Thursday , June 20 2019
Lajmi i fundit

PLASI EDHE PUSHTETI EDHE SEZONI

Koalicioni në pushtet në Ulqin nuk ekziston më. Për më pak se dy vite ky koalicion ka dështuar në të gjitha premtimet, ka zhgënjyer qytetarët, ndërsa në komunë vendosi falimentimin.

Këtë as pesimistët më të mëdhenj nuk mund ta parashikonin. Për më pak se dy vite koalicioni në pushtet të cilin në Ulqin e përbëjnë FORCA e re demokratike, Partia demokratike e Fatmir Gjekes, Partia socialdemokrate dhe Lëvizja “qytetare Perspektiva” e Amir Hollajt në mënyrë të pakthyeshme e humbi shansin unik që Ulqinin ta bëj vend më të këndshëm për jetesë. Në thelb, përveç prurjes së planeve detaje urbanistike, në të gjitha fushat tjera në 600 ditët e mëparshme ka pësuar debakël. Borxhet janë rritur, rrogat e punëtorëve në komunë dhe ndërmarrje ku themelues është ajo vonojnë nga 3 deri në 14 muaj, asnjë hotel i ri nuk ka filluar të ndërtohet, bile nuk është miratuar as Plani strategjik i komunës që do të thotë që pushteti aktual nuk ka as vizion dhe as strategji si të vazhdoi më tej. Ky përfundim mund të bihet dhe nga raporti i punës për vitin 2012 i kryetarit të komunës Nazif Cungu, i cili në 50 faqet e shpjegimit të gjendjes në “Propozimet dhe masat” përfundon vetëm me një fjali të vetme: “Meqë komuna e Ulqinit dhe ndërmarrjet publike ndodhen në situatë tepër të vështirë ekonomike, është e domosdoshme ndihma e Qeverisë dhe Ministrisë së financave dhe me këtë do të krijoheshin parakushtet reale për fillimin e valorizimit të resurseve më të rëndësishme të Malit të Zi dhe njëkohësisht të parandalohen pasojat e rënda të mundshme”!?

Por, ato që tani janë këtu. Cungu para një muaji ka nënshkruar Planin e sanimit me Ministrinë e financave, me të cilin, siç pohojnë në Partinë socialiste popullore, u  vendos falimentimi në komunën e Ulqinit. Dhe deputeti i Malit të Zi Pozitiv Dritan Abazoviq mendon që në këtë mënyrë “Cungu pranoi humbjen, ndërsa kryetari i ri i komunës së Ulqinit është ministri i financave Radoje Zhugiq”. Nga opozita ftojnë pushtetin që të ja prezantoj opinionit këtë dokument në mënyrë që të dihet a ka nënshkruar përjashtimin nga puna e gati një të tretës të punësuarve dhe zvogëlimin e ndjeshëm të rrogave. “Me këtë gjë, me një lëvizje të penës kanë deroguar kompetencat e vetëqeverisjes lokale, derisa njëkohësisht e kanë gojën plotë me decentralizim”, thotë kryetarja e klubit të këshilltarëve të Unionit Demokratik të Shqiptarëve Hadixha Gjoni. Cungu kundër vullnetit pranon që “Plani i sanimit nënkupton kalimin e kompetencave dhe vendosjes në Ministrinë e financave dhe Qeverinë e Malit të Zi”, dhe thotë që komuna duhet të marrë kredi të re prej rreth dy milion euro në mënyrë që ti shlyej detyrimet dhe kontributet për rroga të cilat nuk janë paguar me vite. “Komuna ishte e obliguar të nënshkruaj Protokollin për shlyerjen e këtyre detyrimeve, sepse do të na merrnin 2.450.000 euro sa kemi borxh, gjegjësisht do ta kishim vazhdimisht të bllokuar xhiro-llogarinë”, shtoi ai.

