Sunday , August 25 2019
Lajmi i fundit

Portret detari: XHAVIT VOGLIQI

Calm Sea, More, DetiShkruan: Gani Karamanaga

Gani Vogliqi, detar, tash punëtor hotelier, autor i librit të parë në shqip për hotelerinë dhe shërbimin,  tregon për të parët e vet. Për traditën detare, tregon:

– Gjyshi, Latif Vogli, ka qenë detar. Kur ka qenë Austro-Hungaria (Lufta e Parë Botërore), prej Zelenike ka ikur në Budapest (Hungari) dhe atje ka vdekur. Duket se ka vdekur diku pas Luftës së Dytë Botërore. Unë kam shkuar bashkë me babën, 2 – 3 herë, por varrin nuk ia kemi gjetur. Detari ulqinak humbi pa nam e pa nishan, jo në det, por në rrafshinën e hunëve! Asnjë dokument s’iu ruajt. Po s’i ruajte dokumentet, ti s’ke ruajtur historinë tënde.

– Të gjithë kanë qenë në det. Edhe axha Cufo (Jusuf Vogliqi), por vetëm baba im, Qazimi, nuk ka qenë detar, sepse daja nuk e ka lënë.

Jusuf – Cufo Vogliqi. Ishte detar  vjetër, makinist, por s’iu ruajt as matrikulla. Në të sigurisht ka shkruar se, me ulqinakët e tjerë, ka punuar në jahtin “Nimet Allah” të mbretit të Misirit, Farukut, si dhe evidenca të tjera të lundrimeve bregore e të gjata nëpër Adriatik e Mesdhe. S’ janë vetëm këto gjurmë të humbura  në det e në tokë. I ruhet një fotografi në kornizë. Ka lindur në Ulqin më 1896. Vdes më 1969.

La pas katër djem: Ismetin, Omerin, Ibrahimin  (Himi) dhe Xhavitin. Ismeti qe peshkaxhi (peshkatar), aq kohë sa punoi Ndërmarrja e peshkimit  “Bojana” në Ulqin. Omeri, po ashtu qe peshkatar, por kur u shua Ndërmarrja, shkoi në det si marinar, lundroi shkurt. Ibrahimi  (Himi) – lundroi deri në pensionim.

XHAVIT VOGLIQI

Xhavit VogliqiI lindur në Ulqin, më 1944.

Para nja 50 vjetësh:

Një vocërrak nga ranishta e vëren se një barkë po i avitet bregut dhe se së shpejti do të ndalet në mol. Vogëlushi vrapon që ta presë pandullën dhe ta lidh pallamarin për kalu.

Ashtu bënte çdo ditë, sepse e donte fort detin dhe barkat.

Tash, nja 50 vjet më vonë:

Një burrë i pjekur e shtyn karrocën me rrjeta. Shkon çdo mbrëmje dhe i lëshon kah Krruçi, që në mëngjes t’i nxjerrë, herë me peshk, e herë pa gjë. Ashtu bën se duhet të ekzistojë edhe detari. Ai fëmijë, ky burrë është Xhavit Vogliqi.

Jeta e këtij detari nuk ndryshohet fort nga jeta e detarëve tjerë ulqinakë. Si e mbaron tetëvjeçaren kërkon punë, shikon të barkohet. Ka punuar me Halit Selitën (Sulejmani), me Rexhep Becin, me trabakullat e tyre, dy-tre vagonësh.

– Kemi ngarku bastan në Bunë, prej Pataraku, Shinjergji, në Shtoj; e kemi çu në Bokë dhe Dubronik, në Gruzhë, – kallëzon duke u kujtuar fillimeve të punëve të marinarit.

– Punë pa stazh (përvojë) pune; nji vijaxho–dy, sa ka pasë punë. Je varë nga bujku, nëse ka pasë bostan, ose dru për transportim!

E fillon punën në “Ribarsko preduzeqe – Budva”.

– Kemi shku nja 10-15 ulqinakë. Ka qenë viti 1962.

