PLASI EDHE PUSHTETI EDHE SEZONI

Koalicioni në pushtet në Ulqin nuk ekziston më. Për më pak se dy vite ky koalicion ka dështuar në të gjitha premtimet, ka zhgënjyer qytetarët, ndërsa në komunë vendosi falimentimin.

Këtë as pesimistët më të mëdhenj nuk mund ta parashikonin. Për më pak se dy vite koalicioni në pushtet të cilin në Ulqin e përbëjnë FORCA e re demokratike, Partia demokratike e Fatmir Gjekes, Partia socialdemokrate dhe Lëvizja “qytetare Perspektiva” e Amir Hollajt në mënyrë të pakthyeshme e humbi shansin unik që Ulqinin ta bëj vend më të këndshëm për jetesë. Në thelb, përveç prurjes së planeve detaje urbanistike, në të gjitha fushat tjera në 600 ditët e mëparshme ka pësuar debakël. Borxhet janë rritur, rrogat e punëtorëve në komunë dhe ndërmarrje ku themelues është ajo vonojnë nga 3 deri në 14 muaj, asnjë hotel i ri nuk ka filluar të ndërtohet, bile nuk është miratuar as Plani strategjik i komunës që do të thotë që pushteti aktual nuk ka as vizion dhe as strategji si të vazhdoi më tej. Ky përfundim mund të bihet dhe nga raporti i punës për vitin 2012 i kryetarit të komunës Nazif Cungu, i cili në 50 faqet e shpjegimit të gjendjes në “Propozimet dhe masat” përfundon vetëm me një fjali të vetme: “Meqë komuna e Ulqinit dhe ndërmarrjet publike ndodhen në situatë tepër të vështirë ekonomike, është e domosdoshme ndihma e Qeverisë dhe Ministrisë së financave dhe me këtë do të krijoheshin parakushtet reale për fillimin e valorizimit të resurseve më të rëndësishme të Malit të Zi dhe njëkohësisht të parandalohen pasojat e rënda të mundshme”!?

Por, ato që tani janë këtu. Cungu para një muaji ka nënshkruar Planin e sanimit me Ministrinë e financave, me të cilin, siç pohojnë në Partinë socialiste popullore, u  vendos falimentimi në komunën e Ulqinit. Dhe deputeti i Malit të Zi Pozitiv Dritan Abazoviq mendon që në këtë mënyrë “Cungu pranoi humbjen, ndërsa kryetari i ri i komunës së Ulqinit është ministri i financave Radoje Zhugiq”. Nga opozita ftojnë pushtetin që të ja prezantoj opinionit këtë dokument në mënyrë që të dihet a ka nënshkruar përjashtimin nga puna e gati një të tretës të punësuarve dhe zvogëlimin e ndjeshëm të rrogave. “Me këtë gjë, me një lëvizje të penës kanë deroguar kompetencat e vetëqeverisjes lokale, derisa njëkohësisht e kanë gojën plotë me decentralizim”, thotë kryetarja e klubit të këshilltarëve të Unionit Demokratik të Shqiptarëve Hadixha Gjoni. Cungu kundër vullnetit pranon që “Plani i sanimit nënkupton kalimin e kompetencave dhe vendosjes në Ministrinë e financave dhe Qeverinë e Malit të Zi”, dhe thotë që komuna duhet të marrë kredi të re prej rreth dy milion euro në mënyrë që ti shlyej detyrimet dhe kontributet për rroga të cilat nuk janë paguar me vite. “Komuna ishte e obliguar të nënshkruaj Protokollin për shlyerjen e këtyre detyrimeve, sepse do të na merrnin 2.450.000 euro sa kemi borxh, gjegjësisht do ta kishim vazhdimisht të bllokuar xhiro-llogarinë”, shtoi ai.