Por, partnerët e tij të koalicionit pohojnë që nuk morën pjesë në prurjen e këtij vendimi dhe që janë krejtësisht të margjinalizuar në udhëheqjen e vetëqeverisjes lokale. “Marrëveshja për ushtrimin e pushtetit të cilën ne e nënshkruam parasheh bashkëpunim të vazhdueshëm, respekt të ndërsjellët dhe pajtueshmëri të plotë të partnerëve të koalicionit tek propozimi dhe miratimi i disa akteve të rëndësishme, siç është buxheti, llogaria përfundimtare, vendimet për huamarrje dhe të ngjashme. Kjo pjesë e Marrëveshjes është shkelur prej fillimit dhe në vazhdueshmëri nga ana e partnerit më të fuqishëm të koalicionit, përkatësisht FORCËS”, tha kryetari i KK PSD Ulqin dhe nënkryetari i komunës së Ulqinit Selim Resulbegoviq.

“Cungu asnjëherë nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim. Kemi besuar që me kohë kjo do të përmirësohet. Por, tani e dimë që ai është i pandreqshëm”, thanë për Monitor nga Partia demokratike e Fatmir Gjekes. Për këtë arsye kjo parti nacionale shqiptare, e cila ka pesë këshilltar në Kuvendin komunal, ka vendosur mos ta përkrah Raportin e punës së Cungut, gjë që bënë edhe dy pjesëtarët e tjerë të koalicionit, kështu që Cungu në fillim të këtij muaji në seancën e Kuvendit u gjet në akull. Shpëtimin u mundua ta gjej në Partinë demokratike të socialistëve e cila është në opozitë dhe e cila në Parlamentin lokal ka shtatë këshilltar. Mirëpo, reagimi i menjëhershëm nga qendra e partisë e parandalojë kryetarin e këshillit komunal të socialistëve të Gjukanoviqit Loro Nrekiqin të ja jap Cungut “brezin e shpëtimit”, kështu që tani FORCA ka mbetur praktikisht vetëm. Vazhdimi i mbledhjes, e cila është ndalur pikërisht kur është diskutuar për Raportin e punës së kryetarit të komunës dhe e cila duhet të përfundohet deri në fund të korrikut, do të tregoj si do të zhvillohen gjërat më tej në skenën politike të Ulqinit. Nëse raporti nuk pranohet, e pak ka shenja që kjo mund të ndodh, kjo praktikisht do të thotë që jo vetëm që koalicioni qeverisës dhe formalisht është shpërbërë, por edhe që administrata e Cungut mund të “paketoj çantat”. “Jam i pakënaqur me punën e partnerëve të koalicionit. Pushteti lokal nuk funksionon siç duhet, kështu që së shpejti mund të presim votimet. Ndoshta kjo do të ishte më korrekte ndaj qytetarëve”, thotë tani kryetari i Ulqinit dhe lideri i FORCËS.

Ky është qëndrimi i gati të gjithë pjesëmarrësve në skenën politike, kështu që zgjedhjet e reja lokale në Ulqin do të mbahen në vjeshtë. Nëse do të jenë edhe parlamentaret në nivel shtetëror, atëherë në paketë me to. Kujt do ti sjellin fat, mbetet për tu parë. Ajo çfarë është tashmë e qartë është që pushteti në largim tmerrësisht i ka zhgënjyer qytetarët të cilët i kanë pritur si shpëtimtar, kështu që për të askush nuk do të ankoj. Posaçërisht jo mbas edhe një sezoni të dobët turistik. E kush nuk do të kujtoheshe tani se me sa entuziazëm gjatë gjithë dimrit dhe pranverës optimistët janë kaluar në vlerësime që do të jetë sezon i suksesshme. Njerëzve që të vetmen mundësi fitimi e kanë gjatë verës, qytetit i cili e ka rrogën më të vogël mesatare në vend dhe i cili është i vetmi në bregdet i cili shënon rënien e numrit të popullsisë, kjo mund të jetë pika e fundit “që e mbushi kupën”. Për Abazoviqin kjo është dhe flirtimi i Forcës, kundër dëshirës së votuesve dhe simpatizuesve, me PDS-në, i cili është, siç pohon ai, fajtori kryesor për këtë gjendje në Ulqin. “Për këtë arsye Ulqinit i nevojiten jo vetëm zgjedhje të reja, por edhe klasa e re politike. Ky qytet është lodhur nga xhuxhat politik dhe administratat-telekomandë të cilët kontrollohen nga adresat tjera”, shtoi ai.

