Saturday , April 4 2020
Lajmi i fundit

Qani Osmani: DEMOKRACIA INSTITUCIONALE NË MAL TË ZI

Qani OsmaniVetëdija kolektive dhe kultura politike janë dy elemente të ndërlidhura, prandaj për të funksionuar mirë vendi, është  e domosdoshme që këto dy komponenta të zhvillohen bashkërisht. Shumë teoricientë nga fusha e administrimit publik, dhe shkencave politike, organizatat administrative i konsiderojnë si tërësi njerëzish, ku si element kryesor i strukturës organizative dhe funksionimit të saj paraqitet sjellja shoqërore e njerëzve. Nisur nga ky fakt janë imediate shqyrtimet e  sistemit të avancuara të nëpunësve, etika e nëpunësve, organizimi i shërbimeve dhe, në përgjithësi, shqyrtimet mbi politikën e kuadrove administrativ dhe politik.

Sot, vërehet se ekziston një mungesë kulture dhe tradite ndaj qasjes dhe raporteve mes institucioneve të shtetit dhe qytetarëve. Me sjelljet dhe veprimet e pahijshme të disa politikanëve dhe burokratëve në institucionet publike, ata po ofrojnë shembuj të panumërta negative dhe imazh të zymtë mbi vendin. Nga ana tjetër  ditë e më shumë qytetarët po krijojnë përshtypjen se institucionet shtetërore kanë humbur ndjeshmërinë e tyre në raport me qytetarët dhe se këto institucione nuk janë, madje as që pranojnë të jenë servis i qytetarëve si dhe në shërbim total të tyre, ngjashëm si në tërë botën e mirëfilltë demokratike. Kur  të merret për bazë ky fakt, atëher me të drejtë parashtohet edhe pyetja se, cila është arsyeja e këtyre raporteve të ftohta institucione shtetërore-qytetarë: mungesa e traditës, kulturës apo mungesa e profesionalizmit?!

Gjatë kësaj periudhe kohore në të cilën po kalon Mali i Zi  në përgjithësi, nuk mbeti po thuajse njeri pa debatuar për shtetin, institucionet dhe politikën. Në këtë kontekst fare lehtë arrihet te përfundimi se ekzistojnë paqartësi të mëdha mbi kuptimin e këtyre tre nocioneve, por edhe qasja ndaj tyre lë për të diskutuar! Madje edhe vetë politikanët jo rall herë nuk kuptojnë qëllimin dhe rëndësinë e institucioneve dhe politikbërjes. Politikanët sikur kanë kuptuar se ndaj këtyre institucioneve vazhdimisht duhet të shprehin forcë, arrogance e mospërfillje, ndërsa institucionet shtetërore sikur kanë arritur atë pikën e edukimit në ushtrimin e injorimit, të përçmimit dhe të moskryerjes së punëve të qytetarëve.

Mali i Zi si pjesë përbërëse e ish- sistemit socialist pas vitit 1991 ka filluar me demokratizimin e shtetit, por pa traditë të demokracisë insitucionale. Por nuk është vetëm shkaku i mungesës së traditës dhe kulturës politike , por edhe prania në skenën politike të disa politikanëve që ishin aktiv gjatë ish-sistemit, ndërsa tani po të njejtit janë ende aktiv, por me pamje dhe role të ndryshme, e që vazhdojnë të ruajnë me sukses pozitat e tyre autoritative në shoqëri. Ky kallëp politikani edhe më tej përhap dhe ruan me xhelozi atë sjellje burokratike dhe nonshallante ndaj qytetarëve, gjeneron pasardhës të vetë dhe prandaj, sot kemi një administratë hibride në mes të asaj socialiste dhe “demokratike”!

Fatmirësisht, kjo sjellje nuk vërehet në masë të madhe edhe tek nëpunësit shqiptarë që gjenden nëpër institucione të ndryshme të shtetit. Kjo ndodh për faktin se nuk kanë kurrfarë përvoje pune nga e kaluara e institucioneve socialiste dhe që në start brumosen me një kulturë pune të denjë për një sistem që në krye të vendit e vë qytetarin. Kultura institucionale e shqiptarëve të Malit të Zi sikurse dallon nga të tjerët, për arsye të ndryshme politike dhe pozitës inferiore  gjatë  proceseve të politikbërjes. Vetëm gjatë degadës së fundit popullata shqiptare filloi të punësohet në përqindje më të lartë. Përpjekja për rritjen e përfaqësimit vazhdon, por ngadal, gjë për të cilën opinion nuk i ka të njohura shkaqet dhe arsyet, e madje është e paqartë edhe për vetë liderët e partive politike shqiptare që janë në kualicione qeveritare .

Te ky numër i vogël i nëpunësve administrativë shqiptarë është vërejtur edhe një fenomen. Në mungesë të përvojës në këtë lloj aktiviteti dhe duke u konceptuar si “kërcënim permanent” për kapjen e vendeve të punës që sipas disa koncepteve aparthejdiane i përkasin vetëm “popullit të zgjedhur”, malazezëve, edhe sot e kësaj dite nëpunësit shqiptarë margjinalizohen, nuk ju shpjegohet puna, nuk trajnohen, keqdrejtohen me qëllim që të dështojnë. Nuk ka pozicion administrative ku punojnë shqiptarët e që nuk ndjehet ky nënçmim  komunist ndaj nëpunësve shqiptar të sotshëm.

Është fakt se nëpunësit shqiptar në çdo mundësi  që ofrohet shprehin përpjekje të ngulmëta për integrim, ndërsa ekziston një palë tjetët e cila me ngulm refuzon, e pamundëson apo edhe e pengon këtë proces të integrimit. Kjo pastaj ndikon në krijimin e bindjes së paluhatshme se shoqëria jonë është shumë larg krijimit të resurseve njerëzore për ta administruar dhe udhëhequr institucionet shtetërore. Kjo është problematikë shumë e rëndësishme që duhet kushtuar kujdes! Politikanë dhe nëpunës me standard të larta proesionale do të ndryshonin këtë bindje të tjerëve se shqiptarët nuk kanë kuadro dhe kapacitete për administrimin e institucioneve shtetërore.

Një thënje e vjetër që ka burimin nga populli thotë: “kultura e një kombi buron nga zemrat dhe shpirti I njerëzve të saj”! Andaj duhet që njëherë e përgjithmon ta kemi të qartë se ekzistojnë tre elemente që ngrisin vetëdijen shoqërore dhe pastaj rrisin edhe cilësinë e demokracisë institucionale, e ato janë: domethënja e ekzistimit të institucioneve, etika dhe respekti ndaj institucioneve dhe marrëdhënjet dhe bashkëpunimi i institucioneve me qytetarët.

Pasi që shërbimet administrative dhe politikat publike paraqesin veprimtari shoqërore, ato duhet të realizohen në bazë të rregullave të etikës, prandaj edhe nga nëpunësit, politikanët dhe qytetarët kërkohet një formë kulturore e komunikimit dhe bashkëpunimit. Administrata dhe institucionet janë të domosdoshme jo vetëm për fuksionimin normal të sistemit, por edhe për sigurimin e zhvillimin e saj. Andaj për në fund mendoj se nuk do të mund të shpresojmë në ndryshimin e qasjes dhe raporteve në mes institucioneve dhe qytetarëve pa ngritjen e vetëdijes kolektive dhe pa një kulturë të përgjithshme konstitucionaliste. Vetëdija kolektive dhe kultura politike janë dy elemente të ndërlidhura me njëra-tjetrën, prandaj për të funksionuar mirë vendi, është e domosdoshme që këto dy komponentë të zhvillohen bashkërisht.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top