Wednesday , September 30 2020
Lajmi i fundit

Q.OSMANI: HISTORIKU I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË MALIT TË ZI

Qani OsmaniPartitë politike shqiptare edhe pse të vetëdijshme se ligji zgjedhor që nga zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi (9 dhjetor 1990) e deri më sot në praktikë ka ndryshuar disa herë varësisht nga rrethanat shoqërore dhe interesave të pushtetit. Në rastin konkret, në pozitë më të pavolitshme kanë qenë shqiptarët, si e vetmja popullsi josllave, ku ende nuk kanë arritur të realizojnë në praktikë përfaqësimin autentik të popullatës shqiptare, subjektet politike shqiptare garuan në të gjitha zgjedhjet si ato lokale ashtu edhe ato parlamentare.

Zgjedhjet e para parlamentare u mbajtën më 9 dhjetor të vitit 1990, sipas sistemit të shumicës, ku e definonte tërë territorin e Malit të Zi me 20 njësi zgjedhore, mandatet u përcaktuan në bazë të formulës ë D’ontonit. Në këto zgjedhje morën pjesë edhe shqiptarët me subjektin e vetëm të tyre politik – LD në MZ-i edhe atë jo si subjekt i vetëm por në koalicion me partinë e boshnjakëve-SDA dhe së bashku arritën të fitojnë 11 mandate, 4 prej të cilave i takuan LD në MZ-i. Në këtë rast duhet cekur gjithsesi se fillimisht parlamenti i Malit të Zi ka pasur 125 deputetë.

Në zgjedhjet e dyta të parakohshme të cilat u mbajtën më 20 dhjetor të vitit 1992, sipas sistemit proporcional ku i tërë territori i Malit të Zi definohet si një njësi zgjedhore, ku çdo subjekt politikpër të marrë pjesë në parlament duhej paraprakisht të siguronte 4% të votive të përgjithshme të elektoratit të dale në votime. Në një situatë të tillë, në pozitë të pabarabartë ishin pjesëtarët e popujve më të vegjël që këtu trajtohen si pakica kombëtare nga shkaku se nuk patën elektorat të mjaftueshëm për të arritur pragun e nevojshëm për të qenë parti parlamentare. Në këto zgjedhjetë parakohshme shqiptarët kësaj radhe dolën vetëm në zgjedhje, me po të njëjtin subjekt politik -LD në MZ, por edhe pse fituan 11 508 vota(3.96%) nuk e arritën censusin prej 4% sepse iu munguan 115 vota dhe mbetën jashtë parlamentit.Për këto zgjedhje me rëndësi është të ceket se u mbajtën një gjysmë viti pas formimit të Republikës të përbashkët Jugosllave, e përbërë nga Serbia dhe Mali Zi.

Zgjedhjet e treta parlamentare, të cilat u mbajtën më 3 nëntor 1996, dallonin dukshëm nga të mëparshmet ngase tani territori i Malit të Zi nuk ishte një njësi zgjedhore, por ai ndahej në 14

njësi zgjedhore. Një veprim të tillë e bëri partia në pushtet (DPS) sepse në saje të gjendjes ekzistuese frikohej se do t’i humbte zgjedhjet, andaj ia përshtati vetes ligjin zgjedhor. Në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, ky ligj e eliminonte sistemin proporcional, duke i

eliminuar në këtë mënyrë partitë e vogla. Se ky ligj zgjedhor avanconte partinë në pushtet (DPS) dëshmon e dhëna se edhe pse fitoi 51% të numrit të përgjithshëm të votave, ajo mori 63% të mandateve në parlament (45 deputetë), duke përvetësuar 39 000 vota të të tjerëve.

Ligji zgjedhor i vitit 1996, për shqiptarët paraqiti një risi, sepse në saje të këtij ligji zgjedhor mundësohej përfaqësimi i tyre në parlamentin malazez. Kështu nga gjithsej 14 njësi zgjedhore, për shqiptarët ishin rezervuar dy, që së bashku jepnin katër deputetë. E para përfshinte territorin e komunës së Ulqinit dhe Krajën, e dyta territorin e Malësisë. Në këto dy njësi zgjedhore, partitë politike shqiptare (LDMZ, UDSH) fituan gjithsej 9138 vota duke siguruar 4 deputetë, nga dy secili subjekt politik, edhe atë LD në MZ arriti të fitojë 5289 vota, derisa UDSH-ja arriti të fitojë 3849 vota.