Mustafa CANKA (Monitor)

7 comments

  1. Miki Selmanoviq

    Pse i nderuari gazetar nuk e kryeni punen e vet investigative dhe nuk raportoni per rastin se kryesisë i behet shantazh me ngritjen e çmimit të ujit, si dhe me punësime të mëtejshme të anëtarëve të njësisë më të vogël të pushtetit, ky një prej shkaqeve të konfliktit në pushtet.

    Së paku në këtë mënyrë do e dëshmoni se jeni objektiv, dhe se kritikat tuaja nuk i drejtohen vetëm një pjese të pushtetit.

    Në këtë mënyrë ju si gazetar do tregoni se jeni për të vërtetën dhe se nuk keni asgjë personale kundrejt njerëzve të caktuar, dhe se nuk jeni duke përkrahur njerëz të caktuar selektivisht, pra mos ta politizoni këtë internet vebsajt i cili, duhet ta pranoj është teknikisht dhe estetikisht pa mangësira.

    Gjithashtu ju sygjeroj të shkruani edhe se rrogat e komunës po paguhen të gjitha, të jeni paksa pozitiv, për ndryshim, por kjo është vetëm këshilla ime.

    • I nderuar,
      besoj qe e përcillni punën time. Unë jam para opinionit 20 vite me radhë dhe me shumë mundim dhe sakrificë e ruaj pozitën time PLOTËSISHT te pavarur. Shikoni Internetin.
      Kështu do te jetë gjithmonë. Edhe ato para jush mendonin se kam diçka privat kundër tyre!? Subhanallah! Tani me thonë: si të kishim dëgjuar, akoma do të ishim në pushtet. Unë i kritikova, si prindërit zogun e vet. Edhe juve gjithashtu, zotëri! Besoj se e ndjeni ketë, të paktën kur jeni ne vetmi. Mendoni pak për premtimet e juaja!
      Ju pyes: ku është komuna e Ulqinit sot? Ne FALIMENTIM!!! Si KAP-i! Ky është rezultati i këtij pushteti!
      Nuk e di për çfarë shantazhi flisni? Me duket se në atë ndërrmarje i keni 2 anëtare të Këshillit drejtues dhe kryetarin. Kur keni folur diçka ndonjëherë publikisht për gjendjen atje? A shihni përgjegjësinë Tuaj?
      Faleminderit për fjale te bukura për Portalin tonë. Jam i sigurt se edhe me tutje do te na përcillni. Përshëndetje!