Nuk ka peshkuar më shumë se një vit, sepse shkon në ushtri. Pas ushtrie punësohet në “Dalmatinska plovidba – Vela-Luka”, “Otok” Korçula. Në “Vela-Luka” ka punuar nja 10 e më shumë vjet. Ka punuar edhe në barka të huaja, prej vitit 1969 deri më 1975, së pari barkohet në vaporin “Contea” të Famagustës –  Qipro.

Ashtu lundron nja 30 vjet, deri më 1998.

Matrikulla e parë. Në këtë librezë të maritimit (lundrimit) profesional figuron numri 392, lëshuar në Tivar, më 3 gusht 1961. Në shënimin për nacionalitetin, i shkruan – “shiptar”. Hera e parë që e hasim të jetë shkruar se ndonjëri marinar është shqiptar. Në faqen 4, kualifikimi në marinën tregtare, i shkruan: timonier, sipas autorizimit nga Kapitaneria e portit të Tivarit, dt. 10.6.1974. Në faqet vijuese janë vizat e pakufishme, për të gjitha kontinentet, që nga data 29 mars 1968, por që, më 04 mars 1974 i anulohet, sepse e hap librezën e re dhe i vazhdohet aty. Lexojmë barkimet, lundrimet, zbarkimet që nga faqja 30. Në Fint (ku gjendet ky port?), ditën 27.IV.1962, si marinar, barkohet në “Strazha”, motovelore, lundrimi  shkurtër bregor, kapiteni Halit Sulejmani dhe zbarkohet në Ulqin, më 8.VI.1962, pas një muaj e 11 ditë lundrimi. Në Budva, më 23.III.1963, barkohet në “Shkombra”, vapor të cilin e drejton Musa Kahari, kapidan. Pas 5 muaj dhe 5 ditë lundrimi, më 28.VIII.1963, zbarkohet në portin e nisjes. Në Ulqin, më 16.VIII.1963, barkohet në “Mladi sokol”, m/v e Kotorrit, kapiten edhe një ulqinak i tretë, Rexhep Beci, duke lundruar brigjeve dhe zbarkon pas një muaji e një dite, në Ulqin. Në Metkoviqi, më 21.IV.1966, barkohet në “Vrutak”, vapor tregtar i Podgorës dhe, pasi punon 4 muaj e 26 ditë, zbarkon në Dugi-Rat. Me ndërmarrjen nga Podgora punon edhe në vaporin “Ulcinj”, vetëm një muaj dhe tri ditë, duke u barkuar dhe zbarkuar në Makarska (31.8.1966 – 2.10.1966). Punësohet në ndërmarrjen e Tivarit dhe, si marinar, më 21.VI.1968, në Tivar, barkohet në “Carevac”, anije peshkimi, në lundrimin e vogël bregor. Në Herceg-Novi zbarkon pas një muaji e 12 ditë peshkimi. Në Tivar, më 13.VIII.1968, barkohet në “Ivangrad”, vapor, dhe zbarkon pas vetëm 18 ditë pune. Punësohet në kompaninë “Dalmaplov” – Vela-Luka, më 8.III.1969 barkohet në “Koromanço”, vapor bartës dhe lundron: 9 muaj dhe 23 ditë, duke u zbarkuar në Metkoviq. Vazhdon me vaporët e Dubrovnikut, në Split, më 24.01.1970, barkohet në Vela-Luka dhe zbarkohet në Rjeka më 14.5.1970. Në Tivar, më 22.5.1970, barkohet në “Oshjal” dhe zbarkohet në Ploçe pas një muaji e 10 ditësh. Në Metkoviq, barkohet më 7.9.1970 dhe po në këtë liman zbarkohet, pas një muaji e 16 ditë pune në vaporin “Uvala”. Në vaporin “Oshjak” punon vetëm një muaj, zbarkohet në Rijeka, më 3.11.1970. Në këtë port të madh (Rijeka), më 16.XII.1970, barkohet në “Marko Toshilo”, vapor tregtar, i lundrimeve të gjata bregore, dhe zbarkohet në Tivar, pas 3 muaj e 12 ditë pune. Në Zara barkohet, më 12.IV.1971 dhe po në Zara zbarohet nga “Tamnava”, pas 25 ditë argatie prej marinari. Duke u barkuar në Zarë, më 06.5.1971, në “Privala” të Dubrovnikut shërben një vit të plotë. Punësimin në anijet e jashtme e nis më 23.4.1973, nga Anzia, në vaporin “Kontea”, të portit Capriota – Famagusta dhe zbarkohet pas një muaji e 3 ditësh, në Catania. Këtu mbyllet matrikulla e parë.

