Ndërmarrja Publike Parqet Nacionale të Malit të Zi shpalli konkursin për krijimin e zgjidhjes ideore të suvenirit autentik për Parkun e Natyrës Kriporja e Ulqinit.
“Suveniri autentik duhet të përfaqësojë prodhimin e dedikuar për promovimin turistik të Kripores së Ulqinit, çmimi i të cilit do të jetë i pranueshëm për shitjen në tregun e lirë. Suvenirët duhet të kenë vlerën përdoruese, të jenë tërheqës nga ana stilistike dhe estetike dhe me pamjen e tyre të përmbushin standardet artistike dhe prodhuese, si dhe të jenë pasqyrim i traditës, natyrës dhe trashëgimisë kulturore të kësaj hapësire”, thonë nga Parqet Nacionale.
Për krijimin e këtij suveniri mund të përdoren vetëm materialet ekologjike, siç janë druri, leshi dhe guri.
“Në konkurs mund të paraqiten të gjithë personat e interesuar, fizik dhe juridik, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs”.
Afati për pjesëmarrje është 1 marsi i vitit 2021 deri në ora 15, gjersa përzgjedhja e suvenirëve do të përfundojë deri më 15 mars të vitit 2021.
Fondi shpërblyes është 600 euro”, thuhet në kumtesë.
Për konkursin dhe kushtet e pjesëmarrjes të gjithë të interesuarit mund të informohen në faqen e internetit të Parqeve Nacionale – www.nparkovi.me