Sunday , November 19 2017
Lajmi i fundit

Pëllumb Gorica, VOAL: ULQINI, NJË HISTORI E VJETËR ILIRE

Kalaja e UlqinitNë çdo udhëtim të përshkruar është bërë zakon të prekim copëza përjetimesh të gjalla të natyrës, historinë e vendeve dhe kulturën e tyre të lashtë. Dendësia e përshtypjeve është aq e madhe saqë nuk di çfarë të shkruash më parë. Kështu ndodhi edhe në udhëtimin tonë drejt Ulqinit për të njohur këtë qytet të lashtë shqiptar me plot ngrohtësi e diell dhe me vlera të spikatura njerëzore, kulturore, historike e materiale. Edhe nëse e ke shkelur më parë dhe ke lexuar për historinë e tij, kur e viziton atë dhe trevat përqark, të befason përsëri natyra, arkitektura, deti, mikpritja gati proverbiale…

Megjithëse të përqendruar në rrugën me gjarpërimet e saj, panoramat e shumta, që parakalojnë përtej xhamave të autobusit, me sfond qielli e maja malesh shkëmbore, për ne ato reflektonin aq shumë pasuri natyrore. Autobusi vijon, herë kodrinave apo rrëzë tyre e herë luginave pjellore vende-vende me një rrezatim dendurie nga gjelbërimi, ku ndjehet aroma e frutave dhe fëshfërima e gjetheve të vjeshtës. Në hapësirat e sistemuara, si të qëndisura, të gëzon syrin pamja e vendbanimeve me shtëpitë që parakalojnë dhe si në një sfilatë mode, të dhurojnë pafundësi të tjera ndjesish.

Ulqini shquhet për historinë e vendbanimeve të lashta. Ngjitur tyre andej nga kalonte rruga të shfaqen tabela orientuese të vendeve me një të kaluar të largët historike. Shasi, qyteti antik i mbuluar nën rrënoja të trazon dhe vë në lëvizje mendimet tona me historinë dhe 365 kishat e tij.

Duke u përthithur në ca labirinte bisedash për udhëtimet në hapësirat shqiptare, ato mbështillen rreth motivimeve krijuese dhe takimeve me njerëzit e artit, kulturës e historisë sonë.

Bashkudhëtarja jonë nga Tirana, Luljeta Dano, poete dhe studiuese e njohur, flet me pasion për këto gjëra:

-E copëtuan kombin tonë dhe e ndanë në shtete të tjera. Ishin dhjetëra vite kur njerëzit e një gjaku dhe një gjuhe nuk mund të takoheshin, por tani erdhi koha t’i vizitojmë dhe të jemi të pranishëm në veprimtaritë e tyre, të lavdive tona të moçme në një mënyrë bashkëkohore, sepse kudo ku ndodhen trojet shqiptare, mund të udhëtojmë dhe të shijojmë trashëgiminë historike dhe shpirtërore .

Veçse ky udhëtim këtu krijon të tjera ndjesi kënaqësie për urtësinë dhe madhështinë ulqinake. Janë bisedat me miq të njohur dhe të rinj të këtij vendi që paraprijnë fjalët dhe u japin atyre të tjera përmasa.

Të prekësh Ulqinin

Të zhytur në ndjesitë e panoramave dhe bisedave mbresëlënëse, aty nga mesdita mbërritëm në Ulqin. Ashtu, me plot emocion, duke anashkaluar lodhjen, në orët në vijim shëtitëm qytetin. Ai shtrihet mbi ca bregore të gjelbërta dhe kalaja e lashtë buzë detit Adriatik me arkitekturën e veçantë të krijojnë ndjenja të papërsëritshme nderimi e respekti për banorët dhe për këtë trevë të njohur.

Ulqini është një nga qytetet turistike interesante të bregdetit Adriatik, i ashtuquajturi ‘‘ qytet i historisë së bujshme’’. Për të njohur më mirë në brendësi atë dhe rrethinat e tij, nga Ada e Krryçit deri në grykëderdhjen e Bunës, nuk mjafton një ditë.

Të mbetet në mendje peizazhi i papërsëritshëm i këtij qyteti. Kalojmë përmes qytetit në rrugët e potershme, që ngjajnë si në një panair me kolor përndritës. Limfa e turistëve dhe jona shkrihen në atmosferën e tij, duke e bërë të dukshme me ec e jaket karakteristike.