Por, partnerët e tij të koalicionit pohojnë që nuk morën pjesë në prurjen e këtij vendimi dhe që janë krejtësisht të margjinalizuar në udhëheqjen e vetëqeverisjes lokale. “Marrëveshja për ushtrimin e pushtetit të cilën ne e nënshkruam parasheh bashkëpunim të vazhdueshëm, respekt të ndërsjellët dhe pajtueshmëri të plotë të partnerëve të koalicionit tek propozimi dhe miratimi i disa akteve të rëndësishme, siç është buxheti, llogaria përfundimtare, vendimet për huamarrje dhe të ngjashme. Kjo pjesë e Marrëveshjes është shkelur prej fillimit dhe në vazhdueshmëri nga ana e partnerit më të fuqishëm të koalicionit, përkatësisht FORCËS”, tha kryetari i KK PSD Ulqin dhe nënkryetari i komunës së Ulqinit Selim Resulbegoviq.

“Cungu asnjëherë nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim. Kemi besuar që me kohë kjo do të përmirësohet. Por, tani e dimë që ai është i pandreqshëm”, thanë për Monitor nga Partia demokratike e Fatmir Gjekes. Për këtë arsye kjo parti nacionale shqiptare, e cila ka pesë këshilltar në Kuvendin komunal, ka vendosur mos ta përkrah Raportin e punës së Cungut, gjë që bënë edhe dy pjesëtarët e tjerë të koalicionit, kështu që Cungu në fillim të këtij muaji në seancën e Kuvendit u gjet në akull. Shpëtimin u mundua ta gjej në Partinë demokratike të socialistëve e cila është në opozitë dhe e cila në Parlamentin lokal ka shtatë këshilltar. Mirëpo, reagimi i menjëhershëm nga qendra e partisë e parandalojë kryetarin e këshillit komunal të socialistëve të Gjukanoviqit Loro Nrekiqin të ja jap Cungut “brezin e shpëtimit”, kështu që tani FORCA ka mbetur praktikisht vetëm. Vazhdimi i mbledhjes, e cila është ndalur pikërisht kur është diskutuar për Raportin e punës së kryetarit të komunës dhe e cila duhet të përfundohet deri në fund të korrikut, do të tregoj si do të zhvillohen gjërat më tej në skenën politike të Ulqinit. Nëse raporti nuk pranohet, e pak ka shenja që kjo mund të ndodh, kjo praktikisht do të thotë që jo vetëm që koalicioni qeverisës dhe formalisht është shpërbërë, por edhe që administrata e Cungut mund të “paketoj çantat”. “Jam i pakënaqur me punën e partnerëve të koalicionit. Pushteti lokal nuk funksionon siç duhet, kështu që së shpejti mund të presim votimet. Ndoshta kjo do të ishte më korrekte ndaj qytetarëve”, thotë tani kryetari i Ulqinit dhe lideri i FORCËS.

Ky është qëndrimi i gati të gjithë pjesëmarrësve në skenën politike, kështu që zgjedhjet e reja lokale në Ulqin do të mbahen në vjeshtë. Nëse do të jenë edhe parlamentaret në nivel shtetëror, atëherë në paketë me to. Kujt do ti sjellin fat, mbetet për tu parë. Ajo çfarë është tashmë e qartë është që pushteti në largim tmerrësisht i ka zhgënjyer qytetarët të cilët i kanë pritur si shpëtimtar, kështu që për të askush nuk do të ankoj. Posaçërisht jo mbas edhe një sezoni të dobët turistik. E kush nuk do të kujtoheshe tani se me sa entuziazëm gjatë gjithë dimrit dhe pranverës optimistët janë kaluar në vlerësime që do të jetë sezon i suksesshme. Njerëzve që të vetmen mundësi fitimi e kanë gjatë verës, qytetit i cili e ka rrogën më të vogël mesatare në vend dhe i cili është i vetmi në bregdet i cili shënon rënien e numrit të popullsisë, kjo mund të jetë pika e fundit “që e mbushi kupën”. Për Abazoviqin kjo është dhe flirtimi i Forcës, kundër dëshirës së votuesve dhe simpatizuesve, me PDS-në, i cili është, siç pohon ai, fajtori kryesor për këtë gjendje në Ulqin. “Për këtë arsye Ulqinit i nevojiten jo vetëm zgjedhje të reja, por edhe klasa e re politike. Ky qytet është lodhur nga xhuxhat politik dhe administratat-telekomandë të cilët kontrollohen nga adresat tjera”, shtoi ai.

Mustafa CANKA (Monitor)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…