Saturday , December 14 2019
Lajmi i fundit

O.Bajraktari: KEMI NEVOJË PËR NDËRRIMIN E PUSHTETIT

Omer BajraktariJemi mbledhur sot këtu që të flasim për Ulqinin tonë që vuan tash 26 vite, por poashtu për Ulqinin tonë që shpreson. Jemi mbledhur të flasim për Malin e Zi sot, por edhe për Malin e Zi nesër, faqe e cila fillon të shkruhet me 16 tetor e që do të jetë nën kornizat euroatlantike.

Secili individ, qytetare dhe qytetarë, këtu në sallë apo jashtë, ka historinë personale, identitetin e vetë, rrugën e vetë, zgjedhjen e vetë. Por të gjithë ne i përkasim një qëllimi: të gjithë ne dëshirojmë një të ardhme më të mirë.

Shqiptarët që jetojnë në Ulqin, si dhe ato që jetojnë në viset tjera të Malit të Zi, por dhe diaspora jonë, bujarisht kanë mbështetur pavarësinë e Malit të Zi dhe janë krenar me atë veprim të cilin e kishim përsëritur edhe sot.

Por, të nderuar qytetarë, Ulqini dhe shqiptarët kanë nevojë për hapin tjetër të natyrshëm e demokratik, e ai është ndërrimi i pushtetit qendrorë. Ulqini ndoshta më shumë se asnjë komunë tjetër ka nevojë për ndërrim të pushtetit. Për këtë arsye ne edhe jemi këtu sonte, ta ndërrojmë fatin e këtij vendi. Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë e plotë për këtë hap dhe jemi të gatshëm plotësisht t’i përkushtohemi interesit të përgjithshëm.

Ulqini pik s’pari ka nevojë për një impuls të ri dhe të fuqishëm në sferën e zhvillimit ekonomik të bazuar në turizëm, bujqësi dhe në prodhim. Impuls që duhet të jetë i përqendruar në rritjen e standardit të të gjithë qytetarëve. Për këtë, synimi ynë kryesor është zhvillimi ekonomik dhe shtirja e resurseve tona, qoftë ata natyrore apo edhe njerëzore, në funksionin e krijimit të një ambienti jetësorë më të mirë për secilin qytetar.

Të nderuar qytetarë,

Të gjithë jemi dëshmitarë që këtyre ditëve, në Ulqin apo kudo tjetër bëhen premtime të llojllojshme, të përsëritura me qindra herë dhe me përmasa populliste. Por, një problem të madh kanë ato: kanë problem me kohën e koha ato vazhdimisht i demanton. Nuk munden të bëjnë premtime ato të cilët kanë pas gjithë kohën e kësaj bote që t’i realizojnë ato premtime.

Nuk munden ato të cilët kanë qenë arkitektë dhe artistë të shkatërrimit të hotelerisë së Ulqinit, të ndërtojnë asnjë hotel në Ulqin.

Nuk munden ato të cilët kanë shkatërrua Kriporen, të bëjnë ripërtrimin e saj.

Nuk munden ato të cilët e kanë pruar përqindjen e papunësisë në 25%, të çelin vende të reja pune. Ato munden dhe dinë vetëm të vazhdojnë kështu si deri tani, e ajo është shitja e mashtrimeve dhe manipulimeve.

Poashtu, edhe ato patriotët e vetëshpallur, dita ditës po e dëshmojnë se as nuk i prek aspak gjendja ekonomike e shqiptarëve në Mal të Zi. Nuk i duhen këtij qytet këto lloj patriotësh, të cilëve iu bie ndërmend për problemet tona vetëm kur është koha që dikush të bëhet deputet apo kryetar komune. Patriotizmin e tyre e keni këto ditë në letra apo në planin hapësinor, në të cilin çdo gjë ka ndërsa vetëm patriotizëm për Ulqin nuk ka.

Prandaj, të nderuar qytetarë, opsione për të vazhduar kështu keni shumë, e vetëm një keni për ndërrime, e ai opsion jemi ne.

 

(Fjalimi i mbajtur në tubimin parazgjedhor të Koalicionit të madh “Çelësi”, Ulqin, 30.09.2016)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top