Pas ndarjes së partisë më të madhe në pushtet (DPS) në dy pjesë dhe ngjarjeve që u zhvilluan pas zgjedhjeve presedenciale që u mbajtën në tetor të vitit 1997, më 31 maj të vitit 1998 u mbajtën zgjedhjet e katërta parlamentare. Për dallim nga zgjedhjet e mëparshme kemi rikthim në sistemin zgjedhor proporcional, ku Mali i Zi është i ndarë në dy njësi zgjedhore, ku në njësinë e dytë zgjidhen 5 deputetë nga radhët e pakicës nacionale shqiptare sipas parimit të aksionit afirmativ. Kështu që kësaj here u gjet kompromisi që shqiptarët të votojnë në 59 qendra votimi ku jeton popullsia shqiptare si popullsi autoktone në pesë komuna të Malit të Zi (Ulqin, Tivar, Plavë, Podgoricë dhe Rozhajë). Ky ligj zgjedhor sjell po ashtu edhe një risi, sepse për pjesëmarrje në parlament subjekteve politike iu zvogëlohet censusi nga 4% në 3% të votave të përgjithshme. Në këto zgjedhje garuan edhe partitë politike shqiptare, ku arritën të fitojnë këto rezultate: LD në MZ arriti të fitojë 5425 vota (një mandat) dhe UDSH-ja 3529 (një mandat).

Zgjedhjet e pesta të radhës u mbajtën më 22 prill të vitit 2001.Ajo çka është me rëndësi të ceket është edhe fakti se pas këtyre zgjedhjeve për herë të parë ndodhi që asnjë strukturë politike nuk arriti që të ketë shumicën parlamentare në parlamentin e Malit të Zi.Derisa Qeverinë e mbështeti Lidhja Liberale e Malit të Zi. Në këto zgjedhje parlamentare popullata shqiptare e përfaqësuar nga partitë politike shqiptare arritën që në Parlamentin e Malit të Zi të sigurojnë dy mandate në saje të këtyre rezultateve: LD në MZ fitoi 3570 vota (një mandat) dhe UDSH-ja e cila fitoi 4232 vota (një mandat).

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Beogradit, ku u deklarua që me referendum qytetarët e Malit të Zi të vendosin mbi statusin juridiko-politik të Malit të Zi, Lidhja Liberale e Malit të Zi ia shkurtoi përkrahjen Qeverisë së atëhershme dhe zgjedhjet e gjashta të radhës u mbajtën më 20 tetor të vitit 2002. Ajo që është karakteristike për këto zgjedhje është se përveç stabilizimit politik, nuk ndodhi asgjë e re në përfaqësimin e pakicave nacionale, të cilët edhe kësaj radhe u përfaqësuan vetëm nga pakica nacionale shqiptare të cilët kësaj radhe garuan me koalicione. Kështu që Koalicioni Demokratik “Shqiptarët Bashkë” (UDSH, LDMZ, PPD) arritën të

fitojnë 8498 vota dhe siguruan dy mandate në Parlamentin e Malit të Zi.

Zgjedhjet e para që u mbajtën pas referendumit, i cili u mbajt më 21 maj të vitit 2006, me të cilin Mali i Zi e riktheu pavarësinë shtetërore, u mbajtën në shtator të vitit 2006. Ajo që eshtë karakteristike për këto zgjedhje ka të bëjë me faktin se për herë të parë përfaqësimi i pakicave nacionale u bë në saje të shumë listave. Në përbërjen e parlamentit tanimë përveç shqiptarëve kemi edhe përfaqësues të pakicave nacionale serbe, boshnjake, derisa partia që përfaqësonte

pakicën nacionale kroate hyri në koalicion parazgjedhor me DPS-në dhe në fund i takoi një mandat në Parlamentin e Malit të Zi.

Në këto zgjedhje parlamentare, që ishin të shtatat me radhë, garuan edhe Partitë politike shqiptare, si vijon: LD në MZ e cila arriti të fitojë 4373 vota (një mandat). UDSH-ja arriti të fitojë 3692 vota (një mandat) dhe Alternativa Shqiptare (ASH) e cila fitoi 2656 vota (një mandat).Me rëndësi është fakti se ASH arriti që të bëhet parti parlamentare.

Në zgjedhjet parlamentare, të cilat ishin të tetat me radhë, partitë politike shqiptare të cilat garuan në këto zgjedhje arritën të fitojnë katër deputetë, duke përsëritur rezultatet e zgjedhjeve

të viteve 1990 dhe 1996. Si për zgjedhjet e kaluara, edhe në këto zgjedhje vlente ligji që në qendrat e votimit që janë me shumicë me popullsi shqiptare do të japin 5 deputetë, për të cilët do

të garojnë të gjitha subjektet politike.

