Wednesday , April 14 2021
Lajmi i fundit

Paraqitje interkulturore: Bindi, gradinat, mogilat, tumulat…

Shasi 1Për shkak të pozitës gjeografike, themeluesit e Ulqinit për mbrojtës të qytetit zgjodhën zotin ilir të ujit, burimeve, detit dhe plleshmërisë i cili quhej Bindi (Bindus). Ai në literaturë shpesh barazohet me zotin romak të detit dhe burimeve Neptunin, gjegjësisht është konsideruar si hyjni e rangut të lartë.

Të gjitha këto e rrënjosen tek banorët vendas kulturën dhe kultin e ujit, prandaj krojet, të përshtatura në harmoni me ambientin, janë ndërtuar praktikisht në çdo hap. Në Tivar ekziston edhe Akvadukti i mrekullueshëm, në Ulqin ujësjellësi është nga periudha antike, ndërsa në të dy qytetet ekzistojnë hamamet. Uji është elementi themelor i këtyre qyteteve të lashta bregdetare. Ka shumë gojëdhëna të cilët flasin se njerëzit janë shëruar me efektet çudibërëse të burimeve të këtushme: nga ujërat e sulfurit në “Plazhin e Grave”, deri tek ujërat e gjelbra në Liman dhe në Valdanos ose 24 burime në malin Sumë dhe 365 burimeve të zanave në malin Sutorman. Në të folurin e popullatës së Ulqinit u ruajtën shumë gojëdhëna që kanë të bëjnë me Bindin, ndërsa imazhi i kësaj perëndie, siç mendon dr Ruzhdi Ushaku, është i gdhendur në bedenat jugor të Kalasë, mbi Molin e Madh.

Sesa ishin të lidhur paraardhësit tanë me kultin e tij tregon praktika e kahershme e pelegrinazhit herët në agim, zakonisht në kohën e hënës së re, në disa burime, që konsideroheshin shëruese. Në këto vende liheshin dhuratat në formë parash, ushqimit apo veshjeve për këtë hyjni si sakrificë për shërim dhe ndihmë.

Është interesant edhe kuptimi foljes bind në gjuhën shqipe, që do të thotë t’i mbushësh mendjen dikujt me arsyetime, me fakte dhe me prova, ndërsa në të folurin lokal ka domethënien edhe të mrekullisë. Mirëpo, mrekulli të vërteta janë disa ndërtesa megalite në këtë zonë – tempuj, objekte të shenjta, ndërtesa guri dhe tu[1]mulat (kodërvarre) nga periudha ilire. Këtë trashëgimi tonën historike – arkeologjike, këto dëshmi të shkëlqyera materiale për vazhdimësinë nga parahistoria deri në ditët e sotme, duhet zbuluar, kuptuar dhe përjetuar.

Përfaqësues unik të kësaj fuqie të përhershme janë muret magjepsëse ciklopike në Kalanë e Ulqinit. Sikur në qenien e këtij populli të mos ekzistonte mahnitja me gurin dhe fuqinë e tij magjike, askush s’ishte përpjekur që të gdhend deri në përsosmëri blloqet që stolisin themelet e kësaj fortese, e mos të flasim sesa organizim të lartë shoqëror kërkon një ndërmarrje e tillë monumentale pa të cilin diçka e tillë do të ishte e pamundur.

Çdo njëri i cili në vete mban qoftë edhe një grimë sensibiliteti metafizik për vendin e lashtë dhe për natyrën burimore, padyshim se do të ndjejë energjinë e fuqishme pozitive e cila karikohet nga elementi i pamjes mahnitëse nga këto vende në horizont.

Pra, kombinimi dhe simbioza ilire e ndërtimit të lashtë me ambientin natyror dhe gurin, thjeshtë paraqet një përsosmëri, një art të vërtet të ndërtimtarisë. Sepse, në vendet e tilla ku me zor mbërrin dhia, të ndërtosh diçka kaq mahnitëse, do të thotë, para së gjithash, të madhështosh natyrën e vërtet, e cila zbulon tërë atë bukurin e krijimit hyjnor.

Pelegrinazhin e tillë, përveç në Rumi, mund ta gjejmë edhe në Shushanj. Për festën katolike të Shëlbuemit (më 30 maj), banorët vendas i bartin gurët në Mogilën e Madhe, nga një për secilin anëtar të familjes dhe e vendosin në maje “në mënyrë që tufa të rritet”. Dhe u rrit më shumë se shtatë metër, ndërsa në diametër rreth 30 metër. Fuqia e manifestimit të elementit pagan vërehet edhe në shembullin e kultit të gjarprit, kafshës së shenjtë ilire. Ai është mbrojtësi i shtëpisë, kujdestar i të gjallëve dhe i shpirtrave të t’vdekurve.

Në zonën e Tivarit, Cërmnicës, Pashtroviqit, Mërrkotit, Goranës, Krajës, Anës së Malit dhe Ulqinit gjithmonë ishte gjynah të vriten gjarpërinjtë. Ilirët e vjetër na porositën se në të vërtet bëhet fjalë për kafshë patëkeq e cila nuk do ta sulmojë njeriun nëse nuk frikësohet nga agresiviteti ose pakujdesi i tij. Prandaj, kur hasim gjarprin, duhet ta anashkalojmë ose të presim gjersa të kalojnë.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top