhe udhëheqësit fetarë të komuniteteve të tjera fetare, vasalët civilë dhe katër anëtarë të zgjedhur (dy muslimanë dhe dy jomuslimanë, ndonëse nuk ishte një rregull strikt). (Kadan, po aty, f. 94).

Sipas salnameve të vilajetit të Shkodrës Këshilli Drejtues i Kazasë së Tuzit kishte gjashtë këshilltarë, anëtar (sipas salanameve të vilajetit të Shkodrës (1892 dhe 1894) kazatë që i përkisnin sanxhakut të Shkodrës kishin kuvendet apo këshillat drejtuese lokale, nga ku kazaja e Tuzit kishte gjashtë anëtarë, Lezha shtatë, Kruja tetë, Puka pesë dhe Mirdita shtatë. Shih. İşkodra Vilayeti Salnamesi h. 1310/1892, f. 79-99) nga ku në krye të tij qëndronte kajmakami, duke e pasuar gjykatësi i kazasë (Naip), drejtori i drejtorisë fiskale, sekretari i shkrimeve zyrtare, kurse për sa i përket dy antarëve të tjerë në kuvendin drejtues të kazasë së Tuzit mund të pohohet se ata ishin vendas, pasi pas emërave të tyre është i shtuar mbiemri “Aga”, nga ku kuptohet se aga ishte pronar tokash, i cili mbarështonte këto në mënyrë feudale; emërtoheshin edhe njerëzit esnafë (lonxha), paria e vendit, katundit, si edhe ishte titull fisnikërie i trashëgueshëm (Dizdari, po aty, f. 6). Sipas salnames së vitit 1892 nga civilët si anëtarë në kuvendin drejtues të kazasë figuronte Haxhi Hysejin Aga dhe Hasan Aga, kurse sipas asaj të vitit 1894 në vend të tyre qenë emëruar Haxhi Ahmet Aga dhe Çun Aga.

Kuvendi i kazasë vëzhgonte dhe vendoste sipas kompetencave të veta për çështjet që kishin të bënin me:

Procedurën administrative,

kontrollonte të hyrat dhe të dalurat e kazasë,

merrte masa për sigurimin e shëndetit,

ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve komunale, të rrugëve që lidhnin fshatrat dhe nahitë, etj.,

kuvendi kishte të drejtën e inspektimit të kontratave dhe shitjet që bëheshin brenda kompetencave të kajmakamit,

kontrollonte arkën e të ardhurave të përgjithshme,

administronte dhe ruante pasurinë e qeverisë,

me vendim të kuvendit të sanxhakut siguronte shpërndarjen e taksave të kazasë për lagjet dhe fshatrat,

kuvendi kishte për detyrë të lajmëronte kajmakamin me shkresë për vendimet e marra, etj. (Kadan, po aty, f. 94).

Gjykata e Shkallës së Parë – Mahkeme-i Bidayet

Ashtu si kazatë e tjera, edhe ajo e Tuzit posedonte Gjykatën e Shkallës së Parë, e cila sipas një dokumenti të vitit 1886 figuronte në këtë vend (BOA, MV, 20/62). Në krye të saj qëndronte gjykatësi i kazasë (Naibi).

Menjëherë pas tij vjen Hetuesi (Mystanıku), i cili në fillim merrte nën hetim të pandehurin dhe hapte seancat gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë. Sipas salnames së vitit 1892 hetuesi i kësaj gjykate quhej Mehmed Efendi. Sipas hierarkisë, pas tij vjen ndihmës hetuesi ku sipas po të njëjtës salname në këtë post figuronte Et’hem Efendiu.

Sipas salnames së vitit 1892 Gjykata e Shkallës së Parë posedonte edhe një anëtar, nëpunës. Kurse sipas asaj të vitit 1894 si anëtar në këtë gjykatë që emëruar Mal Gjoku Aga.

Gjykata e kazasë së Tuzit kishte edhe Katibin apo mjeshtrin e shkrimeve zyrtare, ku sipas salnameve të mësipërme këtë detyrë e mbulonte Shyqyri Efendiu.

Kjo gjykatë po ashtu posedonte edhe Portirin apo Mybashirin, i cili ndihmonte gjykatësin në seancat gjyqësore duke thirrur dëshmitarët dhe personat e dyshimtë. Në vitet 1892 dhe 1894 në këtë detyrë figuronte Zejneli i biri i Ibrahim Agës (İşkodra Vilayeti Salnamesi 1894/1312, f. 79).

Zabita apo Drejtoria Policore

Zabitat janë nëpunës, policë, të cilët kishin për detyrë të siguronin rendin dhe të ruanin qetësinë brenda vendit. Në krye të kësaj detyre qëndronte togeri, ku sipas dy salnameve të mësipërme në krye të kësaj drejtorie figuronte Mehmed Efendiu.

Detyrat që kishte Drejtoria Policore ishin:

Të hetonte krimet dhe ta lajmëronte kazanë,

Të zbatinte urdhrat e dhëna nga kajmakami për çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rendin publik, etj.

