Monday , July 13 2020
Lajmi i fundit

N.Veliqi-Xh.Peroviq: Financimi i OJQ-ve nga buxheti i komunës – shpenzim apo investim?

Xhemal Peroviq, Nazif VeliqFinancimi i projekteve dhe programeve të OJQ-ve nga buxheti i Komunës së Ulqinit është një nga format e bashkëpunimit në mes të Qeverisjes vendore dhe organizatave të shoqërisë civile. Kjo formë e bashkëpunimit praktikisht do të thotë se Komuna e Ulqinit nga buxheti i vetfinancon realizimin e projekteve të OJQ-ve lokale.

Shtrohet pyetja: a është Komuna e detyruar për të mbështetur projektet e OJQ-ve dhe organizatat që marrin fonde nga Komuna, a e zvogëlojnë me këtë pavarësinë në veprimin dhe angazhime vet kritik?

Këto çështje janë aktuale sa herë që ka një shpërndarje të re të fondeve apo një shpallje publike.

Financimi i OJQ-ve nga buxheti i Komunës – e drejtë apo mundësi!?

Parimi kryesorë i financimit publik është se kjo është një mundësi dhe jo e drejtë e organizatave joqeveritare. Megjithatë, kur vetëqeverisja lokale vendosë të mbështesë projekte dhe programe të OJQ-ve dhe këtë çështje e rregullon me një vendim të veçantë, atëherë është e detyruar ta zbatojë këtë vendim. Financimi i projekteve të OJQ-ve në Mal të Zi është i rregulluar me Ligjin për Organizatat Joqeveritare, Ligjin për Lojëra te Fatit, Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave. Asnjë nga ligjet e përmendura nuk zbatohet në mënyrë adekuate, gjë të cilën e dëshmojnë raportet e institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare (Raporti i Progresit për Malin e Zi, Raporti i Departamentit të Shtetit), që tregojnë marrëdhënien e qeverisë qendrore dhe atyre lokale ndaj çështjes së qëndrueshmërisë financiare të sektorit joqeveritar.

Le të qëndrojmë në nivelin lokal. Organizatat të cilat fitojnë mbështetje financiare nga buxheti i Komunës së Ulqinit, në mënyrë transparente, në përputhje me kriteret dhe rregullat saktësisht të përcaktuara, nuk e humbin aspak pavarësinë në veprimtarinë e vet. Kjo mund të ndodhë vetëm kur Komuna, me vendim të Kryetarit, jashtë procedurave dhe rregulloreve, ndanë mjete financiare për OJQ-të.Atëherë ekziston mundësia të shfrytëzohen mekanizma të dyshimtë për “zbutjen” e OJQ-ve, pavarësisë së tyre, lirisë së shprehjes dhe në mënyrë indirekte të krijohet një sektor qeveritarë-joqeveritarë, në nivelin lokal.Pavarësinë dhe autonominë e OJQ-ve në funksionimin e tyre, askush nuk mund ta kërcënojë, përderisa organizata nuk është e gatshme që për ndonjë arsye ta sakrifikojë këtë. Kështu, vet fakti që një OJQ fiton mbështetje për një projekt nga buxheti i Komunës, në asnjë rast nuk do të thotë se ajo në të njëjtën kohë bëhet më pak e pavarur dhe më shumë “qeveritare”.

Procesi i ndarjes së mjeteve para se gjithash duhet te bazohet në kriteret që garantojnë cilësinë e projekteve. Një parakusht i rëndësishëm është që projektet që financohen nga buxheti i Komunës me mjetet e taksapaguesve,të jenë në interesin e përgjithshëm publik dhe të jenë të lidhur drejtpërdrejtë me politikat publike,vendimet e Komunës, planet,programet dhe strategjitë lokale. Ne këtë mënyrë OJQ-të njihen si subjekte të cilat kontribuojnë në realizimin e politikave publike dhe si servise për qytetarë. Të gjitha fazat e ndarjes së fondeve duhet të vihen në dispozicion të publikut dhe cilësia e projektit duhet të vlerësohet nga një komision i veçantë.

Në anën tjetër, Administrata e Komunës duhet të monitorojë e të kontrollojë realizimin e mjeteve që ka dedikuar për OJQ dhe të vlerësojë ndikimin e projekteve të tyre në komunitet.

Prandaj edhe organizatat joqeveritare me seli në Ulqin, përmes formave që parashihen me Statutin e Komunës, kërkojnë me nxitim që Komuna e Ulqinit sa më parë të formojë komisionin për vlerësimin e projekteve të OJQ-ve dhe njëkohësisht të shpallë konkursin për ndarjen e mjeteve të parapara me buxhetin e Komunës për vitin 2016. Urgjencën e këtyre veprimeve e bën fakti që në vjeshtën e këtij viti mbahen Zgjedhjet Parlamentare në Mal të Zi. Kjo ka bërë që të gjitha institucionet e shtetit dhe të gjitha vetëqeverisjet lokale në vend, obligimet ndaj OJQ-ve t’i realizojnë përpara se të shpallen Zgjedhjet, pasi atëherë këto veprime janë të ndaluara me ligj.

Financimi i OJQ-ve – shpenzim ose investim

Financimi i projekteve të OJQ-ve nga buxheti i Komunës së Ulqinit,në mënyrë të veçantë “vuan” nga qasja e gabuar për këtë çështje si dhe nga retorika që përdoret për marrëdhëniet Komunë–OJQ. Kjo qasje është e bazuar në supozimin e gabuar se OJQ-të kërkojnë vetëm para dhe pastaj Komuna ose iu jep ose nuk iu jep. Retorika e tillë çon në trajtimin e OJQ më shumë si një objekt të buxhetit, kosto e pashmangshme që Komuna vazhdimisht tenton ta reduktojë.

Por, financimi i OJQ-ve nga buxheti i Komunës, duhet të paraqesë realizimin e politikave dhe shërbimeve publike të Qeverisjes vendore. Prandaj, në qoftë se financimi i tillë kuptohet dhe organizohet mirë nga Administrata e Komunës, atëherë kjo nuk përfaqëson një shpenzim, por në të vërtetë një investim në zhvillimin e komunitetit në fusha të ndryshme.Organizatat joqeveritare nuk janë dhe nuk duhet të trajtohet si kategori sociale. Ndarja aktuale e fondeve për projektet e OJQ-ve, për fat të keq, krijon një pamje të tillë të sektorit joqeveritar. Për shkak se ajo bëhet në bazë të parimit “të gjithëve nga pak” pa një vizion të qartë të asaj se si në këtë mënyrë mund të zhvillohet sektori jo-qeveritar, pa sqaruar se cilat politika dhe shërbime zbatohen,në mënyrë që OJQ-të mund të sigurojnë rezultate sa më të mira nga të cilat do të përfitonin grupe të ndryshme në komunitet. OJQ-të nuk kanë nevojë për mëshirën e pushtetit dhe veçanërisht është e rrezikshme nëse OJQ-të vetë e mbështesin një politikë të tillë. Kjo nuk do të çojë në respekt më të lartë, pavarësi, profesionalizëm dhe cilësi të programeve të OJQ-ve. Përkundrazi.

Nazif Veliqi – OJQ “Horizonti i Ri”

Xhemal Peroviq – Asociacioni “MOGUL”

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top