Tuesday , March 19 2019
Lajmi i fundit

Mustafa Canka: LUFTA PËR ULQIN 1880

Me marrëveshjen e Berlinit ishte paraparë që Mali i Zi të fitojë Plavën dhe Gucinë, gjë që pranoi edhe princi Nikolla sepse “kjo e ofronte qytetin e rëndësishëm, Prizrenin”. Mirëpo, nën komandën e Ali Pashë Gucisë vendasit e këtyre vendbanimeve, të përkrahur nga Lidhja e Prizrenit, u kundërvunë me armë. E njëjta gjë ndodhi edhe në pranverë të vitit 1880 kur u bë marrëveshja, me propozimin e ambasadorit italian në Stamboll, grofit Luigji Korti, që Malit të Zi, si zëvendësim për Plavën dhe Gucinë, t’i dorëzohet Hoti dhe Gruda. Andaj fuqitë e mëdha, me propozimin e konsullit britanik dhe atij austriak në Shkodër, Kirbi Grin dhe Fridrih Lipih, i sugjeruan Portës që Malit të Zi t’i jepet Ulqini me rrethinë deri në deltën e Bunës “aq më parë sepse popullata e atjeshme është sllovene, e jo e kombësisë shqiptare”. Propozimin ambasadorët e fuqive të mëdha ia dorëzuan Portës së Lartë më 26 qershor. Mirëpo, shefi i diplomacisë turke Abedin Pasha u përgjigj se “popullata e Ulqinit është tërësisht e fesë islame dhe se Porta nuk mund të pranojë këtë propozim”. “Ulqini dhe rrethina e tij me popullatën e cila tërësisht është me fe myslimane, gjithmonë janë njohur si pjesë të Shqipërisë Veriore dhe prandaj është tërësisht e natyrshme se ky qytet edhe për shqiptarët është shumë më i rëndësishëm sesa regjioni i Hotit dhe Grudës të cilët do të duhej t’i lihen Malit të Zi sipas marrëveshjes nga 18 prilli”, theksohet në notën e cila iu dërgua ambasadorëve të fuqive të mëdha.

Mirëpo, presioni ndaj Portës rritej. Anglezët dhe fuqitë e mëdha kërcënonin se do të dërgojnë flotën, ndërsa më vonë do të “pushtojnë Izmirin, e mbase edhe Selanikun, në qoftë se Ulqini nuk i dorëzohet Malit të Zi”. Rriten edhe problemet në lidhje me caktimin e kufijve në jug të Shqipërisë me Greqinë, prandaj Porta në mbledhjen e datës 24 korrik bie këtë vendim: “Për të mos dhënë shkas për intervenim, e shohim të arsyeshme që kjo çështje të përfundojë dhe qeverisë malazeze t’i jepet Ulqini, siç kishin propozuar ambasadat”. Tri javë më vonë në letrën e Portës drejtuar fuqive të mëdha përsëritet se “vendimi për flijimin e një qyteti aq të rëndësishëm siç është Ulqini u muar vetëm dhe ekskluzivisht nga shkaku që të pengohen konfliktet e reja dhe mosmarrëveshjet e reja”.

Pesë muajt në vazhdim Evropën e tronditi “kriza e Ulqinit”. Ulqinakët nuk dëshironin “në shtetin me të cilin nuk kanë kurrgjë të përbashkët”. Disponimi i tyre e përcolli gazetari francez Leon Igone duke cituar deklaratën e një ulqinaku: “Kur erdhën malazezët në këtë qytet, ata u sollën bukur, nuk rrënuan dhe paguan çdo gjë që merrnin për nevojat ushtarake apo shtetërore. Nëse na dorëzojnë tek ata, ne nuk do t’i kundërshtojmë kësaj, mirëpo ne në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë me dëshirën tonë t’i bashkohemi këtij shteti të varfër. Kjo tokë e mjerueshme nuk do të mund të ushqejë popullatën e vet të cilët pjesërisht do të jenë barrë e jona. Dhe kjo do të na bëjë edhe më fatkëqinjë”.

Posa morën vesh për planin e dorëzimit të qytetit, në Ulqin u formua Shtabi i Lidhjes së Prizrenit i cili e mori pushtetin. Disa qindra shqiptarë nën komandën e Jusuf Agë Sokolit morën, më 17 shtator, të gjitha pikat kryesore në qytet dhe u përgatitën për mbrojtjen e tij. Shtabi dispononte me rreth dymijë njerëz, nga të cilët 800 ishin ulqinakë; pjesën tjetër e bënin shkodranët dhe anamalasit. Ushtria turke mbeti e mbyllur në kazerma, ndërsa më vonë u tërhoq nga qyteti.

“Ne kemi vendosur të luftojmë kundër kujtdo qoftë që dëshiron ta ndajë qytetin tonë. Është e pamundur për ne që të jetojmë nën qeverisjen e shtetit për natyrën e të cilit nuk dimë asgjë dhe ligjet e të cilit nuk na pëlqejnë, në një shtet me të cilin nuk kemi kurrgjë të përbashkët”, thuhet në letrën e ulqinakëve dërguar zyrtarëve turq, ndërsa në letrën drejtuar fuqive të mëdha thuhet: “Pasi që ky popull i pafuqishëm me shekuj ishte nën dominimin e sulltanit shumë të nderuar dhe pasi që gjuha, doket dhe feja e tij (këtij populli) janë të kundërta me ata të Malit të Zi, pranojmë që më parë të vdesim dhe të fshihemi nga faqja e tokës sesa që qyteti jonë t’i bashkëngjitet Malit të Zi”.

