Sunday , August 18 2019
Lajmi i fundit

Qani Osmani: INJORANCA POLITIKE

Qani OsmaniQë në fillim vlen të kujtojmë shprehjen që përdor populli “Injoranca është burimi i gjithë të këqijave”. S’ka dyshim se këtë thënie e ka vërtetuar praktika e jetës në ç’do periudhë kohore. Por mendoj se në ditët e sotme dukuria e injorancës te ne, për dimensionin që ka marrë dhe mënyrën se si reflektohet është bërë termi që po lakohet dhe komentohet më shumë. Pa dyshim dukurit e injorancës reflektohen te njerëzit e paformuar dhe të pa arsimuar, pa nivel dhe pa kulturë.

Nëse mbështetemi në mendimin e Benjamin Franklinit se “Demokracia dhe plus injoranca e popullit, është rruga më e shkurtër drejtë despotizmit nëpërmjet demagogjisë”, atëher s’do mend se rehatia dhe mirëqenia e politikanëve sigurohet nga injoranca e disa turmave votuese. Ndër ne, kjo gjendje nuk është e sotme, por, kjo zgjat më shumë se dy dekada e gjysmë. Kjo gjendje zgjat kaq shumë, pasi një pjesë e elektoriatit gjendet në injorancë të thellë, një pjesë nuk voton fare dhe një pjesë gjendet në mërgime të largëta. Edhe nga ata që votojnë dhe janë aktiv në jetën politike, nëse krijohet një subjekt i ri opozitar, apo një fraksion më largpamës brenda partisë, pushtetarët e asaj apo kësaj partie kanë plot mekanizma që t’i asgjesojnë ato nga jeta politike. Për këtë, mekanizmi më “famëkeq” është pjesa injorante e elektoratit, i cili ka lëpirë një kockë që ia ka hedhur pushteti dhe ai duke e mbrojtur kocin e vet, se po e lëpinjë edhe të tjerët është në gjendje që të kafshojë çdokend që i del përpara politikës së padronit të vet.

Në rrethanat tona, pjesa më e madhe e politikanëve tanë janë edhe të “pafajshëm” pasi rrjedhin nga rrethi shoqëror injorant, vetë janë injorant, i marrin votat nga injorantët, veprojnë brenda një shoqërie injorantësh, zbaviten duke u treguar “përralla” injorantëve për “sukseset”e tyre mediokre, me të vetmin qëllim që t’i mbajnë nën sundim shtresat përparimtare dhe veçmas idealistët, të cilët edhe shpesh përfundojnë tragjikisht.

Nga kjo që u tha më lartë shohim se faji është te elektorati!… Edhe sot nuk jemi në gjendje ta ndihmojmë dhe ta shpëtojmë vetëveten, edhe pse politikat tona kundërmojnë erë të keqe nga të vjellat e politikanëve! Këtë e dinë edhe vetë politikanët tanë, por ata e kanë gjetur “ilaçin dezinfektues” kundër aromës kundërmuese të politikës së tyre edhe atë me një fjali të vetme: “S’ka më të mirë! Të mirë të këqij, populli na voton!”. Kësisoj, mendojnë ata, dhe “ashtu është” pasi ky “ilaç” u bënë mirë turmave votuese injorante dhe përkrahasve të politikës manipuluese dhe të fëlliqur.

Ashtu si në komunizëm, edhe pas tri dekadave në “demokraci” na përcjell i njejti fat dhe sillemi me të njëjtin mentalitet. Sërish krijohen parulla të ngjajshme, parulla të një mentaliteti të kaluar, që gjithmonë patën për qëllim hipnotizimin e elektoratit injorant, përmes të cilëve, politikanët e rrejshëm (rezilët e kohës moderne), jo vetëm që vinin në pushtet me lehtë, por, përmes tyre edhe shtypën njerëzit përparimtar e një politike idealiste, duke krijuar klimën e fajit të pafaj. Përmes këtyre parullave dhe njerëzve me mendje të mashtruar edhe sot e kësaj dite vazhdon mashtrimi i keq dhe primitiv i elaktoratit, vetëm e vetëm që të ruhet e paprekur epoka e hipokritëve, që, sipas Benjamin Franklinit, “dinakëritë dhe tradhtitë janë praktika të budallenjve, që nuk kanë mjaftë tru për të qenë të ndershëm”.