Ndërtimet në Ulqin kanë ruajtur të freskët vokacionin e kohëve të largëta me një urbanistikë tipike, një pjesë e të cilave u ngjiten kodrave. Aty bie në sy ndërthurja e tyre me ato moderne, sepse këtu ekziston mentaliteti pozitiv që e vjetra është relikte e duhet ruajtur. Vezullojnë reklamat e bar – kafeve, restoranteve, hoteleve dhe dyqaneve me punime artizanale, që të tundojnë për t’i blerë dhe t’i bësh pjesë të katalogut tënd.

Kronika e rrjedhës së jetës, ngjyrat e botës njerëzore dhe tabloja monumentale e tij janë imponuese, për t’u ndjerë i mrekulluar. Ndaj nuk mund të fshehësh kurrsesi kënaqësinë frymëzuese kur je edhe buzë detit ulqinak. Mjafton të soditësh pak çaste ato mes atyre reflekseve magjike, që hedhin rrezet e diellit dhe qyteti të duket sikur luan vallen e kaltërsive të detit me përplasjen e dallgëve. Re të bardha si pambuk pikturojnë panoramën, kur era shtyn tufën e tyre dhe shfaq e largon copëza qielli. Ca biseda vijnë te ne me rrokje fjalësh e pasthirrma gëzimi të fëmijëve. Varka dhe skafe të ankoruara lëkunden lehtë nën melodinë e dallgëve. Pushues të rrallë e shfrytëzojnë mundësinë e këtyre ditëve të vjeshtës që të marrin jodin e tij. Klithma si miklime të pulëbardhave me fluturimin e tyre marrin vështrimin tonë dhe shprushin emocione. Si një dëshmitar i këtyre çasteve, syri e shpirti, e ndjejnë të bukurën, hijeshinë, sidomos kur e prekin deri në rrënjë.

Në trokitje historike…

Faktet e përditësimit të kujtesës të bëjnë me dije dhe të nxisin kureshtjen për të depërtuar në terë dimensionin e së shkuarës ulqinake.

-Ulqinakët – thotë Nexhati, pronari i hotelit, ku bujtëm – shquhen për zejtari, për këngë, për kultivimin e ullirit, ku gjen ekzemplarë 700 vjeçarë, por më shumë ne jemi të njohur si detarë e tregtarë me të mirat materiale e jetike që përftonin, por edhe kusarë deti, që i sulmonin anijet e venedikasve, dalmatëve, francezëve, etj. Qyteti ynë i bujshëm, me kalanë, si një trashëgimi e shekujve, gjithmonë ka qenë i lidhur me rrënjë të thella shpirtërore me udhët e “paudha” të detit nga piratët e vjetër të anijeve liburne aq emërmëdhenj në botën antike dhe mesjetare.

Por, në truallin e Ulqinit historia ka hipotekuar lashtësinë autentike, që mund të lexohet shumë qartë, ndonëse e mbuluar me eklipse e dallgëzime kohësh. Por, po të hysh thellë në shekujt e tij, mëson shumë gjëra të reja. Herë duke u zmadhuar e herë duke u tkurrur, historiku i tij ka trashëguar mbishkrime, dorëshkrime dhe gjetje të hershmet që nga epoka e bronzit, edhe pse luftërat rrënuese ia kanë fshirë shumë gjurmë. Kur flasim për të gjitha këto, domosdo do të shkruajmë edhe për rrjedhat e jetës. Zanafillë e lidhur me periudhën plot labirinte të lashtësisë sonë ilire.

Këtu në këtë trevë të lashtë jetonin Ilirët e fisit të Labeatëve me madhështi emrash, kalash e vendesh historike. Është kalaja që mbreti i tyre, Genti, e vizitonte herë pas here. Ndërsa Balshajt në Mesjetë e kishin selinë e tyre.

Historia e Ulqinit me psiko-hapësirat e zhurmshme të luftërave dhe shkatërrimeve ka mbështjellë misteret, fatet njerëzore, përplasjet, kurthet, brengat, pabesitë, mugëtirat e moteve, zvenitjet dhe copëzimet e trojeve.

