Tuesday , October 23 2018
Lajmi i fundit

Peticion: SKULPTURA ‘KUNDËR’ DASHURISË – Servantesi PA Dulcinean

Ne, qytetarët e Komunës së Ulqinit, nënshkrues të këtij peticioni, drejtuar Organizatës Turistike të Ulqinit – OT Ulqin, kërkojmë anulimin e Konkursit për zgjidhjen ideore ‘Servantes dhe Dulcinea’, të hapur me datë 16 nëntor, 2017.
Bazuar në nenin 144 të Statutit të Komunës së Ulqinit, ‘Qytetarët kanë të drejtë të marrin iniciativën para organeve kompetente për të shqyrtuar vendimmarrjen mbi çështjet e caktuara me interes për popullatën lokale’, duke përfshirë këtu zhvillimin e sportit, kulturës dhe artit, si dhe mbrojtjen e përmendoreve dhe monumenteve. Të indinjuar nga mënyra se si jemi njoftuar për këtë vendim dhe të pakënaqur me përzgjedhjen e bërë, ne kërkojmë anulimin e konkursit për shkak të aryseve të cekura në vijim:
1. Qytetarët e Ulqinit dhe shoqëria civile janë neglizhuar plotësisht në procesin e përzgjedhjes së projektit fitues, duke iu mohuar kështu e drejta e pjesëmarrjes në vendimarrje për çështje me interes për popullatën lokale. Ky projekt është vetëm edhe një dëshmi tjetër e neglizhimit të qeverisjes lokale karshi shoqërisë civile dhe aktorëve vendor, duke iu mohuar atyre të drejtën e pjesëmarrjes në procesin e planifikimit dhe vendimarrjes në Komunën e tyre, vlera që paraqesin bazat e një qeverisjeje lokale demokratike. Ky vendim është një vazhdueshmëri e një mentaliteti disa vjeçar i cili ka sjellë deri te realizimi i projekteve të tjera me implikime financiare dhe kosto buxhetore akoma më të mëdha e ne të cilat përjashtimi i palëve të interesit në vendimmarrje dhe mos ofrimi i hapësirës për konsultim është shëndrruar në standart. Rikujtojmë që ashensori ‘panoramik’ i mbetur varur si një kujtim i keq në bedenet e Kalasë, paraqet një ‘trashëgimi’ të hidhshme të proceseve të tilla jo mirë të menduara dhe aq më pak të mirë planifikuara.
2. Ky projekt është në kundërshim me Deklaratën ‘Për mbrojtjen e qëndrueshme të qytetit të vjetër të Ulqinit- Kalaja’ të mbështetur nga Komuna e Ulqinit, respektivisht Kryetar Nazif Cungu. Në deklaratë, në mes tjerash apelohet që të mirren masa ‘të hiqen ndërtimet shtesë të cilat varfërojnë pamjen, strukturën, dhe funksionalitetin integral të Kalasë.’ Një ‘objekt’ i tillë si skulptura në fjalë, edhe pse në të vërtetë nuk është planifikuar të vendoset në brendësi të mureve të Kalasë, rrezikon ta bëjë pikërisht një gjë të tillë. Arsyeja për këtë është se kjo nismë është në kundërshtim me një qasje të integruar për ruajtjen e këtij monumenti. Lokacioni i përzgjedhur për vendosjen e statujës në fjalë (bazuar në fotografitë e publikuara) është në afërsi të këtij monumenti, që paraqet një prej monumenteve më të çmueshme historike dhe kulturore të qytetit tonë. Vlenë të theksohet se ‘hapësira kulturore’ rreth një objekti të trashëgimisë kulturore luan rol kritik në intepretimin e vlerave trashëgimore të tijë dhe si i tillë, ambienti për rreth përbën një pjesë integrale të monumenteve historike dhe kulturore. Andaj, nuk mund të lejohet që të vijohet tutje me veprime të tilla të pamenduara, sidomos pasi që në të njëjtën deklaratë është apeluar për inicim të dialogut në mes të autoriteteve shtetërore të Malit të Zi, autoriteteve lokale të Ulqinit, pronarëve të ndërtesave në qytetin e vjetër, dhe banorëve e Ulqinit, me qëllim që Kalaja të ruhet në mënyrën e duhur. Një mundësi e tillë nuk i është garantuar qytetarëve të Ulqinit as në këtë rast.
3. Projekti fitues nuk është në përputhje më konceptin e definuar në konkurs. Sipas Nenit 1.2 të këtij konkursi, koncepti i kësaj skulpture Servantes kopijaduhej të paraqiste dashurinë e madhe në mes të shkrimtarit të madh spanjoll Servantes dhe Dulcinea-s, të bazuar në konceptin e romanit të tij ‘Don Kishoti’. Duke mos tentuar të cenojmë integritetin e autorit, problemi kryesor në këtë mes është se koncept ideja e shpallur si projekti fitues është në kundërshtim të plotë me qëllimin e konkursit. Figura në fjalë është një figurë aspak tërheqëse dhe jo atraktive në aspektin vizual (përfshirë këtu ngjyrat e zymta, ngurrtësinë, materialian, proporcionet, etj.). Për më tepër, skulptura e propozuar ‘bllokon’ në mënyrë aspak të hijshme pamjen kah bedenet e simbolit më unik të trashëgimisë kulturore të qytetit tonë, Kalasë së Ulqinit, e cila ka vlerë dhe rëndësi lokale, nacionale dhe ndërkombëtare. Skulptura në fjalë mund të konsiderohet simbol i çdo gjëje tjetër, përveç simbol i dashurisë, e që për më tepër, kjo histori dashurie në këtë rast ‘rrëfehet’ pa prezencen e protagonistës krysore – Dulcineas. Duhet theksuar gjithashtu se projekti fitues ka edhe mungesë të origjinalitetit (Shih figurën), e që është në kundërshtim të plotë më Kriteret e Përgjithshme të konkursit të shpallur nga TO Ulqin, respektivisht neni 4.1. sipas të cilit një prej parametrave kyç të projektit fitues është ‘origjinaliteti i zgjidhjes ideore dhe artistike.’ Po ashtu, sipas nenit 4.3., ‘përparësi do të kenë zgjidhjet të cilat mund të realizohen me veprime bashkëkohore’ e që projekti i përzgjedhur qartazi nuk paraqët një zgjidhje të tillë.