Duke marrë parasysh përvojën e kaluar si dhe depërtimin e DPS-së në trupin zgjedhor shqiptar, në një masë të konsiderueshme u bënë disa përpjekje për formimin e një koalicioni të madh të partive politike shqiptare. Por një ide e tillë, e cila u mirëprit nga opinioni i gjerë shqiptar si në vend ashtu edhe në diasporë, dështoi sepse dolën në pah interesat karrieriste si dhe ambiciet e sëmura lideriste të disa liderëve partiakë. Dhe mosrealizimi i një koalicioni të tillë në mes partive politike shqiptare bëri që shqiptarët të jenë të përçarë si asnjëherë më parë dhe të dalin në zgjedhjet parlamentare me pesë lista zgjedhore, nga 16 sa kishte gjithsej në nivel të Malit të Zi. Në këto zgjedhje, partitë politike shqiptare arritën këto rezultate: UDSH-ja fitoi 4747 vota (1 deputet), FORCA 2939 vota (1 deputet), Lista Shqiptare (LDMZ-ASH) 2898 vota (1 deputet) dhe Koalicioni Shqiptar “Perspektiva” 2619 vota (1 deputet). Befasia e këtyre zgjedhjeve ishte rezultati i FORCËS pasi arriti të bëhet parti parlamentare. Pra, mund të themi se shqiptarët, nga pesë deputetë, që iu mundësonte “njësia e veçantë“ zgjedhore, fituan katër deputetë, ndërsa një e fitoj koalicioni qeveritar në krye me DPS-në.

Në zgjedhjet e parafundit parlamentare të vitit 2012, partitë politike shqiptare të asaj kohe garonin të ndara në 4 lista. Pjesëmarrëse në këto zgjedhje ishin: Aleanca Rinore e Shqiptarëve, UDSH,Koalicioni shqiptar (LDMZ, PD, ASH), si dhe koalicioni Forca për Bashkim (Genci

Nimanbegu, Vasel Sinishtaj, Zana Sarvan). Sa u përket votave për secilin nga këto lista situata ishte e tillë: Aleanca Rinore Shqiptare fitoi 531 vota, UDSH-ja 2848 vota, Koalicioni Shqiptar (LDMZ, PD, ASH) 3824 vota (1 deputet) dhe Forca për Bashkim 5244 vota (1 deputet). Nga këto të dhëna shihet qartë se të gjitha subjektet dhe koalicionet shqiptare asokohe fitonin 12477 vota dhe arritën të fitonin vetëm dy mandate (deputetë).

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi, të cilat u mbajtën 16 tetor të vitit 2016 partitë politike shqiptare garuan të ndara në tre koalicione. Listat të cilët garuan ishin “Shqiptarët të Vendosur”, i cili përbëhej nga Forca e Re Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare që kryesohej nga Genci Nimanbegu si dhe koalicioni “Me një qëllim”, i përbërë nga Partia Demokratike, Iniciativa Qytetare-Tuz, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Lëvizja Qytetare “Perspektiva” që kryesohej nga Gzim Hajdinaga. Dhe lista e tretë shqiptare e quajtur “Lidhja Demokratike e Shqiptarëve” që përfshinte degën e LD në MZ të Malësisë, Rozhajës dhe Plav-Gucisë dhe kryesohej nga Nikollë Camaj. Koalicioni “Shqiptarët e Vendosur” arriti të fitoj 4854 vota duke e nxjerrë një mandate, ndërsa koalicioni “ Me një Qëllim” edhe pse pati 3394 nuk arriti dot mandatin ndërsa lista e tretë çoi dëm 1542 vota. Ajo që u vu re në këto zgjedhje ishte fakti se votat e dhëna për partite politike shqiptare kishin rënje nga 12477 në 9790.

Si përfundim mund të themi se skena politike shqiptare në Mal të Zi duhet të pësojë ndryshime, e po ashtu edhe ligji zgjedhor.“Shqiptarët duhet të kenë zonën e veçantë zgjedhore e cila duhet të përfshijë vendvotimet shqiptare, ku do të marrin pjesë në zgjedhje vetëm partitë nacionale shqiptare”, sepse vetëm në këtë mënyrë do të kemi përfaqësim autentik, konform standardeve ndërkombëtare, që vlen edhe për popujt të tjerë pakicë në këtë mjedis.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top