Wednesday , April 24 2019
Lajmi i fundit

Në ishullin Ada: ME 24 DHE 25 MAJ DO TË MBAHET SEANEMA GREEN

SeanemaOJQ Unë veproj dhe Seanema Green kanë përgatitur një program filmik dhe diskutime të hapura me publikun rreth rëndësisë së mbrojtjes efektive dhe aplikimit të masave të qendrueshme për ruajtjen e mjedisit natyror, në bashkëpunim me Green Culture Forum i cili do të zhvillohet të enjten dhe të premten, në ishullin Ada në Ulqin.

Ditën e enjte, datë 24 maj, OJQ Unë veproj është angazhuar që në bashkëpunim me shkollat e mesme, publike dhe private, si edhe me shkollat fillore në Ulqin, të shfaqë përpara nxënësve të tyre dokumentarin e National Geographic, “Before the Flood” (“Përpara përmbytjes”), i cili tregon rugëtimin e aktorit të njohur dhe të dashur për publikun, avokatin e zëshëm për mbrojtjen e mjedisit, Leonardo DiCaprio, në pesë kontinente për të parë nga afër efektet e ndryshimeve klimatike në Tokë. Qëllimi i këtij programi është të sensibilizojë nxënësit mbi kuptimin dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
Shfaqja do të fillojë në ora 11:00, në Sallën e madhe të Qendres për Kulturë në Ulqin. Në përfundim të filmit, Seanema Green do të ftojë folësit e Green Culture Forum, tre studiues nga Anglia, për të mbajtur diskutim të hapur me publikun.

Të enjten në mbrëmje, me fillim në ora 21:00, organizatorët do të mundësojnë për publikun shfaqjen e dokumentarit të Leonardo DiCaprio-s në ambientin e papërsëritshëm të ishullit Ada Buna, në plazhin “Barbana”. Shfaqjes së tij do t`i paraprijë një program special, dokumentari i realizuar nga Leeway Collective, “Një për lumin – Historia e Vjosës”, rreth historisë së lumit Vjosa parë nga një këndvështrim ndryshe mbi fatin e lumit të fundit të “egër” dhe “zemrës blu të Evropës”.

Të premtën në darkë, datë 25 maj, organizatorët kanë përgatitur shfaqjen e dokumentarit “retrospektiv”, “An Inconvenient Truth” (“Një e vërtetë e paleverdisshme”), të realizuar para një dekade, ku ish zëvëndëspresidenti amerikan Al Gore vazhdon luftën e palodhur
duke udhëtuar nëpër botë për të trajnuar një ushtri aktivistësh dhe për të ndikuar në politikat ndërkombëtare të klimës.

Seanema Green mundësohet në bashkëpunim me Green Culture Forum dhe me mbështetjen e Organizatës Turistike në Ulqin, Qendren Kulturore, Shoqatën Martin Schneider-Jacoby dhe partnerin mediatik Portali UL-Info. Kontribut të veçantë kanë dhënë shkollat e mesme, publike dhe private, si edhe shkollat fillore në Ulqin.

Hyrja është e lirë në të gjitha projeksionet!

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top