Sunday , May 28 2017
Lajmi i fundit

Q. Muja: LAVDI VEPRËS MADHORE DHE TË PAVDEKSHME TË RUDI GOGËS

Qazim MujaFjala nga mbledhja komemorative me rastin e vdekjes së piktorit Rudi Goga

Rudi Goga, u lind në vitin 1948 në qytetin e Ulqinit. Eshtë diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në klasën e akademikut Muslim Mulliqi, në vitin 1979. Ka kryer studimet pasuniversitare në Dyseldorf të Gjermanisë, me profesorët e njohur gjermanë, Rolf Sokenhajm (Sockhenheim) dhe  Jozef Bojs (Joseph Beuys).

Ekspozitën e parë vetjake, të titulluar Kulla e Ballshajve, e hapi në Ulqin në vitin 1978 e cila më pastaj do të pasohej nga një numër i madh ekspozitash dhe aktivitetesh artistike, brenda dhe jashtë vendit. Gjatë karrierës artistike, Goga numëron rreth 65 ekspozita personale dhe po aq kolektive, jo vetëm në Ulqin dhe brenda kufijve të Malit të Zi, por edhe në Gjermani, Holandë, Francë, Nju Jork, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri. Punimet e tij gjenden në galeri dhe koleksione private, në vende të ndryshme të Evropës, ku piktori ka ekspozuar. Ndërkohë Goga numëron edhe disa çmime, mes të cilave në vitin 1991 merr çmimin vjetor të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve Art Club, Ulqin, në vitin 1995 shpërblimin kombëtar “Onufri”, Tiranë, në vitin 1998 shpërblimin e Shoqatës së Juristëve të Malit të Zi, Podgoricë. Rudi Goga ishte njëri ndër themeluesit e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve Art Club dhe si vlerësim të meritave dhe veprës madhore që krijoi, në vitin 2014 Art Club botoi monografinë kushtuar krijimtarisë së begatë artistike të tij.

Për tre vjet Rudi Goga ka drejtuar Muzeun, gjegjësisht Galerinë e Arteve në Kalanë e Ulqinit dhe pastaj realizon disa udhëtime studimore në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj i përkushtohet punës si mësimdhënës në Shkollën fillore “Mareshali Tito” në Ulqin, ku qëndroi deri në pensionim. Gjatë punës së tij shumëvjeçare si pedagog i artit, Rudi Goga përcolli tek gjeneratat e reja shkathtësinë dhe dashurinë për artin figurativ.

Krahas kësaj ai filloi shtegtimin e tij shumë të vështirë në botën e pafund të artit, në aventura dhe eksperimentime të rrezikshme artistike, në dilema dhe ankthe, në rënie dhe ngritje, por gjithmonë i prerë dhe i rreptë në qëndrimet e tij ndaj artit, i prerë në qëndrimet e tij ndaj jetës, i prerë në qëndrimet e tij ndaj artit dhe jetës, duke i konsideruar artin dhe jetën si një dhe si të barabarta. Kështu, krijimtaria e tij të cilën e karakterizon një diapazon i gjerë i refleksioneve ideore-filozofike dhe figurative-estetike, dhe në të cilën projektohet marrëdhënia e tij ndaj dimensionit ekzistencial, shpirtëror dhe shqisor të mikro dhe makro kozmosit, në mënyrë më adekuate domosdoshmërish bëhet shprehje e kredos së tij më të preferuar: “Jeta është art, arti është jetë”.

Rudi Goga, me besim të plotë për atë që bënte dhe me vendosmëri krijoi artin e tij shumë origjinal, duke ecur fuqishëm për të zbuluar nga mosnjohja – njohjen, nga jeta – vdekjen, nga figurativja – abstrakten, nga absurdja – logjikën, nga gruaja – burrin dhe anasjelltas, nga simbolika mitike – realen, nga kombëtarja – universalen, nga ndjenja – arsyen, nga bardhë e zi – ngjyrën, nga disharmonia – harmoninë, nga pavetëdija – vetëdijen, nga antiartisti – artistin, e kështu me radhë, duke vënë gjithherë mbi vepër origjinalitetin e vet të figurshmërisë dhe të gamës koloristike.

Në punën e tij të gjatë kreative, por që fatkeqësisht iu këput në mes, në kohën më të frytshme, piktori Rudi Goga përherë kultivoi të bukurën, duke projektuar njeriun dhe jetën ashtu siç i ndjeu, siç i përjetoi, duke shprehur bindshëm metamorfizmin e dukshëm, jo vetëm të formës artistike, por edhe të formës së të menduarit, të përsiatjes kreative. Format që gjithmonë i konsideronte si të reja, eksperimentale, na paraqiten shumë ekspresive, duke zgjeruar gjithnjë e më shumë vokacionin artistik të tij. Imazhet grafike e pikturale me Kalanë e tij frymëzuese, me Bindin-zot, me oreadat, nereidat, nimfat, mitiken, me jetën metafizike të detit, elemente nga areali i tij jetësor, janë komponentë e rëndësishme estetike dhe dëshmi se pa këta elemente të abstrahuara arti i tij do të ishte i gjymtë, i varfër, i paqenë. Kështu e thoshte ai në debatet miqësore me miqtë dhe kolegët e tij. Andaj dhe vepra që la pas, që spikatet me origjinalitetin e vet, për ne, për Ulqinin dhe për artin kombëtar, është një vlerë e paçmueshme. Shuarja e maestro Rudi Goga është një humbje e madhe jo vetëm për të afërmit e tij të zemrës, për familjen e tij, për bashkëshorten Dijana dhe fëmijët, por për të gjithë ne, miqtë dhe kolegët e tij, për artin dhe kulturën e qytetit tonë në veçanti dhe për artin shqiptar në përgjithësi.

Piktori i mirëfilltë Rudi Goga, arti i devotshëm i tij për të cilin sakrifikoi çdo gjë, duke punuar madje në kushte të jashtëzakonshme, arriti në maja shumë të larta. Si i tillë mbetet krenari e veçantë për ne. Mbetet porosi dhe obligim për të tjerët se, për t’u bërë piktor i madh, duhet punë dhe vetëm punë e, në anën tjetër, sakrificë e madhe. Kjo ishte motoja e Rudi Gogës, motoja e këtij mjeshtri të merituar.

Lavdi maestros, shokut, mikut dhe kolegut të nderuar. Lavdi veprës së tij madhore dhe të pavdekshme!

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top