Në çdo kohë është lakmuar nga pabesitë e reve të zeza të stepave dhe erës së egërsuar përtej detit, e cila dhe përplaste me furi brigjeve të tij hieroglife fjalësh të religjioneve. Kjo bëri që një pjesë e popullatës, duke i u përballuar stuhive të fuqishme të historisë, kanë qenë të shtrënguar t’i lëshojnë vatrat e tyre shekullore. Ky detyrim buroi edhe si pasojë e represionit sllav, që më së shumti kërkonte të zhdukte jetesën, pasurinë dhe vetë shqiptarët në këto troje si kudo ku banonin ata. Por, jeta që ka rrjedhur mes vështirësive, sërish ulqinakët e mbanin gjallë shpresën dhe rigjenin veten dhe forcën të mbijetojnë, duke i qëndruar me besnikëri të pashoqe kësaj toke të bekuar.

Kalaja e Ulqinit, jehonë lashtësie

Kalaja Ilire e Ulqinit, që ngrihet në një kodër shkëmbore buzë detit, madhështore për nga pamja, është por po aq arkaike nga simbolet më të cilat është dekoruar. Ajo kulmon si një dëshmi e gjallë arkitekturore dhe të flet me zërin e heshtur të historisë. Madje vlerësohet si një ndër monumentet më të bukura të trashëgimisë kulturore, jo vetëm në Adriatik, por në gjithë Ballkanin. E ndërtuar në shekullin IV para erës sonë, tashmë është kthyer në një qendër historike e cila vizitohet çdo ditë nga turistë. Ajo është një muze i vërtetë i identitetit dhe kulturës ilire me histori edhe të periudhave të mëvonshme, të cilat nuk mungojnë dhje kanë rëndësi të veçantë.

Në kala ngjitim, shëtisim e zbresin shkallët e kalldrëmta me pllaka guri shumëngjyrëshe, nën shoqërinë e mikpritësit tonë, Arbenit. Kalaja është e banueshme dhe gjithandej aty shtëpitë, bar -kafetë, restorantet, kompleksi muzeal, janë ndërtuar me gurë të skalitur me aq shumë mjeshtëri, çka u kanë dhënë atyre qëndrueshmëri të lartë. Është e natyrshme që këtu do të ndeshësh edhe gjurmët e kulturave turke, veneciane, etj, si pasojë e pushtimeve në kohëra me ndërtime fragmentare të ruajtura mirë.

Duke u endur nga njëri cep në tjetrin e ndjejmë thellë madhështinë e historisë dhe mëndja, përmes mjegullës së shekujve e lexon atë në muret e lashta. Kërkojmë mes morisë të gurëve ciklopik të kalasë, Bindin e gdhendur, që i ngjan shqiponjës dhe e vështrojmë atë për një kohë të gjatë. Prej bedenave të saj mijëravjeçare, të shpëlara nga dallgët, por edhe në frëngjitë e portat e harkuara, të hapet si në një dritare të madhe sipërfaqja e detit me një shkëlqim marramendës. Që nga këtu në kohë me mot të kthjellët mund të shikohet Kepi i Rodonit, Kepi i Gjuhëzës, Ishulli i Sazanit dhe Gadishulli i Karaburunit.

Ciceronia e kalasë, Zenepe Draga e hap udhën nëpër ndërtesat muze të zbardhëlluara. Thesaret arkeologjike të zbuluara këtu gjatë gërmimeve, por edhe ornamentet mitike të veshjeve popullore, armët luftarake, etj, me objekte të llojeve të ndryshme, të ekspozuara në jo pak stenda, si vlera të mirëfillta tradicionale, shpalosen para nesh, të harmonizuara më së miri dhe të detajuara motive të jetës, thuajse të gjitha periudhat kohore.

Nëpër gjithë kompleksin muzeor, i plotëson njohjet tona mbi këtë qytet me aq histori, tradita e qytetërim të lashtë, shpjegimi në detaje i Zenepes, që për ne vizitorët është një gjë e rrallë dhe e çmuar. Me këtë rast ne u njohëm edhe me moketin e kalasë realizuar që në vitin 1956 nga punonjësit e saj dhe ringjalljen e ndërtesave mesjetare.