      • Miki Selmanoviq

        I nderuar Mustafa,
        E qartë është – Nuk mund te iket nga pergjegjesite .. Kjo eshte normale. Nuk jam shum i afert me pushtetin, nuk jam as ne pozite qe mund te vendos ndonje gjë, jam shumë larg nga kjo. E di që kanë bërë disa lëizje të gabueshme, lëvizje që unë nuk i përkrah.
        Sidoqoftë, jam në rrjedhë të informatave, gjë që më bën të gjykoj më objektivisht, gjë që si detyrë sigurisht ju takon juve. Kur them që duhet ta ekspozoni të vërtetën, atëherë i referohem faktit se nuk është çdo gjë e bardhe dhe e zezë. . . . . Besoj se kjo është ajo çfarë mund të quhet gazetari e mirëfilltë, kur ekspozohet thelbi i çdo problemi.
        Çdo njeri duhet të jetë optimist kur i niset një pune, ndoshta keni edhe të drejtë, ishin paksa së tepërmi ambicioz.. Dhe nuk janë të përkryer, larg prej asaj . .. Por çfarë është alternativa ? Parti malazeze?
        Sigurisht që e përcjelli punën tuaj, ky është shkaku që më habit fakti qe ju si studiues, intelektual dhe shkrimtar i shquar, historian i këtij qytet – nuk i hyni paksa më thellësisht analizimit të problemeve në pushtetin lokal, besoj se jeni të aftë për këtë dhe keni burime, por që thjesht diçka ju ndal .. Dhe sigurisht që jeni në dijeni se në komunë ekziston një koalicion “Pikaso”. Sidomos një pjesë të tij, ku fillimisht u mendua se do jetë ilaç, por që pastaj u tregua si një mollë me mikrobe.. Jam i informuar për situatën ku kryetari prezanton projekte që planifikohen, dhe ku në fund të kësaj mbledhje i thuhet: “Mos na thirr më për projekte, kemi këta kushte: ngrite çmimin e ujit, dhe punësoji këta, këta persona, përndryshe nuk të votojmë.” dhe shumë e shumë situata tjera..

        Gjithashtu e vërej se kur ka ndonjë lajm pozitiv, shkapërcehen nga mediumi juaj, gjë që nuk e bëjnë 2 mediumet tjera paralel me tuajën .. Kjo të ven në dyshim..! Ky është këndvështrimi im.

        Përgjegjësia është e madhe, por edhe përgjegjësia juaj që ta prezantoni situatën më hollësisht dhe më thellësisht. . . Por, kjo është vetëm këshilla ime. . Ju falenderoj për përgjijgen tuaj dhe ju përshëndes..

        • I nderuar,
          e vërej se mjaft mirë i përcillni gjërat. Me ju mund te debatohet. Por, unë me emër dhe mbiemër, publikisht, e ju mbas nikut…
          Pajtohem me shumicën e pikëpamjeve Tuaja, por se ne e kapërcejmë pozitiven – ASESI! Ma tregoni një fakt, një lajmë!
          E, analiza është diçka tjetër! Kështu bëra 20 vite.
          Koha, historia, atdheu, qyteti ynë i dashur, e kërkojnë te vërtetën. Sado e hidhur qoftë ajo!

  2. Miki Selmanoviq

    I nderuar,
    Mshifem pas nikut thjesht për fakt se nuk dua që të ofendohet ndokush nga unë, pasiqë kam shokë në pushtet, si në njërën, ashtu edhe në tjetrën parti të pushtetit.

    Sidoqoftë, e kam Ulqinin në vend të parë. Shpresoj se do përcillni këshillën time dhe të ekspozoni laramaninë e këtij pushtet, sidomos faktorët që janë në ndikim të drejtëpërdrejtë nga pushteti qendror me të vetmin qëllim që të kompromitojnë zhvillimin e këtij qytet, dhe që nuk i bëhet vonë për asgjë .. Duhet të diferencojmë “Nijetin” e njërit nga “nijeti” i të dytit, apo të tretit.
    Sigurisht e kuptoni se fuqia juaj është e madhe, sa më objektiv që të jeni – dhe sa më shumë që ti zbërrtheni gjërat.. Metaforikisht ti ndani mollat nga arrat dhe të flisni për mollat veçmas, dhe për arrat veçmas.
    Vetëm duke treguar me gisht në kahjen e këtyre fenomeneve negative dhe degraduese dhe ekspozim të qartë – do fitojmë fuqi të dezinfektimit të shtresave të infektuara të shoqërisë tonë.. Sepse rrezikojmë vazhdimësinë e pafund të elementeve të tilla.
    E kuptoni se nuk jam aq i brengosur për këtë pushtet, sa më brengosin elementet e lartëpërmendura, gjë që meritojnë të akuzohen drejtëpërdrejtë dhe të nxirren nga sistemi njiherë e përgjithmonë, në mënyrë ë mos të marrin asnjë votë, e jo të fitojnë deputet në parlament republikan ..