4. Kundërshtojmë kredibilitetin e konkursit për mosrespektimin e çështjeve procedurale të mirëdefinuara me Ligjin për Kulturë të Malit të Zi. Konkursi si i tillë nuk thirret në bazën ligjore, respektivisht me nenin 70 dhe 71 te Ligjit për Kulturë, me të cilat definohen Konkursi publik dhe E drejta e pjesëmarrjes në konkursin publik. Sipas nenit 71 të këtij ligji, specifikohet që të drejtë pjesëmarrjeje në konkurse publike për projekte të financuara me mjetet e një komune të destinuara për kulturë kanë vetëm qytetarët e Malit të Zi. Edhe pse nuk ka informacion shtesë rreth autorit fitues, veprimtaria artistike e tij e ditur për publikun ndërlidhet me Shqipërinë. Po ashtu, në bazë të nenit 12 të Rregullores për procedurat për zbatimin e konkursit publik, juria vlerësuese duhet të përbëhet nga të paktën 5 persona, në mesin e të cilëve duhet të jenë edhe ekspertë të mirënjohur të fushës. Juria në këtë konkurs përbëhej vetëm nga 3 anëtarë, respketivisht: z.Qazim Muja – kryetar, Dr Nail Draga – anëtar dhe Mehmet Aloja – anëtar. Për më tepër, konkursi, përveç shpalljes publike, është zhvilluar i tëri në një qëtësi të plotë dhe është karakterizuar me një mungesë transparence. Përfundimisht, konkursi shihet si problematik për shkak të mosrespektimit të afateve kohore. Sipas nenit 3.5., juria ka afat 7 ditë pas skadimit të datës së dorëzimit të shpall fituesit, respektivisht duhej të ishte data 24.12.2017, gjërsa shpallja e fituesve është bërë në muajin shkurt të vitit 2018. Të gjitha këto arsye sfidojnë nivelin e profesionalizmit të këtij konkursi dhe si të tillë e bëjnë atë jokredibil dhe të pavlefshëm.
Insistojmë që TO Ulqin dhe Komuna e Ulqinit të marrin shemmbull nga kjo nismë për të filluar me praktikën e përfshirjes së qytetarëve dhe opinionit të tyre në procese të cilat ndërlidhen ngushtë me interesin publik në të ardhmen. Qyteti i Ulqinit është një qytet turistik që synon të integrohet gjithnjë e më shumë në tregjet botërore me renome në këtë fushë, prandaj zhvillimi i praktikave të qëndrueshme të vendimmarrjes gjithpërfshirëse është në thelb të pozicionimit strategjik të vendit tonë në këtë hartë tejet kompetitive globale.

Skulptura e përzgjedhur, në kundërshtim me idenë me të cilën ishte propozuar, mundet fare lehtë të shihet si një simbol që qëndron ‘kundër’ dashurisë, ngaqë ‘ndanë’ Dulcinea-n nga Servantesi, dhe procesi si tërësi, është një akt që shpreh mungesë të dashurisë dhe respektit të institucioneve lokale ndaj qytetarëve dhe qytetit të Ulqint. Prandaj, për shkak të arsyeve të cekura më lartë, ne kërkojmë nga OT Ulqin që të anuloj konkursin në fjalë dhe si alternativë, propozojmë që shuma e parave të alokuara për këtë skulpturë të rialokohen për mbrojtjen e Kalasë së Ulqinit në përputhje me propozimet e ofruara në bazë të studimeve shkencore në Simpoziumin ndërkombëtar “Mbrojtja e Qëndrueshme e Kalasë Historike “Kalaja” Ulqin – Mali i Zi.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top