Saturday , December 15 2018
Lajmi i fundit

Q.Osmani: ADEM DEMAÇI- LUFTËTAR I PAEPUR I LIRISË!

Qani OsmaniMë 26 korrik, pushoi së rrahuri zemra e madhe e njeriut i cili ishte simbol i çështjes kombëtare dhe i shqiptarizmit. Adem Demaçi u shkri si qiriu, por drita e tij do të shkëlqejë përjetësisht në botën shqiptare, ndërsa emri i tij do të vazhdoj t’i frymëzojë brezat që do vijnë. Në fillim të Veprimtarisë së tij ai me shokë shpërndau shum flamuj kombëtar nëpër qytetet kryesore të Kosovës- dhe më vonë nuk pushoi gati kurrë në betejën e tij për lirinë e Kosovës sipas motos së tij “ Nuk pranoj jetë miu në vrimë. Sa të jetoj, do të jetoj si luan”.
Adem Demaçi me kohë ishte bërë kryepersonazhi i vuajtjes, i sakrificës dhe i flijimit për liri dhe atdhe. Ai brezit të ri i dha kurajo, e motivoi, e mësoi se si duhet Atdheu , na mësoi të kuptojmë peshën e jetës nën rrobëri, na mësoi se liria është mbi të gjitha, madje edhe më e shtrejtë se edhe vetë jeta. Një jetë të tërë ai ishte në luftë me të keqen, me armikun, me regjimin shtypës sllav që kohë pas kohe e ndërronte vetëm formën e sundimit.
Adem Demaçi edhe pse ishte në burg, ishte jo vetëm frymëzues, por edhe promotor i demostratave të vitit 1968 si dhe i protestave masive të vitit 1981 në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare që ndodheshin nën sundimin e egër. Duke qenë bir i kombit i angazhuar në luftën për çlirimin e shqiptarëve nga kolonializimi serb, Demaçi u ba frymëzuesi shpirtëror i tre milionë shqiptarëve të ish-jugosllavisë. Ky kolos i kombit ishte shtyllë kryesore e shqiptarëve, si në kohën e sundimit jugosllav, ashtu edhe në kohën e luftës çlirimtare në Kosovë, por edhe në periudhën e pavarsisë së saj. Duke e vijuar veprimtarin e tij kombëtare në vitin 1998, për një kohë të shkurtër u bë përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Demaçi i përballoi të gjitha vuajtjet, madje duke i sfiduar edhe regjimet më çnjerëzore të tipit të Millosheviqit. Ai ishte në luftë të vazhdueshme me armiqtë tradicional edhe në burg, i tillë ishte edhe kur e pa dritën e lirisë personale, i pathyeshëm mbeti edhe në kohën e spastrimeve etnike të Kosovës, i ndejti besnik Kosovës edhe atëher kur nëpër rrugët e Prishtinës dëgjoheshin vetëm kërcëllimat e hekurta të tanksave serbe.
Pas aq shumë vitesh vuajtjeje nëpër burgjet jugosllave, pati fatin që ta shijojë edhe lirinë e Kosovës, edhe pse jo si e dëshironte ate. Ai një jetë të tërë u angazhua për bashkimin e trojeve të coptuara shqiptare, prandaj ideali i tij nuk u përmbush tërësisht edhe pas pavarësimit të Kosovës
Duke qenë nderi dhe krenaria e kombit Demaçin e çmonin shumë lartë si në Kosovë, në Shqipëri, Luginë të preshevës, në trojet shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi si dhe shqiptarët në diasporë. Për vuajtjet e tija gjatë 28 viteve burg, si disident në Jugosllavi dhe për punën e tij për të drejtat e njeriut, në vitin 1991 u vlerësua nga Parlamenti Evropian në Strazburg me çmimin “Saharov”. Ky hero i kombit u vlerësua me çmim të lartë edhe në Madrid. Amnesty internacional ia ka njohur Mendelës së Ballkanit-Demaçit, statusin e të burgosurit të ndërgjegjes.
Për njohje të shërbimit të jashtëzakonshëm ndaj komunitetit dhe interesimin e dukshëm për të gjithë njerëzit, Asociiacioni ndërkombëtar i edukatorëve për paqe botërore, në vitin 1992 i ndan “Diplomë Nderi”. Më 1995 Univerziteti i Osllos e dekoroi për angazhim në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në 2010, ky burrë i pathyeshëm dhe i papërkulshëm para sfidave të historisë dhe stuhive ballkanike, u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”. Më 10 qershor të vitit 2012, Presidenca e Shqipërisë , përkatësisht presidenti i atëhershëm Bamir Topi, me rastin 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, rilindësin e fundit të kombit e dekoroi me urdhin “Nderi i kombit”. Ky “luftëtar i paepur i lirisë” dhe humanist i lindur gëzonte respekt të thellë edhe në qarqet ndërkombëtare. Këtë burrë të rrallë, me karakter të patundur e vlerësonin shumë lartë edhe personalitete të njohura ndërkombëtare dhe botërore.
Adem Demaçi duke qenë zemërluan dhe burrë i pajtimit, ua kishte falur të gjithë atyre, që në rrethana të caktuara, kishin qenë të detyruar të dënojnë veprimtarinë patriotike të tij. Kurrë nuk krijoi parti politike dhe kurrë su ba anëtar i asnjë partie politike dhe kurrë nuk votoi për asnjë parti politike. Ishte instuticion në vehte, ishte asnjanës dhe i pavarur. I takonte kombit , pra tërësisë dhe jo pjesës. Ishte për respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të pakicave jo shqiptare në Kosovë. Për SHBA-në thoshte “mikja jonë e madhe”. Po kështu edhe për Evropën Perendimore. Dënonte pjesëmarjen e shqiptarëve në luftëra të huaja, që s’kishin asgjë të përbashkët me shqiptarët. Tejmas neveriteshte kur dëgjonte dikë të thotë se shqiptarin krishter s’e kam vëlla por vëlla e kam arabin musliman.
Duke qenë një autoritet i pakontestueshëm dhe njeri me integritet, i kritikonte mbartësit e shpërdorimeve në të gjitha fushat e jetës shoqërore, pavarësisht a ishin politikan, oligark, profesor univerziteti apo akademik. Shpeshherë i kritikonte edhe kancelarit evropiane për vendimet që i shmangeshin të vërtetës dhe drejtësisë, apo qëndrimin dhe ledhatimin e sërbisë. Ishte për forcimin e lidhjes midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Adem Demaçi, në venët e të cilit rridhte gjak iliri, gjatë gjithë jetës së tijë, eci rrugës së rilindasve tanë të mëdhenj, prandaj e ka vendin në krye të historisë së kombit. Historia e këtij kalorësi të paqes është histori e Kosovës, histori e kombit shqiptar. Jeta e tij prej një stuhie pa mbarim do të mbes si burim i pashtershëm për brezat që vijnë.
Me qëndresën epike të tij në kufi të legjendës, gjithmonë përballë rrufeve përvëluese dhe uraganave vrastare , Demaçi u shndërua në metaforë të rezistencës, të luftës për liri dhe për bashkim kimbëtar. Ai, përballë stuhive të kohës, qëndroi si një mal i vetmuar dhe i pa tundur. Ky martir i lirisë me energji të pashtershme, me flijimin e vet deri në vetëmohim , u ngjit në panteonin e lirisë, vdiq për të mbetur i gjallë ndër ne, për të qenë i pavdekshëm dhe i përjetshëm.
Lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Adem Demaçit!

Qani Osmani

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top