Qeveria e Malit të Zi e përcaktoi digjitalizimin, respektivisht krijimin e administratës elektronike, si prioritetin kryesor në të gjitha dokumentet e veta strategjike. Në këtë mënyrë tentohet të nxitet aplikimi i aftësive digjitale, qasje më e mirë në institucionet publike, si dhe edukim i vazhdueshëm i qytetarëve.
Me këtë qasje qeveria synon të sigurojë funksionimin më transparent, më të shpejtë dhe më ekonomik të administratave lokale, jo vetëm për të kursyer para për letër, por edhe për të kursyer kohën e qytetarëve që kalojnë para sporteleve.
Kryeministri Dushko Markoviq vlerëson se digjitalizimi është parakusht i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe shoqërisë moderne. “Është arritur progres i konsiderueshëm, në nxitjen e zhvillimit të inovacionit, zhvillimin e e-administratës, qasjes në internet me brez të gjerë (broadband), digjitalizimin e proceseve të punës në ekonomi. Ky është më i miri investim në të ardhmen”, është i bindur kryeministri i Malit të Zi.
Siç shton ai, Mali i Zi, me përkrahjen e Komisionit Evropian dhe në kuadër të Procesit të Berlinit, në mënyrë aktive punon për realizimin e qëllimeve të përcaktuara me Agjendën Digjitale të Ballkanit Perëndimor.
Ky projekt u iniciua vitin e kaluar me qëllim që të përmirësohet përditshmëria e qytetarëve në Evropën juglindore. Kështu për shembull, pjesë e kësaj agjende është edhe ideja e zvogëlimit të tarifave për roming në vendet e rajonit.
“Mirëpo, njerëzit lidhen në nivel më të thellë se makineritë dhe ato janë ‘damari zhvillimor’ i këtij revolucioni”, pohon sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), me seli në Sarajevë, znj. Majlinda Bregu.
Njëkohësisht, Komisioni Evropian krijoi programin Evropa Digjitale me buxhet të përgjithshëm prej mbi nëntë miliard euro për të zhvilluar dhe mbështetur transformimin digjital të shoqërive dhe ekonomive evropiane. Parashikohet se në një të ardhme të afërt, për gati 90 për qind të vendeve të punës, do t’ju duhet të keni aftësi të caktuara digjitale.
Rasti i Lituanisë ndoshta e ilustron më së miri rëndësinë e këtij ndryshimi. Për vite të tëra Lituanezët e rinj dhe të arsimuar e braktisën vendin e vet – në kërkim të perspektivës dhe jetës më të mirë. Atëherë qeveria lituaneze e kuptoi që e ardhmja bazohet në digjitalizim. Të dhënat vërtetojnë se Lituania arriti të ndalojë ikjen e trurit.
Barometri i Ballkanit për vitin 2020 tregon se 80 për qind e menaxherëve në Ballkanin Perëndimor konsiderojnë se aftësitë digjitale janë shumë të rëndësishme për punë, ndërsa 55 për qind e kompanive në rajon sigurojnë forma të ndryshme edukimi për të avancuar aftësitë digjitale të punëtorëve të vet.
Përndryshe, kryeministri Markoviq shpreson se BE-ja do të njoh përpjekjet e Malit të Zi “i cili me përkushtim punoi për përmbushjen e kritereve përfundimtare për përmbylljen e kapitullit të 10 negociues – Shoqëria e informacionit dhe media.
Teksti u hartua në kuadër të projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME”, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri në partneritet me OJQ “Ul info” dhe Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Projekti mbështetet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të programit “e- Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.