Friday , July 19 2019
Lajmi i fundit

Përdorimi zyrtar i gjuhës së pakicave: KORNIZA LIGJORE NDËRKOMBËTARE

Të drejtat gjuhësore përfshijnë të drejtat e njeriut dhe ato qytetare që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës, edhe të pakicave, në hapësirën private dhe publike. Ato, përveç të tjerash, nënkuptojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës dhe alfabetit në aktet ligjore, administrative dhe gjyqësore, të drejtën për arsim në gjuhë të vet, si dhe të drejtën që mediet ta publikojnë përmbajtjen e vet edhe në gjuhën e pakicave. Për popujt pakicë, mundësia e përdorimit të gjuhës së vet mund të ketë rëndësi vendimtare, sepse ajo mbron identitetin dhe kulturën individuale dhe atë kolektive, si dhe avancon pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.Projekti Ministria

Pas Luftës së Dytë Botërore, të drejtat gjuhësore u bënë temë qendrore në zhvillimin e të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe të pakicave. Prej atëherë e deri më sot janë shkruar dhe miratuar një sërë konventash, kartash, deklaratash dhe dokumentesh, të cilët me dispozitat e veta mbulojnë edhe të drejtat gjuhësore.

Një prej tyre është edhe Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Të Drejtat e Personave Pjesëtarë të Pakicave Etnike, Religjioze dhe Gjuhësore, me të cilën, në mes tjerash, përcaktohet që pakicat kanë të drejtë të përdorin gjuhën e vet, në publik dhe privatisht, lirë dhe pa implikime nga jashtë, si dhe pa diskriminim.

Mirëpo, për këtë problematik më të rëndësishme janë dokumentet e krijuara nga Këshilli i Evropës, gjegjësisht Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe/ose të Pakicave dhe Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale. Këto dy dokumente karakterizohen nga fakti që me ato trajtohet edhe përdorimi zyrtar i gjuhës, që është nocion më i ngushtë në krahasim me përdorimin publik të gjuhës, siç u trajtua në Deklaratën e OKB-së. Kështu, në Konventën e përmendur kornizë, është paraparë që „në zonat që janë tradicionalisht të banuara ose në numër të konsiderueshëm të banuara nga personat pjesëtarë të pakicave nacionale, nëse këto pjesëtarë e kërkojnë një gjë të tillë, dhe nëse kërkesa i përgjigjet nevojës reale, nënshkrueset do të tentojnë që të sigurojnë, sa është e mundur, kushtet që gjuha e pakicave të përdoret në marrëdhëniet e këtyre pjesëtarë me organet e administratës“.Projekti Ministria 2

Nga ana tjetër, me Kartën Evropiane, në pjesën e masave për avancimin e përdorimit të gjuhëve rajonale dhe/ose të pakicave në jetën publike, shtetet anëtare obligohen që të mundësojnë përdorimin e gjuhëve rajonale dhe të pakicave në dorëzimin e kërkesave me shkrim dhe gojë, si dhe që administratat vendore të publikojë dokumentet e veta zyrtare në gjuhët gjegjëse rajonale dhe të pakicave. Karta i referohet vetëm gjuhëve të popullsisë autoktone në përbërje të shtetit, ndërsa përjashton gjuhët e emigruesve. Masat mbrojtëse përfshijnë fushën e arsimit (neni 8), gjyqësorin (neni 9), fushën e administratës dhe shërbimit publik (10), mediet (11), aktivitetet dhe institucionet kulturore (12), jetën ekonomike dhe atë shoqërore (neni 13) dhe shkëmbimin ndërkufitar (14).

Me ratifikimin e Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe/ose të Pakicave, Mali i Zi, si gjuhë të pakicave, pranoi gjuhën shqipe dhe atë rome, meqë gjuhët tjera (serbe, boshnjake dhe kroate) janë të ngjashme, pothuajse të njëjta. Në Mal të Zi gjuha zyrtare është gjuha malazeze, ndërsa në përdorim zyrtar janë edhe gjuha serbe, boshnjake, kroate dhe shqipe.

Publikimi i këtij teksti është pjesë e projektit „Gjuha ime – gjuhë e barabartë“ të cilin e realizon OJQ „Horizonti i Ri“ në partneritet me OJQ „UL info“. Projekti mbështetet nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve e Malit të Zi, në kuadër të Programit për zhvillimin dhe avancimin e të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive tjera etnike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e donatorit.

IMG_3333

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top