Kjo propagandë banale, apo arsyetimet e tilla i bën përmes njerëzve të porositur, se gjoja ky veprim politik, kjo marrëveshje, ky konsensus , ky lëshim, apo ai tjetri veprim, bëhen për strategji më madhore të cilat i di partia, dhe se nuk mundet çdokujt edhe t’i tregohet etj. Këto primitivizma politikë nuk janë asgjë tjetër veçse shpërlarje e trurit të popullatës për tradhtinë e radhës, pasi kësisoj ruhet vazhdimësia e politikanëve matrapazë dhe skajshmërisht të rrejshëm.

Populli është i mirë dhe pikërisht për këtë edhe vuan me dekada, të cilën e dëshmon edhe thënia e Napolonit: “Bota vuan shumë, jo për shkak të dhunës së njerëzve të këqij, por për shkak të njerëzve të mirë”. Kjo ndodh pasi që gjatë fushatës elektorale partitë politike premtojnë gjithçka, pastaj premtimet i bëjnë me strategji të veçant, duke u thirrur në patriotizëm, në Zot, në vende pune, në ndërtimin e rrugëve etj, dhe këtë, njerëzit e mirë e të paditur e besojnë lehtë dhe kështu i gëlltitin gënjeshtrat e matrapazëve. Ata u besojnë, pasi vetë ata nuk dinë të mashtrojnë dhe kësisoj i besojnë gënjeshtrës. I besojnë, pasi janë besimtarë të paditur, pa fajin e tyre. Ata nuk e dinë se patriotizmi verbal ka kaluar një shekull më parë, kurse sot bota e civilizuar kërkon patriotizëm praktik, si në ekonomi, arsim, shëndetësi, teknologji moderne, në ekologji etj. Pra, kjo mirësi e popullit, apo mosdija e tij e thelluar e bënë popullin armik të vetvetes dhe këtë armiqësi e realizon përmes zgjedhësve të vet.

Demokriti thoshte se, është “madhështia e shpirtit që duron me dinjitet padrejtësitë”. Këtë madhështi nuk e kuptojnë partitë tona, apo politikanët që gravitojnë nëpër parti të ndryshme, përkundrazi, ndjehen komod për dhunën ekonomike dhe dhembjet shpirtërore që i servirin popullit, në vend që të jetojnë bashkërisht me hallet e popullit dhe të mjerët politikanë nuk e dinë se, siç thoshte Martin Luter King, “ne duhet të mësohemi të jetojmë së bashku si vëllezër, ose ne do të vdesim së bashku si budallenj”.

Partitë tona asnjëherë nuk humbin nga oponenti tjetër politik, por humbin nga vetvetja, pasi elektorati shqiptar i kësaj apo asaj partie ndjehet i dëshpëruar dhe i tradhtuar nga udhëheqja e saj partiake. Ai ndjehet jo i përfillur dhe i respektuar sa duhet në raport me sakrificat dhe mundin që ka dhënë elektorati për të ardhur ata në pushtet. Pastaj, këto politikan edhe nuk dinë të kërkojnë falje për gabimet apo lëshimet e bëra gjatë udhëheqjes së tyre të keqe, që sadopak ta ngrisin vullnetin e tyre të thyer. Nuk e bëjnë këtë pasi janë të dobët dhe të zhytur thellë në korrupsion e snobizëm. Nuk veprojnë kësisoj, sepse nuk e dinë se falja është dhunti e madhe nga perendia dhe është “cilësi e njerëzve të fuqishëm”, siç thoshte Gandi.
Se a do të dijë elektorati shqiptar në përgjithësi ta tregoj forcën e vet para partive politike, tu kërkoj llogari për të bëmat e tyre të pista, t’i ndëshkojë për vullnetin e tyre të ndridhur, mbetet të shohim. Por, siç duket, te ky elektorat ende nuk ka arritur të menduarit kolektiv, ende ata i lidhen njëmendësisë së liderit partiak politik të tyre, pavarësisht se janë në vazhdimsi dhe gjithmon objekt i nëpërkëmbur i politikës. Për këtë gjykim kolektiv, mbetet ta shohim në zgjedhjet që do të vinë, apo ndoshta ende nuk do të mundemi të largohemi lehtë nga shpirti robërues i njëmendësisë politike.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top