Friday , November 27 2020
Lajmi i fundit

Musa Qazim Qatiq (1878-1915): TEUBE-I NESUH

O Zot, ja, në sexhde t’ qëndroj
I përulem të përhershmës Tënde mirësi
Edhe lutjen në vargje ta drejtoj
Duke lutur, ah, më jep ndjenjë për bukuri
O Zot, ja, në sexhde t’qëndroj.

Ti e di se isha i pastër sikur loti
Dhe si freskia në pranverën e parë
Por njerëzit që në gjuhë mbajnë mjaltë
Më dhanë helm në bokall të larë
Edhe pse isha i pastërt sikur loti.

Dhe atëherë u largova nga rruga Ytë
Duke ndjekur pas rrugën ë errësisë
Ah, epshi arsyen filloi ta mbytë
Që t’i nënshtrohet zjarrit të ligësisë
Dhe unë u largova nga rruga Ytë.

Besimin dhe shpresën nga zemra e kisha humbur
Dhe dashurinë time mëkati e nxiu
U bëra mendjemadh, i vrazhdë, i dehur
Që jep çdo gjë për pak verë e ziu
Besimin dhe shpresën nga zemra e kisha humbur.

Dhe adhurova Bakun si qenje e shenjtë
i puthja me buzë këmbët Venerës
shkatërrova jetën time të shtrenjtë
e solla atë në buzë të humnerës
Duke adhuruar Bakun si qenje e shenjtë.

Çdo urrejtje nga pas më vinte mua
Dhe miqtë largoheshin nga hija ime
Më largohej çdo e ndershme grua
Ah, i mjeri unë, i gjori në rënkime
Ngase urrejtja njerëzore me ndiqte mua.

Unë tash nën mbrojtjen Tënde vrapoj
Dhe të Kur’anit, fjalës Tënde të përkryer
O Zot, mi fal mëkatet mua kërkoj
Dhe më shëro shpirtin e urryer
Unë, pra, në mbrojtjen Tënde vehtën strehoj.

O Zot, arsyen tani ma ndriço
Dhe më jep vullnet të fortë dhe dëshirë
që t’i mundë djajtë Ti më forco
Mirësia Yte le t’më ndirçojë në errësirë
O Zot, tani arsyen ma ndriço.

Fryeji zjarrit tim të vjetër të përshpirtmërisë
Ma kthe çdo dhuratë që kisha dhe dashurinë
dhe në gurë të thyej gotën e ligësisë
të rrëmbej nga Venera gjithë mirësinë
Oh, fryeji zjarrit tim të përshpirtmërisë.

O Zot, ja, në sexhde t’ qëndroj
Kërkoj falje të përhershmës Tënde mirësi
Edhe lutjen në vargje ta drejtoj
Duke lutur, ah, më jep ndjenjë për bukuri
O Zot, ja, në sexhde t’ qëndroj.

Përktheu: Medjen Shaptafa

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top