Fundjavën që shkoi, në Shkodër u organizua “Panairi i të rinjve: Rrugët e zhvillimit të karrierës në sektorin e turizmit”, i cili mblodhi së bashku nxënës nga Shkolla e Mesme e Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin dhe Shkolla Profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër. Panairi synoi të sjellë bashkë të rinjtë dhe punëdhënësit nga rajoni ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri, duke krijuar kështu mundësi për bashkëbisedim dhe hapësira të reja për aftësimin dhe punësimin e të rinjve në sektorin e turizmit.
Aktiviteti u organizua në një format miqësor ku të rinjtë nga Ulqini dhe Shkodra patën mundësi të krijojnë kontakte dhe shkëmbejnë eksperienca me njëri tjetrin, të shpalosin aftësitë e tyre krijuese, të prezantojnë potencialet turistike të rajonit ndërkufitar përmes katalogëve dhe broshurave si dhe të promovojnë specialitetet e kuzhinave tradicionale të të dy qyteteve. Të rinjtë po ashtu patën mundësi të komunikojnë me biznese të ndryshme për të eksploruar mundësitë e angazhimit gjatë stinës së verës.
Të rinjtë nga Ulqini, së bashku me mësimdhënësit e tyre, u prezantuan në këtë panair me udhëzuesin turistik të titulluar “PËR FUNDJAVË NË ULQIN”, i cili ofron një informacion të ilustruar për pikat më interesante që duhet të vizitohen, duke filluar nga pika kufitare në Sukubinë e deri në Limanin e Ulqinit.
Vlerësimet që shoqata Horizonti i Ri ka nxjerrë nga puna me të rinjtë përmes sesioneve trajnuese dhe aktiviteteve tjera, tregojnë se ata kane një qëndrim pozitiv dhe optimist për tu angazhuar në sektorin e turizmit, fillimisht përmes punës praktike gjatë stinës së verës e më pas duke krijuar edhe idetë e veta të biznesit, të cilat do të mbështeten nga projekti që po zhvillohet në të dy anët e kufirit. Në te njëjtën kohë, kjo shoqatë ka zhvilluar edhe një hulumtim në terren, sipas të cilit rezultoi se edhe punëdhënësit lokal janë te gatshëm t’iu sigurojnë te rinjve mundësi që të angazhohen në bizneset e tyre, të fitojnë shkathtësi të reja pune e pse jo edhe të punësohen në një periudhë më të gjatë.
Ditën e dytë të qëndrimit të tyre në Shkodër, të rinjtë nga Ulqini vizituan Shkollën Profesionale “Hamdi Bushati”, ku u organizua edhe një panel i veçantë me drejtues të këtij institucioni dhe të Zyrë së Punës Shkodër, lidhur me politikat dhe programet e punësimit për të rinj.
Ky shkrim publikohet në kuadër të projektit “Rrugët për zhvillimin e karrierës: Përgatitja e të rinjve në Shqipëri dhe Mal të Zi për mundësitë e karrierës në sektorin e turizmit” i cili realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian: Programi IPA II për Bashkëpunim Ndërkufitar Mal i Zi – Shqipëri 2014-2020. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e OJQ Horizonti i Ri dhe nuk pasqyron detyrimisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.