Monday , July 16 2018
Lajmi i fundit

PUSHTIMI OSMAN I ULQINIT 1571

Kur në Venedik u mor vesh që në prill të vitit 1571 fuqitë e mëdha tokësore me njëzet mijë këmbësorë dhe 500 kalorës u nisën nga Stambolli drejt Ballkanit Qendror, mbisundoi paniku. U morën masa për mbrojtjen e qyteteve dalmatin, ndërsa Ulqini dhe Tivari u lanë në duart e fatit të vet. Kujt i kishte mbetur t’i interesojë Ulqini derisa po bëheshin përgatitjet e fundit për një luftë totale të fuqive më të mëdha botërore të asaj kohe?

“Flota e shpagimit” me 54 galera dhe 6530 ushtarë hyri në Adriatik më 17 korrik. Përparimi i saj ishte i lehtësuar me faktin se flota e shteteve të krishtera ndodhej në Mesina. Rreth tridhjetë galera shkuan drejt Dalmacisë, ndërsa përballë Ulqinit lundroi flota prej 25 galerash. Njëkohësisht Ulqinin e rrethoi ushtria tokësore turke me të cilën komandonte gjenerali, bejlerbej i Rumelisë Ahmet Pasha.

Komandanti i flotës turke, admirali Pertev Pasha, arriti përballë Ulqinit së bashku me ortakët e vet, bejlerbeun e Algjerisë Ulluxh Aliun (Kiliç Ali Pasha) dhe begun e Vlorës Kara-hoxhën. Këmbësoria e sulmoi qytetin me katër topa, ndërsa marinarët po zbarkoheshin. Ulqinit i erdhi në ndihmë edhe princi Sara Martinengo me mercenarët francez. Ekuipazhi venedikas prej 800 ushtarësh dhe gjithashtu po aq francezë, me komandantin dhe princin e Ulqinit Brutin, iu dorëzuan Ahmet Pashës nga frika se mbase nuk do kishin municion të mjaftueshëm. Në një testament thuhet se ushtarët francez (hugenotët) në shërbim të venedikasve mbrojtën Ulqinin, në realitet, pa ndonjë vullnet. Raporti i forcave në numër dhe vlera luftarake e njerëzve ishin në anën e osmanlinjve. Çdo dalje nga kalaja e mercenarëve venedikas ishte aventurë e cila mund të shndërrohej në katastrofë.

As garnizoni i qytetit nuk kundërshtoi. Pa përkrahje nga deti, të lënë në mëshirën e vet, ata e panë se ishte e pamundur t’i kundërviheshin fuqisë osmane. Popullata, kohë më parë, kishte ikur nga qyteti për shkak të mortajës e cila ishte tërbuar si dhe frikës nga pushtuesi i ri. Ulqini, kur në të hynë trupat turke, më 1 gusht, ishte pothuaj i shkretë. Ulqini, pra, pa lavdi dhe mejdan trimërie, iu dorëzua Perandorisë Osmane.

Po ashtu, pa kurrfarë lufte dhe rezistence, u dorëzua Tivari. Siç shkruajnë kronikët, ky qytet u dorëzua në mënyrë të mjerueshme edhe pse ishte i furnizuar mirë me ushqim dhe municion, madje edhe më përpara se u rrethua dhe se flota tosmane dha shenjin për të zbarkuar ushtrinë.

Pas rënies së Ulqinit dhe Tivarit, Budva nuk mundi të qëndrojë. E braktisën edhe garnizoni edhe popullata, por osmanët nuk hynë në të.

Lirinë e vet të kushtëzuar, vasali osman Dubrovniku, e pagoi me dhurata të pasura dedikuar komandantëve të ushtrisë osmane. Qysh më 8 gusht dubrovnikasit dërguan në Novi tre fisnikë të vet. Ata në emër të Republikës i uruan Pertev Pashës pushtimin e qyteteve shqiptare duke i dhuruar me këtë rast dhurata të bollshme. Atij iu dorëzuan 1500 dukatë floriri, Ahmet Pashës njëmijë, ndërsa Ulluxh Aliut 200.

Në Ulqin dhe Tivar komandanti i flotës osmane la ekuipazhin me nga 500 njerëz. Të dy qytetet formuan organet e pushtetit lokal dhe kadiun. Sulltan Selimi II me ferman urdhëroi që për qëllim mbrojtjeje në Ulqin dhe Tivar menjëherë të dërgohen 200 pushkë të shkurtra.

Qytetet e vjetra arqipeshknor në rrethin e Shkodrës dhe Ulqinit, në mesin e të cilëve edhe “republika kishtare e Shasit”, vdesin atëherë me vdekjen e përbashkët.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top