Matrikulla e dytë. E ka signaturën 392/II, lëshuar nga Kapitaneria e Tivarit, më 6.01.1975. Në fq. 4 kualifikimi i shkruan  – “kormilar” (timonier). Pasojnë vizat e pakufishme. Duke u barkuar diku në det (?), më 24.01.1975, nis punën e timonierit në “Oshjak” (vapor tregtar) të Dubrovnikut dhe zbarkon në Vela-Luka, më 16.6.1975. Në Rijeka, më 01.10.1975, barkohet në “Hum”, i regjistruar në Panama (shkaku i embargos) dhe lundron vijat e gjata – tre muaj, duke u zbarkuar në Vela-Luka. Në Dugi-Rat, më 06 janar 1976, barkohet në “Privala” të Dubrovnikut, por zbarkohet po atë muaj (më 19 janar 1976) në Vela-Luka. Në Korçula, po atë ditë (më 19 janar 1976) barkohet në “Uvala” (të Dubrovnikut) dhe zbarkohet në Metkoviqi, më 29.5.1976. Në Zelenika, më 27.I.1977, barkohet në “Berane” të Tivarit, por po të njëjtën ditë – del nga vapori (?!). Në Rijeka, më 01.02.1977, barkohet në vaporin “Ulcinj”  dhe kthehet po në atë port, pas tre muaj lundrimi të gjatë. Nga ky port niset dhe kthehet duke punuar timonier për shtatë muaj e sa në “Sutomore” të Tivarit, vapor tregtar, në viaxho të gjata (05.9.1978 – 24.4.1979). Në Tivar (më 29.6.1979) barkohet në “Bar” dhe zbarkohet në Rijeka më 17.10.1979. Në Kiel (ku bie?), më 09.XI.1979, është timonier në “Danilovgrad”, të Tivarit , duke u zbarkuar në Tunis, më 27.3.1980. Edhe një lundrim përjashta dhe i fundit. Në Santander (Spanjë), më 14 tetor 1997, barkohet në “Nipe”, të La-Vallettës (Malta), tipi i vaporit – bulkarier (mallra derdhës, bereqete), dhe përfundon me lundrime, duke u barkuar në Pasajes (Spanjë), më 15.5.1998.

Si të gjithë detarët, edhe Xhaviti ka pasur taravajë jete. I kujtohet, kur i ka vdekur babai, ka qenë në vapor të La-Vallettës së Maltës. Nuk ka qenë në varrim të babës, por ka ardhur në Ulqin tek pas 5-6 muajsh, sepse ka lundruar për Kuba dhe kapiteni s’e ka lejuar ta lerë punën.

Më 1998 Xhaviti punësohet në hotelin “Galeb”.

E lakmon punën në tokë, por pendohet që s’ka vazhduar lundrimet.

– Kush po e di sesi po rrjedhin punët! – thotë i zhgënjyer.

Hoteli është mbyllur. Punë s’ka. Rogë s’ka. Gjuan peshk.

– Rri se pa rrimë! “Passa tempo”! – thotë italiani. Kalo kohë, sot për nesër!

 Por, si të jetojë detari – pa det, pa barka?

Hajro ULQINAKU

Legjendat:

Xhavit Vogliqi, marinar i ri

Xhavit Vogliqi, hipur në pallasarta

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top