– Rreth kalasë ndërlidhen shumë histori, -të thotë Zenepja dhe, aq sa janë thurur për kalanë, aq edhe Ulqini është kthyer në një histori për kohën e largët dhe për ditët tona. Madje një nga historitë e shumta, e dokumentuar dhe shumë e njohur ka të bëjë edhe me Servantesin, shkrimtarin e njohur spanjoll, autorin e romanit “Don Kishoti i Mançes”. Servantesi ka qenë për disa kohë i burgosur në Ulqin. Për nder të atij vendi që e pëlqente shumë, të dashurës imagjinare të Don Kishotit, ia vuri emrin Dylqinjë, që rrjedh nga emri Ulqinj.

E shijojmë me kënaqësi një kafe në “Kullën e Balshajve” në kala, një kompleks interesant nga pikëpamja arkitekturore, ku modernia dhe antikja janë bashkuar më së miri në një harmoni të përkryer edhe elegancë.

Ne e vlerësojmë gjestin patriotik, të pashprehur me fjalë, për shqiptarin nga Kosova që e bleu këtë objekt. I bashkohet kësaj kënaqësie me bisedat e tij interesante Gazmend Kovaçi, zyrtari i kalasë së Ulqinit. Me mençurinë e dashurisë së madhe për qytetin e tij të lashtë ai i sintetizon aq bindshëm kohërat historike, që vijnë në një zinxhir të pashkëputur nga ilirët, arbërit gjer te shqiptarët e sotëm.

– Ulqini – të thotë Gazmendi – ka histori të lashtë arkitekturore, dhe tregues të vlerave, që janë ruajtur me fanatizëm. Ndaj është në nderin tonë që të hershmen ta ruajmë e ripërtërijmë, sikurse është detyrë të nxjerrim nga thellësia e shekujve të vërteta të tjera historike. Dhe është fakt që këtu po punohet në këtë drejtim, që Kalaja e Ulqinit të pranohet në UNESCO, si objekt historik i një rëndësie të veçantë. Sepse kurrë nuk është vonë për të dhënë kontributin tonë, për të vendosur një gur të rëndë në murin e historisë. E shkuara qartësohet kur e di se nga ke ardhur për ta kthyer në vlerë për të gjithë.

Ndaj, studiues, historianë, arkeologë të Ulqinit gjithmonë kanë intensifikuar misionet e tyre hulumtuese, duke tejkaluar vështirësitë dhe meritojnë vlerësim për pasionin, atdhedashurinë dhe profesionalizmin.

Në këtë kontekst, kohët e fundit po larmojnë në formë dhe në trajta idesh, të spikatura në organizim veprimtarish studimore, që besoj se më shumë vlera do kenë kërkimet në vazhdimësinë iliro-arbërore-shqiptare të jetës tonë këtu, për të cilën historianët sllavë duan të na e ndryshojnë. Përveç ruajtjes së trashëgimisë kulturore- historike, pasqyrimi dhe afirmimi risjell filozofinë e vet, si pjesë e ndërtimit të etnitetit tonë.

Trashëgimia e kulturës pagane deri më tani ka mbetur larg syrit të studiuesve dhe turistëve të huaj, ashtu siç mendon studiuesi i ri ulqinak, Arben Berjashi i cili mes të tjerash thekson: “… për të njohur dëshmitë arkeologjike, etnografike, etnologjike, etj, duhet ende shumë punë për të krijuar parakushtet e një pike të vizituar gjithnjë në rritje të trashëgimisë sonë”.

Ne, pranë mureve të kalasë shekullore, ku oshtijnë dallgët e detit, që përplasen me jehonë shkëmbinjve dhe të përgjuar me lashtësinë ndër sy, marrim udhën prej andej nga kemi ardhur.

Deti e përshpejton me pamjen dhe aromën depërtuese të tij rendjen tonë. Ndodh gjithmonë që kur largohemi nga një vend, mrekullitë që i shikojmë, i veshim si mantel mbi vete dhe i mbartim ato kudo ku shkojmë, duke thënë: Ah të jemi përsëri aty, të fotografojmë të veçantën që të magjeps.

Sepse i tillë është Ulqini, vend që flet me gjithçka: me detin, kalanë, diellin, ajrin dhe historinë e tij të rrallë shqiptare. /Pëllumb Gorica, VOAL/

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top