    Unë ju dhashë informatë, e juaja është që ta interpretoni, ta përpunoni dhe ta publikoni në mënyrën si ju përket juve..

    Sa i përket lajmeve pozitive, më mirë mos ti stërhollojmë. Por, më beso se këtë gjë e kam vërejtur gjatë kohës së ekzistimit të këtij websajt.

    Shpresoj se e kuptoni qëllimin e debaitimit tim. Ju përshëndes.

  3. I nderuar,

    e kuptoj pozitën Tuaj, aspak të volitshme. Derisa thoni se “Ulqinin e keni në vend të parë”, ndërsa një fjali me herët se “keni miq në njërën apo në tjetrën parti në pushtet e nuk doni qe ti ofendoni”, e njëkohësisht mu, i cili 20 vite me emër dhe mbiemër flas dhe shkruaj haptas për çdo anomali ne këtë shtet dhe qytet “ëmbël” më kritikoni, diçka nuk është në rregull.
    Çka mendoni: a e kemi ne ndonjë mik, shok, të afërm, kojshi në pushtet në njërën apo tjetrën parti? Po deri kur kështu te heshtet e ne mbërritëm në FALIMENTIM?
    Përfundimisht: e kuptoj qëllimin Tuaj, por mendoj se e keni vështir qe ju të me kuptoni mua. E unë vetëm e beje punën time gazetareske dhe njerëzore.
    Gjithmonë e pyes veten: a i përcillni bre ju mediet ne Shqipëri? A e vëreni si punojnë atje? Çka ndodhi me ne? Pse nuk marrim pak mësim?

    Përshëndetje!

  4. Zoterinj te nderuar,
    Ky pushtet me kujton ate barcaleten mbi te ligjshmen dhe te logjikshmen. Ne momentin kur kupton se je duke rene pre e nje shantazhi ke tre menyra veprimi:
    1. Te nenshtrohesh, te pranosh te plotesosh kushtet dhe te kesh perfitim (e logjikshme por jo e ligjshme);
    2. Te demaskosh shantazhuesin para opinionit dhe ligjit dhe te rrezikosh pushtetin per te miren e gjithe qytetareve (e ligjshme por jo e logjikshme, sidomos kur qellimi kryesor i punes tende eshte te mbash titullin);
    3. Te mos i pranosh kushtet e shantazhuesit dhe te mos e denoncosh shantazhin (as e ligjshme dhe as e logjikeshme).
    Sipas komenteve me siper, z. Cungu paska zgjedhur alternativen e trete. A mund te quhet ai i denje dhe i afte per te qene kryetar? Edhe nje femije 10 vjec di te nenshkruaj ca dokumente te pergatitura nga te tjeret, pa gjeneruar ndonje ide apo zgjidhje per problemet, jo me nje burre ne moshen e tij.
    Jam dakord se Ulqini ka nevoje per nje klase te re politike, por kush do ta formoje? Zoterinjte qe kemi sot ne politike shihet qarte se per qellim te vetem kane perfitimet personale. Rinia jane shumica ose femijet e tyre ose te familjareve te tyre. Edhe sikur te kishim nje parti me vizion te qarte, te perbere nga te rinj energjike, qe duan te bejne ndryshim, qe duan perparim dhe qe jane te afte ta bejne nje gje te tille, mundesia me e madhe eshte qe qytetaret nuk do tu besojne dhe nuk do t’i votojne ose do e shesin voten tek dikush tjeter per 50 euro. Pastaj, pa e tepruar fare me pesimizem, duhet te pranojme se gjysma e rinise tone nuk e merr shkollen me dituri, por me parate e prinderve. A mund te presim zhvillim nga nje rini e tille?

Komento te Miki Selmanoviq Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top