Më tre gusht fuqitë e mëdha thirrën Portën që të shtypë rezistencën e ulqinakëve dhe që këtë qytet t’ia dorëzojë Malit të Zi. Porta dërgoi gjeneralin Riza Pashën në Shkodër me tremijë ushtarë, por misioni i tij nuk dha rezultate. Në mbledhjen e mbajtur në Berlin, më 20 gusht, ambasadorët e gjashtë fuqive të mëdha vendosën që në fillim të shtatorit të ndërmarrin aksionin detar në ujërat e Ulqinit. Nën komandën e admiralit anglez Sejmur u gjenden tri anije franceze nga dy angleze, austriake dhe italiane, si dhe nga një anije e madhe luftarake ruse dhe gjermane. Ky ishte demonstrimi i parë ndërkombëtar i këtij lloji!

E ballafaquar me presionin e fuqive të mëdha, Porta, kah fundi i tetorit të vitit 1880, ndërron guvernatorin e Shkodrës Riza Pashën dhe në vend të tij emëron vezirin e deriatëhershëm në Selanik, mareshalin Dervish Pashën.

Ai ishte i vendosur. Me vete mori ushtrinë prej dymijë ushtarësh dhe 900 regrutësh. Me dy fregata, “Stamboll” dhe “Mexhidije”, më 4 nëntor u paraqit përballë Ulqinit. Mirëpo Lidhja nuk e lejoi që të ndalet, prandaj dhe u largua për në Shëngjin ku trupat e tij zbarkuan dhe vazhduan në drejtim të Shkodrës. Menjëherë porsa erdhi në Shkodër shpalli gjendje lufte dhe urdhëroi që vullnetarët, të cilët mbanin Ulqinin, të tërhiqen nga qyteti.

                                                                        Fregata Mexhidie përballë Ulqinit

Komiteti i Lidhjes për Mbrojtjen e Ulqinit në letrat drejtuar konsujve të huaj në Shkodër shprehi gatishmërinë që qyteti të mbrohet, ndërsa ata, njëkohësish, u përpoqën që të fusnin përçarje në mes Komitetit Krahinor të Shkodrës. Dhe në këtë patën sukses sepse, në tubimin e Lidhjes Shqiptare në Dibër, kah fundi i nëntorit, me shumicë votash u vendos që mos të dërgohet ndihmë në Ulqin, ndërsa më 17 nëntor shumica e anëtarëve të Komitetit të Shkodrës njoftuan se heqnin dorë nga rezistenca me armë në rastin e Ulqinit. Këtë e shfrytëzoi Dervish Pasha dhe më 22 nëntor urdhëroi njësitë që të lëvizin drejt Ulqinit.

Të lënur pa ndihmë, mbrojtësit, të prirë nga Mehmet Beci, Mehmet Gjyli dhe myftiu hafëz Sali Hyli, e patën të vështirë të rezistojnë ndaj ushtrisë së rregullt të Dervish Pashës, i cili, me urdhrin e Portës, u përpoq që tërë operacionin ta kryejë “pa derdhur gjak”. Përpjekjet për të bindur prijësit e mbrojtjes së qytetit që në qetësi të pranojnë dorëzimin e tij, refuzohen. Pas një lufte të shkurtër afër Klleznës, në të cilën mbrojtësit patën 50 të vdekur, ndërsa turqit 9 të vrarë dhe 32 të plagosur, ushtria turke, më 23 nëntor hyri në Ulqin. Duke thirrur ulqinakët që t’i binden urdhrit të Portës, Dervish Pasha në urdhëresën e vet theksonte se dorëzimi i qytetit nuk mund të jetë i revokueshëm, si dhe do të dënohen ashpër të gjithë ata të cilët nuk i binden këtij akti. Në fshatin Kunje, Niko Matanoviqi dhe Bedri Begu, më 25 nëntor arritën marrëveshjen për mënyrën e pranim-dorëzimit i cili do të bëhej ashtu që trupat malazeze do të marrin territorin duke lëvizur me trupa turke në një largësi prej 500 metrash. Një ditë më vonë, të premten, më 26 nëntor (23. zul-hixhde 1297 sipas hixhrës), në orën katër pas dreke, ushtria malazeze hyri në Ulqin.

Ulqini, pra, u flijua nga Lidhja Shqiptare dhe bashkësia ndërkombëtare. Lidhja me këtë lëshim mendonte se do të fitojë përkrahjen e Perëndimit për krijimin e Shqipërisë Autonome në kuadër të Perandorisë, ndërsa fuqitë e mëdha më nuk dëshironin të durojnë blamazhën që përjetuan rreth Gucisë dhe Malësisë.

“Vija kufitare tërësisht në rregull ia dha Tivarin Malit të Zi, por për këtë hapësira e Ulqinit u nxor me dhunë nga thurjet ekonomike të rajonit të Shkodrës dhe iu bashkëngjit krijesës së huaj shtetërore”, shkruante dijetari çek Viktor Dvorski duke theksuar që për malazezët Ulqini ishte “i largët, i huaj përnga gjuha, feja dhe mundësitë ekonomike”.

Pas hyrjes së trupave malazeze Ulqinin e braktisën 413 familje me rreth tremijë anëtarë, që bënte madje 40 për qind të popullatës qytetare, të cilët kryesisht u shpërngulën në Shkodër dhe Durrës. Pronat e tyre i morën malazezët. Disa ardhacakë merrnin gurët nga bedenat e Kalasë për të ndërtuar shtëpitë e tyre.

Në letrën që në mesin e dhjetorit ia dërgoi qeverisë nga Shkodra, Dervish Pasha shkruan se nga pikëpamja ushtarake rëndësia e Ulqinit është më e vogël se Gucia, Plava apo Tuzi, por është shumë më e madhe nga pikëpamja ekonomike. “Për këtë, fakti që ky qytet nuk gjendet më në duart tona, padyshim, është shumë i hidhur”, përfundon ai

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top