Drejtoria e Postës dhe Telegrafit

Ashtu si çdo kaza tjetër edhe ajo e Tuzit posedonte nëpunësin zyrtar të postës dhe telegrafit, ku sipas një dokumenti dhe salnameve (1892, 1894) në këtë detyrë ishte Hysejin Efendiu (BOA, BEO, 187/13971). Kurse nga salnameja e vitit 1894 vërehet se përveç nëpunësit Hysejin Efendi figuronte edhe përgjegjësi për Korrespodencat me jashtë, Dikran Efendiu.

Drejtoria e Borxheve të Përgjithshme

Kazaja e Tuzit si organ publik tjetër me rëndësi posedonte edhe Drejtorin e Borxhëve të Përgjithshme, nga ku në vitet 1892 dhe 1894 këtë dëtyrë e drejtonte nëpunësi zyrtar Zejnelabidin Efendi. Kjo drejtori kishte edhe Anbarxhiun, i cili siguronte depot e të korrurave dhe mallrave, nga ku në këto vite si përgjegjës i saj ishte Hasan Efendiu.

Drejtoria e Doganave

Sipas salnames së Shkodrës në vitin 1892 si nëpunës i Drejtorisë së Doganave figuronte Abdyl Sabri Efendiu.

Dy vjetë më pas në salnamen e Shkodrës vërehen disa zyra doganore që i përkisnin kazasë së Tuzit, ku sipas kësaj salnameje në doganat e kazasë së Tuzit figurojnë këta nëpunës:

Nëpunëi i doganës në Tuz ishte Akif Beu,

Nëpunësi i doganës në Dinoshë ishte Hasan Efendiu,

Nëpunësi pranë Urës së Cemit ishte Athem Efendiu,

Nëpunësi në Matagushë ishte Halil Beu,

Nëpunësi në Vladinë ishte Osman Beu,

Nëpunësi pranë limanit të Helmit (BOA, ŞD. 575/28) qe Sadik Efendiu.

Në bazë të materialit të cilin e paraqitëm në dy numrat vijues dhe në bazë të të dhënave të shfrytëzuara nga arkivi osman i kryeministrisë në Stamboll dhe salnameve të vilajetit të Shkodrës, vërehet qartë se në ato vite ekzistone administrata lokale e Tuzit, e cila nën autoritetin e vet kishte pushtetin lokal, edhe pse në atë kohë pushteti osman tentoi ta centralizonte pushtetin e vet.

Duhet theksuar se që nga periudha e Tanzimatit pushteti osman filloi që të centralizohet në të gjitha sferat, duke filluar nga legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, nga ku ndikoi edhe në mënyrën e organizmit administrativ të provincave. Por me rregulloret e miratuara, duke filluar nga ajo e vitit 1864 për “Rregulloren Administrative Povinciale (vilajet)”, e duke vazhduar me atë të vitit 1871, nga ku kjo e fundit prezanton një plan të ri për ndarjen e punës në provinca në mënyrë që ndikimi dhe kontrolli i autoriteteve qëndrore të rritet.

Siç duket nga ky material është e qartë se edhe interesi i administratës shtetërore në këtë kohë ishte Tuzi i ngritur tani në rang komune. Administrata e mirorganizuar e organeve të komunës së Tuzit arriti të krijonte një qeverisje lokale  në interes të popullit të malësisë dhe qendrës. Nga materiali i dokumentuar mund të pohohet se administrata lokale e Tuzit edhe pse me vonesë u formua, dhe Shteti Osman i ka kushtuar kujdes organizimit të adminsitratës publike vendore, i cili do të mbulonte çdo sferë të jetës nga kajmakami e deri tek portiri, siç janë kuvendi drejtues i kazasë, gjykata e shkallës së parë, drejtoria fiskale, policia, nëpunësit e kadastrës dhe gjendjes civile, drejtoria e postës dhe telegrafit, zyrat e doganave, depot e mallrave, etj.

Gjithashtu kemi pohuar se mospërmendja e institucioneve të tjera në salname, edhe pse të rëndësishme ndoshta, nuk vjen si rezultat i kompetencave të cunguara të kazasë së Tuzit, pasi edhe në kazatë e tjera pothuajse vërehet e njëjta gjë, por që nevojat e banorëve të kësaj kazaje realizoheshin duke dërguar nëpunës të administratës që kishin varësi direkte ndaj sanxhakut të Shkodrës.

Sa i përket kombësisë së nëpunësve të organeve publike në komunën e Tuzit nevojiten studime që do të hartoheshin duke shfrytëzuar burime të cilat do pasqyronin përkatësinë kombëtare të tyre. Në dokumentet e arkivit osman ashtu si dhe në salnamet e vilajetit të Shkodrës nuk ceket përkatësia kombëtare e nëpunësve, dhe se ne në këtë material jemi përpjekur që të argumentojmë ekzistencën dhe funksionimin e organeve administrative të komunës së Tuzit.

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top